...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Blofi i radhës i PD-së me Fatmir Xhafajn

Është vërtet e dëshirueshme të kemi njerëz të drejtë për të kërkuar drejtësi

SHJ

16/05/2018 - 10:58

Është vërtet e dëshirueshme të kemi njerëz të drejtë për të kërkuar drejtësi. Në këtë drejtim, PD-ja tregoi edhe një herë se është pa dije juridike me akuzën e saj kundrejt Xhafës: sepse po të kishte dije nuk do të blofonte. Por dhe PS-ja nuk paraqitet ndryshe në mbrojtjen e saj. Dhe ja si blofoi PD-ja:

Së pari, ajo akuzoi Xhafajn se ka mbrojtur vëllain e dënuar në Itali qoftë përgjatë kohës kur ishte tregëtar droge qoftë aktualisht, duke e mbështetur akuzën e saj me një audio-përgjim. Së dyti, ajo e akuzoi Xhafajn se ka ndryshuar fshehtas Nenin 491 (f) të Kodit të procedurës Penale i cili citon se “ekstradimi nuk mund të kryhet kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”...me qëllim që të mbrojë vëllain nga ekstradimi dhe dënimi, një akuzë që u përgënjeshtrua pas dy ditesh nga delegacioni i bashkimit europian në Shqipëri i cili argumentoi se varianti në fjalë është diskutuar nga grupi i punës për rishikimin e procedurës penale pjesë e të cilit ka qenë dhe Euralius, sipas të cilit, thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar (Voa).

Në rastin e akuzës së parë, PD-ja anashkaloi faktin se pas arrestimit të A. Xhafajt në vitin 2002, ai u riatdhesua nga policia italiane dhe nuk pati ndonjë urdhër arresti ndërkombëtar (europoli p.sh.) dhe autoritetet gjyqësore italiane nuk kanë parashtruar ndonjë kërkesë ekstradimi. Por përqendrohen te dënimi i vitit 2012-të dhe e lidhin atë me nenin përkatës. Këtë akuzë e përforcojnë me audio-përgjimin përmes të cilit pretendojnë se ai është zhvilluar përgjatë kohës që Fatmir Xhafaj ishte ministër i brendshëm. Në rastin e dytë, jo vetëm që Xhafaj nuk e kishte ndryshuar fshehtas nenin por ai është i qartë në karakterin e tij: se personi i dënuar në mungesë mund ekstradohet kur shteti jep garanci për rishikimin e vendimit...  

Kështu, përtej faktit se sa autentik është audio-përgjimi dhe cilët implikon ai, në vend që të kërkojnë dijeninë (mens rea) e F. Xhafajt në kohën kur vëllai i tij ishte implikuar me krimin në fjalë dhe të tregojnë —nëse ishte në dijeni— fajësinë e tij, bëjnë lidhje palidhje: sepse në drejtësi ‘dijenia’ e një veprimi kriminal dënohet. Në rastin konkret, nëse F. Xhafaj ka qenë në atë kohë —pavarësisht se çfarë detyre ka patur në Shqipëri— në dijeni për veprimtarinë e vëllait dhe nuk ka kundër-vepruar për ta ndaluar, ai duhet të dorëhiqet si ministër i brendshëm. Por nëse nuk ka qenë në dijeni, ai është i pafajshëm dhe mund të drejtojë institucionin në fjalë.

Ngjashëm, nëse tregohet nga drejtësia mendësia kriminale e partisë demokratike për të kriminalizuar një njeri —pavarësisht fakteve— ajo është njëlloj e dënueshme dhe nuk mund të tolerohet sepse është parti politike, siç argumentojnë shumë: sepse jo vetëm që ka mendësi kriminale dhe është e padrejtë kundrejt një njeriu por konsumon në debate boshe për çdo padrejtësi gjithë popullin - e zhytur në keqdijësim. Akuzat e partive politike duhet të shikohen në këndveshtrimin juridik me qëllim që të mendohen mirë përpara se të akuzojnë dhe vendosin në lëvizje një popull të tërë. Për të njëjtën arsye ato duhet të përballen me forcën e drejtësisë - dhe nëse vërtetohet se synimi ka qenë kriminalizimi i padrejtë - të dënohen.    

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA