...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika dhe Europa përpiqen të zhdukin impiantet me qymyr: Kosova, i ringjallë

Impiantet me lignit në Europë janë në 20 impiantet më ndotës të Europës. Sipas agjencisë europiane të mjedisit, pesë impiantet bashkë, të lignitit, shkaktojnë një kosto vjetore në shëndetin e njeriut dhe mjedisit prej miliarda eurosh

SHJ

24/12/2017 - 10:23

Qymyri është burimi energjitik më kundërprodhues nga gjithë burimet energjitike: sepse shkakton shkatërrime në mjedis (çlirime nga djegia e tij, duke përfshirë dioksidin e karbonit dhe shiun me acid - që shkakton oksidim sulfuri etj.) bashkë me pamjaftueshmërinë e tij si një burim energjie. Përpjekjet për ta braktisur këtë burim, thuajse kanë dështuar. Gjermania, për shembull, është një rast tipik, e cila, ndërsa ka vendosur si objektiv për të luftuar ndryshimet klimatike dhe udhëhequr vendet e rajonit duke lëvizur nga burimet e fosileve në burimet e ripërtëritshme (erës dhe diellit), çlirimet e saj vazhdojnë të rriten.[1] Sepse ajo po i lufton ndryshimet klimatike vetëm duke lëvizur në burimet e ripërtëritshme (ose në disa prej tyre) dhe nuk e ka kuptuar nevojën e adoptimit të një qasje të plotë — domethënë, të lëvizjes drejt burimeve të ripërtëritshme duke kufizuar lëvizjet e qytetarëve me automjete ndotëse dhe duke synuar braktisjen e plotë të energjisë së qymyrit të fortë dhe lignitit, prej të cilit ajo gjeneron 40 për qind të energjisë së saj. Impiantet me lignit konsiderohen si burimet më ndotëse të eksosistemit. Impiantet me lignit në Europë janë në 20 impiantet më ndotës të Europës.

Sipas agjencisë europiane të mjedisit, pesë impiantet bashkë, të lignitit, shkaktojnë një kosto vjetore në shëndetin e njeriut dhe mjedisit prej miliarda eurosh.[2] Por përgjithësisht përpjekjet vazhdojnë qoftë edhe në Amerikë ku Trampi dhe administrata e tij duket se s’e ka kuptuar (ende) dëmin që shkakton energjia e fosileve siç është qymyri në mjedis dhe jetën e planetit. Në kohën kur kërkesa për qymyr është rritur në dekadat e fundit në një përqindje mesatare prej 2.4% (duke nënkuptuar se në shkallën aktuale të rritjes, përdorimi total dyfishohet çdo 30 vjet). Rezervat amerikane, për shembull, paraqiten të jenë për 250 vjet. Por nxjerrja e kësaj sasie nuk mund të përvetësohet për arsye të sulfurit, cilësisë jo të mirë, kostot e nxjerrjes dhe/ose infrastruktura e transportit. Dhe siç tregon Monbiot në një analizë,[3] kërkesa për qymyr në nivel botëror do të rritet sepse rritet nevoja për më shumë energji.

Sidoqoftë, qymyri po braktiset nga investitorët: kryesisht për shkak të pasigurisë që është krijuar nga zhvillimi i burimeve të tjerë për të siguruar fitime afatgjatë.  Por edhe qymyri bart kulmin e tij. Sipas studimit të Heinberg, kulmi duhet të jetë midis 2032-2060. Teorikisht është e mundur të përdoret qymyri si material i papërpunuar, nga i cili të realizohet lëndë djegëse sintetike e cila me rradhë do të mund të zëvendësonte naftën. Procesi është testuar tashmë dhe përdorur. Qymyri mbajti gjermanët të punonin përgjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe një version i përmirësuar është së fundmi përdorur në Shoqërinë Sasol në Afrikën Jugore. Por energjia e pastër (net) është rrezikshmërisht e ulët dhe do të ulet më shumë për sa kohë që energjia neto nga vetë qymyri humbet.

Është, gjithashtu, i mundur përmirësimi i procesit së efiçencës së çlirimit për energjinë e depozituar të qymyrit. Propozimi më premtues në këtë çështje vjen nga Zero Emission Coal Allience (ZECA), një program që filloi në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos në Meksikën e Re. ZECA ka dizenjuar një impiant që ushqehet me qymyr dhe që ekstrakton hidrogjen nga qymyri dhe uji, dhe pastaj përdor hidrogjenin që të fuqizojë një qelizë me lëndë djegëse. Impiantet e ZECA-s do të tentojnë të riciklojnë thuajse të gjithë produktet e humbura dhe nxehtësinë. Promotorët pretendojnë se impianti e ZECA-ës do të prodhojë elektricitet me efiçencë 70 %, krahasuar me një efiçencë mesatare rreth 34 % në bazë të djegies së tanishme në impiant të ushqyer me qymyr (megjithëse djegie të reja teknologjike tashmë prodhojnë efiçenca më të mëdha, në shkallën 55 %). Kjo do të thotë përvetësim të dyfishtë të energjisë nga e njëjta sasi e qymyrit, sikurse u krahasua me mesataren e tanishme. Sistemi i ZECA-ës nuk është me të vërtetë me emision zero (asnjë sistem prodhimi energjitik nuk është), por paraqet një përmirësim domethënës të mundshëm rreth teknologjive të bazuara në djegie. Sidoqoftë, procesi e ZECA-ës për sekuestrimin e CO2 do të përbëjë, sipas gjasave, një drenë (kalim) në prodhimin e energjisë neto, dhe dizenjatorët thonë se teknologjia e nevojshme me qelizë lëndë djegëse (fuel-cell) është ende të paktën pesë vite larg për t’u tregtuar. Duke patur parasysh të gjitha këto mund të themi se ndërtimi i impianteve me qymyr (lignit etj.) siç dëshmuam në Kosovë, për të cilin qeveria përkatëse do të shpenzojë 1.3 miliardë euro, me një ndërmarrje amerikane (“Contour Global”) duke përmendur “faktin” se do të përdorë teknologji “të lartë”, pa treguar se ç’është kjo “teknologji e lartë”, dhe kur ka plotë burime të tjerë energjie për të zhvilluar, është, të thuash të drejtën, jo vetëm mashtrim por një krim i përmasave të jashtëzakonshme, si për Kosovën ashtu dhe për rajonin, Europën dhe botën: sepse çdo çlirim udhëton me erën rreth e përqark globit pavarësisht se shumica e tij qendron pranë vendit ku çlirohet!

Gjykuar nga padija e elitës politike në Kosovë dhe jo vetëm, gjendja emancipuese e popullit — domethënë dija lidhur me burimet energjitike, Kosova do ta ndërtojë impiantin me lignit dhe pasoja do të jetë edhe më katastrofike. Dihet se Kosova ka tokën më të mirë në Ballkan. Por ajo do të vazhdojë të ndotet në nivele të lartë me toksina. Burimi kryesor në këtë drejtim është impianti në fjalë veçanërisht me shirat e acidifikuar prej ndotjes së atmosferës. Për të njëjtën arsye, impanti do të përshpejtojë shkatërrimin e tokës dhe prodhimeve bujqësore. Nëse asnjë masë tjetër nuk ndërmerret – qoftë edhe paralel me ndërtimin e imiantit të qymyrit – Kosova për 50 vjet si sot do të ketë shkatërrur tokën prodhuese, pyjet dhe kafshët. Shkurt, gjithë ekosistemin. Do të jetë, pak a shumë, në gjendjen ekologjike që është Shqipëria sot, e cila, pavarësisht se mbulon nevojat e saj me energji hidrike dhe shumë më të pastër se energjia e qymyrit, ka shkatërruar dhe po shkatërron gjithçka që ka mbetur.    

Shkëputur nga studimi i Ylli Përmetit, me titull:  

Mashtrimi dhe krimi me mega-projektet dhe energjinë teknologjike: drejt një revolucioni tekno-energjitik


[1]German greenhouse gas emissions rise as 2020 tarket looms, FT, March 16, 2017.

[2]Revealing the costs of air pollution from industrial facilities in Europe, 23 Nov 2011.

[3]Power Crazed, George Monbiot, The Guardian, 17th December 2013.

  
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA