Asgjë e re nga “fjalimi historik” i Vuçiçit
Foli e çka nuk tha, në stilin e tij të kapërcimit kodër pas bregu, prej teme në temë, duke e bërë mendimin tërkuzë e lesh arapi.
Adil Fetahu
08/10/2022 - 18:52
Vuçiçi kishte paralajmëruar një “fjalim historik” (sikurse gjithë fjalimet e tij “historike” -javore, v.j.) për 28 shtator, por “për shkak të angazhimeve ndërkombëtare”, e shtyu për 8 tetor. Kishte paralajmëruar se në këtë fjalim do t’i komunikonte popullit vendime të rëndësishme, por përveç një retorike boshe, nuk tha asgjë të re. Dhe sot atë fjalim “historik” e mbajti për mediat, të cilat e transmetuan në mjetet e tyre. Foli e çka nuk tha, në stilin e tij të kapërcimit kodër pas bregu, prej teme në temë, duke e bërë mendimin tërkuzë e lesh arapi.
Thotë se temat i ka ndarë në shtatë kapituj, me Kosovën kryefjalë, dërisa të gjitha te tjerat mbeten nën hijen e temës për Kosovën, siç janë: sanksionet kundër Rusisë, sigurimi i energjisë dhe artikujve, stabiliteti financiar dhe investimet, mbrojtja e standardit jetësor, raportet me Bashkimin Europian. Mbi nëntëdhjetë përqint të fjalimit ia kushtoi problemit që ka me Kosovën, për të cilën u ankua dhe fajësoi faktorin ndërkombëtar:
“Pozicioni ynë po bëhet gjithnjë e më i komplikuar. Vendet perëndimore po pëpiqen në mënyrën e vet që problemin ta zgjidhin përmes pranimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe kështu t’ia marrin argumentin prej dore Putinit. Kjo do të thotë se do të ndërrojë arkitektura e bisedimeve. Tash në tavolinë është propozimi i Gjermanisë dhe Francës, mbi të cilin duhet të bisedohet, sepse nuk mund të hidhet prej dritareje propozimi i dy shteteve më të fuqishme, gjë që do të ishte papërgjegjësi dhe joserioze. Por, se a mund ta pranojmë, për këtë nuk jam i sigurtë. Serbia i ka vijat e veta të kuqe, për të cilat nuk jam i sigurtë se do t’i pëlqejnë dikujt. Gabimi më i madh ka qenë kur është lejuar që Bashkimi Europian të jetë vendi ku do të vendoset për Kosovë-Metohinë, derisa çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe tash as që po mund të futet në rend dite! Shqiptarët po duan ta formojnë një BKS si një organizatë joqeveritare dhe askush nuk po ua tërheq vërejtjen për këtë.
Esenca e kërkesave (të vendeve perëndimore, v.j.) është që Serbia ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara, me çka Serbia do të hynte më shpejtë në Bashkimin Europian dhe do të kishte favore ekonomike të rëndësishme. Për Serbinë, jo vetëm për shkak të kushtetutës, veçse në përgjithësi, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e KB.
Amerikanët po e shtojnë praninë e tyre ushtarake në Kosovë-Metohi. Thonë se këtë po e bëjnë për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, e kjo për neve është sinjal i qartë që as mos të ëndërrojmë respektimin e Kartës së KB, as të Rezolutës 1244. Dihet se fjala e vetme e kujt duhet të respektohet – vendimi i forcës! Mesazhin e kemi kuptuar. E drejta ndërkombëtare është shkelur që moti; ekziston vetëm e drejta e forcës. Neve nuk na mbetet tjetër vetëm t’i referohemi të drejtës ndërkombëtare, në të cilën të tjerët thirren vetëm kur iu përshtatet atyre.
Në këtë moment i kemi edhe tetë nota për tërheqjen e pavarësisë së Kosovës. Do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim, por është vështirë, sepse fuqitë e mëdha do t’i kundërshtojnë vendimet e tilla. Pritet se më 2-3 nëntor të nisë procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Po pritet t’i kalojë mandati anëtarit të Hungarisë e në vend të tij të vijë përfaqësuesi i Lituanisë. Kjo është planifikuar që disa muaj.
Mund të na marrin të gjitha, por na do të luftojmë me të gjitha forcat që kemi në dispozicion.
Gjasat janë të vogla. Sido që të jetë, në këtë moment nuk ekziston vullneti i udhëheqësisë së Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo që mendojnë në politikën e BE-së në lidhje me Kosovë-Metohinë, sepse për ta integriteti territorial i Ukrainës është i shenjtë, kurse integriteti territorial i Serbisë vlenë, por pa Kosovën,- Serbia dhe qeveria e saj duhet të vazhdojnë punën në zbatimin e reformave në rrugën europiane përsa i përket sundimit të ligjit, harmonizimit të regjimit të vizave, investimeve, etj.
Për neve është problem gjendja me Kosovë-Metohinë, gjë që përshkohet në të gjitha mbylljet, kur kërkohet harmonizimi me politikën e BE-së. Çdo ditë po punojmë për këtë. Kishim dashur ta kuptojnë më mirë pozitën tonë, por kjo nuk do të ndodhë. Rrethnat po ndryshojnë, por Serbia do të qendrojë në pozitat e deritashme, për deri sa nuk do të detyrohemi të pranojmë realitet tjetër.
Rusisë nuk do t’i vëmë sanksione për sa kohë që pozita e Serbisë ndaj Bashkimit Europian nuk do të përkeqësohet dhe dëmi për Serbinë të jetë tepër i madh”,- ka thenë Vuçiçi në fjalën e mbajtur, drejtuar popullit të Serbisë, përmes mediave.
***
Asgjë nga paralajmërimi i vendimeve të rëndësishme, veçse u ankua dhe vajtoi për presionet që gjoja po i bëhen lidhur me çështjen e Kosovës dhe sanksionet kundër Serbisë. Fjalimi i tij, përveç rolit propagandues, ka për qëllim blerjen e kohës për të marrë vendime që duhet të merren. Ndoshta me këtë frikësim të popullit edhe kishte për qëllim të maste pulsin dhe të merrte përkrahjen e tij, në një kohë kur gjithnjë e më tepër po i ngushtohet hapësira e manovrimit për të dy çështjet e përmendura.
Të tjerat janë të parëndësishme për opinionin Kosovar.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 43 reads