Shëndeti mendor në Shqipëri përtokë
Në Shqipëri sa vjen e rritet numri i personave të diagnostikuar me sëmundje mendore (stres, depresion dhe trauma).
VOA
12/10/2017 - 12:54
Në Institutin e Shëndetit Publik, përgjegjësja e sektorit përkatës, Jonida Haxhiu thotë se ashtu si edhe në gjithë rajonin edhe në Shqipëri problemet e shëndetit mendor janë në rritje dhe numri i personave të diagnostikuar është në rritje.
“Kryesisht mbizotërojnë depresioni dhe çrregullimet e ankthit, por po aq i madh është edhe diskriminimi i këtyre njerëzve dhe vështirësitë që ata të integrohen në shoqëri si qytetarë të barabartë” - thotë Jonida Haxhiu, përgjegjësja e sektorit të shëndetit mendir në Institutin e Shëndetit Publik.
Në Shqipëri njerëzit i nënvlerësojnë shërbimet e psikologut mbi stresin dhe kur njerëzit rëndohen dhe binden atëherë shkojnë te psikiatri, ku marrin trajtime farmakologjie. Slogani i sivjetshëm i Ditës Botërore është Shëndeti Mendor në Punë.
“Ndër shkaqet e dëmtimit të shëndetit mendor janë të ngjashme janë stresi i ndryshimit të rrethanave në jetë, trashëgimia, si dhe abuzimi me lëndët narkotike, pijet apo duhani, në përgjithësi jeta e parregullt” - thotë Anisa Zeqja, përfaqësuese e Shoqatës Shqiptare të Rehabilitimit Psiko-Social.
Në Shqipëri po provohet edhe qasja që një pjesë e këtyre individëve të trajtohen në komunitet dhe po shmangen e mbylljes së tyre në institucione mjekësore.
Kjo po sjell përmirësime tek personat me probleme të shëndetit mendor, sepse komuniteti po angazhohet në dobi të tyre, diskriminimi po zbutet dhe intergimi po bëhet më i lehtë.
Studiuesit e kësaj fushe pohojnë se numri i profesionistëve dhe vëmendja ndaj shëndetit mendor po shtohet dhe dalëngadalë po kalohet nga tabuja tek pranimi i sëmundjes, ku edhe nis shërimi i saj.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 98 reads