...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Krimet kombëtare të klasave politike në Tiranë dhe Prishtinë me fqinjët tanë

Nuk është e vështirë të gjeshë mbështetje kur përdoret drejtësia. Por fakti që klasa politike në Tiranë nuk ka vepruar kështu – ose s’ka dijen, siç nuk e ka, ose është korruptuar me lekët e Athinës.

SHJ

28/02/2018 - 11:22

Lidhur me çështjen e shenjimit të kufirit me Malinezi, u kryen disa krime politike njëherësh nga klasa politike në Prishtinë dhe Tiranë. Në Prishtinë, ata që e kundërshtonin kur ishin opozitë (Haradinaj etj.) kur u ngjitën në pushtet luajtën ca javë duke e “rivlerësuar” gjendjen dhe në fund, e lanë ashtu siç ishte duke i shtuar një paragraf –të këshilluar nga Meta kur shkoi për një vizitë në Prishtinë— i cili “lejon” në të ardhmen verifikimin e gabimeve mes dy shteteve dhe korrigjimin...nga një klasë tjetër politike! Nuk është e rastit që gjatë kësaj faze nuk iu paraqit pupullit asnjë hartë. Përfshirja e këtij pragrafi nënkupton pikërisht faktin se klasa politike e Prishtinës është në dijeni të plotë të “gabimeve” që nënkupton marrëveshja. Ndërsa në Tiranë, krimi filloi me Ramën i cili as e kishte hetuar dhe as e kishte studiuar gjendjen, në letër dhe në terren, dhe pa droje u jepte mend në Prishtinë duke u thënë se çështja e kufirit është e sajuar nga klasa politike atje.

Vazhdoi me Metën i cili shkoi dhe u dha mend duke u sugjeruar paragrafin përkatës dhe me heshtjen e të tjerëve. Domethënë, u shkëmbye shitja politike e vatanit me liberalizmin e vizave. Kjo është një nga shitjet më egocentrike meqënse nënkupton se për hir të lëvizjes së lirë të disa dhjetra banorëve drejt BE-së shitet vatani! Qoftë edhe sjellja e malazezëve është e dënueshme kur pranojnë një shkëmbim të tillë –idiot dhe poshtërues- dhe kur dihet se Malizi është vendi i parë në Ballkan për sipërfaqen e tokës në raport me popullsinë njerëzore. Ç’është e vërteta, Kosova mund të negocionte drejtë me Malinezi - sepse mungon varësia pushtetore mes dy vendeve. Por klasa politike e Prishtinës —me mbështetjen e klasës politike në Tiranë— e kishte më të thjeshtë të dhuronte toka shqiptare sesa të përdorte drejtësinë edhe për këtë çështje!

Qoftë edhe me Serbinë, Prishtina mund të negociojë më fortë se Tirana me Greqinë: ndryshimi mes klasës politike në Tiranë dhe asaj në Prishtinë, në raport me fqinjët, Greqisë dhe Serbisë, është i madh: klasa politike në Tiranë është shumë më e varur nga klasa politike në Athinë; ndërsa Prishtina shumë më pak se Tirana. Qoftë edhe nëse konsiderojmë faktin se Kosova vazhdon të kryejë shkëmbime ekonomike më shumë me Serbinë sesa me vendet e tjerë të rajonit —shkëmbime të cilët mund të zhvendosen ngadalë drejt Shqipërisë, siç kanë kërkuar oligopolistët shqiptarë të vendeve tona së fundmi— mund të konkludojmë se Kosova ka mundësi të ‘negociojë’ drejtë me Serbinë. Sidomos kur dihet se Brukseli dhe veçanërisht Gjermania po ushtron presion (ultimatumi i ish-ministrit të jashtëm gjerman kundrejt Serbisë është dëftues) për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Ky lloj presioni mungon mbi Greqinë. Arsyeja kryesore është se klasa  politike në Tiranë është e varur nga Athinë jo për miratimin për të filluar negociatat me BE-në, por për varësinë ekonomike, politike dhe njerëzore që ka krijuar tre dekadat e fundit në raport me Greqinë. Kjo është arsyeja kryesore se pse klasa politike në Tiranë i është nënshtruar plotësisht lakmisë së Athinës. Por kjo s’do të thotë se klasa politike në Tiranë nuk mund të “përdorte” Gjermaninë duke i paraqitur —jozyrtarisht— ministrit të jashtëm gjerman, padrejtësitë greke në raport me kërkesat e saj. Nuk është e vështirë të gjeshë mbështetje kur përdoret drejtësia. Por fakti që klasa politike në Tiranë nuk ka vepruar kështu – ose s’ka dijen, siç nuk e ka, ose është korruptuar me lekët e Athinës, siç edhe është!            

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA