...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kundërdiversioni i Berishës dhe diversioni amerikan me Bashën dhe Ramën

Berisha u përpoq të ishte i hapur dhe tolerant në seli siç diktonte një nga synimet e “motos” së “Foltoreve” —“më të hapur”—, dhe strategjia e tij për të përfshirë gjithë “demokratët” në partinë e “re”, duke mos përjashtuar as Bashën, ndërsa ky i fundit u përpoq të tregonte edhe një herë se ai dhe mbështetësit e tij ishin ndarë nga “e keqja” e partisë në fjalë —“Berisha dhe bashibozukët e tij”

SHJ

13/12/2021 - 18:18

S`kishin kaluar dy ditë të plota nga dita e kurorëzimit të “Foltoreve” të Berishës me “Kuvendin Kombëtar”, dhe ky i fundit veproi duke shkuar me mbështetësit e tij në selinë e PD-së në kohën kur Basha po përgatitësh për “kundërkuvendin” e datës 18 dhjetor, dhe ku organizoi një mbledhje me ta, ku u miratua një komision për të organizuar një referendum në datën e “kundërkuvendit”, për miratimin e ndryshimeve të statutit të partisë.

Në këtë mënyrë “befasoi” Bashën dhe iu përgjigj atij me të njëjtën “monedhë”: kundërdiversion—sepse ky i fundit nuk u mjaftua me “kundërkuvendin” por ditën e kuvendit u mundua të minonte finalizimin e përpjekjes së Berishës me një shfaqje publike paralele me disa dhjetra mbështetës ku kujtoi datën e 11 dhjetorit të vitit 1990 dhe përpjekjet e partisë “demokratike” për të “demokratizuar” popullin shqiptar. Berisha e quajti Bashën për të disatën herë, “kallp”—njeri që e ktheu partinë në “fasadë”.

Por një “incident” ndodhi në seli ndërsa Berisha po bëhësh gati për t`u larguar nga ajo: ai u njoftua se të rinjtë e FRPD-së donin të flisnin me të dhe pasi i takoi ata dhe doli nga zyra pas pak çastesh ai tha se kishin bastisur zyrat e saj dhe se disa njerëz të armatosur kishin kërcënuar të rinjtë e pranishëm në të.

Ndërsa ai dënoi dhe paralajmëroi Bashën për aktin në fjalë duke e quajtur atë një akt “kriminal”, pas disa çastesh foli dhe kryetari i FRPD-së i cili pohoi se kishin bastisur zyrën e tij dhe ndërruar bravat e dyerve, kishin vjedhur sende personale dhe kishin kërcënuar me armë disa të rinj, duke akuzuar Bashën dhe duke shkuar në polici për të denoncuar rastin.

Ngjarjen në fjalë e sqaroi kryetari në fjalë në një emision televiziv mbrëmbjen e të njëjtës ditë ku tha se i kishin vjedhur një laptop me gjithë të dhënat personale dhe familjare, një hardisk, usb, protokollin e forumit rinor, vulën e FRPD-së etj., pasi sqaroi ngjarjen nga fillimi: se kishin organizuar një “mbledhje pas përfundimit të mbledhjes të komisionit të rithemelimit të PD-së” dhe kur shkuan tek zyrat panë se bravat e dyerve ishin ndërruar. Kështu përdorën forcën për hapjen e tyre... 

Ky i fundit, në një konferencë të ngjashme me atë të Berishës, pas largimit të Berishës dhe mbështetësve të tij nga selia, përsëriti qendrimin e tij duke theksuar se Berisha kërkon të “kapë” partinë ndërsa e quajti “tollovi” dhe “provokim” përpjekjen e tij dhe atë vetë “barrë” për partinë në fjalë.

Berisha u përpoq të ishte i hapur dhe tolerant në seli siç diktonte një nga synimet e “motos” së “Foltoreve” —“më të hapur”—, dhe strategjia e tij për të përfshirë gjithë “demokratët” në partinë e “re”, duke mos përjashtuar as Bashën, ndërsa ky i fundit u përpoq të tregonte edhe një herë se ai dhe mbështetësit e tij ishin ndarë nga “e keqja” e partisë në fjalë —“Berisha dhe bashibozukët e tij”—, siç i quajti ai mes shumë epitetesh të ngjashëm mbështetësit e tij, dhe se lufta e tij ishte me “trekëndshin e bermudës” ose “trekëndshin e të keqes” dhe jo me Berishën.

Basha, në fjalë të tjera, thelloi “ndarjen” me Berishën dhe mbështetësit e tij me një gjuhë agresive dhe akuza të forta ndaj tyre. 

DASH-i iu përgjigj “sulmeve” të Berishës një ditë më pas lidhur me sjelljen e Kimit ndaj PD-së, se “sulmet ishin të pajustifikuara” ndaj saj dhe se ajo ka vepruar siç është “udhëzuar” nga Uashingtoni! Ky qendrim bie ndesh, në fakt, me natyrën e ndërhyrjeve të Kimit, për të cilat DASH-i ose s`është në djeni ose bën ‘sikur’.

Kujtoj se ishte i njëjti DASH që organizoi ultimatumin e dhjetë ambasadorëve ndaj Erdoganit për të liruar përfaqësuesin e Sorosit në Turqi dhe kur pa se ky i fundit “u tregoi vendin”, DASH-i kërkoi “ndjesë”! Në rastin tonë ai vepron ndryshe meqë ambasadorja amerikane nuk rrezikon nga Berisha për sa kohë që nuk është në krye të qeverisë.

Berisha nuk vonoi t`i përgjigjësh DASH-it: ai kundërshtoi akuzën e “sulmit” ndaj ambasadores dhe e quajti atë kritikë. Kimi iu përgjigj Berishës me një “kartë” ku citohësh numri 200+, duke nënkuptuar se janë dhe më shumë se dyqind të tjerë si Berisha që pritet të shpallen të padëshirueshëm në Amerikë në kohën kur e kishte “ndritur” me Berishën!

Berisha si kundërpërgjigje ndaj diversionit Rama+Basha+amerikan, njoftoi në mbrëmjen e po të njëjtës ditë protestë kombëtare kundër ballkanit të hapur dhe vjedhjes kombëtare.

Një ditë përpara Rama organizoi në Elbasan një darkë me ambasadorët —për t`i nderuar me një mbrëmje fundviti dhe darkë me ushqime “ekzotike” nga ato që përpunon Luca, shkatërruesi i jetës së deteve, bashkë me Ramën dhe të ngjashmit e tij— ku lexoi një “elegji” në anglisht, fjalitë e të cilës fillonin thuajse të gjitha me “mallkimin” e “komunizmit” dhe Enver Hoxhës dhe mbaronin me “mallkimin” e Berishës dhe Metës, sigurisht, pa përmendur emra, ku ftoi ambasadorët të bashkëpunojnë si “njerëz” që mos të “izolohemi” edhe një herë si dikur nga “komunizmi”, për shkak të pandemisë. 

Nuk harroi t`u përmendte atyre dhe “frustrimin” e shqiptarëve lidhur me integrimin në BE, sepse, sipas tij, “kemi [bërë] gjithçka që duhej për të na dhënë dritën jeshile”—duke e ilustruar me “reformën në drejtësi”, për të cilën ai u përball me kundërshti edhe brenda koalicionit.

Për reformën në fjalë krijoi edhe një herë përshtypjen se ishte “puna” e tij dhe e ministrave të tij, “pa pushim”, që e përparoi, kur dihet se kush ka punuar për të dhe çfarë ka bërë Rama me deputetët e tij: thjesht votuan një refomë implikimet e së cilës nuk i kuptuan kurrë, sepse nuk na treguan ndonjë studim, ndërsa nuk munguan ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë me rastin më flagrant Kajmakun!              

Një ditë përpara referendumit të Berishës dhe Kuvendit të Bashës, përplasja përshkallëzoi me moslejimin e votimit të “berishistëve” në seli sepse, sipas Këlliçit, ishte e “uzurpuar nga persona të armatosur”, dhe për pasojë Berisha, Këshilli Kombëtar dhe gjithë dega numër dy e Tiranës, do të votonin në një lokal ngjitur me murin e ambasadës amerikane: në “Bar Amerika”!

Kështu ambasada amerikane në vend të mbante një qendrim më të përmbajtur në këtë fazë meqënse ndërhyrjet e saj politike ishin ndërkombëtarizuar, e përdori edhe një herë Bashën për diversion ndaj Berishës ndërsa ky i fundit iu kundërpërgjigj me votim përbri shtëpisë së saj. 

Përditësuar*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA