...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjirokastra, Përmeti, Tepelena zhyten në zhul ndërsa profesorët thonë kodra pas bregut

Mungesa e menaxhimit me standarte mjedisore të mbetjeve në shtatë bashkitë e Qarkut, që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin, shkakton çdo vit përhapje në mjedis të lirë, sidomos të mbeturinave plastike

Voa

21/02/2021 - 07:48

Përmbytjet më të fundit lanë pas sasi të mëdha mbetjesh plastike në shtratet e lumenjve dhe në hapësirat urbane në Qarkun e Gjirokastrës. Mungesa e menaxhimit me standarte mjedisore të mbetjeve në shtatë bashkitë e Qarkut, që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin, shkakton çdo vit përhapje në mjedis të lirë, sidomos të mbeturinave plastike.

Shërbimet e pastrimit pritet t'i rikthehen zonave, por mundësitë janë të pakta, pasi do të duheshin kapacitete të mëdha pune për të mënjanuar ndotjen e shkaktuar. Profesori i shkencave të natyrës në Universitetin e Gjirokastrës Lavdi Hasani thotë se janë disa arsye që e bëjnë këtë çështje shqetësuese.

”Është një problem që është shqetësues në vijueshmëri për disa arsye. E para sepse ende nuk kemi arritur të realizojmë mbledhjen e ndarë të mbetjeve urbane dhe e dyta sepse ende nuk kemi arritur të sigurojmë një landfill në të gjithë parametrat e kohës për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve”.

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Ylli Muho thotë për Zërin e Amerikës se po bëhen përpjekje për ngritjen e një skeme për menaxhimin e mbetjeve në burim me ndihmën e Fondacionit gjerman “GIZ”. Ndihma është sidomos në forcimin e kapaciteteve përmes mjeteve teknologjike të transportit të mbetjeve, thotë më tej zoti Muho.

“Ngelet në prioritetet kryesore të Bashkisë së Gjirokastrës problemi i mbetjeve. Prej disa muajve jemi përfshirë në bashkëpunim me Fondacionin gjerman GIZ në seleksionimin dhe ndarjen në burim të mbetjeve të qytetarëve. Gjirokastra në 24 orë prodhon 16 tonë mbeturina dhe sfida lidhet me riciklimin e tyre dhe me ndarjen në burim”.

Ndërsa lidhur me një shesh depozitimi ka disa vite që diskutohet për rajonin. Nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës e sheh zgjidhjen e shpejtë tek përfundimi i rrugës Kardhiq - Delvinë, e cila do të lehtësojë lidhjen me landfillin e përpunimit të mbetjeve në Bajkaj, afër Delvinës.

“Dy kanë qenë shanset dhe mundësitë për landfill.Së pari është Landfilli Bajkajt dhe ne presim mundësinë e kalimit nga rruga e re Kardhiq -Delvinë ku punimet e ndërtimit po ecin me ritme dhe do përfundojë shumë shpejt. Varianit i dytë për të cilin kemi diskutuar edhe me fondacionin GIZ është rikualifkimi i landifllit aktul pranë qytetit të Gjirokastrës, në zonën e Grehotit”.

Një tjetër faktor i rëndësishëm për menaxhimin e mbetjeve është sipas specialistëve të mjedisit ndërgjegjësimi i banorëve. Profesori i shkencave të natyrës Lavdi Hasani thotë se janë ndërmarrë disa reforma në heqjen e qeseve plastike, por ende priten rezultate:

“Duhet të dalë nga qarkullim qesja plastike. Janë bërë disa reforma në këtë drejtim, janë krijuar disa linja që kanë futur në përdorim qeset e letrës që janë të riciklueshme, dhe disa linja që kanë futur qeset të riciklueshme që dekompozohen shpejt. Dhe kjo ndihet në njësi të mëdha tregëtare siç janë supermarketet.”

Ndërgjegjësimi I komunitetit duhet shoqëruar medoemos me mbështetje ekonomike pasi familjet janë të varfa dhe duhen mbështetur në fillim për t`iu përgjigjur ndarjes në shtëpi të mbetjeve, thotë zoti Hasani.

Në qytetet turistike, siç është Gjirokastra, menaxhimi i mbetjeve mbart rëndësi edhe për nxitjen e zhvillimit të turizmit. Mjedisi i pastër, jo vetëm në zonat urbane, por edhe zonat rurale, do të nxiste vizitat nga mijëra turistë vendas dhe të huaj të fshatrave të vegjël historikë dhe monumenteve natyrore.   

*Shënim. SHJ ka publikuar plotë studime për ndotjen dhe ka treguar se problemi i ndotjes nuk zgjidhet me impiante riciklimi. Por duket profesorët nuk lexojnë por dëgjojnë vetëm propagandën e qeverisë!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA