...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

OSBE/ODIHR për zgjedhjet: Abedini shënonte, qytetari votonte...me duar të lidhura

Në raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, misioni i vëzhguesve OSBE/ODIHR thekson më shumë se sa vitet e shkuara problemet me sekretin e votës, presionin e partive politike dhe aftësinë e militantëve për të lidhur votën e hedhur me votuesin.

Birn

28/09/2017 - 19:51

Mungesa e sekretit të votës së hedhur si pasojë e aftësisë së makinerive politike për të identifikuar votuesit dhe votat pothuajse një për një qe një nga shqetësimet kryesore të shprehura në raportin final të zgjedhjeve të 25 qershort të grupit të vëzhguesve ndërkombëtarë të misionit të OSBE/ODIRH. Raporti 37 faqësh u publikua më 28 shtator në faqen zyrtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE dhe është produkt i misionit të vëzhguesve të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, (ODIHRsipas akronimit në anglisht).

“Njerëz të paautorizuar qenë të pranishëm në 10 për qind të qendrave të votimit të vrojtuar dhe vëzhguesit vërejtën ndërhyrje në proces nga vëzhguesit partiakë në 8 për qind të vrojtimeve,” thuhet në raport.

Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit negativisht në 7 për qind të qendrave të votimit të vrojtuara.

Zgjedhjet e 25 qershorit u zhvilluan pas një krize politike disa mujore të shkaktuar nga bojkoti i shpallur dhe protesta e vazhdueshme e opozitës në shesh, bojkot që u mbyll me një marrëveshje politike mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës më 18 maj. Partia Socialiste arritit ë fitojë afro 48 për qind të votave dhe 53 për qind të parlamentit, kryesisht si rrjedhojë e braktisjes së opozitës nga një pjesë e votuesve të vet.

Vota e identifikuar

Raporti vëren se sekreti i votës, themeli më i rëndësishëm në demokraci, mund të jetë kompromentuar në një masë jo të vogël, pjesërisht për shkak të mjediseve të ngushta të votimit dhe pjesërisht për shkak të vëzhguesve partiakë të cilët mbanin shënime se kush hyri e kush doli dhe se cilët votues morën një fletë votimi të caktuar. Kjo është mekanizmi kryesor i dyshuar në Shqipëri për presion nga ana e partive politike, kryesisht atyre në pushtet, për të identifikuar se për kë parti ka votuar një shqiptar i caktuar.

“Fletët e votimit vijojnë të kenë një bar kod me një numër serial vijues, gjë që jep mundësinë teknike për të lidhur një votë të caktuar me një votues specifik”, thuhet në raport.

Sipas kësaj skeme, vëzhguesit partiakë qëndrojnë brenda ose pranë mjediseve të votimit duke u ndihmuar nga komisionet e qendrave të votimit, të cilat përbëhen gjithashtu nga militantë partiakë, për të dëgjuar numrin e kartës së identitetit të votuesit, numër që lexohet me zë të lartë nga komisionerët, dhe pastaj për të mbajtur shënim radhën e votuesve një nga një krahas numrave serialë të fletëve të votimit.

“Vëzhguesit e misionit vunë re shumë raste kur vëzhguesit e partive mbanin shënim se kush votoi duke regjistruar numrat e tyre siç shënoheshin në listat e votuesve. Ky proces ndihmohej nga komisionerët të cilët njoftonin me zë të lartë numrat e identitetit të votuesve,” shkruhet në raport.

Skema e identifikimit të një vote specifike mund të ngjajë si film me spiunazh, nëse kemi parasysh se në Shqipëri ka mbi 3.4 milionë shtetas me të drejtë vote dhe se në 25 qershor u hodhën 1.6 milionë vota. Gjithsesi, efikasiteti i një skeme të tillë identifikimi të votës ka shumë pak rëndësi në krahasim me faktin që votuesit dinë se vota e tyre mund të mos jetë sekrete. Mjafton që votuesit të dyshojnë se sekreti i votës së tyre është i pagarantuar që standardet e kartës së Kopenhagës të konsiderohen të shkelura dhe zgjedhjet të konsiderohen pa standarde.

“Shteti duhet të garantojë të drejtën për zgjedhje të lirë dhe sekrete. Çdo formë presioni për të zbuluar se si kanë synuar votuest të votojnë ose se si kanë votuar ata duhet të parandalohet. Çdo lidhje mes votuesit dhe një vote duhet të bëhet e pamundur,” thuhet në raport.

Sipas raportit, në 4 për qind të qendrave të vrojtuara sekreti i votës “mund të jetë kompromentuar” për shkak se mjediset qenë të papërshtatshme për kryerjen e votimit për shkak se qenë të vogla dhe të mbingarkuara ndërsa sekreti nuk konsiderohet i garantuar edhe në 10 për qind të vrojtimeve të tjera për shkak të plotësimit të votës jashtë kuadratit të votimit nga votuesit apo të mospalosjes së votës siç kërkohet nga ligji.

Partitë politike shqiptare kanë zhvilluar përgjatë viteve makineri politike përmes grumbullimit të të dhënave personale të votuesve si dhe krijimit të mekanizmave të gjithëfarëllojshëm të presionit, nga identifikimi i vendeve të punës te identifikimi i problemeve të ndryshme ligjore si pasja e një prone të palegalizuar apo një prone pa titull pronësie të rregullt.

Krijimi i përshtypjes se vota mund të identifikohet dhe nuk është tërësisht sekrete, përbën një mekanizëm të fuqishëm presioni nga partitë politike te votuesit.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA