...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria “Rama” ndryshon konçesionarë dhe nënshkruan kontratë të re për shkatërrimin e Vjosës

Kontrata e re pritej pasi qeveria shqiptare i ripërtëriti planet, pavarësisht presionit të gjerë nga organizatat mjedisore shqiptare dhe europiane, që kërkojnë të mos ndërtohen diga mbi Vjosën, që vlerësohet si lumi i fundit i egër në Europë

Voa

15/06/2018 - 08:13

Organizatat mjedisore kundërshtuan përsëri ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit, pas njoftimit të Ministrisë shqiptare të Energjisë për nënshkrimin e kontratës përmbyllëse.

Bashkimi i kompanisë shqiptare “Fusha SH.P.K me atë turke “Ayen Enerji” pritet të investojë rreth 125.3 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin mbi Lumin Vjosë, punimet e të cilit u lanë në mes prej vitesh nga kompania italiane “Kalivaçi Green Energye”.

Drejtuesi i grupimit mjedisor “Eco Albania”, Olsi Nika, i tha Zërit të Amerikës se "do të shihen disa rrugë reagimi, që nga ankimimi në gjykatë dhe deri tek protestat”. Kontrata e re pritej, - tha zoti Nika, - pasi qeveria shqiptare i ripërtëriti planet, pavarësisht presionit të gjerë nga organizatat mjedisore shqiptare dhe europiane, që kërkojnë të mos ndërtohen diga mbi Vjosën, që vlerësohet si lumi i fundit i egër në Europë”.

Edhe grupime të tjera mjedisore, si EkoLevizja, rishfaqën shqetësimin në rrjetet sociale, duke pohuar se Vjosa ishte sërish në rrezik pas nënshkrimit të kontratës që lejon fillimin e punimeve. Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Administrative e Tiranës e shpalli të pavlefshme kontratën e koncesionit për një tjetër hidrocentral mbi lumin Vjosë atë të Poçemit.

Gjykata u dha të drejtë një grupi banorësh të fshatit Kutë të Mallakastrës dhe tre organizatave mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare, që ishin kundër ndërtimit të hidrocentralit.

Pak ditë më parë, një grup shkencëtarësh të rinj europianë u morën me studime në Luginën e Vjosës me ekosistemin dhe pasurinë ujore në përpjekje për të ndërgjegjësuar autoritetet shqiptare të mbrojnë Lumin Vjosa nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Një vit më parë, 228 shkencëtarë nga e gjithë bota, firmosën një kërkesë drejtuar qeverisë shqiptare, që të paktën për 3 vjet, në lumin e Vjosës të mos ndërtohet asnjë Hidrocentral, për sa kohë që nuk ka studime të mirëfillta që tregojnë ndikimet që duhet të kishte ndërtimi i hidrocentraleve në këtë lumë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA