...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bashkia e Shkodrës e papërgatitur për dëmshpërblimet e të përmbyturve

Sepse nuk kemi parë të shpallë luftën kundër shkaqeve të përmbytjeve

SHJ

17/01/2023 - 19:38

Bashkia e Shkodrës e papërgatitur për dëmshpërblimet e të përmbyturve

Në Shqipëri, brenda tre muajve të fundit zona e Nënshkodrës është përmbytur tre herë duke shkaktuar dëme të shumta për ekonominë e mijëra familjeve, por edhe infrastrukturën publike dhe mjedisin. Bashkia e Shkodrës kërkon që dëmet të kompensohen nga korporata elektroenergjitike, si shkaktare e përmbytjeve, ndërsa përfaqësuesit e qeverise thonë se dëmet kompensohen nga fondet që bashkitë planifikojnë çdo fillimviti për rastet e emergjencave civile.

Ndërsa situata e përmbytjes në zonën e Nënshkodrës po shkon drejt normalizimit pas ndërprerjes së përkohshme të reshjeve intensive të shiut, dalëngadalë po dalin në pah dëmet që përmbytjet shkaktuan, kryesisht në tokat bujqësore dhe serra. Drejtuesit vendor të Shkodrës janë të bindur se, ashtu si edhe në vitet e kaluara, përmbytjet në zonën e Nënshkodrës janë shkaktuar nga shkarkimet e hidrocentralit Vau Dejës, që është edhe i fundit në kaskadën e lumit Drin, ndaj edhe dëmet duhet të kompensohen nga korporata elektroenergjetike.

“Që në muajin dhjetor kemi kërkuar të mirëmenaxhohet Fierza, sepse ajo është edhe rregullatori i gjithë kaskadës, por tani ka shkuar në kuotat maksimale dhe, fatkeqësisht, njësia jonë ndodhet nën pushtetin e ujit”, thotë administratori Arben Cemi.

Administratori Cemi thotë se, brenda tre muajve të fundit kjo zonë u përmbyt tre herë. Më 21 nëntor përmbytja arriti në 2583 hektarë, ndërsa sot janë ende nën ujë 1200 hektarë tokë bujqësore. Në përmbytjen e javëve të fundit, nga tuneli i hidrocentralit Vau Dejës, sipas KESH, u shkarkuan deri në 900 metër kub ujë në sekondë.

Nëse KESH shkakton dëme, për shkak të shkarkimeve nga portat, tashmë duhet t’i jepet fund kësaj historie dhe duhet të hartohet një ligj, që po KESH-i të dëmshpërblejë banorët që preken nga përmbytjet, sepse këto banorë nuk mund të riskojnë dhe të jenë objekt përmbytjesh të vazhdueshme që thuajse ndodhin çdo vit”, thotë nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Tonin Deda.

Për Minstrin e Mbrotjes Niko Peleshi, qeveria u ka shpërndarë bashkive 10 milion euro për të përballuar rastet e emergjencave civile, fonde të cilat bashkitë duhet t’i përdorin menjëherë për rastet e emergjencave apo fatkeqësive natyrore.

“10 milion dollarë po ndajmë tani me buxhetin e ri që është pikërisht ky momenti që ai fond duhet të aktivizohet. Pikërisht për këto lloj situatash është menduar që të përdoret fondi. Ky është rasti, kjo është mundësia, pa procedura burokratike. Të gjitha janë të thjeshtuara dhe bashkitë duhet të asistojnë. Ne jemi në dispozicion edhe me rezervat e shtetit nëse do të ketë nevojë për më shumë mbështetje nëse shterojnë mundësitë e pushtetit vendor”.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, pranon problematikat në lëvrimin e këtyre fondeve, gjë që ka krijuar vështirësi që bashkitë t’u vinë me shpejtësi në ndihmë banorëve të zonave të rrezikuara nga përmbytjet.

“Përsa i përket fondeve për çështjen e emergjencave qeveria ka qenë dhe është shumë e vëmendshme. Ka pasur një problem teknik në etiketimin e kompensimit në raport me nevojat e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 414 që përcakton qartësisht edhe nevojën e investimit, edhe nevojën e blerjes së shërbimeve . Është një lapsus mbase ne mes të Ministrisë së Financave dhe vetë operimin”.

Por, Sipas nënkryetarit të bashkisë së Shkodrës, Tonin Deda, përvoja e muajve të fundit tregon se është e nevojshme të ketë ndryshime të reja ligjore në ligjin për emergjencat civile për të vepruar më me shpejtësi në zonat e rrezikura.

Dhe ndërkohë që institucionet qendrore dhe vendore ende nuk janë marrë vesh se e kujt është përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, banorët e Nënshkodrës vazhdojnë, që nga viti 2010-2011, të përballen me pasojat e përmbytjeve thuajse të përvitshme, të cilat po rrënojnë ekonominë e zonës dhe familjeve të tyre.

Kurti i kupton shkaqet e përmbytjeve por mjaftohet duke shkuar në vendngjarje

Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituam rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, po e bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog. Aty, te "Ura në Drejë", mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot. Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.

Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet, citon Kurti në faqen e tij.

Gjithë ultësirat nën ujë

Edhe gjatë kësaj të enjteje ka vazhduar të përkeqësohet situata në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë për shkak të reshjeve të dendura, të shoqëruara edhe me stuhi.

Autoritetet vendore njoftojnë për dëmtime në infrastrukturën rrugore dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe përmbytje, kryesisht në zonën fushore të Shkodrës dhe Lezhës.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, paralajmëroi një përkeqësim të mëtejshëm të situatës gjatë ditës së sotme dhe në vazhdim, deri më 21 janar, kur edhe parashikohet piku i reshjeve.

“Në ditën e sotme parashikohet të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë Drin, Buna, Mat dhe Vjosë. Për pasojë, pritet të kemi shtim të përmbytjeve në pjesën e Nënshkodrës dhe zonat periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të liqenit. Rrezik të shtuar për përmbytje, në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme, do të ketë edhe në Lumin Vjosë”, tha ai.

Ministri Peleshi përsëriti kërkesën drejtuar njësive vendore për monitorimin e situatës dhe përgatitjen e kapaciteteve të nevojshme në rast evakuimi të banorëve nga zonat e rrezikuara.

Për shkak të situatës së krijuar, Ministria e Arsimit njoftoi sot pezullimin e mësimit në 56 shkolla të vendit, kryesisht në Shkodër, Lezhë dhe Tropojë.

Rritja e prurjeve të ujit nga lumenjtë Drin, Buna, Kir dhe Gjadër, shoqëruar me shtimin e shkarkimeve nga Hidrocentrali Vau Dejës, po zgjeron me shpejtësi hartën e përmbytjes në zonën e Nënshkodrës, kryesisht në Oblikë, Obot, Muriqan dhe Suka të Dajçit.

“Pra, kemi rreth 1000 hektarë tokë të përmbytura nga uji për dy ditë. Sot është bllokuar edhe rruga e Obotit. Problematik mbetet fshati Muriqan, i cili ka mbi 400 ha të përmbytura në lagjet Goricë, Kurtalija dhe Xhaka, të cilat kanë edhe shumë sera”, thotë administratori i njësisë “Ana e Malit”, Arben Cemi.

Reshjet, të shoqëruara me stuhi të forta, kanë dëmtuar shumë segmente rrugore, kryesisht në zonat malore në veri të vendit si dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

“Furtunat dhe shirat, me reshje shumë të forta, kanë bërë dëme të mëdha në linjat e kompanisë OSHE, që shpërndan energjinë elektrike. Janë marrë masat, atje ku ne kemi mundur, për të rikthyer energjinë elektrike. Nëse dje kemi pasë stakim të energjisë elektrike për 6600 abonentë, sot kemi arritur në gati 800 abonentë. Pjesës tjetër i është rikthyer energjia elektrike”, thotë drejtori rajonal i OSHE, Armand Zhuka.

Për shkak të përkeqësimit të situatës janë vënë në gatishmëri strukturat e emergjencave civile. Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se në gatishmëri janë 1200 forca të ushtrisë dhe 450 mjete, përfshirë edhe tre helikopterë. Voa

Shkodra përmbytet për herë të dytë këtë vit 

Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë gjatë dy ditëve të fundit të gjithë zonën veriore të Shqipërisë, kanë rritur me shpejtësi nivelin e ujërave në pjesën fundore të lumenjve Drin, Buna dhe Kir, duke dhënë edhe sinjalet e para të përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës.

Autoritetet vendore të Shkodrës njoftuan në mesditë për rreth 275 hektarë tokë bujqësore të përmbytura nga dalja e lumit Buna në zonën e Oblikës dhe Muriqanit dhe për dëmtim të rrugëve malore. Brenda 24 orëve të fundit niveli i ujit në lumin Drin është rritur me 45 centimetër ndërsa ai i liqenit të Shkodrës me 30 centimetër. Situatë e njëjtë është edhe në zonën e Lezhës nga prurjet e shumta të lumenjve Mat e Gjadër.

Për shkak të stuhisë dhe reshjeve të dendura, është dëmtuar rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në një pjesë të madhe të zonave në bashkitë Shkodër, Vau Dejës, Pukë, Fushë Arrës dhe Malësi e Madhe.

Për shkak të shtimit me shpejtësi të prurjeve nga lumi Drin, sipas shefit të urgjencave civile për qarkun e Shkodrës, Pëllumb Danit, është rritur sot edhe niveli i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.

“Sot, nesër dhe pasnesër, sipas parashikimit, ne presim reshje të shumta. Shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës me gjithë agregatët në total shkojnë në 1700 metër kub në sekondë”.

Shefi i emergjencave civile për qarkun e Shkodrës, Pëllumb Dani, tha se të gjitha strukturat e urgjencave civile, në nivel vendor dhe qëndror, janë duke vëzhguar situatën dhe në gatishmëri për të ndihmuar komunitetet lokale në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes.

Në orët e pasdites, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se situata e deritanishme ka paraqitur probleme nga veriu në jug, por jo të përmasave shqetësuese. Megjithatë, ai paralajmëroi rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës gjatë ditëve në vazhdim dhe kërkoi nga strukturat vendore monitorimin e vazhdueshëm dhe njoftimin e popullatës, sidomos në zonat ku parashikohet rrezik.

“Në ditët në vazhdim deri më datën 21 janar kur pritet të jetë piku, parashikohen 250-300 milimetra shi në basenin e Vaut të Dejës dhe 150-200 milimetra shi në basenin e Fierzës. Prurjet maksimale pritet të jenë në datën 21 janar dhe bashkitë duhet të marrin masat për lajmërimin e popullatës, veçanërisht në ato zona ku parashikohet rrezik për fatkeqësi natyrore, evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të banorëve në rast nevoje. Duhet të përgatiten për të pasur kapacitete të lira, të gatshme për çdo rast evakuimi".

Ministri i Mbrojtes tha se nuk është rasti për panik dhe shtoi se, për menaxhimin e çdo situate si pasojë e përmbytjeve dhe fatkeqësisë natyrore, janë vënë në gatishmëri, në nivel kombëtar, forcat e armatosura me 1200 trupa dhe 450 mjete, të shpërndara nga veriu në jug të vendit, si dhe shërbimi zjarrfikës, ai i policisë dhe shërbimit shëndetësor.

Zona veriore e Shqipërisë thuajse çdo vit përballet me fatkeqësi natyrore, shkaktuar nga përmbytjet, por edhe zjarret në sipërfaqet pyjore dhe izolimi për shkak të reshjeve dëborës.

KESH hap portat e tre hidrocentraleve ndërsa priten rreshje të mëdha

Prej 24 orësh tre hidrocentralet më të mëdhenj të vendit, që gjenden në Kaskadën e Drinit, kanë hapur portat e shkarkimit për shkak të reshjeve të shumta që kanë përfshirë gjithë zonën veriore të Shqipërisë. Ndërkohë, tre hidrocentralet e kaskades, ai i Fierzës, Komanit dhe Vau Dejës, po punojnë me kapacitet maksimal duke shkarkuar edhe ato sasi të mëdha uji.

Sipas Institutit të Gjeoshkencës, gjatë 24 orëve të fundit, në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës kanë rënë mesatarisht 65 milimetra shi, ndërsa në atë të Fierzës rreth 30 milimetra. Kjo ka ndikuar në rritjen e shpejtë të nivelit në basenet e këtyre hidrocentraleve. Gjithashtu, në zonën e Alpeve; në Theth dhe Valbonë, sasia e reshjeve ka arritur pikën kritike me mbi 120 milimetër shi.

Aktualisht, niveli i ujit në Liqenin e Fierzës, më i madhi në Shqipëri, është në kuotën e rreth 289 metrave, vetëm 7 metër nga kuota maksimale, ndërsa në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit ka arritur në 166 metra dhe në Vau Dejës në mbi 72 metër.

Hidrocentrali i Vaut të Dejës, i cili gjendet vetëm 15 kilometra nga qyteti i Shkodrës, po përballon për momentin prurjet më të mëdha, duke detyruar specialistët e KESH-it të rrisin nivelin e shkarkimeve më shumë se 600 metër kub ujë në sekondë nga tuneli i Digës së Qursaqit.

Sipas emergjencave civile, deri tani nuk ka probleme në zonën e Nënshkodrës, në Lezhë dhe as në Kukës, por Ministri i Mbrotjes Niko Peleshi paralajmëroi se, gjatë orëve të mbrëmjes dhe në vazhdim, situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë për shkak të reshjeve me intensitet shumë të lartë.

“Prurjet në Kaskadën e Lumit Drin do të pësojnë rritje prej mëngjesit të ditës së sotme dhe do të vijojnë në rend rritës deri në datën 21 janar për shkak të rikthimit të reshjeve të shiut me intensitet të lartë. Piku orar i prurjeve pritet të arrijë deri në vlerat: për Fierzën deri në 2500 metër kub në sekontë, në Koman 2200 metër kub në sekontë, në Vau i Dejës 1100 metër kub në sekontë. Sipas llogaritjeve të modelit meterologjik, në Lumin Drin piku i orarit të prurjeve totale, gjatë këtij eventi hidrologjik, pritet të arrijë deri në 5800 metër kub në sekontë”.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga bashkitë marrjen e masave të nevojshme për njoftimin e popullatës së rrezikuar si dhe rritjen e gatishmërisë për hidrovoret, rezervuaret, infrastrukturën rrugore dhe furnizimin me energji elektrike dhe ujë për banorët.

Reshjet dhe shkarkimet e detyruara nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit thuajse çdo vit rrezikojnë me përmbytje zonën e Nënshkodrës dhe Lezhës, duke shkaktuar dëme të medha për ekonominë e mijëra familjeve, por edhe për mjedisin. Voa   

Përditësuar 23 janar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA