...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Politikat bashkiake dhe komunitare në globalizmin neoliberal

Në këtë studim tregohet se zhvillimi tërësor i bashkive dhe komunave varet vendimtarisht nga taksimi rigorozisht progresiv, nga fondet e qeverive qendrore dhe nga orientimi tërësor i vendit. Rajoni i Durrësit është konsideruar si rast studimi.

Ylli Përmeti

02/07/2017 - 12:14

Në kuadrin modern institucional të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut e marketingut —tashmë të ndërkombëtarizuar, paralel me të cilin qendron një elitë mbikombëtare, bashkitë dhe komunat i përshtaten kuadrit përkatës si thoi mishit. Ato jo vetëm që janë pasive politikisht dhe kanë krijuar një kaos urbanistik por krijojnë edhe oligarkitë përkatëse: sepse me reformën territoriale përqendrojnë edhe më shumë pushtetin politik dhe ekonomik në nivel vendor njëlloj siç e përqendron shteti modern në nivel qendror dhe korporatat dhe bankat ndërkombëtare, në nivel botëror.

Transporti publik dhe kaosi i ndërtimeve

Për shkak të përqendrimit të pushtetit ekonomik në metropole dhe nënmetropole dhe braktisjes së kontrollit të popullatëse dhe lëvizjeve demografike, Durrësi gjatë dy dekadave të fundit ka përqendruar popullatën periferike ndërkohë që mbulon tokat e bukës me beton. Numri i banorëve të Qarkut të Durrësit, për shembull, me rënien e socializmit, është më shumë se trefishuar, në rreth 262, 785.[1] Dendësia është 343 banorë për km², një dendësi që vjen pas Tiranës (454 banorë për km²).[2] Durrësi, në sektorin e transportit, ka katër linja urbane: Qendër - Plepa: 15 km; Qendër- Nishtullë: 9 km; Qendër - Currila: 9 km; dhe Qendër - Unazë: 22 km. Totali është 55 km. Nëse i shumëzojmë për 16 itinerare, që kryhen gjatë dy turneve —paradite dhe pasdite— atëherë urbanët bëjnë rreth 880 km në ditë.

Deri në vitin 2014-të sektori administrohësh nga administrata publike. Pas këtij viti linjat u privatizuan. Për shkak se urbanët ishin të një teknologjie të vjetër, çdo urban digjte mesatarisht 44 lirta naftë për çdo 100 km. Në total, urbanët digjnin rreth 396 litra naftë në ditë. Në lekë, sipas Drejtorisë së transportit në Durrës, sektori digjte rreth 90 milionë lekë naftë në vit (çmimet 2014). Në kohën kur mbulon rreth 6 milionë udhëtarë në vit, prej tyre, 2.8 milionë pajisen me abone dhe pjesa tjetër pa abone. Të ardhurat vjetore për sektorin ishin rreth 110 milionë lekë, ndërsa shpenzimet ishin rreth 148 milionë. Nga këto, 90 milionë janë naftë. Pjesa tjetër fonde (paga, shërbime etj.). Diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve mbulohësh nga bashkia. Tërësia e punëtorëve që aktivizohësh në këtë sektor ishte 140 punëtorë, duke përfshirë shoferët, fatorinot, punëtorët e ofiçinës dhe administratën. Për çdo urban punësoheshin dy punëtorë: një shofer dhe një fatorino. Paga që merrnin ishte rreth 200 mijë lekë në muaj. Fatorinot punonin sipas një norme të paracaktuar nga sektori prej 133. 500 lekë për çdo turn. Punëtorët ishin të patrajnuar nëse gjykojmë nga veprimet: ata shpesh ishin abuzivë në detyrë (përdornin cigare etj.). Cilësia e urbanëve, në anën tjetër, mungonte: ata ishin më shumë se 20 vjeç dhe ishin ‘mbetje’ italiane nëse gjykojmë nga gjuha e tabelave të brendshme.

Shkurt, si pasojë e politikave të ndjekura dy dekadat e fundit —përqendrimit në sektorin privat dhe braktisjen e sektorin publik— sektori ishte në krizë të përhershme. Braktisja e sektorit çoi në privatizimin tërësor të tij në vitin 2014-të. Por urbanët e rinj –nën administrimin privat- janë si sera bujqësore ku mund të mbillen vetëm domate e tranguj: sepse ata janë sërish ‘mbetje’ - të Europës Veriore. Klima atje dihet si është: shumë më e freskët se në Durrës. Urbanët, rrjedhimisht, janë hartuar për kushte specifike klimatike dhe nuk mund të përdoren në kushtet mesdhetare. Si pasojë, punëtorët dhe udhëtarët gjatë verës shkrijnë si akulli në vapë. Sepse ndërsa dritaret janë tejet të vogla - kondicionerët nuk i ndezin! Temperaturat e larta kanë shkaktuar humbje ndjenjash në disa raste. Nëse e krahasojmë administratën e transportit publik me aktualen (privaten) mund të vërehet vetëm një ndryshim: se privati respekton ndalimin në stacione dhe kohën e udhëtimit. Gjithçka tjetër ka mbetur thuajse e njëjtë. Paralel me këtë zhvillim është krijuar kaosi i ndërtimeve: tashmë Durrësi (Golemi) mban vendin e parë për banesa të pazëna (88%) nga 21.6% që është mesatarja në shkallë vendi. Ndërkohë që banesat në rripin e plazhit janë zhvlerësuar me 30-40% dhe papunësia mes të rinjve është e madhe (mesatarisht mbi 20%).[3] Shkaqet janë dy: në njërën anë u ndërtua —dhe vazhdohet të ndërtohet— me ritmin e kërkesës që u zhvillua pas vitit 2000, kur remitancat ishin në kulmin e tyre, dhe rrjedhimisht kërkesa ishte në rritje, dhe në tjetrën, për shkak të ndërtimit kaotik të lagjeve, ndotjes së madhe, dhe frikës se e ardhmja nuk premton shumë në Durrës. Në fjalë të tjera, u shtua dy herë oferta: një herë me vazhdimin e ndërtimeve, ndonëse me ritme disi më të ngadaltë, për shkak të politikës rregulluese që po ndjek qeveria “Rama”, dhe një herë tjetër me nxjerrjen në shitje të një numri të madh të banesave nga pronarët. Stoku i banesave të pashitura në shkallë vendi është mbi 9 mijë. Nga rasti i parë kuptojmë se sa njohuri kanë ndërtuesit lidhur me kushtet e reja që janë krijuar në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Ndërsa nga rasti i dytë kuptojmë se një flluskë financiare tejet e madhe, do të shpërthejë në vendin tonë, duke u udhëhequr nga Durrësi! Plazhi është keqndërtuar dhe është shumë i pistë. Pavarësisht përpjekjeve të bashkisë për mbajtjen e pastërtisë – ne periferi të qytetit vazhdojnë të shkarkohen ujërat e zeza dhe të hidhen mbetje urbane. Për ta zgjidhur këtë gjendje, qeveria “Rama” u mjaftua duke kaluar administrimin e bregdetit te bashkia e Durrësit![4]

Nga kaosi i ndërtimeve në miradministrimin e buxhetit dhe sektorëve të shërbimeve

Shpenzimet buxhetore, sipas parashikimit, megjithëse më të larta se vitet e kaluar, për vitin 2014-të, u përqendruan kryesisht në infrastrukturë (parqe, rrugë etj.). Për të arritur këtë objektiv Bashkia rriti disa taksa. Pesë vitet e fundit, (2011-2015) të ardhurat nga tatimet dhe jotatimet kanë qenë thuajse konstante. Megjithëse me një përqindje të vogël, plani i Bashkisë për vitin 2016-të ishte të tejkalonte realizimet e viteve të fundit. Realizimi i këtij plani —besonte qeveria vendore— do të vinte për shkak të “rritjes së numrit të subjekteve tregëtare”.[5] Në të vërtetë, rritja e subjekteve tregëtare mund të ndikojë në rritjen e të ardhurave në afatshkurtër. Por në afatmesmë dhe afatgjatë, ato do të bien: sepse natyra e investimeve të individëve është kaotike —e dominuar kryesisht nga imitimi— dhe nuk i përmbahet ndonjë studimi paraprak, së pari, lidhur me dinamikat e tregut ndërkombëtar (pritshmëritë etj.), së dyti, lidhur me dinamikën e ekonomisë sonë kombëtare dhe vendore, dhe së treti, lidhur me nevojat objektive të qytetit. Investimet në infrastrukturë ndjekin strategjinë e përgjithshme të qeverisë “Rama”: ri-konceptimin e qyteteve. Në realizimin e kësaj strategjie ndikon vendimtarisht Komisioni Europian: sepse Shqipëria (falë klasës politike dhe topitjes së popullit) shkëmben humbjen e sovrantitetit tonë politik dhe ekonomik, burimet tona strategjike dhe pasuritë publike, me ‘fondet’ që tërheq nga BE-ja dhe ‘borxhet’ që merr nga institucionet ndërkombëtare (BB etj.). Për periudhën shtatë-vjeçare (2014-2020), për shembull, qeveria “Rama” ka marrë 649.4 milion euro (IPA II).[6] Një përqindje tjetër e konsiderueshme buron nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ose Banka Botërore. Sheshi “Skënderbej”, për shembull, është financuar nga ky fond. Por shqiptarëve nuk u intereson sovraniteti ynë. Ata kënaqen me pispillosjet e shesheve! Për shkak të natyrës heteronome të sistemit, nuk do të ishte e çuditshme që procesi i tenderave të akaparohet. Për shembull, disa tendera janë diktuar “nga lartë” se sa nga oferta më e ulët![7] Dhe në Durrës është zhvilluar edhe një sintezë tjetër midis publikes dhe privates: në arsim, jo vetëm në ciklin e mesmë por edhe në ciklin e lartë. Nëse vazhdon kjo sintezë, me siguri që shumë shpejt shërbimet private do të dominojnë shërbimet publike, meqënse oligarkia ekonomike është krijuar dhe shtresat e varfërva janë skajuar, ndërkohë që klasa e mesme, e cila u krijua përgjatë dekadës së fundit, është në tkurrje.

Më në fund, dhe më e rëndësishmja, Durrësi, ndryshe nga qytetet e tjerë, rrezikon të përmbytet nga ngritja e nivelit të detit, si pasojë e ndryshimit të klimës (efektit të serës, CO² etj.) dhe shkrirjes së akujve në Greolandë![8] Lidhur me këtë problematikë nuk është marrë asnjë masë konkrete as është vendosur ndonjë objektiv. Politika bashkiake përqendrohet në seksione strategjike — realizimi i të cilëve varet vendimtarisht nga ngritja e taksave dhe fondet e BE-së. Ndërtimi i “Velierës”, hapësirës së re publike që projektoi Bashkia përgjatë vitit 2016-të, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit, për shembull, do të ndikohet drejtpërdrejt nga ngritja e nivelit të ujërave të detit. Veliera, në të vërtetë, është pasojë e drejtëpërdrejtë e natyrës së shtetit: heteronomisë së tij. Domethënë, është pushteti qendror ai që parapërcakton projektet e bashkive. Rasti konkret buron nga qasja e përgjithshme e qeverisë “Rama”: të zhvillimit të turizmit. Kjo qasje përforcohet nga mendësia ‘artistike’ që ka zhvilluar vetë Rama. Domethënë, nga bindja se përmes veprave artististike dhe ‘ekzotike’ mund të zhvillohet turizmi. Problemi kryesor që krijohet nga kjo qasje është se ajo përmbys përparësitë e një bashkie. Bashkia e Durrësit, për shembull, ka plotë probleme, jetike për banorët. Por pushteti qendror ka përparësi ‘turizmin’. Kështu ai mbivendoset dhe përparon objektivin e tij me vepra ‘ekzotike’. Për të njëjtën arsye, ne duhet të përqendrohemi te qasja e përgjithshme e qeverisë “Rama”: se një vend mund të zhvillohet përmes turizmit. Kjo bindje buron kryesisht nga karakteristikat e vendit tonë. Por kjo qasje është kryekëput e gabuar: sepse e vendos një pupull në pritje të “nuses” kur nuk dihet se sa dëshirë dhe mundësi ka “nusja” të vijë në anët tona.

Kështu, bashkë me pritjen e tregëtarëve me pakicë të mallrave të konsumit të gjerë, qeveria “Rama” shton edhe sektorin e turizmit: të presë —nga ballkonet dhe me dylbi— vizitorët e huaj! Por nuk është vetëm qeveria “Rama” e keqedukuar në administrimin e shtetit modern. Edhe “veprimtarët” paraqiten njëlloj. Nëse gjykojmë nga rasti i “Velierës”, ata filluan të organizojnë protesta pasi “shfryu” masmedia dhe opozita. Njëlloj si këta të fundit, të cilët shfrytëzojnë çdo ndjesi popullore për “kapital” politik dhe nuk kanë mësuar të hetojnë,[9] ashtu dhe “veprimtarët“: në vend të hetojnë dhe tejkalojnë mendësitë e partive dhe kuptojnë shkaqet e një problematike - protestojnë dhe kush nuk bashkohet me “kauzën” e tyre dyshohet se ka interesa! Sepse nëse do ta kishin hetuar çështjen dhe kuptuar – ata do të kishin sulmuar së pari natyrën shtetit modern dhe së dyti qasjen “zhvillimore” të qeverisë “Rama”. Protestat në këtë rast i udhëhoqi e ashtuquajtura “shoqëri civile”. Kjo e fundit, jo vetëm që protestoi si shiu pas të vjelit —kur projekti filloi të realizohësh në terren sesa kur ishte në fazën e projektimit, miratimit dhe tenderimit—, por, dhe më e rëndësishmja, ajo operon si përfaqësuese e popullit pa u votuar nga ai! Pa pëmendur këtu burimin financiar të saj.

Kështu, në krye të dy-tre protestave, gjykata administrative e Durrësit pezulloi punimet në pjesën ku Bashkia ka zbuluar (jo mbuluar) disa ndërtime arkeologjike. Shkurt, është qasja “zhvillimore” e qeverisë “Rama” që po ‘pispillos’ qytetet dhe karakteri i shtetit modern shkaku kryesor i çdo dëmi social-ekonomik (dhe arkeologjik) i qyteteve si Durrësi. Por gjykuar se nga burojnë fondet për veprat në fjalë —nga BE-ja— dhe arsyeja se pse ato jepen —për të çliruar dhe liberalizuar tregjet, domethënë për të zhgardhuar vendin tonë për kapitalin e huaj— përgjegjësi të madhe ka edhe populli. Përgjegjësi të madhe kanë edhe veprimtarët politikë që dëmet tona me karakter social-ekonomik (por dhe kombëtar) nuk i shikojnë nga një qasje sistemike dhe shkakiste por përqendrohen te simptomat. Përtej faktit që vetë BE-ja ka të njëjtën qasje me qeverinë “Rama”: se zhvillimi i sektorit të turizmit është kryesori. Mirëpo, paralel me zhvillimin e kësaj qasje, BE-ja përparon edhe projekte të tjerë në vendin tonë. Për shembull, në sektorin energjitik. Jo, sigurisht, duke u përfshirë Brukseli drejtëpërdrejt. Por duke përfshirë korporatat që rezidentojnë në vendet e BE-së... 

Taksat, në anën jetër, ngrihen për dy arsye kryesore: njëra, sepse klasa e lartë (oligarkia ekonomike) nuk paguan taksa, siç nuk paguan klasa politike dhe korporatat e huaja (“Bankers” etj.) në nivel kombëtar dhe tjetra, sepse prodhimi vendor nuk është organizuar ende. Për të njëjtën arsye taksat gjithnjë do të ngrihen për shtresën e mesme dhe klasën e ulët ndërkohë që të ardhurat për bashkitë do të bien në afatmesmë. Taksat do të uleshin dhe të ardhurat do të rriteshin vetëm nëse do të paguanin oligarkët e të gjithë niveleve dhe do të zhvillohësh tërësia e ekonomisë.       

Përgjithësisht mund të thuhet se politika bashkiake dhe komunitare, jo vetëm që është pasive politikisht, por, pikërisht sepse dominohet nga botëkuptimi modern —përfitimi— gjithashtu dhe nga procesi zgjedhor (kandidatët propozohen “nga lartë” dhe votohen “nga poshtë”, për pasojë ata humbasin një përqindje të madhe të autonomisë administrative!) që për të njëjtën arsye politikat vendore diktohen nga pushteti qendror, humbet vullnetin lidhur me miradministrimin e qytetit: sepse është vullneti, i cili varet nga dashuria për të zhvilluar mirëqënien, vlerat më të larta të një shoqërie (solidaritet etj.) dhe estetikën e një qyteti, që shtyn një njeri të zhvillojë njohurinë lidhur me çdo aspekt të jetës sociale.[10] Miradministrimi, rrjedhimisht, nuk mund të reduktohet vetëm te “vullneti” i qeveritarëve siç propagandojnë shumë në hapësirën e “ekspertëve” mediatikë. Sepse vullneti është vetëm një komponent dhe ai varet vendimtarisht nga dashuria për të eksploruar dukuri sociale dhe josociale dhe nga autonomia administrative. Edhe nëse supozojmë se një kryebashkiak ka vullnet dhe dashuri për të zhvilluar vendin e tij, ai do të pengohet nga pushteti qendror në realizimin e çdo projekti që mund të ketë në mendje: sepse është pushteti qendror që përcakton orientimin e përgjithshëm të politikave vendore. Politikat e pushtetit qendror, me rradhë, përcaktohen nga politikat e korporatave dhe bankave mbikombëtare. Problemi, rrjedhimisht, nuk mund të shtrohet vetëm në kuadër të transportit urban, se nëse, për shembull, do të dalë me fitime sektori i transportit, nën adminstrimin publik apo privat, por se nëse sektori i transportit, paralelisht me zhvillimin tërësor të qytetit, është, dhe mund të bëhet vërtetë cilësor dhe i sigurtë në të gjithë aspektet.

Çfarë mund të bëhet?

Siç jam munduar të tregoj në vend tjetër,[11] Shqipëria, si çdo vend tjetër i Jugut Europian i integruar plotësisht apo pjesërisht në Rendin e Ri Botëror të Globlizmit Neoliberal, do të përkeqësohet ekonomikisht dhe ekologjikisht dhe për pasojë s’ka asnjë mundësi të përmirësojë gjendjen e përgjithshme të vendit. Sepse nëse qeveritë qendrore (qofshin ato që zbatojnë “taksën e sheshtë” apo “taksën progresive”) do të vuajnë nga deficitet buxhetore — njëlloj do të vuajnë edhe qeverisjet bashkiake dhe komunitare. Parakusht, rrjedhimisht, për zhvillimin e qyteteve dhe periferive (komunave), është tërheqja ‘diplomatike’ nga orientimi i përgjithshëm politiko-ekonomik i vendit për t’u integruar në Globalizmin Neoliberal. Nëse kjo ‘tërheqje’ nuk realizohet nga qeveria aktuale - bashkitë dhe komunat duhet:

·         ose të pakësojnë abuzimet me taksat dhe fondet (të rrisin mbledhjen dhe t’i miradministrojnë ato), me qëllim që të kontribuojnë në zhvillimin e rajonit ku operojnë dhe t’i përshtaten dinamikës tërësore të sistemit, siç i janë përshtatur — një përshtatje që nënkupton se gjendja e përgjithshme socio-ekonomike do të përkeqësohet, sepse nuk përputhen principet sistemike me principet demokratike dhe shkencore;

·         ose të përgatiten për një kuadër tjetër institucional, i cili, kalon përmes procesit që vijon: nga vlerësimi i gjendjes së përgjithshme të bashkive (burimet kryesore ekonomike, papunësia etj.) në aktivizimin e qytetarëve në politikë-bërje - ku do të barasndahet pushteti, do të zhvillohen principe demokratike dhe shkencore dhe, do të zhvillohet koncepti i autonomisë administrative. Sepse administratat vuajnë edhe nga moszhvillimi i autonomisë administrative. Kjo për shkak të karakterit heteronomik të shtetit. Ky proces nënkupton se qeveria qendrore në fazën fillestare duhet të adoptojë vërtetë politikat e social-demokracisë (Keinsiane) — përmes të cilave do të fillojë zhvillimi i strukturave ekonomike rajonale me bazë autonominë, solidaritetin dhe shkencën.

Procesi i dytë përbën parakushtin për të kaluar në transport publik, cilësor dhe të lirë. Ri-organizimi i sektorit, në fazën e parë do të bëhet me bazë energjinë e disponueshme motorrike: naftën. Në fazën e dytë, me bazë energjinë e rinovueshme dhe me trolej dhe trena elektrikë. Ri-organizimi i këtij sektori nënkupton se janë rigjallëruar paralelisht sektorët e tjerë të ekonomisë. Sepse pa zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë nuk mund të importohet (me eksportet tona) teknologjia përkatëse nga vendet e origjinës. Për shembull, nga Kina, meqënse është promotore e trenave elektrikë. Ose nga Rusia, meqënse është cilësore në hekurudha. Rithemelimi i principeve racionalë (d.m.th. solidaritet, shkencë, bashkëpunim, gjithëpërfshirje etj.) në sektorët publikë dhe në sektorët e ekonomisë do të bëjë të mundur mbarëvajtjen e tij. Dhe meqënse personeli do të përgjysmohet, për shkak të automatizimit të sektorit, sektorë të tjerë ekonomik duhet të zhvillohen. Për shembull, në Durrës mund të zhvillohen paralelisht me industrinë e turizmit, prodhimet bujqësore dhe blektorale dhe industria e përpunimit. Sepse Durrësi, pavarësisht “përmbytjes” me ndërtime dhe mbulimin e shumë tokave të bukës me beton dhe dendësisë së lartë me banorë, ka ende mundësi të shfrytëzojë tokat që kanë mbetur për prodhim bujqësor e blektoral. Në kushtet aktuale, Bashkia e Durrësit mund të gjenerojë një fond, qoftë edhe duke bashkëpunuar me Ministrinë e Bujqësisë, për të organizuar një ekip shkencor me agronomë dhe veterinerë, të cilët do të kishin për objektiv organizimin e prodhimit në bujqësi dhe blektori. Dhe bujqësia dhe blektoria, njëlloj si gjithë sektorët e tjerë me interes publik, nuk mund të zhvillohet përmes principeve që janë imponuar dy dekadat e fundit (konkurrencë dhe përfitim), siç na sugjerojnë “ekspertë” të fushës![12] Kjo mund të vërtetohet qoftë empirikisht qoftë teorikisht. ‘Empirikisht’ nëse konsiderojmë përvojën e Rumanisë[13] apo Greqisë.[14] Teorikisht, nëse konsiderojmë dinamikat sistemike dhe praktikat në bujqësi dhe blektori. Por përmes solidaritetit, bashkëpunimit dhe shkencës.

 

 


[1]Deri në vitin 1990, numri i banorëve të regjistruar ishte 87, 559. Programi Matra, Rast studimor, Bashkia Durrës.

[2]Censusi i popullsisë dhe banesave, 2011, f, 133, varjanti, pdf.

[3]Si po zhvlerësohet bregdeti i Durrësit; aty ku të gjithë duan të shesin, Monitor, 28/08/2016.

[4]Çuçi: Bashkia e Durrësit, do të administrojë gjithë bregdetin, Shqip, 26 Mars 2014.

[5]Projekt-buxheti 2016.

[6]Albania – financial assistance under IPA II, European Commission.

[7]Hije skandali me tenderat në Bashkinë e Durrësit, Dita, 10 Korrik, 2014.

[8]Shih për më shumë, Kriza shumë-dimensionale, Kriza ekologjike.

[9]Mungesa e hetimit të çështjes “Veliera” çoi në keqparaqitjen e saj nga shumë “kritikë”, “analistë” dhe “gazetarë”, madje edhe nga shumë veprimtarë politikë, të cilët supozohet se e hetojnë më shumë një çështje ose lajm se publiku i gjerë. Keqparaqitja kryesore ishte në shifrën e projektit. Thuajse kudo u përsëritë e njëjta shifër: se projekti kushtonte 6 milion dollarë ndërkohë që kostua tij ishte si fillim 4 milion dhe më vonë shkoi 5 milion, sipas pohimit të kryebashkiakut. Një tjetër kaqparaqitje ishte çështja se Bashkia mbuloi ndërtimet arkeologjike...ndërkohë që ishte vetë Bashkia që nënshkroi një kontratë për mbikqyrjen e punimeve me dy institucione arkeologjike: Institutin e Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shpëtimit Arkeologjik. Sigurisht, me dy muaj vonesë. Por kjo s’tregon se qëllimi i Bashkisë ishte të mbulonte dëmet. Në të vërtetë, gjykuar nga ç’ka më komunikoi drejtori i mbikqyrjes së punimeve, ndërtimet që janë zbuluar nuk ishin dokumentuar nga arkeologët. Si të tilla, nuk njiheshin se ekzistonin. Fakti që u zbuluan në proces dhe  Bashkia kërkoi ndihmën e arkeologëve, tregon dëshirën e saj për të ruajtur gjetjet arkeologjike jo të kundërtën.     

[10]Gjenealogjia dhe forca e dashurisë.

[11]Shpërthimi i krizës sistemike në Rajon dhe Shqipëri. Gjithashtu, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës “greminë”.

[12]Këshilla për kryetarin e pritshëm të 1.100 km2…Dita, 22 Maj, 2015.

[13]Rumania dhe politikat subvencioniste të BE-së në bujqësi: një tjetër dështim.

[14]Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA