...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjendja social-politike e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë

Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit në Kosovë garojnë 5 koalicione të mëdha, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare dhe, 1.9 milionë qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote.

DW

10/06/2017 - 20:14

Parlamenti i Kosovës duhet të ketë 120 deputete, ku 20 vende janë të garantuara për pakicat kombëtare.   

Shumë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se ata tashmë kanë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e 11 qershorit. Në të gjithë Kosovën hapen të dielën 889 qendra votimi me gjithsej 2 mijë e 490 vendvotime. Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Kosovë edhe kësaj radhe do të vëzhgohen nga shumë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtar, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Kosovo Pristina Ramus Haradinaj (DW/Bahri Cani)

"Deri më tani janë akredituar 7 grupe vëzhguesish me gjithsej 20 mijë e 24 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, Organizata Ndërkombëtare, Organizata Jo-Qeveritare vendore, përfaqësi diplomatike dhe media vendore e ndërkombëtare”,  thotë Valmir Elezi.

Diaspora voton online

Qendra votimi do të hapen gjithandej Kosovës, ndërsa, diaspora kosovare mund të votojë vetëm online. Nga 400 mijë votues kosovarë të regjistruar nga ministria e Diasporës, vetëm 15 mijë prej tyre kanë aplikuar online në formularët për votim, njofton KQZ.

Policia garanton siguri

Ndërkohë, drejtori i policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se policia e Kosovës tashmë  ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe ai garanton siguri në tërë territorin e Kosovës  gjatë ditës së zgjedhjeve. "Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës”, tha Shpend Maxhuni.

Incidente të theksuara gjatë fushatës 10 ditëshe nuk janë shënuar, me përjashtim të disa incidenteve të izoluara në veri të Kosovës, ndërmjet disa partive politike serbe.

Thaçi: Përpjekje të Serbisë për të ndikuar rezultatin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi që zhvilloi me vëzhguesit e BE-së, u shpreh se "Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të lira, demokratike e të ndershme dhe se pret që kështu do të jenë edhe zgjedhjet e 11 qershorit. Presidenti në intervistë për DW, fton qytetarët e Kosovës që ditën e diel të votojnë në mënyrë sa më masive. "Mesazhi për qytetarët e Kosovës është dilni dhe votoni, votoni për të ardhmen tuaj, votoni për familjet tuaja, votoni për konsolidimin e shtetit dhe votoni për të ardhmen euroatlantike të vendit”, shprehet Presidenti Thaçi.

Hashim Thaci, Präsident Kosovo Und bahri cani (DW/Bahri Cani)

Presidenti Thaçi pas një takimi tjetër që pati me ambasadorët e QUINT-it, u shpreh i shqetësuar me siç thotë përpjekjet e Serbisë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. "Mbetet shqetësimi për frikësimin dhe kërcënimin e qytetarëve serbë të Kosovës nga eksponentë të shtetit të Serbisë. Shqetësim mbetet frikësimi dhe kërcënimi i qytetarëve, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, për të mos votuar të lirë”, u shpreh Presidenti Thaçi, duke u bërë të qartë ambasadorëve se "nuk do të tolerohet interferimi i Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës”.

"Ju bëj thirrje që t'i dërgoni mesazh të qartë autoriteteve në Serbi që të mos frikësojnë apo kërcënojnë qytetarët serbë të Kosovës dhe t'i pengojnë të shprehin të lirë vullnetin e tyre politik. Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Peterle: Apel për përmbajtje

Edhe shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle, fton për zgjedhje të qeta të ndershme dhe demokratike. "U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë që të përmbahen nga çdo gjuhë ose formë e presionit dhe frikësimit që mund të dëmtojë integritetin e procesit zgjedhor”, shprehet  , Alojz Peterle. Zgjedhjet e 11 qershorit do të vëzhgohen nga 100 vëzhgues të BE-së.

Avdullah Hoti, Politiker Kosovo (DW/Bahri Cani)

Për zgjedhjet e ditës së dielë dhe ndëshkimin e shkelësve të mundshëm të rregullave zgjedhore, është angazhuar edhe prokuroria e shtetit dhe prokurorët e saj 24 orë në ditë. Laura Pula koordinatore nacionale për zgjedhje nga zyra e prokurorit të shtetit, thotë se dënimet për  shkelësit e procedurave të zgjedhjeve do të jenë të ashpra. "Inkuadrimi i prokurorit të shtetit ka për qëllim mbrojtjen e votës së qytetarit. Ne të sistemit prokurorial në bashkëpunim me policinë, KQZ, PZAP, KGJK kemi vendosur që të përcjellim këto zgjedhje dhe jo vetëm atë ditë, por edhe fushatën. Komisionarët dhe anëtarët e tjerë të angazhuar nga KQZ do të jenë pjesë e hetimit kur informohet për shkelje të votës. Dënimi do të shkojë deri në 5 vite burg. Ne duhet t'ua sigurojmë një ambient votuesit të dijë si të votojë. Vetë prezenca e prokurorëve 24 orë tregon se jemi për t'i mbrojtur votuesit që të votojnë lirshëm”, thotë prokurorja Laura Pula.

Kosovo Pristina - Albin Kurti, Kosovo Politiker und Bahri Cani (DW/B. Cani)

Koalicionet e reja

Kosova hynë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, me koalicione të mëdha parazgjedhore, praktikë kjo  që për herë të parë po ndodhë në Kosovë. Dy partitë politike më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tashmë  garojnë në dy blloqe të mëdha koalicionesh kundër njëra tjetrës, ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën, garojnë në një koalicion, me pretendentin për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Behxhet Pacolli, Politiker Kosovo (DW/Bahri Cani)

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), së bashku me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Alternativën, garojnë në një koalicion siç thonë të djathtë, me pretendentin për kryeministër, Avdullah Hoti, ministër i financave në qeverinë e Isa Mustafës. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme, me në krye të listës, Albin Kurtin për postin e kryeministrit. Në Kosovë që nga përfundimi i luftës janë mbajtur 12 zgjedhje. Gjashtë herë janë mbajtur zgjedhje lokale dhe pesë herë zgjedhje të përgjithshme. Zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit 2017 janë të gjashtat me radhë, ku garohet për 120 vende ne parlament.     

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA