...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse ligjësimi i kanabisit në Shqipëri dëmton shëndetin e popullit dhe nuk sjell fitime ekonomike?

Gjykuar nga kushtet aktuale ―kemi një përqindje të madhe të rinisë të papunë dhe të prirur për të përdorur drograt; kemi qeveri që nuk angazhohet për punësim të plotë dhe nuk ka treguar se nuk është e korruptuar; në Shqipëri nuk ka mjekë të kualifikuar për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, dhe prokuroria nuk ka treguar bindshëm se mund të hetojë qeverinë― ligjësimi i tij do të sillte më shumë dëme se sa përfitime.

Ylli Përmeti

11/04/2022 - 16:29

Qeveria “Rama” erdhi në pushtet duke premtuar dhe shkatërrimin e “industrisë” së kanabisit; dhe premtimin e mbajti: por duke shkatërruar “industrinë” e Lazaratit dhe duke e përhapur atë gjithandej. Kështu dëmtoi një burim financiar të opozitës dhe krijoi disa për vete dhe në fillim të mandatit të tretë filloi të propagandonte ligjësimin e tij! Qeveria që erdhi në pushtet për ta shkatërruar veprimtarinë përkatëse e përhapi atë kudo nëpër Shqipëri dhe ngaqë s`e vuri dot nën kontroll dhe kuptoi se lejimi mund të sillte fitime ekonomike, filloi të mbronte idenë e ligjësimit në kohën kur Shqipëria ka rritur numrin e përdoruesve të drogës në më shumë se 40 mijë vetë (ndërsa në vitin 1995 flisnim për qindra raste, në vitin 2011-të u shtuan rreth 2.148 raste të reja). 

Ndoshta gjykojnë nga Holanda dhe Urugai: ky i fundit, në një përpjekje bombastike shtetëzoi industrinë e drogave – me qëllim që të eliminonte bandat gjithashtu dhe zvogëlimin e numrit të përdoruesve. Në Britani, një në dy persona përdorin drogra të ndryshme dhe vendet e tjera nuk shkojnë më mirë.  Vetëm fitimet nga krimi i organizuar ose nga grupet që kontrollojnë drogën (politikanët profesionistë, bankat tregëtare dhe korporatat), për 270 milionë njerëz, përllogaritet të jetë më shumë se $330 bilionë në vit.  Britania është gjithashtu kryeqyteti i Europës me numrin më të lartë të narkomanëve. 

Me rëndësi është të theksohet se narkomania është një fenomen i ri: ajo ka shpërthyer kryesisht katër dekadat e fundit. Në njërën anë, kemi rritjen e kërkesës në Veriun e “zhvilluar”, kryesisht për 2/3 e shoqërisë: kjo klasë shoqërore vuan nga papunësia dhe pasiguria në shkallë më të lartë se 1/3 e shoqërisë.  Në anën tjetër, kemi Jugun, i cili është lënë në dinamikën e tregut dhe është ekspozuar paralelisht në kërkesën e Veriut.

Se çfarë nënkupton kjo dinamikë është e qartë: se popujt e Jugut do të vazhdojnë të prodhojnë prodhime narkotike pavarësisht se elitat do të përpiqen gjoja ta pengojnë — sepse popujt e Veriut do të vazhdojnë të përdorin drogën. Këtyre u shtohen edhe përdoruesit e popujve të Jugut — veçanërisht klasat e ulëta të shoqërisë. Dhe përsa kohë që kërkesa do të riprodhohet (në disa raste do të shtohet), për aq kohë industria e drogës do të jetë mes nesh dhe përsa kohë që papunësia dhe pasiguria që e shoqëron këtë proces do të jetë mes nesh për aq kohë përdoruesit e drogës dhe mbrojtësit politikë...do të jenë mes nesh.

Duke mos kundruar fare për këtë dinamikë qeveria “Rama” paraqiti një “strategji të re” gjatë fundit të mandadit të parë: do të godaste në fazat e hershme të mbjelljes së bimëve narkotike dhe do të kapte autorët duke bashkëpunuar më ngushtë me institucionet vendore, policore dhe inteligjencën. Paralel më këtë objektiv ajo do të synonte të zbuste varfërinë në zonat e kultivimit të bimëve narkotike përmes projekteve të zhvillimit dhe kreditimeve për ngritjen e bizneseve të tjera agro-përpunuese! Por goditja e prodhuesve me helikopterë ose mbikqyrja ajrore nga misioni italian i “Guardia di Finanza” —policia financiare e vendit— tregon pikërisht pamundësinë e qeverisë “Rama” për të përgatitur policë të ndershëm dhe të aftë për të goditur prodhuesit.

Njësoj veproi edhe me mbrojtjen e kufijëve shtetëror: solli policët francezë. Të gjitha këto në kohën kur dihet se Shqipëria është “çerdhe” e kalimit të kokainës dhe heroinës dhe kur tregu i kontrabandës administrohet nga baronët lokalë të drogës që kanë lidhje me grupet kriminale të Amerikës Latine dhe Turqisë dhe, gëzojnë mbrojtje politike nga klasa jonë politike.

Pasi dështoi me ndalimin e kultivimit Rama hodhi idenë e lejimit të ndërmarrjeve...për kultivimin e hashashit dhe për zhvillim ekonomik! Këtë ide e mbështeti më shumë pas zhvillimit të një “kuvendi” popullor ku u ftua populli për t`iu përgjigjur  12 mëdyshjeve të qeverisë ku mes tyre ishte dhe lejimi apo jo i kultivimit, përpunimit dhe eksportit të kontrolluar nga shteti të kanabisit. Pasi përqindja më e madhe u përgjigj me “miratim”, Rama dhe ministrat e tij filluan të mbronin idenë në publik duke përmendur dhe disa raste rreth botës.

Por siç tregon përvoja amerikane, dhe jo vetëm ajo, lejimi i hashashit për t`u kultivuar çon në varfërim të mëtejshëm të shtresave në nevojë dhe nuk ndalon krimin dhe problemet shoqërore. Hashashi mund të lejohet —meqënse mjekët tregojnë se ai kuron disa sëmundje— vetëm nëse vendoset në duart e një ndërmarrjeje shtetërore dhe të kontrollohet nga mjekët, inspektorët dhe prokurorët...Ndryshe —dhe gjykuar nga fakti se Rama dhe aparati i tij shtetëror janë në institucione kryesisht për t`u pasuruar— sektori do të krijojë më shumë probleme.   

Gjykuar nga kushtet aktuale ―kemi një përqindje të madhe të rinisë të papunë dhe të prirur për të përdorur drograt; kemi qeveri që nuk angazhohet për punësim të plotë dhe nuk ka treguar se nuk është e korruptuar; në Shqipëri nuk ka mjekë të kualifikuar për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, dhe prokuroria nuk ka treguar bindshëm se mund të hetojë qeverinë― ligjësimi i tij do të sillte më shumë dëme se sa përfitime.     

Pa u zgjidhur çështjet e sapo përmendura, rrjedhimisht, nuk mund të flitet për fitime ekonomike dhe shëndetësore.

Kështu, për shembull, vërtet Neni 283 i Kodit Penal nuk penalizon përdoruesin e narkotikëve në “doza të vogla” por ai zbatohet mbi një rini dhe popull që nuk edukohet në virtyte etike, me më të domosdoshmin “virtytin e përmbajtjes”: sepse pa këtë virtyt etik njeriu nuk do të përmbahet as kur të përballet për herë të parë me bimën dhe përdoruesit e saj as pasi ta provojë―ai do të vazhdojë ta përdorë në doza më të mëdha atë deri sa të krijojë varësi nga ajo, sidomos në kushte papunësie dhe pasigurie për të tashmen dhe të ardhmen. Ndryshe do të vepronte njeriu nëse edukohesh në virtyte etike siç është virtyti i përmbajtjes: ai edhe mund ta provonte drogën për hir të kureshtjes por pikërisht për shkak të virtytit të përmbajtjes dhe virtytit intelektual, se përdorimi i drogës shkakton varësi dhe dëme në shëndet, ai do ta frenonte veten.

Ndaj ata që shpërnjohin këtë çështje themelore ―edukimin lidhur me virtytet etike dhe intelektuale― dhe mbështesin ligjësimin e kanabisit siç synon Rama, janë po aq të rrezikshëm sa Rama dhe qeveria e tij. Krahas kësaj çështje, është çështja e sapo përmendur, që lidhet me qeverinë: punësimi dhe siguria për të tashmen dhe të ardhmen. Por është dhe prokuroria që s`na ka bindur se mund të hetojë qeverinë dhe mjekët e përfshirë në sektorin e ri të Ramës.

Kështu qoftë Kodi Penal qoftë ligji i ri i Ramës për kanabisin, kanë karakter kriminal, sepse kërkon të zbatohet mbi një rini dhe popull që nuk edukohet në vityte; nuk punësohet qëllimshëm nga qeveritë (që të mbahet kërkesa e krahut të punës lartë për klasën kapitaliste dhe të kërcënohet klasa punëtore me papunësi); dhe nuk hetohet qeveria nga prokuroria.          

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA