...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria vazhdon të majmë bankat private: merr borxh duke u shitur oblikacione me interes

Sipas të dhënave të ankandit oferta e bankave për të blerë obligacionin ka qenë më e lartë se shuma që ka kërkuar qeveria të financojë

Monitor

09/01/2018 - 17:41

Qeveria realizoi me sukses emetimin e një obligacioni 10-vjeçar me vlerë 3.5 miliardë lekë me një interes 7.0%. Sipas të dhënave të ankandit oferta e bankave për të blerë obligacionin ka qenë më e lartë se shuma që ka kërkuar qeveria të financojë.

Bankat kanë kërkuar të blejnë 4.48 miliardë lekë, teksa qeveria ka pranuar 3.5 miliardë lekë. Kërkesa e bankave ushtroi presion në mbajtjen e interesave për obligacionin 10-vjeçar në të njëjtat nivele si në ankandin e mëparshëm që u zhvillua më 9 tetor të vitit 2017.

Gjatë vitit 2017 janë zhvilluar 4 ankande të obligacioneve 10-vjeçare. Në janar të vitit 2017 u emetua kundrejt interesit 7.20%, ndërsa interesat ranë në dy ankandet pasardhës mars dhe korrik përkatësisht me 6.45 % dhe 6.90%, për t’u ngjitur sërish në nivelin 7% në dy ankandet e fundit.

Obligacioni 10 vjeçar është emetuar për herë të parë në tetor të vitit 2013 me një interes 9.25%, teksa Ministria e Financave në dy vitet e fundit ka emetuar letrat borxhi me afat shlyerje 10 vjet rreth katër herë në vit më shuma maksimale që nuk i kanë kaluar të 3.5 miliardë lekët për ankand.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndërmori disa nisma të cilat kanë në fokus reduktimin e fragmentimit të kërkesës për tituj shtetërorë dhe krijimin e madhësive të emetimit për titujt afatgjatë, me qëllim stimulimin dhe zhvillimin e aktivitetit në tregun sekondar.

Në kuadër të uljes së fragmentimit të kërkesës së titujve shtetërorë, gjatë vitit 2016 u menaxhua tërheqja e pjesshme e obligacionit 3 vjeçar dhe tërheqja e plotë e obligacionit 7-vjeçar me norma interesi të ndryshueshme.

Borxhi i brendshëm i emetuar në obligacione pritet të arrijë në 30% të totalit të borxhit të brendshëm në fund të vitit 2017.

Ndikimin më të madh në realizimin e financimit të brendshëm e ka pasur obligacioni 10-vjeçar, ndjekur nga obligacioni 7 dhe 5-vjeçar. Financimi nëpërmjet titujve afatgjatë, në periudhën afatshkurtër nuk është shoqëruar me kosto shtesë në buxhetin e shtetit pasi normat e interesit për këtë kategori titujsh kanë qenë në nivele relativisht të ulëta. Ndërkohë, edhe në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, kjo strategji financimi pritet të ketë ndikim pozitiv mbi kostot pasi mbi 75% e emetimeve të titujve afatgjatë janë realizuar me norma interesi fikse.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA