...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Do ta rrënojë sistemin juridik PD dhe LSI nesër?

Që ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të miratohen, shumicës parlamentare i duhen edhe pesë vota në radhët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim

Shqiptarja.com

08/07/2018 - 14:17

Partia Socialiste do të matë forcat në 9 korrik, në sallën e Parlamentit, në përpjekje për të votuar një projektligj me 84 vota, i cili do të mundësojë zëvendësimin në një kohë të shpejtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, me qëllim për të evituar rrëshqitjen e drejtësisë drejt kolapsit të plotë.

Bëhet fjalë për projektligjin për disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për t’i krijuar Shkollës së Magjistraturës një mundësi ligjor për të hapur dyert për kandidatët e rinj që do të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e ‘djegur’ nga Vetingu.

Votimi për ligjin e teatrit konfirmoi se maxhoranca ka siguruar 79 vota në parlament.

Që ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të miratohen, shumicës parlamentare i duhen edhe pesë vota në radhët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Demokratike e ka kushtëzuar votën e saj për këtë projektligj me shkarkimin e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe me aplikimin e votimit dhe të numërimit elektronik, shkruan shqiptarja.com.

Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur në mënyrë të prerë kundër projektligjit, me pretendimin se kjo nismë thellon kapjen e drejtësisë nga shumica.

Disa ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se kishin nisur bisedimet mes grupeve parlamentare në përpjekje për të arritur një konsensus për votimin e ndryshimeve.

Në këto kushte, 9 korriku do të jetë një provë si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën. Mazhoranca do të tentojë të sigurojë votat e domosdoshme për miratimin e projektligjit, ndërsa PD dhe LSI do të shtrëngojnë radhët, për të mos pasur rrjedhje votash.

Nëse nisma rrëzohet, nuk mund të rikthehet për votim për një periudhë të gjatë kohore.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA