...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjymtuesit e historisë së LANÇ-it dhe udhëheqjes komuniste

Shqiptarët përballen me një parti që nuk ka mësuar të reflektojë dhe gjykojë drejtë, as veprimtarinë e një njeriu as edhe të popullit. Përballen, gjithashtu, dhe me parti të tjera të tipit PS e LSI që nuk ndryshojnë shumë nga PD-ja në këtë çështje: nderojnë LANÇ-in por jo udhëheqjen!

SHJ

06/05/2018 - 09:18

PD-ja e fillon historinë e komunistëve si grekët për shqiptarët e ’39: ndërsa nderoi të rënët dje, sepse, sipas saj, ata dhanë jetën për lirinë e të tjera si këto, grekët kanë trushpëlarë një popull të tërë duke i thënë se populli shqiptar i viteve ’39 ishte fashist, sepse u bë palë me Duçen, dhe si i tillë meriton të përballet me një ligj lufte! Çfarë fshehin dhe pse fshehin shkaqet grekët, është e qartë nga ata që e kuptojnë historinë e një populli si vazhdimësi ngjarjesh që bëhen shkak-pasojë për njëra-tjetrën dhe jo si frekuanca të shkëputura: ndërsa PD-ja fshehu, edhe një herë, në paturpësinë e saj, se LANÇ-i ishte rezultat i ideologjisë komuniste (literaturës marksiste) dhe lëvizjeve komuniste në njërën anë dhe rrënimit të shoqërisë nga monarkia në anën tjetër, e cila me politikat e saj çoi në pushtimin e Shqipërisë, dhe kulmoi me partinë komuniste duke u udhëhequr nga e njëjta parti dhe duke dalë fitimtare nga lufta me nazi-fashistët.

Nderimi i LANÇ-it rrjedhimisht, pa nderuar udhëheqësit e saj, është sjellje struthake, kryekëput e padrejtë dhe nëse gjykojmë sipas të njëjtit standart, Basha dhe shumë si ai, duhet të gjykohen vetëm për të këqijat e tyre si qeveritar dhe jo për të mirat dhe të këqijat: sepse njerëzit duhet të gjykohen për të mirat dhe të këqijat dhe nëse peshorja anon nga e keqja, tregon se ka qenë njeri pa virtyte. Nëse gjykojmë Enverin sipas të njëjtit kriter, duke e krahasuar me Berishën, Bashën dhe gjithë larot e tjerë të klasës politike, tregohet fare lehtë, bazuar në fakte konkrete se peshorja anon nga e mira dhe të këqijat që u shkaktuan si përgjatë luftës ashtu dhe përgjatë socializmit marksist nuk mund t’i atribuohen atij: në rastin e luftës, sjelljet e padrejta lidhen me një sërë shkaqesh, shkaqe që lidhen si me periudhën e paraluftës (kohën kur mbretëronte Zogu dhe monarkistët e tij) ashtu dhe me kohën e luftës: se partizanët, jo vetëm që nuk ishin juristë të thekur (ose virtuozë - me virtytin e drejtësisë) dhe si pasojë do të gabonin në gjykimet e tyre me njerëzit e kohës, por kush mund të përdorë gjykimin e drejtë në luftë kur përballet me dy ushtri: gjermanët dhe ballistët dhe kush mund të jetë i kthjellët në gjykim në kushte lufte? Këtu në kohë paqe dhe s'kemi drejtësi e jo më në kohë lufte! 

Përveç këtyre periudhave, është dhe një e tretë: periudha e socializmit marksist që ishte një përpjekje fisnike por që nuk mund të gjeneronte vetëm të mira kur shoqëria përkatëse ishte vazhdimësi e periudhës së luftës dhe paraluftës dhe edhe nëse sinteza sistemike do të ishte e tillë që nuk lejonte padrejtësi, që nuk ishte e tillë, njerëzit nuk mund të shkëputeshin nga e kaluara dhe dhimbjet e saj që u shkaktuan nga pushtuesit dhe bashkëpuntorët e tyre ballistë. Kështu me një sintezë që gjeneronte në vetë-vete padrejtësi dhe me njerëz të mbushur me urrejtje dhe me virtytin e drejtesisë të zhvilluar pjesërisht, nuk mund të pretendoshë drejtësi.     

Kështu, Basha në vend të kërkonte ndjesë për sjelljen barbare të militantëve të PD-së, dhe ndoshta të reflektonte për historinë, kërkoi edhe një herë të ndalojë simbolet e komunizmit dhe të dekomunistizojë shoqërinë shqiptare. Të gjitha këto kur fliste për liri e të tjera si këto! Qartësisht, shqiptarët përballen me një parti që nuk ka mësuar të reflektojë dhe gjykojë drejtë, as veprimtarinë e një njeriu as edhe të popullit. Përballen, gjithashtu, dhe me parti të tjera të tipit PS e LSI që nuk ndryshojnë shumë nga PD-ja në këtë çështje: nderojnë LANÇ-in por jo udhëheqjen!   

        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA