...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse establishmenti akademik nuk tregoi shkaqet e vërtetë të (zh)vlerësimit të euros dhe lekut?

Nëse në rastin e euros faktorët burojnë nga politika monetare dhe rëndësia e tij në tregun botëror, në rastin e lekut, faktorët burojnë nga gjendja aktuale (dhe pritshmëritë) ekonomike dhe politika monetare: ajo synon të forcojë lekun duke përdorur praktika që e forcojnë në afatshkurtër lekun (duke detyruar sistemin financiar dhe ekonominë të zgjerojë përdorimin e lekut se sa duke zhvilluar struktura ekonomike të qendrueshme që janë në vetë-vete bazë për lekun) kur paralelisht me këtë politikë, zhvlerësohet euroja.

SHJ

31/05/2018 - 11:02

Establishmenti akademik tregoi padijen e tij edhe kur tregoi shkaqet e zhvlerësimit të euros kundrejt lekut. Malaj, për shembull, thotë se zhvlerësimi i euros është ulje artificiale dhe aludoi se mund të lidhet me prurjet e jashtme të valutës kur e krahason me kohën kur valuta ulet prej turizmit. Ndërsa kryeredaktorja e “Monitorit” argumentoi se zhvlerësimi i euros është pasojë e eurove që vijnë nga ekonomia e zezë – kryesisht nga eurot e drogës të cilët po financojnë ndërtimin. Pretendimin e saj e lidh me sasinë e remitancave, 2017, që kanë një rritje prej 3 për qind në kohën kur investimet e huaja ranë me 3 për qind dhe deficiti tregëtar nuk është përmirësuar. Sipas saj, shifrat zyrtare nuk shpjegojnë dot rritjen e ofertës në valutë, ndaj burimi i vetëm mbetet ekonomia informale. Banka e Shqipërisë dhe ministria e financave, në fund, argumentoi se zhvlerësimi i euros kundrejt lekut buron nga faktorë fondamentalë — nga futja e valutës në Shqipëri, nga eksportet, investimet e huaja, remitancat, shërbimet e jashtme si call centrat dhe nga këmbimet e jashtme valutore siç janë Forex-et që po zhvillohen së fundmi. Këta faktorë bashkë me politikën e forcimit të lekut nga Banka Kombëtare për de-euroizimin e ekonomisë dhe konvertimet e kapitaleve nga vetë bankat, kanë ndikuar në zhvlerësimin e euros, sipas qasjes së establishmentit akademik!

Kujtoj se titulli “profesor” nënkupton se individi që e gëzon ka një kuptim më të madh të realitetit krahasuar me kryeredaktorët dhe gazetarët në përgjithësi: sepse supozohet se ka kaluar nga kualifikimi në politikën monetare meqënse kjo e fundit është pagëzuar si “ekonomi” dhe kuptimi i ekonomisë është përmbysur në modernitet. Dhe kujtoj se qoftë “profesori” qoftë gazetarja në fjalë përdorin dy parametra për të sqaruar (zh)vlerësimin e një monedhe: ofertën dhe kërkesën. Këta parametra i përdorin kudo, thuajse të gjithë ekonomistët ortodoksë dhe për çdo çmim. Por se ku gabojnë këta do të kuptohet nëse kuptohen shkaqet e zhvlerësimit të euros — jo në raport me lekun por në raport me dollarin: sepse të gjitha devizat, qoftë edhe euro, janë ankoruar pas dollarit.

Kështu, dihet (nga ata që ndjekin me vëmendje politikat monetare) se BQE-ja nga viti 2012-të dhe sot vazhdon politikën e saj monetare duke blerë bonde qeveritare dhe instrumente të tjerë financiarë të shteteve-anëtare të saj.[1]Qëllimi është të ndihmojë ekonominë e BE-së. Kjo politikë është zhvlerësuese për euron. Por dihet gjithashtu se nga viti 1999 kur euroja qarkulloi për herë të parë, fitoi pak hapësirë kundrejt dollarit në shkëmbimet e huaja. Por si pasojë e paqendrueshmërisë politike dhe ekonomike, hapësira që zuri u zvogëlua vitet e fundit duke e fituar dollari (në shkëmbimet e huaja euroja zinte 20 për qind të tyre ndërsa dollari 64 për qind: 2016). Dy janë, rrjedhimisht, shkaqet kryesore se pse euroja është zhvlerësuar në raport me dollarin: njëri lidhet me politikën monetare të BQE-së dhe tjetri me gjendjen aktuale dhe pritshmëritë politike dhe ekonomike të BE-së. Nuk është e rastit që kur të dhënat e inflacionit gjerman qarkulluan në shtyp dhe Italia tregoi se nuk do të shkonte në duart e euroskeptikëve, euroja u forcua (Euro rises after German inflation data and steadying in Italy, FT, 30 may 2018).

Kështu kur euroja zhvlerësohet kundrejt dollarit, ashtu zhvlerësohet dhe leku dhe gjithë devizat e tjera që tregëtojnë në euro. Por kur euroja zhvlerësohet më shumë se devizat e tjera në raport me dollarin, kjo s’do të thotë se do të zhvlerësohen njëlloj gjithë devizat e tjera: sepse zhvlerësimi i euros buron nga dy faktorët që përmenda ndërsa zhvlerësimi i devizave të tjera buron nga faktorë të tjerë që duhet të shqyrtohen. Nëse në rastin e euros faktorët burojnë nga politika monetare dhe rëndësia e tij në tregun botëror (faktor politik), në rastin e lekut, faktorët burojnë nga gjendja aktuale (dhe pritshmëritë) ekonomike dhe politika monetare: ajo synon të forcojë lekun duke përdorur praktika që e forcojnë në afatshkurtër lekun (duke detyruar sistemin financiar dhe ekonominë të zgjerojë përdorimin e lekut se sa duke zhvilluar struktura ekonomike të qendrueshme që janë në vetë-vete bazë për lekun) kur paralelisht me këtë politikë, zhvlerësohet euroja (kryesisht faktor ekonomik). Faktorët që përmendin “ekspertët” më lartë, rrjedhimisht, janë dytësorë dhe jo parësorë. Qoftë edhe nëse konsiderojmë një ekonomi të vogël në mes të Europës, Zvicrën, ajo ka ruajtur —me luhatje të shpeshta— vlerën e frangës kryesisht përmes sistemit të saj bankar dhe ndërmarrjeve të fuqishme.[2]



[1]Shih, për më shumë, Demokraci apo barbarizëm?

[2]Efektet e politikave të globalizmit neoliberal për rajonet.

Siç citohen nga Voa:           

Monedha europiane euro humbi sot edhe 0,2 pikë të tjera në tregun e këmbimit valutor në Tiranë nga 126,4 në 126,2, duke thelluar më tej dobësimin e saj 5 mujor përballë lekut shqiptar.

Ky është niveli më i ulët në 10 vite i euros, qysh nga viti 2009 kur ishte 123 lekë.

Ekspertët e ekonomisë thonë se po e ndjekin me shqetësim këtë dukuri, që po godet eksportet, dhe po kërkojnë shkaqet e rënies së euros tek burimet e panjohura më shumë se sa tek zhvillimi ekonomisë së ligjshme.

Studiuesi i njohur i ekonomisë, profesor Arben Malaj, thotë se koha e kësaj ulje artificiale të euros është relativisht e gjatë nga janari në maj dhe po bashkohet me kohën e uljes së valutave prej turizmit, ndaj eksportet duhen marrë nën mbrojtje.

“Është shqetësim, sepse godet një sektor kryesor të ekonomisë shqiptare dhe kërkon një kompleks masash të Bankës së Shqipërisë dhe ministrisë së financave dhe shoqatat e biznesit. Është e detyrueshme për politikëbarësit dhe bankierët që të merren të gjitha masat lehtësuese, që biznesi i eksporteve të lehtësohet, sepse një kosto e rëndë në bizensin e eksporteve i detyron ata të ulin investimet, mund të humbasin tregjet, qoftë edhe në mungesë të përkohshme, dhe kjo sprapsje e tyre mund të shtojë problemet sociale, që prapë do ta rëndojnë ekonominë” - tha zoti Malaj.

Vëzhguesit pohojnë se euro mund të dobësohej ndjeshëm vetëm nga shtimi i ndjeshëm eksportit, por kjo nuk ka ndodhur, madje eksportuesit janë dëmtuar rëndë këto 5 muaj nga zhvlerësimi i euros.

As paratë e emigrantëve nuk kanë ndonjë rritje këtë periudhë, sa të dobësojnë euron.

Kryeredaktorja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi, thotë se çmimi i eurove të pastra po ulet nga futja me shumicë në treg e eurove që vijnë nga ekonomia e zezë, sepse siç shihet nga statistikat, kjo dukuri nuk po vjen prej burimeve të ligjshme të ekonomisë. Një nga burimet e parregullta, sipas saj, janë eurot e drogës, që po financojnë bumin e ri të ndërtimeve në Tranë dhe disa qytete të tjera kryesore.

Në 2017 remitancat kanë një rritje prej 3 për qind, por nvestimet e huaja ranë 3 për qind, ndërsa deficiti tregtar nuk është përmirësuar.

Pra, asnjë shifër zyrtare nuk shpjegon dot këtë rritje të ofertës në valutë, ndaj burimi i vetëm, sipas zonjës Liperi, mbetet ekonomia informale.

“Dilema është se nga ka ardhur kjo valutë që nuk justifikohen nga burime formale. Ka një vlerësim që ka një hyrje të shtuar të burimeve informale, që janë mbjellja e hashashit deri në gjysmën e dytë të vitit 2016, shitja e saj dhe tani kjo para ka hyrë në vend përmes ndërtimit. Mund të shihet lirshëm se ka një shtim të ndërtimeve në Tiranë, në bregdet dhe gjithandej në vend. Këto ndërtime të reja janë përtej kapaciteteve të ekonomisë reale shqiptare” - tha zonja Liperi.

Autoritetet zyrtare si Banka e Shqipërisë dhe ministria e financave kanë ngulur këmbë se kjo vjen nga faktorë fondamentalë që futin valutën në Shqipëri, si eksportet, investimet e huaja, remitancat, apo shërbimet e jashtme si call centerat apo nga këmbimet e jashtme valutore, Forex-et, që po zhvillohen së fundi.

Banka e Shqipërisë nisur një përpjekje për de-euroizimin e ekonomisë, e cila shkaktoi një presion psikologjik afatshkurtër tek qytetarët në muajin shkurt.

Janë kryer ndërkohë edhe disa konvertime kapitalesh nga vetë bankat, edhe këto me efekt të shkurtër.

Por eksportuesit deklaruan publikisht se zhvlerësimi i euros po i shkatërron bizneset e tyre.

Ndaj edhe zoti Malaj këmbëngul për mbrojtjen e tyre, deri sa ngjarjet të kthjellohen në afat më të gjatë.

“Masat mund të jenë të gjithanshme, por së pari ato duhet të fillojnë nga sektori bankar, me ristrukturimin e detyrimeve që ata mund të kenë nëpër kreditë e tyre. Ministria e financave mund të kryejë ristrukturimin e detyrimeve që ata mund të kenë ndaj qeverisë shqiptare. Mund dhe duhet bërë rimbursimi i menjëhershëm i kompanive të eksporteve, sepse ata nuk duhet të kenë krizë likuiditetesh. Mund të vihen politika më agresive, si mund të jetë norma e amortizimit, që ata të marrin teknologji moderne dhe të bëhen më konkurrues në tregjet e tyre” - tha zoti Malaj.

Dobësimi i euros sjell disa përfitime për importuesit, dhe për për ata prodhues që e marrin lëndën e parë në euro, po ashtu edhe konsumatorët e tyre, sepse mallrat dalin në treg me çmime më të lira.

Po ashtu përfitojnë ata që kanë kredi në euro dhe të ardhura në lekë, dhe ata që mbledhin euro për të shkuar me pushime jashtë vendit, sepse mund t’i blejnë eurot më lirë. Me një lek më të fortë qytetari mund të blejë më shumë mall importi dhe inflacioni i importuar është më i ulët.

Por, zonja Liperi e revistës “Monitor” thotë se thelbi i shqetësimit është që forcimi i lekut nuk është natyral dhe nuk vjen nga rritja ekonomike, ndaj mund të bjerë menjëherë, duke lënë pasoja mbi ekonominë kombëtare.

“Domethënë, biznesi i zi po konkurron bizneset e ndershme dhe kjo është tejet problematike. Nga ana tjetër, kjo futje fshehtas e sasive të panjohura të eurove është e paqëndrueshme dhe sapo të bllokohen këto burime, atëherë ekonomia shqiptare mund të hidhet në kahun e kundërt. Sa kohë që ky forcim i lekut nuk ka ardhur nga rritja reale e ekonomisë, sapo të bllokohet prurja e euros së parregullt, leku do të bjerë menjëherë. Kjo mund të ndodhë pas gushtit” - tha zonja Liperi.

Askush nuk e priste që euro të zbriste në nivelin 127 lekë qysh në muajin maj, ndërsa fillimi i rënies qysh nga janari po e kthen euron në nivelin e vitit 2009.

Zakonisht rënia e euros ka ndodhur në pikun e turizmit të verës. Këtë verë pritet një sezon turistik i mbarë; gjithë hotelet e jugut janë të prenotuara dhe remitancat vijnë bashkë me emigrantët; pra euro mund të ulet akoma më tej.

Ky është viti i dytë që euro nuk bie për shkak të turizmit. Vitin e kaluar niveli më i ulët i euros nuk u arrit në gusht prej turizmit, por dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Nga viti 2009 deri në 2016 euro u rrit nga 123 në 140 lekë dhe mbeti në këtë nivel për 5-6 vjet.

Euro ka nisur një tendencë zhvlerësuese nga gjysma e dytë e vitit 2016.

Nëdhjetor 2017 ishte 134 lekë, ndërsa 5 muajt e fundit shkoi 126 lekë, pra po i afrohet përsëri nivelit të vitit 2009. Voa   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA