...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse Enveri ishte më efiçent se Rama me tërmetin e ‘79?

Me kursime të mjaftueshme, institute shkencore dhe ndërmarrje ndërtimi shtetërore dhe ideologji revolucionare (sakrificë për atdheun dhe të mirën e përgjithshme) elita komuniste e kishte të thjeshtë të mobilizonte ndërmarrjet dhe popullin në rindërtimin e vendit ndërsa nuk mungonte vlerësimi i çdonjërit që sakrifikonte për të mirën e përgjithshme nga elita e kohës

Ylli Përmeti

27/01/2020 - 10:44

Në datën 26 janar, 2020, ditën e diel, Rama mblodhi qeverinë e tij dhe për të treguar se është një qeveri ‘punëtore’ dhe e tejdukshme (kujtoj se nga gjithë instituciuonet e “shtetit” neoliberal, kryeministria zë vendin e parë si më pak e tejdukshme/transparente!) tha mes të tjerash se “dy muaj ishte kohë shumë e shkurtër për një punë shumë të madhe”...lidhur me vlerësimin e dëmeve nga tërmeti duke e krahasuar qeverinë e tij me qeveri të tjera por që nuk permendi asnjë ndërsa harroi të përmendte Enver Hoxhën që ndërtoi 17 mijë banesa brenda 6 muajsh në tërmetin e '79...kundrejt të cilit paraqitet si më i mirë!

Ndërsa nuk prisja të ishte më i ndershëm me qeverinë e tij meqënse e ka vërtetuar se i mungon aftësia studimore dhe kritike e punëve të qeverisë së tij, pyetja që duhet të marrë përgjigje këtu është se pse Enveri ishte më efiçent në tërmetin e ’79 krahasuar me tërmetin e 26 nëntorit, 2019, kur propagandohet e kundërta: se shteti socialist i Enverit është më pak efiçent se shteti neoliberal i Berishës dhe Ramës? Sepse kjo është një arsye se pse u braktis socializmi marksist nga elita e 30 viteve të fundit; ndaj ajo meriton vëmendje. Një arsye tjetër ishte ‘burokracia’ për të cilën, e njëjta elitë, s`ka treguar dhe as do të tregojë ndonjë herë, shkaqet se pse krijohësh.   

Enveri nuk procedoi nga vlerësimi i kostos në rindërtim por drejtpërdrejt në rindërtim: sepse ndërmarrjet e ndërtimit ishin shtetërore dhe drejtoheshin nga institutet e shkencave dhe s`kishin shumë nevojë për të pritur përllogaritjen e kostos, megjithëse një lloj përllogaritje u bë paralelisht me fillimin e punimeve. Tani, me një qeveri të zhytur në borxhe dhe të korruptuar dhe ndërmarrje ndërtimi private, të etura për tendera, rindërtimi zgjatet shumë pikërisht për shkak se qeveria s`ka rezerva të mjaftueshme për rindërtim dhe për të njëjtën arsye është ende në procesin e lypjes së lekëve nga dhuruesit (ose ‘donatorët’!) ndërsa kryen përllogaritjen e kostos...Ja pse them se është një qeveri lëmoshtare dhe pse shteti i Enverit ishte më efiçent se shteti i privatëve të cilin na e kanë shitur si më efiçent se shteti i Enverit ballistët dhe reaksionarët e brendshëm dhe elitat e huaja.

Kështu, me kursime të mjaftueshme, institute shkencore dhe ndërmarrje ndërtimi shtetërore dhe ideologji revolucionare (sakrificë për atdheun dhe të mirën e përgjithshme) elita komuniste e kishte të thjeshtë të mobilizonte ndërmarrjet dhe popullin në rindërtimin e vendit ndërsa nuk mungonte vlerësimi i çdonjërit që sakrifikonte për të mirën e përgjithshme nga elita e kohës. Tani, me një qeveri të zhytur në borxhe, me të kaluar kurruptive dhe me synime korruptive (kryesisht duke përfshirë në rindërtimin e banesave ndërmarrjet private me të cilat bashkëpunon prej vitesh), ndërmarrje private të etura për tendera dhe ideologji reaksionare, ku mbizotëron e mira individuale mbi të mirën e përgjithshme (dhe popull që i ngjan elitës dhe ideologjisë së saj) —që ''sakrifikon'' vetëm kur e paguajnë— e ka të vështirë por jo të pamundur të jetë efiçente por kurrë nuk mund të jetë më efiçente se qeveria e Enverit.

Dhe si qeveria ashtu paraqitet dhe opozita e Bashës: idiote—sepse u mjaftua duke na treguar të vetkuptueshmen: faktin se qeveria s`ka mbaruar ende me vlerësimin e kostos pa treguar shkaqet! Për të njëjtën arsye, se ajo nuk tregon shkaqet (që të tregojë shkaqet duhet të studiojë dhe kuptojë më shumë sintezat politiko-ekonomike) ajo do të ishte më keq në qeveri! Shtypi i përditshëm, ndërkohë, për të mësuar se si të veprojë qeveria e Ramës, nuk përdor Enverin por qeverinë turke, veprimet e së cilës, sërish, nuk mund të krahasohen me efiçencën e shtetit të Enverit!

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA