Lëvizja Bashkë fshikullon shpifjet dhe njofton protestën e radhës
Kemi arritur në pikën që edhe nëse e helmon Erion Veliajn, dikush do dalë e do thotë se ai nuk ka vdekur vërtet, po është në Amerikën Latine me Hitlerin e Bob Marleyn.
SHJ
09/08/2023 - 17:05
Prej protesës së ditës së diel, Lëvizja BASHKË dhe Arlind Qori janë vënë në shënjestër nga të gjitha anët duke filluar shpifjet e përbaltjet. Kjo nuk është gjë e re për aktivistët e Lëvizjes BASHKË.
Në shkurt të vitit 2016, aktivistët e Organizatës Politike (sot Lëvizja BASHKË) marrin vesh që tek Parku i Liqenit Artificial kishte filluar rrethimi. Të nesërmen shembëm rrethimin. Erion Veliaj filloi me kasetat e tija duke i akuzuar protestuesit si histerikë e vandalë që janë kundër zhvillimit. Ndërsa opozita vazhdonte me refrenin pa asnjë sens logjik që "protestuesit janë të futur nga Veliaj për të akuzuar Veliajn", prandaj pak më vonë dërguan protestuesit e tyre profesionist me kobure në brez.
Në korrik të vitit 2017, fill pas zgjedhjeve, Bashkia Tiranë kishte vendosur të prishte lulishten tek ish-parku i autobusëve. Të gjitha mediat çensuruan çdo pamje të asaj proteste. Madje TV Klani ishte në protestë, por nuk transmetoi asnjë sekondë. Ndërsa policia e shtetit arrestoi brutalisht aktivistë e banorë. Asokohe opozita e Lulzim Bashës heshti. Nuk kishin kaluar as dy muaj nga takimi i 17 majit Basha-Rama. Sot e kësaj dite vazhdon gjyqi ndaj aktivistëve Arlind Qori, Enriko Peçuli dhe Bislim Lakna.
Në dhjetor të vitit 2018, gjatë protestës së studentëve, Edi Rama në Top Channel dhe Lulzim Basha në TV Klan akuzonin njëkohësisht Arlind Qorin si komunist që po përdor studentët për interesat personale. Por prej vitit 2014 Arlindi dhe Lëvizja Për Universitetin kishin dalë kundër ligjit të arsimit të lartë me dhjetëra protesta dhe aksione, nga vezët mbi Edi Ramën, e deri tek salca ndaj ministres Lindita Nikolla.
Në nëntor të vitit 2019 minatorët e Bulqizës u organizuan kundër Samir Manes. Mediat, qeveria dhe opozita ishin gojëkyçur ditët e para, sepse Samiri është padrino i Shqipërisë. Pak ditë më pas, mediat dhe militantët e partive të vjetra filluan të hidhnin baltë ndaj aktivistëve si të blerë, komunistë e gjobvënës. Kjo ishte e kuptueshme sepse Samiri është ai që i ka blerë të gjithë.
Në mars të vitit 2022, gjatë protestave kundër rritjes së çmimeve, qeveria vazhdoi përsëri propagandën e saj "anti-komuniste", kurse opozita nxirrte Çim Pekën e Edi Palokën të akuzonte qytetarët si të futur nga Edi Rama. JOQ e financuar nga Shefqet Kastrati dhe dhjetëra portale filluan përsëri sulmet me riciklimin e akuzave të dikurshme, sepse në protestë filloi të thirrej emri i Çetit dhe Samirit, si dy nga monopolistët e ushqimeve dhe naftës.
E njëjta gjë vazhdon edhe sot, kur të gjithë gojëkyçurit e shikojnë problemin tek ai që flet dhe jo tek vetja. Mero Baze nga njëri krah akuzon pse nuk ngriheshim në kohën e Berishës, Çim Peka nga ana tjetër thotë që na paguan Veliaj, JOQ vazhdon me riciklimet e dikurshme për të zhvatur ndonjë hyrje në Malin e Tiranës.
Ndërsa "militantët e sëmurë" vazhdojnë të riprodhojnë plehun që u vjen nga lart, aq sa dikush dje komentonte se "është e sigurt që Erion Veliaj do e anulojë lejën, për t'i dhënë pikë në publik Arlind Qorit". Kemi arritur në pikën që edhe nëse e helmon Erion Veliajn, dikush do dalë e do thotë se ai nuk ka vdekur vërtet, po është në Amerikën Latine me Hitlerin e Bob Marleyn.
Në fund të fundit kjo është gjë e mirë, sepse kur lufton pushtetin e vjetër politik dhe je kundër oligakëve ekonomikë, sulmet janë normale nga ata që duan të ruajnë privilegjet. Shqetësim do të ishte nëse askush nuk të sulmon. Atëherë duhet të mendohesh se a po lufton vërtet, apo po bën sikur në televizor.
Shihemi të enjten, ora 18:30, tek parku. Lajmëroni edhe një shok/shoqe a të afërm, sepse deri orën e protestës mediave dikush ose diçka ua kyç gojën.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads