...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kuvendi miratoi mes protestash projekt-ligjin që shemb Teatrin Kombëtar

Parlamenti në Tiranë miratoi vetëm me votat e 75 deputetëve socialistë projekt-ligjin që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar.

Voa

06/07/2018 - 08:52

Parlamenti në Tiranë miratoi vetëm me votat e 75 deputetëve socialistë projekt-ligjin që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar.

Votimi u krye pas një seance 12 orëshe, ku në fund votuan vetëm socialistët, ndërsa partia demokratike dhe lsi nuk morën pjesë në votim.

"Vendimi që sapo morën Edi Rama dhe banda e tij në Kuvend është antikombëtar, antihistorik dhe i turpshëm. Ne nuk do të lejojmë prishjen e teatrit, duke e mbrojtur atë edhe me trupat tanë. Rama tani do të kuptojë se qytetarët e bashkuar janë më të fortë se hajdutët e bashkuar" - deklaroi kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha pas seancës.

Me një protestë të qytetarëve dhe artistëve në oborr po aq të gjatë sa edhe seanca plenare, parlamenti në Tiranë diskutoi me procedurë të përshpejtuar një projekt-ligj, që parashikon ndërtimin e një teatri të ri, në vendin ku gjendet prej 73 vjetësh Teatri Kombëtar.

“Teatri kombëtar është një ndërtesë e ezauruar. Duhet një teatër i ri. Edhe negociatat që do të bëhen me firmën, do të vijnë sërish në Kuvend” - tha ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro.

Qeveria dhe bashkia pohuan se janë gati të negociojnë me firmën “Fusha” për t’i dhënë asaj një pjesë trualli pronë publike për ndërtimet e veta me disa kulla të larta prapa Teatrit Kombëtar ekzistues në këmbim të një teatri të ri në të njëjtin vend.

“Teatri Kombëtar është pasuri kombëtare. Kjo është ndërtesa me më shumë histori nga gjithë ndërtesat e shtetit shqiptar. Pronarët e asaj toke e kanë lëshuar me amanet për të qenë Teatër Kombëtar. Kush shemb Teatrin bën një krim e duhet dënuar për tradhti kombëtare” - tha shkrimtari i njohur Rudi Erebara, një nga nismëtarët e protestave.

Projekt-ligji kaloi me procedurë të përshpejtuar në komisionet parlamentare, megjithë kundërshtimet e deputetëve të opozitës, që dyshojnë për korrupsion.

Këta iu bashkuan dje protestës disa-javëshe të qindra qytetarëve, artistëve dhe veprimtarëve, dhe nënshkruan peticionin, që kundërshton shembjen e Teatrit Kombëtar, si pjesë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Mijëra qytetarë kanë nënshkruar për shumë ditë gjatë protestave periodike një peticion, ku u kërkojnë autoriteteve ruajtjen e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar.

Në peticion theksohet se projekt-ligji është anti-kushtetues, sepse shkel hapur disa nene të Kushtetutës, si dhe disa ligje të tjera ekonomike, penale dhe kulturore.

Ata pohojnë se ndërtesa është funksionale dhe se është i mjaftueshëm një restaurim i thjeshtë, që të mbetet i sigurtë në këmbë edhe shumëdekada të tjera, ashtu si ndodh në shumë shtete të tjera me ruajtjen e objekteve historike.

Qeveria pohon se ndërtesa ekzistuese e Teatrit Kombëtar është e papërshtatshme dhe e rrezikshme për të zhvilluar veprimtari artistike.

Ndaj ajo mirëpriti propozimin e firmës "Fusha" që ta ndërtonte teatrin në të njëjtin vend në këmbim të një pjese toke publike për ndërtimet e veta.

Artistët nga ana e tyre dhe qytetarët protestues pohojnë se nuk janë kundër ndërtimit të një teatri të ri, por ky mund të ndërtohet kudo tjetër, pa e prekur ndërtesën ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

Protestuesit po përpiqen për të ndërgjegjësuar deputetët, që të mos e votojnë një projekt-ligj, i cili, sipas tyre, hap rrugën rrëzimit të një objekti historik me rëndësi të madhe për historinë e kulturës shqiptare.

Por socialistët i kanë votat për ta miratuar projekt-ligjin, duke hedhur poshtë dyshimet për korrupsion dhe duke premtuar një teatër të ri në një zonë të zhvilluar.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA