...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ngjarjet kryesore gjatë vitit 2022 në Shqipëri dhe Kosovë

Për të dy vendet, ngjarja kryesore ishin tensionet me Serbinë: ato mbizotëruan ndaj gjithë çështjeve të tjera pavarësisht se qeveria “Rama” nuk u përfshi në të

SHJ

31/12/2022 - 07:46

Pesë ishin ngjarjet kryesore që mbizotëruan gjatë vitit 2022 në jetën politike të Tiranës: integrimi në BE (ku mbizotëroi vetoja bullgare dhe trysnia ndaj Shkupit për të bërë ndryshime kushtetuese në përputhje me kërkesat e Sofjes duke kulmuar me zhvillimin e mbledhjes së parë të BE-së në Tiranë); dështimi i qeverisë “Rama” për të shkarkuar presidentin Meta, shkeljet e saj proceduriale për qëllimin në fjalë dhe zëvendësimi i tij me Begajn; kriza në PD dhe përplasjet e forta mes Berishës dhe Bashës duke kulmuar me largimin e të dytit dhe ndarjen e saj në dy pjesë; impiantet e riciklimit të mbetjeve; dhe sulmet kibernetike. Kosova u mbizotërua nga katër ngjarje: tensionet me Serbinë, të cilët i shkaktoi Kurti dhe si pasojë lindi nevoja për propozimin “franko-gjerman” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve; vendimi i Gjykatës së Posaçme në Hagë për Sali Mustafën; integrimet e saj euro-atlantike; dhe dhuna ndaj grave. Por për të dy vendet, ngjarja kryesore ishin tensionet me Serbinë: ato mbizotëruan ndaj gjithë çështjeve të tjera pavarësisht se qeveria “Rama” nuk u përfshi në të. SHJ

Për të gjitha këto ngjarje, përmbledhjet e reporterëve të Voa-s janë të vyera:  

 

Në Shqipëri, një seri ngjarjesh, lanë gjurmë gjatë vitit 2022. Ndërsa vendi nis zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në Bashkimin europian, situata e brendshme karakterizohet nga polemikat e forta. Partia demokratike, forca kryesore e opozitës, përjeton momente më të vështira të saj. Me të bashkohet dhe ish presidenti Ilir Meta, i cili i ka lënë vendin e kreut të Shtetit , Gjeneralit Bajram Begaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Qeveria nga ana e saj do të jetë në qendër të kritikave, veçanërisht për çështjen e inceneratorëve, për të cilën gjatë vitit do të ketë disa arrestime. Ndërkohë që një sulm masiv kibernetik çon në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

INTEGRIMI

Pas një periudhe të gjatë zvarritjesh dhe pritjeje, Bashkimi Europian nis zyrtarisht bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë. Telenovela mes Sofies dhe Shkupit, e cila mbante varur dhe Tiranën, merr fund në korrik, duke bërë të mundur dhe zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare.

Ndërsa në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është ulur që prej janarit, Shqipëria vlerësohet për angazhimin e saj, edhe si bashkë-penëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara për çështjen e Ukrainës, në Bruksel, zyrtarizimi i nisjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, ka mbetur pezull. Pa shumë shpresë se gjërat mund të lëvizin në drejtimin e pritur, qeveria shqiptare vendos të kërkojë që procesi për vendin të mos mbetet më tej i lidhur me veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. “Shpresojmë që Bullgaria të hapë rrugën dhe të dyja vendet të fillojnë bisedimet formale. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë ne do të ndryshojmë kursin”, deklaron kryeministri Edi Rama gjatë një konference shtypi me presidentin e Këshillit Europian në Tiranë, më 20 maj.

Mbledhja e radhës për shqyrtimin e rastit të dy vendeve ballkanike, është më 23 qershor. Përballë agresionit rus në Ukrainë, BE ka ndjerë se duhet të japë sinjale më të qarta për Ballkanin. Në Bruksel, së bashku me udhëheqësit e vendeve anëtare, ftohen dhe udhëheqësit e rajonit, ndërsa paralelisht vijon trysnia ndaj Sofies. Mbi tryezë qëndron i ashtuquajturi propozim francez.

Dy ditë përpara takimit, kryeministri Rama dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç e ai maqedonas Dimitar Kovaçevski, bëjnë lojën e tyre, duke deklaruar se hezitojnë të shkojnë në Bruksel. “I gjithë Unioni i marrë peng nga Bullgaria, nuk është një spektakël i mirë për t'u parë!”, shkruan zoti Rama në Twitter.

E nesërmja nis me sinjale shprese nga Bullgaria për mundësinë e heqjes së vetos. Kryeministri Rama niset për në Bruksel, duke mos shprehur megjithatë asnjë lloj optimizmi. Pasdite vonë në Sofje bie qeveria, duke paralajmëruar dështimin e radhës në takimin e Këshillit.

Pas mbledhjes, Kryeministri Rama, nuk do t’i kursejë tonet e forta. Sipas tij, shkak i kësaj situate është “fryma e deformuar e zgjerimit, dhe Bullgaria shprehja më e dukshme e saj”, shprehet ai në një konferencë shtypi në Bruksel.

Në ditët e fundit të presidencës së saj të BE-së, Franca shton trysninë për një zgjidhje, e cila njoftohet gjatë samitit të Nato-s më 30 qershor, nga presidenti Emmanuel Macron.

Pas pak më shumë se dy javësh, Parlamenti maqedonas miraton marrëveshjen me Bullgarinë. Tre ditë më pas, më 19 korrik, në Bruksel mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ndërsa ulja në tryezën e bisedimeve për kapitujt konkret paraprihet nga një tjetër fazë përgatitore, Shqipërisë, i duhet të shfrytëzojë atë që mund të shihet si një momentum i ri, në qasjen e Brukselit ndaj rajonit. Në fund të vitit, për herë të parë udhëheqësit europianë mblidhen, së bashku me homologët e Ballkanit, në një takim jashtë kufijve të tyre, në Tiranë. Një zgjedhje që për Shqipërinë, do të shihet si ngjarja më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare, ndërsa për rajonin, një shtysë për përshpejtimin e procesit të integrimit.

TRANZICIONI NË PRESIDENCË

Presidenti Ilir Meta do të mbyllë 5 vitet e një mandati të shenjuar nga përplasjet e forta me shumicën socialiste, falë votave të së cilës, ai kishte marrë dhe postin më të lartë të Shtetit. Dy përpjekje për ta shkarkuar, vetëm sa e kanë konsoliduar të ardhmen e tij drejt opozitës. Në presidencë do të ngjitet një ushtarak karriere, gjenerali Bajram Begaj, deri në ato momente, Shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Në fillim të shkurtit Gjykata Kushtetuese nis seancat publike të procesit mbi vendimin e Parlamentit për shkarkimin e kreut të Shtetit. Shkeljet proceduriale, që nga “mosdhënia kohë zotit Meta për t’u paraqitur në Komisionin e Ligjeve, deri te shpejtësia për thirrjen e seancës, ku po ashtu u fut në shkelje të rregullores dhe një pikë shtesë në rendin e ditës”, do të përbëjnë thelbin e mbrojtjes së presidentit. “Nuk ka patur dhe nuk ka lëndë për të inicuar procesin e shkarkimit të presidentit”, deklaron këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj.

Gjatë procesit, hije të rënda dyshimi do të hidhen mbi një shkresë të Parlamentit, që shfaqet me dy data të ndryshme. Bëhet fjalë për urdhërin për caktimin e datës plenare për thirrjen e seancës parlamentare të datës 7 maj, e cila miratoi raportin e Komisionit të Ligjeve lidhur me nismën e deputetëve për të hapur procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit. Ndërsa urdhëri për thirrjen e seancës, sipas variantit në faqen zyrtare, është i datës 6 maj, shkresa e re, është kopje e këtij urdhëri, por me datën 5 maj, datë e cila do të rrëzonte pretendimin se seanca ishte thirrur në kundërshtim me rregulloren që parashikon një afat 48 orësh. “Kemi të bëjmë me një manipulim të provës”, vë në dukje zoti Dervishaj.

Në krahun tjetër përfaqësuesit e shumicës në Parlament, përsërisin qëndrimin se sipas tyre presidenti Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor të 25 Prillit 2021, "duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës".

Gjykata vendos të rrëzojë Parlamentin. Në vendimin e publikuar mbrëmjen e 16 shkurtit, vlerësohet se nuk ka patur “shkelje të rënda të Kushtetutës”, për të cilat Kreu i Shtetit mund të largohej nga detyra. Nga presidenca deklarojnë se vendimi nuk përbën asnjë surprizë. Socialistët janë të bindur se “Ilir Meta duhej shkarkuar”, deklaron në parlament kryetari grupit të shumicës, Taulant Balla.

Pasi humbën dy beteja të drejtpërdrejta me të, socialistët nuk duan të humbasin kohë në gjetjen e pasuesit të tij. Ata i kanë votat për të zgjedhur të vetëm, por publikisht deklarojnë në mënyrë të përsëritur se nuk duan një emër nga partia e tyre dhe kërkojnë dialog me opozitën, duke vënë megjithatë në dukje përçarjet në gjirin e saj. “Është një anë me copa e me çika, por sidoqoftë, nuk e kemi zgjedhur ne”, do të shprehet për gazetarët më 6 prill kryeministri Rama.

Ajo që zgjedhin është që ta ushqejnë ndarjen e thellë brenda demokratëve. Gjatë një ndërhyrjeje në Parlament, më 21 prill, zoti Rama do të deklarojë se “me Saliun ne nuk kemi punë. Nëse ju, do të bëni zgjedhjen që të drejtoheni nga një i vdekur, ne me Partinë Demokratike do të ndërpresim çdo marrëdhënie”.

Një lëvizje që nuk rezulton fort e vështirë për socialistët. Po atë seancë, ish kryeministri Sali Berisha, shkon pranë foltores së Parlamentit, ku gjendej kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj dhe e shtyn atë për t’i marrë radhën e mbajtjes së fjalës.

Në ndryshim nga pala e drejtuar nga zoti Berisha, grupimi i udhëhequr nga zoti Alibeaj zgjedh të përfshihet në procesin për zgjedhjen e presidentit. Aleatët e së djathtës kërkojnë një qëndrim unik të opozitës

Ndërsa procedurat u hapën zyrtarisht më 10 maj, zoti Alibeaj ofron një propozim sipas të cilit, opozita paraqet katër kandidatë, dhe socialistët eleminojnë dy prej tyre, duke lënë dy emrat e tjerë, që diskutohen më pas mes palëve: Mbi këtë propozim do të debatohet gjatë, derisa, më 18 maj, duket se arrihet një marrëveshje fjale. Zoti Balla bën ofertën e tij: “Pranohet dokumenti juaj deri në raundin e tretë. Raundin e katërt e ka thënë Kushtetuta se si bëhet. Dakort?” Zoti Alibeaj përgjigjet: “Po. Por ki parasysh dhe një gjë. Çdo shkelje, siç e ke lexuar në dokument, e këtyre rregullave, është shkelje e marrëveshjes. OK? U vendos!”.

Por shumë shpejt palët nuk merren vesh mes tyre se për çfarë kishin rënë dakort, dhe gjithçka kthehet në pikën zero. Në ndërkohë raundi i parë është djegur e të njëjtin fat do të kenë dhe dy të tjerët.

Socialistët shkojnë drejt raundit të katërt me mundësinë për të zgjedhur të vetëm. Më 3 qershor, emri i përzgjedhur do të jetë ai i gjeneralit Bajram Begaj, Shef i Shtabit të Përgjithshëm, të cilin zoti Rama do ta përshkruajë si “shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyra ka nevojë urgjente”.

Të dy takohen po atë mbrëmje në zyrën e zotit Rama. Të nesërmen mbledhja grupit parlamentar socialist do të jetë thjesht një formalitet. Askush nuk kërkon mendimin e deputetëve, por vetëm firmat për zyrtarizimin e kandidaturës, dhe votën për pasditen e po asaj dite, kur merr mbështetjen e shumicës së majtë, dhe vetëm 4 kundër. Pjesa dërrmuese e opozitës nuk ishte në momentin e votimit, duke e kundërshtuar kandidaturën e tij.

Më 24 korrik zoti Begaj do të bëjë betimin. Në fjalimin e tij të parë, në sallën e Parlamentit ai thekson se “këtë mision do ta kryej mbi palët. Por unë nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit, që bie ndesh me këtë betim”.

KRIZA NË PD

Ndarja e fortë në Partinë Demokratike, e nisur që vitin e shkuar, do të thellohet më tej. Sulmi i mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha për të marrë selinë, shënon një thyerje të pariparueshme. Dorëheqja e kryetarit Basha nuk i qetëson ujërat dhe termi “bashkim” ngjan më shumë një eufemizëm në PD. Me rimarrjen e kontrollit të zyrave të partisë, zoti Berisha, zgjedh të qëndrojë më pranë me partinë e re të ish presidentit Meta.

Ultimatumi i dhënë kryetarit Basha për të liruar zyrën brenda 5 janarit, u spostua me pak ditë. Ish kryeministri Berisha ftoi demokratët “të bashkohen për të marrë në dorëzim shtëpinë e tyre”.

Më 8 janar, selia e partisë rrethohet nga të gjitha anët. Përpjekjet për të hyrë në seli pengohen nga dyert e blinduara si jashtë, po ashtu dhe në mjediset e brendshme. Mbështetësit e zotit Berisha përdorin dhe shkallë për t’u ngjitur direkt në katin e dytë, duke hasur rezistencë nga brenda. Nuk mungojnë nga ana tjetër dhe gurët që lëshohen mbi mjediset ku ndodhen drejtues, deputetë dhe funksionarë të partisë. Pavarësisht kësaj, zoti Berisha flet për protestues paqësorë.

Situata qetësohet vetëm pas ndërhyrjes së policisë, me gaz lotsjellës dhe pompa uji. Oborri i selisë boshatiset me shpejtësi. Disa përpjekje të tjera për t’u rikthyer do të sprapsen nga policia që në largësi. Në mbyllje të protestës zoti Berisha premton rikthimin “në forma dhe më të fuqishme se kjo që bëmë sot”.

Në mbrëmje zoti Basha e tregon gazetarëve gjurmët e shkatërrimit brenda selisë dhe deklaron se “sot Sali Berisha ka kryer punë me Partinë Demokratike dhe demokratët”.

Natën duke u gdhirë 11 janari kryesia e partisë reagon me dorë të hekurt duke përjashtuar zotin Berisha dhe 8 emra të tjerë të njohur, pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Masë pezullimi merret dhe për 19 funksionarë partiak e deputetë.

Ndryshe nga c’kishte paralajmëruar, zoti Berisha nuk tenton më marrjen me forcë të selisë. Beteja e tij do të përqëndrohet te zgjedhjet e pjesshme vendore, që sipas dekretit të presidentit Meta do të mbahen më 6 mars.

Largimi i Bashës

Fushata do të dominohet më shumë nga rivaliteti i brendshëm se sa nga përpjekjet kundër shumicës në pushtet. Palët do të dalin secila me nga një kandidat të vetin në 6 bashkitë ku zhvillohet gara. Në pamundësi për t’u regjistruar nën emrin e PD, zoti Berisha huazon siglën e LSI-së duke u bërë pjesë e koalicionit të regjistruar prej saj dhe Partisë Demokristiane. Të pashqetësuar, socialistët nuk humbasin rastin për të ironizuar kundërshtarët, në luftë me njeri tjetrin. Gjatë mbylljes së fushatës në Lushnje, kryeministri Rama thotë se “politika i sjell përpara jush dhe Eriseldën (kandidatj e PS) dhe ata dy të tjerët që keni këtu. Njërin që e ka sjellë vrima e bravës, tjetri që është një copë e bishtit të varesë”.

Socialistët fitojnë 5 nga 6 bashkitë në garë, përveç Shkodrës, që merret nga Bardh Spahia, kandidati i Rithemelimit. Ish kryeministri i gëzohet faktit se kandidatët e tij, përveç Rrogozhinës, kanë dalë mbi ata të Bashës, pasi sipas tij këto zgjedhje shënojnë “rikthimin e Sali Berishës”.

Në anën tjetër, zoti Basha do të habisë me deklaratën e tij një ditë pas votimit: “Unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time”. Ai zotohet se nuk do ta braktisë detyrën e tij, por po atë ditë gjendet nën trysninë e fortë të mbështetësve të vet, që i kërkojnë dorëheqjen. Dy nënkryetarë të partisë, Gjekmarkaj dhe Duma, e ndërmarrin pa mëdyshje një hap të tillë.

Tërheqja e Bashës shihet si një mundësi për të nxitur të njëjtin veprim dhe nga ish kryeministri. “Një tërheqje e të dyve do të ishte rruga përpara për të gjetur bashkimin mes demokratëve”, deklaron Sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi, pas një mbledhjeje të grupit parlamentar më 12 mars. Vetë zoti Basha flet për “vënien time në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme”. Dhe disa ditë më pas ai njofton largimin nga kreu i Partisë: “Kam vendosur të bëj një hap pas, duke u dorëhequr”. Drejtimi i partisë i kalon nënkryetarit dhe kryetarit të grupit, Enkelejd Alibeaj

Në kampin tjetër zoti Berisha nuk sheh arsye për të bërë pas. Përkundrazi, 4 ditë më vonë, pak pasi Gjykata e Tiranës vendos më 25 mars, të njohë statutin e Kuvendit të organizuar prej tij, ai shfaqet në zyrat e PD duke marrë kontrollin e selisë. Ish kryeministri i bën thirrje demokratëve “t’i shtrojnë dorën njëri tjetrit sot dhe të bashkohen”. Por për zotin Alibeaj, interesat e demokratëve nuk mbrohen duke patur në parti “një profil politik, një deputet, aq më keq një kryetar partie i cili është etiketuar nga SHBA-të si “non grata”.

Disa ditë më vonë, në 4 prill, ai do të ankimojë vendimin e Gjykatës së Tiranës. Një veprim që nuk gëlltitet nga pala tjetër. “Ai për mua pushon së qeni kryetar i grupit parlamentar”, deklaron zoti Berisha.

Përjekjet e dështuara për bashkim

Në këtë klimë mospërputhjesh të skajshme, çdo tentativë që synon afrimin mes palëve duket e dështuar që në nisje. Më 16 prill, zoti Alibeaj paraqet atë që quhet si platformë parimesh për bashkimin e demokratëve, mbështetur nga shumica e grupit të deputetëve. Dokumenti ofron rikthimin e të gjithë të përjashtuarve apo pezulluarve nga grupi, por jo të zotit Berisha, si dhe kërkon ndërprerjen e procedurave të zgjedhjeve në parti të nisura nga pala tjetër, për të ngarkuar një grup të përbashkët pune për ristrukturimin e partisë.

Propozimi hidhet poshtë kategorikisht. Më 30 prill kuvendi i thirrur nga Rithemelimi shkarkon zotin Alibeaj nga drejtimi i grupit parlamentar, ndonëse shumica dërrmuese e deputetëve refuzon të bëhet pjesë. Demokratët numërojnë 59 mandate, nga të cilat 6 i përkasin aleatëve të saj, të cilët kanë qëndruar larg përplasjeve të forta në PD. Zoti Berisha duket se ka mbështetjen e të paktën 15 deputetëve, ndërsa një grup i vogël qëndron ende i parreshtuar haptazi.

Kuvendi i hap rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri, ndonëse për të gjithë është e qartë se do të jetë thjesht një formalitet. Edhe fjala e zotit Berisha është ajo e një drejtuesi de facto.

Më 22 maj ai do të shpallet fitues përballë një konkurrenti të vetëm, Ibsen Elezit, një figurë lokale e demokratëve. Zoti Berisha do të vijojë të ndjekë projektin e nisur, pas goditjes që mori nga Departamenti amerikan i Shtetit në 2021, që i ndalon atij dhe familjes së tij, hyrjen në Shtetet e Bashkuara. E njëjta masë do të vijë në korrik dhe nga Britania e Madhe. Ish kryeministri flet sërish për një vendim pa prova e fakte.

Mes palëve në PD, një mundësi e dytë afrimi do të shfaqet në tetor, ndërsa kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të majit 2023, për të cilat grupimi i zotit Berisha do të përdorë sistemin e primareve, për caktimin e kandidatëve me votën e anëtarësisë.

Pala tjetër ofrohet për gjetjen e një mundësie që PD të dalë me emra që gëzojnë mbështetjen e të gjithëve. “Do të ulemi të shikojmë modalitetet se si të mund të bëhemi të gjithë bashkë që të mundim Edi Ramën në zgjedhje lokale”, bën të ditur zoti Bardhi. Nga ana e tij zoti Berisha saktëson se “nuk mund të tërhiqemi nga primaret. Ato janë një kusht i ekzistencës së kësaj partie”.

Zoti Bardhi do të ketë disa takime me zotin Paloka. Por pak javë më vonë njoftohet dështimi i radhës. Grupimi i përfaqësuar nga zoti Alibeaj, bën përgjegjëse palën tjetër dhe shprehet i keqardhur që “në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet”. Kundërpërgjigja vjen e prerë. “Statuti është jashtë çdo lloj imagjinate e kompetence për t’u shkelmuar”, shprehet zoti Berisha.

Marrëdhëniet mbeten të ndera. Në fund të vitit, përfaqësues të palëve, gati sa nuk kacafyten me njëri tjetrin në sallën e Parlamentit.

Afrimi i Metës

Pasi lë presidencën, pasditen e 24 korrikut, ish kreu i shtetit nuk pret as 24 orë për t’u rikthyer në forcën politike që krijoi në 2004, ku rimerr teserën e dorëzuar formalisht 5 vjet më parë. “Kisha pak nostalgji për këtë dokumentin e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, shprehet zoti Meta.

Por në fakt nuk është vetëm nostalgji. Si për të dëshmuar se ajo parti i përket atij, po atë mbrëmje shkrin të gjitha strukturat drejtuese dhe njofton gjatë Konventës së LSI-së emrin e saj të ri: “Ju ftoj nga partia LSI në Partinë e Lirisë”. Me ndërrimin e emrit ai heq referencën me të majtën, dhe shfaqet duke përshëndetur me dy gishtat lart, një simbol i demokratëve, të ndodhur në një pikë të errët të historisë së tyre.

Të nesërmen ndaj tij vjen një goditje e papritur. Autoriteti i Dosjeve ka njoftuar Parlamentin se, pas një emaili anonim, ka hasur emrin e zotit Meta në dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, si denoncues i një ish shoku të klasës gjatë viteve të universitetit.

Zoti Meta mohon menjëherë dhe kategorikisht një gjë të tillë, dhe akuzon drejtpërdrejt Autoritetin e Dosjeve se “përdoret si një instrument për disinformim dhe për ushqim propagandistik”. Më vonë ai do të ngrejë dhe padi ndaj Autoritetit.

Socialistët hidhen me shpejtësi në veprim, duke depozituar nisma të ndryshme ligjore, ndonëse më parë nuk i kanë marrë në konsideratë dhe disa kërkesa të përsëritura të vetë Autoritetit. Në thelb qëllimi i tyre duket se është t’i ngrenë mure sa më të larta rrugës së ish presidentit. Megjithatë deri në fund të vitit, ata do të miratojnë vetëm dy ndërhyrje ligjore, falë dhe bashkëpunimit me deputetët demokratë të grupit Alibeaj.

Ish kryeministri Berisha do t’i dalë menjëherë në krah zotit Meta: “Nuk ka asnjë lidhje, asnjë lidhje, me Ilir Rexhep Metën”. Të njëjtën gjë ai do të bëjë dhe pasi mësohet se Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet ndaj zotit Meta pas padisë për korrupsion e pastrim parash nga ish deputeti Halit Valteri

Me një të kaluar dashuri-urrejtje me njëri tjetrin, në 27 tetor ata do të firmosin së bashku marrëveshjen për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. “E konsideroj historike marrëveshjen”, thotë zoti Berisha, ndërsa zoti Meta thekson se “është marrëveshja më parimore që i shërben demokracisë”.

Nga ky moment do të shfaqen së bashku dhe në protestën e organizuar në nëntor si dhe në atë të dhjetorit ditën e Samitit BE- Ballkani perëndimor në Tiranë. Ndonëse e zbehtë në pjesëmarrje, vëmendjen do ta marrë një incident para protestës, kur zoti Berisha sulmohet dhe goditet me grusht nga 32 vjeçari Gert Shehu. Policia njofton se bëhet fjalë për një person me çrregullime psikike, por demokratët nuk kanë asnjë mëdyshje dhe bëjnë përgjegjës kryeministrin Edi Rama.

ÇESHTJA E INCENERATOREVE

E konsideruar si një ndër aferat më të mëdha korruptive, çështja e inceneratorëve njeh zhvillime të rëndësishme. Disa persona arrestohen për rastin e Fierit, mes të cilëve deputeti socialist Alqi Bllako. Të tjera arrestime do të pasojnë, por pronarët e kompanive mbeten në arrati. Në fund të vitit Prokuroria mbyll hetimet për dy nga tre impiantet e trajtimit të mbetjeve. Çështja e Tiranës mbetet e hapur.

Krahas prokurorisë, e cila në dhjetor të 2021 ka kryer arrestimet e para, përfshirë ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, çështja e inceneratorëve vijon të jetë në qendër të debateve politike. Ajo do të mbërthejë për ditë me radhë vëmendjen, kur zyrtarë dhe ish zyrtarë të të gjitha niveleve do të paraqiten në komisionin e posaçëm hetimor, të drejtuar nga demokratja Jorida Tabaku. Për afro 10 orë do të zgjasë vetëm seanca me kryeministrin Rama, i përfshirë në një debat shifrash me përfaqësuesit e opozitës.

“Në total janë 433 milionë euro. Nuk e kuptoj lumturinë, që ke angazhuar 433 milionë euro. Qetësohu, qetësohu”, shprehet zonja Tabaku, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, që ndërhyn duke e ndërprerë: “Domethënë paratë, që do të angazhohen për pastrimin deri në 2047, u keni thënë shqiptarëve që janë vjedhur? Seriozisht, seriozisht?”, pyet zoti Rama me ironi e duke nënqeshur.

Deputeti socialist Alqi Bllako, një ndër emrat e lakuar për rastin e inceneratorëve, nuk dëshmon në komision. Sipas tij, Prokuroria e kishte marrë në pyetje dhe ia kishte ndaluar të shprehej publikisht për çështjen. Më 29 mars, Parlamentit do t’i kërkohet arrestimi i tij, ndërsa lëshohen 14 urdhëra arresti të tjera, mes të cilave një i dytë dhe për ish ministrin Koka.

Deputeti socialist dorëzon të nesërmen vullnetarisht mandatin, por arrestimi i tij ngre pandehma nga më të ndryshmet, pasi për orë të tëra policia nuk arrin ta gjejë, derisa vetdorëzohet në orët e para të mëngjesit të 1 prillit.

Kryeministri Rama flet sërish për përgjegjësi indviduale, ndërsa deklaron se “unë jam shumë krenar për ato vepra. Veprat janë aty”. Në fakt, impianti i djegies është i gatshëm vetëm në Elbasan. Ndërsa në Tiranë as që ka nisur nga ndërtimi.

Më 16 nëntor lëshohen 11 urdhëra të tjerë arresti, për rastin e Fierit. Bëhet fjalë për ish administratorë të kompanisë dhe drejtues shoqërish private, të cilat dyshohet të jenë përfshirë në manovra financiare fiktive me vlera disa milionë eurosh.

Në dhjetor Prokuroria e Posaçme njofton dërgimin për gjykim fillimisht të cështjes së Elbasanit e më pas atë të Fierit me një total prej 26 të pandehurish, përfshirë pronarët në arrati, të kompanive përfituese të koncensioneve.

Ndaj ish ministrit Koka rëndojnë 3 akuza për secilin rast, nga shpërdorimi i detyrës, te korrupsioni dhe pastrimi i parave. Ndërsa për ish deputetin socialist, shpërdorim i detyrës si për Elbasanin dhe Fierin, dhe akuza për korrupsion në dy raste, për inceneratorin e Fierit.

SULMI KIBERNETIK

Shqipëria kishte provuar dhe më parë rrjedhjen e të dhënave, me patronazhistët, më pas me pagat dhe targat e automjeteve. Por ajo që ndodhi në korrik e më pas dhe në shtatOr, nuk ishte diçka që mund të anashkalohej. Gishti i përgjegjësisë mbi sulmin masiv kibernetik bie mbi Iranin, ndaj të cilit Tirana zgjedh kundërpërgjigjen e fortë: Ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.

Goditja kishte nisur dy ditë më parë, por vetëm të dielën e 17 korrikut qeveria njofton se sistemet e informacionit janë gjendur përballë një “sulmi masiv kibernetik armik, të pandodhur kurrë më parë”. Qasja në shërbimet publike online dhe faqet e tjera të institucioneve qeveritare bëhet e pamundur.

Të nesërmen autoritetet deklarojnë se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare “janë të sigurta e të paprekura”. Pak ditë më pas, më 21 korrik, kryeministri Rama bën të ditur se “ky është një agresion i organizuar nga një shtet”.

Pjesa dërrmuese e shërbimeve online rikthehen. Me ekipet shqiptare angazhohen dhe skuadra të Microsoft, si dhe ekspertë amerikanë, përfshirë FBI-në. Raporti i hartuar prej tyre, siç do të bëjë të ditur disa javë më pas kryeministri, ka treguar se “agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është dhe orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Duke e konsideruar një masë proporcionale, kryeministri njofton ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Shqipëria merr një mbështetje të hapur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat më 9 shtator, vendosin sanksione të reja ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj.

Pak orë më pas, një tjetër sulm kibernetik godet sistemet e policisë shqiptare. Gishti drejtohet sërish mbi Iranin, i cili nuk i ka harruar anëtarët e lëvizjes opozitare iraniane të strehuar prej vitesh në Shqipëri. Në fakt, në muajin korrik, një kongres botëror i organizuar prej tyre dhe i parashikuar të mbahej në kampin në Shqipëri, anullohet pas dyshimeve serioze për mundësinë e një sulmi.

Pavarësisht garancive të autoriteteve se të dhënat nuk ishin prekur, periodikisht të dhënat e grabitura, hidhen online, që nga emailet e kryeministrit, te numrat e celularëve, apo dhe komunikimet e drejtorit të policisë. Prokuroria ndërhyn duke urdhëruar mospublikimin e tyre. Një masë që kundërshtohet haptazi nga organizatat dhe përfaqësuesit e mediave vendase.

Kosovë, tensionet me Serbinë përshkuan vitin 2022

Tensione, rrugë të bllokuara në veriun e Kosovës, këmbime akuzash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por edhe shtimi i përpjekjeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje qoftë dhe të ndërmjetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, përshkuan vitin 2022 në Kosovë. Nën hijen e këtyre zhvillimeve Kosova, sikurse edhe vendet tjera të kontinentit u përball edhe me pasojat e agresionit rus në Ukrainë, tkurrje të zhvillimit ekonomik dhe probleme energjetike.

TENSIONET KOSOVË - SERBI

Muaji i fundit i vitit 2022 e gjeti Kosovën me rrugë të bllokuara për rreth tri javë më radhë në veriun e banuar me shumicë serbe. Tensionet në zonë që u ringritën në vjeshtë zunë fill në fillim të verës, kur qeveria e Kosovës vendosi masa të reciprocitetit me Serbinë, duke kufizuar deri në fund të shtatorit përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia dhe deri në fillim të gushtit masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.

Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Beogradi akuzoi Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha se “situata për popullin serb në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. "Nëse nuk duan të ruajnë paqen, po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai.

Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për destabilizimin e situatës.

“Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë.

Në vitin 2011 Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord për një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë në bazë të së cilës dokumentet e të dyja palëve zëvendësohen me një fletë-deklarim të përkohshëm. Beogradi ngulë këmbë se marrëveshja nuk ka të bëjë me serbët në veriun e Kosovës.

Mesnatën ndërmjet 31 korrikut dhe 1 gushtit qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve me kërkesën e ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier.

“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier.

Të inkurajuar nga shtyrja, zyrtarë të Bashkimit Evropian organizuan një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit Serb Aleksandar Vuçiç me 18 gusht, por pa ndonjë rezultat.

“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq”, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Nëntë ditë më vonë zoti Borrell, tha se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Diplomatët perëndimor shfaqën shpresën se palët do të përfshihen në kërkim të një zgjidhjeje edhe për përdorimin e targave të makinave, ndërsa po afrohej 1 shtatori kur duhej të rridhte afati dy muajsh për konvertimin e tyre.

Para përfundimit të afatit, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se së bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga Kosova zgjatjen e afatit për konvertimin e targave për dhjetë muaj.

“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak”, tha zoti Escobar.

Më 28 tetor qeveria e Kosovës vendosi të modifikojë afatin për konvertimin e targave.

“Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit. Pastaj për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Policët serbë në veriun e Kosovës refuzuan zbatimin e vendimit për targat dhe më 2 nëntor Drejtori i Policisë së Kosovës në atë zonë Nenad Gjuriç, u pezullua nga puna. Dy ditë më vonë punonjësit serb në institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politik braktisën vendet e punës.

Shtetet e Bashkuara sikurse Bashkimi Evropian i cilësuan shqetësuese zhvillimet në veri, ndërsa Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, postoi më dhjetë nëntor në Twitter, se ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, më të cilin siç tha, ndau “zhgënjimin me vendimin e Kosovës për të mos zgjatur afatin për targat”.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një intervistë me Zërin e Amerikës e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës.

“Nga pala e Kosovës për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë...Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha zoti Escobar.

Deklarimet amerikane nxitën shqetësime në Kosovë ku udhëheqësit e partive politike opozitare i kërkuan në një takim kryeministrit të Kosovës të bashkërendojë veprimet me aleatët perëndimorë.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e dinë në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të marrë për ta mbajtur situatën në kontroll”, tha kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi.

“Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd e në koordinime shumë më të thella se sa kaq, por duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këto shqetësime u përvijuan edhe përgjatë debateve parlamentare. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targat sipas kërkesës amerikane ndërsa.

“Veprimi i dytë që duhet të ndërmarrim të gjithë ne së bashku është dialogu me serbët e Kosovës, jo vetëm nga kjo foltore por një dialog intensiv për t’i kthyer ata në institucione dhe për ta kthyer besimin e tyre në institucionet e Kosovës”, tha zoti Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u takuan më 21 nëntor në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por takimi nuk solli marrëveshje.

"Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha zoti Borrell.

Sërish ndërhyri diplomacia amerikane e cila i kërkoi një afat 48 orësh qeverisë në Prishtinë për t’u dhënë një mundësi diskutimeve rreth kësaj çështjeje. Kryeministri Kurti pranoi dhe dy ditë më pas palët u morën vesh që Serbia të ndërpres lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e makinave.

Por, situata në veri mbeti e tensionuar. Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa policia njoftoi për incidente ndërsa zyrtarët provuan të fillojnë përgatitjet e zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave veriore të caktuara për datën 18 dhjetor.

Zgjedhjet u shtynë për në muajin prill të vitit 2023 por kjo nuk uli tensionet. Arrestimi i një ish pjesëtari të policisë nga radhët e komunitetit serb për sulm ndaj autoriteteve, bëri që rrugët të bllokohen sërish.

Një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i plagosur në një sulm të armatosur në veri, ndërsa u raportuan incidente edhe ndaj pjesëtarëve të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Me 16 dhjetor Serbia u dorëzoi forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, një letër me të cilën kërkon kthimin e një numri pjesëtarësh të forcave të saj të sigurisë në Kosovë, me gjithë paralajmërimet perëndimore se ajo nuk ka gjasë të pranohet dhe vetëm sa shton tensionet në zonë.

Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake të forcave të tij të sigurisë, ndërsa forcat e NATO-s thanë se ato nuk mund të afrohen më shumë se një mijë metra nga kufiri i Kosovës, pa pëlqimin e KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se kanë marrë garanci nga Kosova se nuk do të ndiqen ata që ngritën bllokadat. Më 28 dhjetor një gjykatë në Prishtinë e liroi nga paraburgimi policin e arrestuar më dhjetë dhjetor dhe pas kësaj presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se serbët do të heqin bllokadat.

Heqja e tyre që u përmbush më 29 dhjetor, zbuti tensionet të paktën për një kohë.

PROPOZIMI “FRANKO-GJERMAN” PËR MARRËVESHJEN KOSOVË – SERBI

Në fillim të muajit shtator kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre për të mbështetur bisedimet Kosovë – Serbi. Të dy këshilltarët vizituan Prishtinën dhe Beogradin dhe pas asaj vizite u tha se ka një nismë të këtyre dy vendeve për një marrëveshje ndërmjet palëve që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, por parasheh që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se propozimi është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar, meqë siç u shpreh “nuk mund ta hidhni nga dritarja propozimin që vjen nga dy nga vendet më të fuqishme”, por nuk është i sigurt se ai mund të jetë i pranueshëm.

“Thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Serbisë, ndonëse nuk është saktësuar, do t’i përshpejtohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe do t’i ofroheshin përfitime të rëndësishme ekonomike”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se propozimi është bazë e mirë për diskutime.

“Propozimi i Bashkimit Evropian me mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që janë bashkangjitur po ashtu në mbështetje të këtij propozimi, nuk është merre ose leje. Unë e kam konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të por nuk është merre ose leje. Nuk më pëlqen mua gjithçka aty, ka shumëçka që duhet të diskutohet”, tha ai.

Propozimi që mori mbështetjen amerikane, mes të tjerash përfshinë edhe zotimin e palëve për të përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në këtë kuadër Kosova u gjet nën trysni për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është edhe pjesa më e diskutueshme në bisedimet ndërmjet palëve. Beogradi ngulë këmbë në themelimin e tij sipas marrëveshjes së viteve 2013 dhe 2015, ndërsa Prishtina thekson se Gjykata Kushtetuese ka gjetur një mori shkeljesh në të.

“Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe unë nuk kam përgjigje të re por natyrisht që në kapitullin e 4-të të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që e kanë prezantuar me datën 18 gusht në Bruksel, unë aty edhe kam thënë që do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe implementimin e tyre, por nuk mund të jetë ky kapitulli i parë dhe nuk mund të jetë nga 33 marrëveshje vetëm njëra më e rëndësishmja, më kryesorja dhe prioritare”, tha kryeministri Kurti.

I dërguari amerikan Gabriel Escobar, tha se ka modele të shumta evropiane, sipas të cilave pakicat mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kuadrin kushtetues të vendit ku jetojnë.

“Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti", tha zoti Escobar.

Përfaqësuesit politik në Kosovës thonë se asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

KOSOVA DHE AGRESIONI RUS NË UKRAINË

Tensionet përgjatë vitit nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik dhe thirrje për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, posaçërisht në dritën e zhvillimeve në botë pas agresionit rus në Ukrainë. Por qasja e të dyja vendeve është e ndryshme.

Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk i ka vënë sanksione Moskës me gjithë kërkesën e BE-së që të harmonizojë politikat e saj me ato të bllokut. Kosova u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë duke u solidarizuar me ukrainasit dhe aleatët e saj perëndimorë.

Serbia nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për "konsultime" të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme në muajin shtator duke nxitur reagimin e diplomacisë perëndimore, ndërsa opozita serbe tha se kjo ishte një shenjë që presidenti serb Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt BE-së dhe po e afron atë më pranë Moskës.

Agresioni rus u ndje në Kosovë sikurse edhe vendet tjera të botës në rrafshin ekonomik. Raportet e institucioneve ndërkombëtare thanë se trysnia e krijuar nga inflacioni global ka ndërprerë rrugën e rimëkëmbjes së hovshme ekonomike të Kosovës.

Institucione si Banka Botërore ulën parashikimet për rritje ekonomike të Kosovës në 3.2 për qind, një shifër shumë më e ultë se në vitin 2021 kur Kosova shënoi rritje ekonomike mbi 10 për qind.

GJYKATA E POSAÇME PËR KRIME LUFTE

Më 16 dhjetor Gjykata e Posaçme e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte.

Salih Mustafa, u shpall fajtor nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë.

Ky ishte vendimi i parë i Gjykatës së Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, që u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Aktualisht në Hagë ndodhen edhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi pretendimet e përfshira në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Në muajin prill ish i dërguari i KE-së, Dick Marty u tha medieve në Zvicër se është kërcënuar nga “elementë radikalë të shërbimeve serbe të zbulimit”. Në një intervistë me televizionin publik të Zvicrës, zoti Martytha se është vënë nën mbrojtje të armatosur në shtëpinë e tij, nga fundi i vitit 2020 për shkak të kërcënimeve që sic tha ai duket së vijnë nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe të zbulimit, të cilët u kanë kërkuar vrasësve profesionistë të nëntokës, ta likuidojnë dhe thjeshtë të fajësojnë njerëzit nga Kosova për këtë.

Beogradi i mohoi pohimet e tilla.

KOSOVA DHE INTEGRIMET EURO-ATLANTIKE

Më 15 dhjetor Kosova dorëzoi kërkesën zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një hap në një proces shumë të gjatë drejt integrimit të mundshëm, që varet edhe nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Duke e dorëzuar kërkesën në Pragë kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ajo synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon në proceset integruese.

Një nga kushtet kryesore për integrimin e saj është arritja e një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë. Normalizimi është kusht edhe për integrimin e Serbisë, e cila hapi në vitin 2014 negociatat për anëtarësim.

Një ndër pengesat e mëdha në proceset integruese është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Bashkimi Evropian hodhi gjatë vjeshtës disa nga hapat thelbësor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga fundi i vitit 2023 dhe më së largu në janar të vitit 2024.

Pak pas agresionit rus në Ukrainë qeveria e Kosovës themeloi grupin punues ndërinstitucional, që synon përshpejtimin e anëtarësimit në NATO, një proces që varet nga fakti se katër nga vendet anëtare të NATO-s ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Agresioni rus në Ukrainë që nga fillimi ka nxitur shqetësime për ndikimet në Ballkanin Perëndimor. Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Karen Donfried, gjatë një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në pranverë ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës.

“E di që shumë në Kosovë janë të brengosur për sigurinë e Kosovës në këtë kohë të pasigurt. Unë dua t'ju siguroj se angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe ai i aleatëve mbetet i hekurt. KFOR-i, misioni më i madh i NATO-s, është stacioni më i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës”, tha ajo.

DHUNA NDAJ GRAVE

Ndërsa Kosova hapi fushatën 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”, dy gra u vranë në Prishtinë nga burrat e tyre. Më 25 nëntor një burrë u arrestua për vrasjen e gruas së tij sëpatë në rrethana dhe për motive ende të pasqaruara.

Pesë ditë më vonë më 30 nëntor një grua 35 vjeçare u vra në oborrin e spitaleve të Prishtinës, nga ish bashkëshorti i saj.

Vrasjet nxitën reagime në shkallë të gjerë.

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës tri gra u vranë nga burrat e tyre në vitin 2022, përgjatë të cilit pati shtim të dhunës në familje. Nga janari e deri në tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të tilla nga të cilat pjesa më e madhe dhunë ndaj gruas.

“Luftimi i dhunës në familje kërkon shumë më shumë se ndjekje penale efektive, kërkon ndryshime kulturore dhe qasje të mbarë shoqërisë, nga polici në vendin e ngjarjes i cili kryen hetimet, prokurori që ngre çështjet, te gjyqtarët që dëgjojnë këto çështje dhe zbatojnë ligjin, avokatët e viktimave që i përfaqësojnë ato në çdo hap të procesit, pastaj ata që ofrojnë mbështetje - si strehimoret dhe mediat që i raportojnë rastet në publik”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Në muajin gusht një vajzë 11 vjeçe u përdhunua në një park të kryeqytetit, duke nxitur reagime të shumta e protesta për disa ditë me radhë.

Një raport i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nxori në pah se është rritur numri i rasteve të përdhunimeve që raportohen në policinë e Kosovës.

“Do të doja të besoja shumë se njëra nga arsyet e rritjes së këtij trendi është vetëdijesimi i grave dhe besimi i tyre në institucione për të raportuar këto raste por të dhënat nuk na mundësojnë një përfundim të tillë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Raporti tregon se shumica e viktimave të përdhunimit janë të mitura ndërsa shqetësues mbetet dënimi i ultë i përdhunuesve.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA