...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama si Berisha: çështja “Çame” në kalendat greke

Studiuesit grekë pranojnë se Greqia (“ΕΔΕΣ” etj.) ka kryer spastrim mbi popullatën çame dhe se ajo duhet ta njohë atë dhe të kompensojë padrejtësitë kundrejt tyre

SHJ

07/02/2018 - 10:54

Në një intervistë për gazetën “Τα Νέα”[1] Rama argumentoi se çamët duhet të kenë të drejtën të udhëtojnë në Greqi dhe të pretendojnë të drejta pronësore përmes rrugës gjyqësore si çdo qytetar europian dhe se Shqipëria s’ka synim të krijojë “Shqipërinë e Madhe” siç perceptohet nga Athina ky qendrim...në kohën kur vetë studiuesit grekë pranojnë se Greqia (“ΕΔΕΣ” etj.) ka kryer spastrim mbi popullatën çame dhe se ajo duhet ta njohë atë dhe të kompensojë padrejtësitë kundrejt tyre![2] Qendrimi i Ramës jo vetëm që nuk shtrohet në kuadër të bisedimeve por nuk guxon të përmend padrejtësitë e Greqisë siç i përmendin vetë studiuesit grekë. Në këtë kuptim, Rama nuk ndryshon shumë nga traktati i Berishës:

Traktati e “fshehtë” i Berishës me Greqinë tregon dy aspekte shumë të rëndësishme për t’u kundruar dhe kuptuar. Së pari, çështja “çame” nuk përmendet. Në vend të saj përmendet “mundësia e heqjes, brenda kuadrit ligjor të vendit përkatës, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër” (Neni 15). Ky nen nënkupton dhe çështjen “çame”. Së dyti, Çamëria nuk përmendet pikërisht për shkak të varësisë që filloi të krijonte vendi ynë kundrejt Athinës që në fillimet e rënies së socializmit marksist! Në atë kohë, përqindja e varësisë ishte e vogël. Sot, përqindja e varësisë është tejet e madhe dhe si e tillë, çështja “çame” mund të përfshihet dhe përmendet nga pala jonë në negociata por nuk mund të konsiderohet nga pala greke. Nuk varet, në fjalë të tjera, çështja “çame” nga ligji i Luftës. Por kryesisht -për mos thënë ekskluzivisht- nga varësia e vendit tonë ose e pabarazisë pushtetore mes qeverive në negociata.   

Edhe nëse konsiderojmë se Greqia shfuqizon ligjin e luftës ajo s’ka për ta përfshirë kurrë çështjen “çame” – jo sepse nuk e kupton padrejtësinë që është shkaktuar mbi popullatën shqiptare të Çamërisë nga Greqia shoviniste e shekullit të kaluar. Por sepse elita politike greke varet kryekëput nga elita fetare greke jo vetëm nga këndvështrimi ekonomik –se kisha greke administron pushtet më të madh ekonomik– por edhe nga këndvështrimi social: se kisha greke mund të mobilizojë më shumë popull se partitë politike. Mjafton të kujtojmë mobilizimet lidhur me çështjen “maqedone”. Në këtë kuptim, çështja “çame” përdoret nga Rama siç u përdor nga Berisha, për arsye ‘politike’ (vota) dhe jo sepse ka dijen dhe mundësinë për ta zgjidhur.           



[1]Εντι Ράμα: «Οι Τσάμηδες έχουν το δικαίωμα να διεκδικήσουν περιουσίες», 06/02/218.

[2]Τι είναι το Τσαμικό ζήτημα; Ο Κ. Τσιτσελίκης στο CNN Greece, Intervistë radiofonike.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA