...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ngërçi me Shkollën e Magjistraturës, Gjykatën e Lartë dhe SPAK-un

Parlamenti dështoi dje votonte për disa ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve, të cilat synojnë t’i hapin rrugë pranimeve të reja në shkollën e magjistraturës dhe emërimeve të magjistratëve të rinj të diplomuar tanimë

Voa

10/07/2018 - 18:24

Shkak u bë mungesa në sallë e deputetëve të opozitës. Miratimi i këtyre ndryshimeve që do të zhbllokonin situatën e krijuar nga mungesa e institucioneve të reja të parashikuara nga reforma në Drejtësi, kërkon 84 vota, të cilat shumica socialiste, e vetme, nuk i ka.

“Në emër të grupit parlamentar të Partisë socialiste, kërkoj shtyrjen e diskutimit dhe të votimit të këtij projektligji në seancën pasardhëse të 19 korrikut”: kjo kërkeë e kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, gjatë seancës së sotme parlamentare, erdhi pasi për miratimin e ndryshimeve në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nevojitet një shumicë e cilësuar prej të paktën 84 votash, ndërkohë që socialistët së bashku me deputetët që kanë lëvizur nga partitë e tjera nuk shkojnë me shumë se 78 vota. Ndërsa opozita, si deputetët e partisë Demokratike ashtu dhe ata të LSI-së nuk morën pjesë në seancën e sotme.   

Shkak për këtë vendim u bë votimi, javën e shkuar i ligjit që parashikon ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, ku mes listës së deputetëve që kshin votuar pro, ishte dhe emri i deputetit të LSI-së Vangel Tavo, i cili nuk kishte qenë fare i pranishëm në seancë. Si PD ashtu dhe LSI-ja përfaqësoheshin vetëm me kryetarët e grupeve të tyre parlamentare, të cilët, sic dhe kishin bërë ne kërkesën drejtuar parlamentit të premten e shkuar, kërkuan anullimin e votimit duke e quajtur atë jo vetëm të parregullt, por dhe të manipuluar.

Kryetari i parlamentit Gramoz Ruci tha se vetëm sot e kishte marrë kërkesës dhe kishte urdhëruar verifikimin e rastit, ku në përfundim, sipas socialistëve ka rezultuar se kanë qenë dy deputetë të LSI-së që kanë vënë kartën e zoti Tavo në vendin ku ulet deputeti Bitri, më parë pjesë e LSI-së e tani deputet i pavarur. Për kreun e grupit socialist Balla, ai ligj do të kalonte si me 75 ashtu dhe me 74 vota, ndërsa deklaroi se opozita e përdori këtë rast si pretekst pikërisht për të pamundësuar votimin e ndryshimeve të propozuara.

Ndryshimet synojnë që në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të jetë vetë Shkolla e magjistraturës që të realizojë pranimet e reja, ndërsa emërimet për gjyqtarët dhe prokurorët, të bëhen nga KLD-ja aktuale dhe Prokurorja e Përgjithshme.

Zoti Balla i bëri sot thirrje opozitës dhe vecanërisht LSI-së që ti bashkohen kësaj nisme. Ai pranoi se me LSI-në “kemi një komunikim zyrtar për këtë çështje. Por dua të theksoj se në këtë process është e rëndësishme të ruajmë konseguencën e qëndrimeve tona për një çështje të caktuar. Për çështjen e Shkollës së Magjistraturës, të dyja forcat politike, LSI dhe PS, duhet t’i qëndrojnë konsekuent, asaj që kanë patur edhe dy vite më parë, pra dakortësinë për të vijuar procesi i pranimeve”.

Por sipas deputetit të LSI-së Nasip Naço zgjidhja e propozuar është e papranueshme: “Si mundet që Grupi Parlamentar i LSI-së apo dhe unë si ish-ministër i Drejtësisë që tu japim edhe njëherë mundësinë një pjesë e këtyre anëtarëve të KLD-së, të cilët do ti quaja llumin e sistemit të drejtësisë?! Që tu japim edhe njëherë mundësinë që këtyre studentëve magjistratë, të cilët sa dalin nga bangat e shkollës t’u kërkohen ndere personale, ndere që do të vinë ditë më pas në Konferencën e Përgjithshme Gjyqësore, ku të kërkojnë votën për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor?! Gjë që nuk ka për të ndodhur dhe nuk mund të ndodhë. Unë personalisht apo dhe Grupi Parlamentar i LSI-së nuk mund të votojmë nenin 1. Që do të thotë nenin 160, që ka të bëjë dhe me emërimin e studentëve prokurorë magjistratë. Si mundet që ne ti japim mundësinë Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në detyrë që ajo të bëjë emërimin e këtyre studentëve magjistratë?! Ligji I vjetër që ne me të drejt e mbështetëm dhe e reformuam parashikonte që emërimet apo shkarkimet e prokurorëve ti bënte Prokurori I Përgjithshëm nëpërmjet Presidentit. Sot, ka një arsye më shumë që të mos ta votojmë pasi kjo Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme do ti emërojë këta studentë magjistratë dhe do tu kërkojë votën nesër në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, që ka të bëjë me zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së”.

Ngërci me studentët e Magjistraturës nuk është i vetmi i prodhuar nga vonesat në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Gjykata Kushtetuese është aktualisht jashtë loje. Drejt të njejtit fat rrezikon të shkojë dhe Gjykata e Lartë e cila tashmë funksionon me numër të kufizuar të anëtarëve të saj, ndërsa mungesa e Këshillit të lartë të Prokurorisë po mban pezull dhe Byronë kombëtare të hetimit dhe SPAK-un ose njësinë speciale antikorrupsion.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA