...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: me kushtet aktuale popullsia e Shqipërisë do të rrudhet me më shumë se 1 milion për 50 vjet

Nëse i shtojmë këtij parashikimi dhe faktorët që përmenda më lartë (aksidentet; vrasjet; katastrofat ekologjike etj.), numri do të rrudhet edhe më shumë: ndoshta do të shkojë në shifrën e pasluftës!

SHJ

07/05/2018 - 10:24

...ndërsa përgjatë socializmit në Shqipëri u vranë 5,157 njerëz, 9,052 vdiqën në burgje, 17,900 u dënuan dhe 30,383 të tjerë u internuan për arsye politike.[1] Në total janë gjymtuar rreth 62,492 njerëz. Në krye të 20 e ca viteve “demokraci” përfaqësuese dhe treg marketingu, atje janë rreth 4.750 të burgosur; 148 të burgosur për 100 mijë banorë, më lartë se Irani (115), Jemeni (48), Afganistani (68), Pakistani (40), Egjipti (80), duke lënë pas vetëm Turqinë (me 168), Ukrainën (me 350), dhe Malin e Zi (me 227). Serbia, Bullgaria dhe Spanja qëndrojnë më lartë (154, 146, 150 respektivisht).[2] Pesë vjet më vonë numri i të burgosurve u rritë nga 4.750 në 5.447 duke përbërë 0.2 për qind të popullsisë kur kostua e një të burgosuri i kushton shtetit nga 369 euro në 1380 euro në muaj: vetëm një i paraburgosur ka një kosto ditore prej 14.63 euro ndërsa një i dënuar 12.3 euro dhe një i sëmurë 46.23 euro në ditë. Duhet thënë se pjesa më e madhe e këtyre kostove shkojnë në xhepat e drejtorëve të burgjeve dhe eprorëve të tyre. Por ndryshe nga ish-socializmi, ku dominonte pushteti politik dhe dënimet kishin kryesisht karakter politik, në “demokracinë” parlamentare dhe tregun e marketingut, dominon pushteti “ekonomik” dhe dënimet janë të karakterit ekonomik.

Nëse krahasojmë numrin e të dënuarve politikë të socializmit me “demokracinë” parlamentare dhe kapitalizmin e 25 viteve të fundit në Shqipëri, ai është, pa dyshim, tejet i madh. Por nëse konsiderojmë të dënuarit ekonomikë, siç janë të papunët, endacakët dhe emigrantët që dergjen rrugëve të botës, krimin në familje dhe në rrugë (aksidente etj.), shkurorëzimet martesore dhe katastrofën ekologjike, sëmundjet e ndryshme dhe kancerin që po kërcënon gjithë popullin, mund të themi se dëmi është tejet i madh.[3] Në terma ekonomik, ekologjik dhe social, krimi është shumë më i madh vitet e fundit se sa në socializëm. Nga viti 1990-të deri në vitin 2017-të janë vrarë 6348 shqiptarë. Shumica për pronat.[4] Kjo shifër është shumë më e madhe se shifra e vrasjeve politike të socializmit 40 vjeçar. Kjo masakër është shkaktuar nga klasa politike shqiptare.

Por njerëzit në Shqipëri, dhe veçanërisht masmedia, historianët dhe akademikët, jo vetëm që shpërnjohin faktet, nga një perspektivë krahasimtare, por ndërsa akuzojnë dhe kundër-akuzojnë për krime dhe diktatura, shpërnjohin shkaqet! Sepse tre janë shkaqet kryesore për dënimet politike në socializëm: (1) lufta e klasave, siç ajo shprehet, me revansh klasor të njërës klasë mbi tjetrën; (2) hierarkia shtetërore, përmes së cilës, në njërën anë përqendrohet pushteti në tjetrën padrejtesitë bëhen të pashmangshme, veçanërisht kur hierarkia shoqërohet me luftën e klasave; dhe (3) zgjedhja e ndërgjegjshme e shumë të dënuarve politikë për të sfiduar ligjet në fuqi, veçanërisht ligjin e ‘agjitacion-propagandës’.[5]

Shqipëria filloi rimëkëmbjen e saj me më pak se një milion shqiptarë dhe me vdekjen e Enver Hoxhës, kaloi tre milion e treqind mijë njerëz. Ndërsa klasa politike anti-everiste e ka çuar popullsinë rreth dy milion e tetëqind mijë (2011). Fakti që shqiptarët vazhdojnë të largohen, dhe bashkë me largimin e tyre, shumë vdesin rrugëve, në 25 vjet, Shqipëria ka humbur rreth 800 mijë shqiptarë. Kjo është një masakër e vërtetë dhe klasa politike, masmedia që ajo kontrollon dhe pamendarve që u ka mbetur ora në vitin ‘90, mashtron duke përsëritur njërin fakt për të mbuluar faktin tjetër: gjymtimin e popullit shqiptar rreth dhjetë herë më shumë se socializmi i Enverit.

Të gjitha këto kur parashikimet e institucioneve ndërkombëtare (OKB etj.) tregojnë se popullsia shqiptare do të gjymtohet edhe më shumë deri në vitin 2100. Sipas saj, dhe duke gjykuar nga tre faktorë — plakjen ose rritjen e jetëgjatësisë (hamendësisht të klasës së lartë dhe të mesme), lindshmërinë e ulët dhe emigracionin— popullsia e Shqipërisë mund të shkojë në skenarin e saj më të keq, në 860 mijë banorë; në skenarin ku një nga tre faktorët e saj mungon, popullsia shkon në 1 milion e 600 mijë — në këtë skenar humbet më shumë se 1 milion; dhe në skenarin ku emigracioni ndalohet dhe lindshmëria është në përqindjen aktuale, sipas të cilit popullsia do të jetë 2 milion e 800 mijë. Por nëse i shtojmë këtij parashikimi dhe faktorët që përmenda më lartë (aksidentet; vrasjet; katastrofat ekologjike etj.), numri do të rrudhet edhe më shumë!

Parashikimi i OKB-së rrjedhimisht është gabuar sepse nuk konsideron gjithë faktorët kryesorë që ndikojnë në rënien e popullsisë së popullit shqiptar: sepse atje janë dhe tre faktorë të tjerë vendimtar për popullsinë — gjendja ekologjike e vendit; aksident rrugore; dhe vrasjet. Gjendja ekologjike është shumë e keqe sidomos lidhur me mungesën e pyjeve (mungesa e të cilëve shkakton përmbytje etj.) dhe ndotjen ujërave, tokës dhe ajrit. Aksidentet do të vazhdojnë përsa kohë që nuk luftohen shkaqet dhe vrasjet gjithashtu. Qoftë edhe te tre faktorët e saj, OKB-ja gabon: sepse plakja dhe jetëgjatësia është e pabarabartë në klasa —klasa e ulët e shoqërisë do të vazhdojë të jetojë pak vjet, për pasojë kontributet e tyre në ekonomi t’i përvetësojnë jetëgjatët, klasa e lartë— emigracioni do të vazhdojë nëse vendi do të qeveriset nga të njëjtat parti; dhe lindshmëria do të bierë nëse nuk ndryshon dinamika shoqërore — domethënë, jo vetëm të punësohet gjithë fuqia puntore por dhe të ndiqet një politikë e cila të synojë të afrojë të ardhurat me vendet rajonale dhe të zhvillojë atdhedashurinë dhe patriotizmin me qëllim që të pengohet emigrimi i njerëzve.         

*Shkëputur nga studimi me titull, Demokraci apo barbarizëm?



[1]Shqipëria e vogël e 23 burgjeve dhe 48 kampeve të përqendrimit, Shekulli, 06. 05. 2013.

[2]Numri i të burgosurve rritet çdo vit në Shqipëri, ndër më të lartët në botë, Gazeta Idea, 01 Janar 2013.

[3]Shih, për më shumë, Kriza shumë-dimensionale.

[4]Në 27 vite pluralizëm janë ekzekutuar 6348 shqiptarë, shumica për pronat, Dita, 15 shkurt, 2017.

[5]Shih, Pse dështoi socializmi në Shqipëri?

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA