...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse “5 maji” nevojitet të nderohet nga fëmijët?

Nderimi i “5 majit” kalon nga kuptimi dhe dashuria – nocione që zhvillohen nga sistemi arsimor, shoqëria dhe familja.

SHJ

05/05/2018 - 15:46

Fëmijë të qytetit të Përmetit, nderojnë dëshmorët tanë me rastin e 5 majit, 2014.

Për të nderuar njerëzit — ne duhet të kuptojmë se nga buron nderi: sepse pa kuptuar se nga buron nderi, ne nuk mund të pretendojmë të na nderojnë. Nderi është çmimi i virtytit dhe buron nga mirësia (Aristoteli).

Nderi, për më shumë, buron nga dashuria që krijojmë për dikë. Pa dashuri nuk mund të nderojmë. Prindërit i nderojmë sepse nuk janë thjesht pararendësit tanë dhe shkaku i lindjes sonë por dhe i dashurisë që kanë treguar. Por edhe kur nuk tregojnë prindërit dashuri, shumë fëmijë i nderojnë prindërit: sepse jemi vazhdimësia e tyre fizike dhe nëse na kanë munguar veprimet e dashura nga prindërit - elementët e njëjtë fizikë na mbajnë të mbërthyer me ta.

Sidoqoftë, është e qartë se prindërit i nderojmë kryesisht për shkak të dashurisë. Në zhvillimin e dashurisë për prindërit kontribuon vendimtarisht sakrifica: sepse sakrifica e tyre për rritjen tonë është një lloj dhimbje për ne dhe çdo dhimbje një grimcë dashurie: sa më e madhe sakrifica aq më e madhe dashuria dhe anasjelltas.

Qartësisht, sakrifica shton nderin kundrejt prindërve. Ne nderojmë, rrjedhimisht, së pari njerëzit që dashurojmë. Por jo pa kuptuar rëndësinë e tyre në jetën tonë.

Në nivel shoqëror, sistemi arsimor synon, mes të tjerash, të bëjë fëmijët të dashurojnë pararendësit — jo në kuptimin prindëror por në kuptimin zanafillor: se përpjekja e tyre është shkak i ekzistencës sonë.

Për nga rëndësia, njerëzit që japin jetën për lirinë dhe mirëqenien e një populli, janë të parët: sepse jeta është më e vyer se jojeta. Por që të nderohen njerëzit që falin jetën për një popull duhet të ‘dashurohen’ jo në kuptimin prindëror por zanafillor: duhet të kuptohen, rrjedhimisht, dhimbjet që kanë hequr për jetën tonë. Pa kuptuar dhimbjet dhe pa shkrepur dashurinë në zemrat e fëmijëve - ata nuk mund të nderojnë njerëzit që kanë dhënë jetën për ta.

Nderimi i “5 majit” rrjedhimisht kalon nga kuptimi dhe dashuria – nocione që zhvillohen nga sistemi arsimor, shoqëria dhe familja.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA