...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Europa Nostra” anashkalon parimet e Këshillit Europian ndërsa artistët mashtrojnë me financimin

Ndërsa organizata në fjalë anashkalon parimet e Këshillit Europian për trashëgiminë kulturore dhe krijoi kritere sipas “ekspertëve” të saj për të “ndihmuar” Shqipërinë që të sigurionte ndonjë borxh tjetër nga bankat me të cilat bashkëpunon, artistët mashtruan për financimin

SHJ

23/05/2020 - 19:22

Këshilli Europian, prej të cilit mësojnë qeveritë tona, ka miratuar udhëzime se cilët objekte meritojnë të quhen “objekte kulture”. Sipas tij, “kultura dhe trashëgimia kulturore janë procese po aq sa janë prodhime dhe atje është, për më shumë, një dallim i qartë mes vlerës kulturore — vlera thelbësore e një monumenti që përfshin një grumbull karakteristikash të paçmuara që janë përtej matjes dhe vlerës së tregut— dhe vlerë ekonomike — vlerë tregu që reflekton kërkesën shoqërore…tiparet kryesore që paraqet trashëgimia kulturore (monumente, vendndodhje, parqe urbane, etj., të mbrojtura apo jo) dhe rëndësia e saj ose vlera në nivel kombëtar dhe vendor…një trashëgimi kulturore është një grup burimesh të trashëguara nga e kaluara të cilën njerëzit e identifikojnë, pavarësisht pronësisë, si një refleksion dhe shprehje e vlerave të tyre të zhvilluara në vijueshmëri, besimeve, dijes dhe traditave, duke përfshirë gjithë aspektet mjedisore që rezultojnë nga ndërveprimi mes njerëzve dhe vendeve përgjatë kohës”.[1] (Theksi u shtua)  

Politika kriminale e qeverisë “Rama” dhe hipokrizia e protestuesve me Teatrin Kombëtar: kultura e shqiptarit dhe rikonceptimi i teatrit

Gjykuar nga ky përcaktim, Teatri Kombëtar nuk ishte trashëgimi kombëtare apo monument kulture përsa kohë që i mungonte vlera thelbësore—domethënë, karakteristikat e tij nuk mund të quhen të paçmuara dhe rëndësia e tij nuk mund të jetë karakterit kombëtar për sa kohë që ai nuk bartte vlera kombëtare të cilat i tregoj në vijim. Teatri Kombëtare, për më shumë, filloi të ndërtohësh në fillimjanarin e 1938 dhe përfundoi në shtator të vitit 1939, kur na kishte pushtuar Italia ushtarakisht pasi na kishte pushtuar ekonomikisht dhe politikisht. Ai u ndërtua me panele “populiti” — një lëndë e përbërë nga fibra druri të mineralizuara me beton të një fuqie të lartë, i izoluar termikisht dhe akustikisht, një teknikë që u përdor në shumë ndërtesa në Itali dhe Evropë. Kriteri i ‘kohës’ dhe ‘cilësisë’, rrjedhimisht, mungon: sepse dihet se ndërtesat me vlera të ‘paçmuara’ kërkojnë kohë për t`u ndërtuar dhe aftësi arkitekturore të pazakontë.

Ndryshe mendon “Europa Nostra”, OJQ-ja evropiane e trashëgimisë kulturore: sipas saj, ose “ekspertëve” të saj, teatri kishte vlera. Por kriteret e saj nuk kanë asnjë lidhje me kriteret e Këshillit Evropian, të cilët janë miratuar nga gjithë vendet anëtare. Ja si paraqiten ata sipas përfaqësueses:   

Në lidhje me rastin në fjalë, Teatrin Kombëtar shqiptar, nuk ka asnjë dyshim se kjo ndërtesë nuk ka kuptim vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. Jo vetëm në aspektin e dukshëm atë arkitekturor, por edhe për rëndësinë e madhe në jetën intelektuale dhe kulturore për 80 vite rresht në Tiranë. Kriteri i dytë mbi të cilin jemi bazuar është kërcënimi i dukshëm dhe serioz me të cilin përballej…Kriteri ynë i tretë për ta vendosur në atë listë, është ekzistenca e një komuniteti, një shoqërie civile, një numri të madh personash që gjenden aty e të cilët luftojnë për të mbrojtur teatrin.[2]     

Dhe ndryshe nga sa tha regjizori Robert Budina, një ndër protagonistët e protestës, dhe shumë të tjerë pas tij, se “aleanca për teatrin” kishte gjetur dhe financim për teatrin (“jo me parátë e taksapaguesve por me parátë e Europës”),[3] përmes “Europa Nostra”-s, kjo e fundit tha se “kurrë nuk ka ofruar apo ka vendosur pará në tryezë, sepse ajo nuk është një organizatë financuese...por ofron ekspertizë”. Nuk harroi të përmendë se ajo mund të sigurojë fonde përmes Institutit të Investimit Bankar duke i rekomanduar Komisionit Europian dhe BE-së që të merrnin në konsideratë sigurimin e fondeve.[4] Hamendësisht, të një borxhi tjetër, sepse nuk e qartësoi se për çfarë lloj “fondi” bëhet fjalë.

Sidoqoftë, këtë çështje e sqaroi komiteti i artistëve se bëhësh fjalë për ‘kredi’! Përfaqësuesja e organizatës tha gjithashtu se kishte njoftuar Bashkinë dhe qeverinë “Rama” se në 17 janar Teatri Kombëtar ishte vendosur në listën e tyre prej 14 vendesh dhe me gjasa do të vendosej në listën e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë”. Qartësisht, ndërsa organizata në fjalë anashkalon parimet e Këshillit Europian për trashëgiminë kulturore dhe krijoi kritere sipas “ekspertëve” të saj për të “ndihmuar” Shqipërinë që të sigurionte ndonjë borxh tjetër nga bankat me të cilat bashkëpunon, artistët mashtruan për financimin!     



[1]An integrated approach to cultural heritage, The Council of Europe`s technical co-operation and consultancy programme, February 2018.

[2]Europa Nostra për Euronews Albania: Teatri kombëtar kishte vlerë arkitekturore, intelektuale dhe kulturore për Shqipërinë dhe Europën, 20/05/2020.

[3]Tiranë: Protesta te Teatri Kombëtar vazhdon, Intervistë me regjizorin, Voa, 10/05/2020.

[4]Fondet për Teatrin Kombëtar, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra: Ne nuk ofrojmë financime, por ekspertizë, 20/05/2020.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA