...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mashtrimi i Ramës me “kuvendin popullor” për “Ballkanin e Hapur” dhe gjysmë të vërtetat e Fatos Tarifës

Nisma e Ramës e re shtrembëron karakterin e “kuvendit popullor” dhe e kthen atë në një “spektakël” opinionesh! Madje ajo nxitet në kohën kur dihet se Rama ka çensuruar —në shtypin dhe median kombëtare— gjithë të vërtetën lidhur me “Ballkanin e Hapur”; kur dihet se përballë tij qendron opozita e “Berishës” e cila shtrembëron gjithashtu të vërtetat lidhur me projektin e Uashingtonit dhe Brukselit; dhe kur dihet, në fund, se një popull pa të vërteta të plota ose me “gjysmë të vërteta”, që burojnë nga mendja e Ramës dhe Berishës në këtë rast, dhe e gazetarëve dhe “ekspertëve” që mbajnë pas...të “vërtetat” e tyre do të mbështesë edhe sikur të pyetet me pyetësor

Ylli Përmeti

27/12/2021 - 11:11

Tre ditë pas nënshkrimit të marrëveshjeve të reja për Ballkanin e Hapur në Tiranë (21 dhjetor) —për heqjen e lejes së punës dhe për lehtësimin e import-eksporteve të kafshëve të gjalla si dhe për veterinarinë, efektin e të cilave do ta shqyrtoj më tej— Rama tha se do t`u drejtohesh shqiptarëve me një pyetësor për të shprehur mendimin e tyre për “çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë”: hamendësisht ai do të ftojë shqiptarët të shprehen edhe për “Ballkanin e Hapur” meqë si çështje është quajtur nga vetë ai “strategjike”. Pa droje, procesin me pyetësorin ai e quajti “kuvendim popullor” duke shtrembëruar karakterin e këtij të fundit: se “kuvend popullor” quhet “biseda e lirë dhe e shtruar” ose “mbledhja e gjerë [popullore] për probleme të rëndësishme” (Fjalori ynë) ku shqyrtohen çështjet nga vetë populli dhe nuk shprehen thjesht opinione dhe mendime spontane! 

Nisma e tij e re, rrjedhimisht, shtrembëron karakterin e “kuvendit popullor” dhe e kthen atë në një “spektakël” opinionesh! Madje ajo nxitet në kohën kur dihet se Rama ka çensuruar —në shtypin dhe median kombëtare— gjithë të vërtetën lidhur me “Ballkanin e Hapur”; kur dihet se përballë tij qendron opozita e “Berishës” e cila shtrembëron gjithashtu të vërtetat lidhur me projektin e Uashingtonit dhe Brukselit; dhe kur dihet, në fund, se një popull pa të vërteta të plota ose me “gjysmë të vërteta” që burojnë nga mendja e Ramës dhe Berishës në këtë rast, dhe e gazetarëve dhe “ekspertëve” që mbajnë pas...të “vërtetat” e tyre do të mbështesë edhe sikur të pyetet me pyetësor! Rezultati i tij, rrjedhimisht, dihet për sa kohë që popullit i çensurohet e vërteta e plotë: do të jetë pak a shumë si në zgjedhjet parlamentare të fundit—sepse me shumë gjasa Rama do të mobilizojë gjatë procesit “ekspertët” dhe gazetarët e tij për t`u mbushur mendjen shqiptarëve se projekti i Uashingtonit dhe Brukselit është në të mirë të popullit ndërsa Berisha do të argumentojë të kundërtën por pa përmendur ndonjë të vërtetë të plotë!

Pa u çuditur, lidhur me nismën e Ramës —për të pyetur popullin— kanë filluar të ngjallen frikërat edhe mes “mentorëve” të partisë “socialiste”: Fatos Tarifa çeli fushatën bindëse. Sipas tij, nisma e Ramës është e gabuar, sepse nuk mund të bazohet “strategjia” e vendit tonë në opinione dhe mendime popullore por janë deputetët ata si përfaqësues të zgjedhur në parlament që duhet të hartojnë politika pasi...

“t`u drejtohen shkencëtarëve, studiuesve dhe ekspertëve tanë më të mirë për t`u kërkuar mendimin dhe shërbimin e tyre të kualifikuar në hartimin e politikave, edhe atyre më strategjike, mbi bazën e të cilve do të sigurohet zhvillimi i sotëm dhe ai perspektiv i shoqërisë dhe kombit tonë, sepse shkenca dhe ekspertiza profesionale nuk mund të zëvendësohet nga opinionet e njerëzve dhe nga dija konvencionale...Shkenca ka qenë dhe mbetet në mënyrë të padiskutueshme veprimtaria njerëzore më e suksesshme e të gjitha kohëve. Vlerat dhe rëndësia e saj dalin më mirë në pah në shoqëritë demokratike, pasi të njëjtat virtyte që e bëjnë shkencën të ecë përpara, e bëjnë edhe demokracinë të funksionojë—besimi në faktet dhe jo në autoritetet, përkushtimi ndaj arsyes dhe transparenca, të qenurit i hapur ndaj ekzaminimit kritik, skepticizmi metodologjik ndaj vlerave sunduese në shoqëri, vullneti për të marë në konsideratë opinionet e kundërt, si dhe modestia për të pranuar të pasigurtat dhe padijen. Janë dituritë, ekspertiza dhe patriotizmi i tyre, jo pyetsorët—edhe sikur përmes tyre të merret mendimi i çdo shqiptari, brenda apo jashtë vendit—ato që mund t’u ofrojnë zgjidhje problemeve të mëdha të shoqërisë e të kombit tonë. Idetë dhe propozimet e qytetarëve, ashtu si dhe politikat apo reformat që mund të propozojnë ata, ose njerëzit e zgjedhur apo të emëruar për këtë qëllim, duhet t’u qëndrojnë standardeve më rigorozë të mbledhjes dhe të ekzaminimit të fakteve. Problemi te ne nuk qëndron te mungesa e dijeve, por te mungesa e vullnetit dhe e dëshirës për të dëgjuar ata që dinë dhe që, për këtë arsye, mund të japin këshilla të informuara dhe inteligjente për shumë probleme e çështje nga më të rëndësishmet që preokupojnë shoqërinë dhe kombin tonë, këtej dhe andej kufirit”.

Në grupin e “ekspertëve” fut dhe veten Tarifa—ndaj këshillon Ramën —pasi tregon dhe disa gjysmë të vërteta për vendet “demokratike” si SHBA-ja, të mos e ndërmarrë këtë nismë! Tarifa, në fjalë të tjera, anashkalon shtrembërimin e “kuvendit popullor” nga Rama dhe nuk mundohet ta qartësojë atë si “studiues” që është; shpërnjeh faktin se Rama ka çensuruar gjithë të vërtetën për “Ballkanin e Hapur”, ku merr pjesë dhe gazeta “Dita”, me një çensurë edhe më të neveritshme, dhe populli s`ka të vërteta të tjera në mendjen e tij përveç “gjysmë të vërtetat” e Ramës dhe Berishës; dhe në fund, pikërisht për këtë arsye —por edhe bindjes së tij se popujt nuk mund të marrin vendime “racionalë”, propozon që procesin ta zhvillojnë përfaqësuesit: deputetët dhe “ekspertët” ku bën pjesë dhe ai. Madje ai mund të pretendojë dhe drejtimin e procesit, nëse Rama këmbngul në zhvillimin e “kuvendit popullor”, meqë ka “ekspertizë” në matjen e opinioneve!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA