...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama i shpall luftë klasore punëtorëve: gjobit monatorin me 50 milionë lekë

Gjoba na shërben që të kuptohet më shumë nga punëtorët se kujt i shërben klasa politike: oligarkisë politike dhe ekonomike

SHJ

07/04/2021 - 14:59

Gjobitja e minatorit Elton Debreshi nga policia e shtetit për shkelje të rregullave kundërepidemike në një mbledhje me disa dhjetra punëtorë në vendin ku ai bën fushatë si kandidat i pavarur me 50 milionë lekë të vjetra, tregon edhe një herë karakterin e qeverisë aktuale dhe klasës politike në përgjithësi: luftën kundër klasës punëtore.

Por me një ndryshim nga politikat e së kaluarës: sepse nëse kaq vite e ka luftuar klasën punëtore me politika neoliberale të gjithëpranuara përgjithësisht nga populli ynë dhe nga klasa punëtore — duke e shtypur atë me rroga mjerane dhe të drejta tejet të kufizuara, tani ajo i shpall luftë të hapur klasës punëtore meqë kjo e fundit po organizohet dhe po sfidon establishmentin me kandidaturën e parë e cila pritet të shoqërohet me kandidatura të tjera dhe të trimërojë përfundimisht klasën punëtore që deri më sot është shtypur barbarisht si nga klasa politike ashtu dhe nga ortakët e saj të huaj në sektorët strategjikë të vendit tonë: sepse shkelja e ligjit kundërepidemik është vërtet e dënueshme por gjoba flet me gjuhën e flakës ose përvëlimit. Ajo synon përfrikësimin e klasës punëtore të kërkojë të drejta.

Ndaj ajo na shërben që të kuptohet më shumë nga punëtorët se kujt i shërben klasa politike: oligarkisë politike dhe ekonomike. Dhe ndaj punëtorët duhet të kundërpërgjigjen me luftën që i ka shpallur tashmë klasa politike: me luftën klasore — mes klasës së oligarkisë dhe klasës punëtore duke patur në mendje faktin se oligarkia politike dhe ekonomike është shumë mirë e organizuar dhe do të përpiqet të shtypë përpjekjen e punëtorëve. Palët, në fjalë të tjera, janë të pabarabarta—me klasën punëtore shumë më të dobët se klasa sunduese. Ndaj kjo “luftë” sapo ka filluar dhe kërkon këmbngulje dhe vetmohim.        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA