Lidhja e ngjyrave me vlerat e specave
Agroweb
28/03/2017 - 18:13
Përse specat jeshilë janë më të lirë se specat me ngjyrë tjetër? Specat jeshilë janë më pak të pjekur se të tjerët, ato mblidhen më shpejt se sa koha e duhur e pjekjes. Specat e tjerë kërkojnë më shumë kohë të marrin ngjyrën, e si rrjedhojë duan më shumë shërbim, çka i bën ata më të shtrenjtë.
Çmimet variojnë sipas ngjyrave, aktualisht në treg të vetmet speca të vendit janë ata jeshilë të Divjakës, ndërsa specat e kuq janë import nga Greqia dhe Turqia dhe kushtojnë më shtrenjtë.
Specat janë burimi më i mirë i Vitaminës C, por kur vjen puna te ngjyrat, ato ndryshojnë. A e dini kush është ndryshimi mes specit të kuq, të verdhë dhe jeshil? Përveç faktit që specat me ngjyrë të ndezur kushtojnë më shtrenjtë, e vërteta është që specat jeshilë janë varianti i papjekur i specave me ngjyra më të ndezura.
Thënë shkurt, speci jeshil është i papjekur mirë. Shija e tij është pak më e hidhur dhe shpesh sipas disa studimeve mund të shkaktojë probleme me tretjen. Problemet me tretjen vijnë sepse specat janë të pabërë plotësisht. Kur hamë fruta apo perime të papjekura, stomaku e ka të vështirë t’i tresë ato.
Cilët speca kanë më shumë vlera ushqimore?
Të gjithë specat janë një burim i jashtëzakonshëm i vitaminës A dhe C. Por të dhënat tregojnë se specat e kuq përmbajnë 11 herë më shumë beta karoten se specat jeshilë. Specat e verdhë nga ana tjetër kanë më shumë vitaminë C se specat e gjelbër por më pak vitaminë A dhe më pak beta-karoten.
Specat e gjelbër kanë shumë kalium që rregullon qarkullimin e gjakut dhe mbron muskujt. Specat e kuq që janë edhe më të pjekurit kanë shije më të ëmbël dhe kanë më shumë antioksidantë të vlefshëm.
Vlerat shëndetësore të specit
Speci i ëmbël dhe ai djegës janë një aleat i rëndësishëm në përpjekjet e gjithkujt për të një peshë të ekuilibruar. Studimet kanë treguar që kapsaicina, një substancë që i bën specat djegës, fuqizon metabolizmin dhe pengon formimin e plotë të qelizave dhjamore.
Edhe specat e ëmbël kanë në përmbajtjen e tyre një element të njohur si CH-19 që i ngjan kapsaicinës dhe ka të njëjtin efekt kundër qelizave dhjamore përveç ndjesisë djegëse.
Mban nën kontroll kolesterolin. Kapsaicina që gjendet tek specat djegës ndihmon në uljen e kolesterolit në gjak. Sa më djegës speci aq më shumë kapsaicinë ka e si rrjedhojë aq më efektive është çdo përpjekje për të ulur kolesterolin.
Lufton artritin. Nëse konsumon gjysëm filxhani çaji me speca të grirë (të kuq ose të verdhë) ke marrë dyfishin e dozës ditore me vitaminë C. Njerëzit që kanë doza të ulëta të kësaj vitamine në organizmin e tyre janë trefish të rrezikuar nga artriti.
I bën mirë zemrës. Një filxhan çaji me speca të gjatë përmban 36% të dozës ditore të vitaminës B6 dhe 10 përqind folat. Specat e kuq dhe specat e verdhë kanë respektivisht 35% dhe 20% të dozës ditore të vitaminës B6 dhe 7% dhe 10% të dozës ditore të folatit. Sa më i pasur të jetë ushqimi juaj me këto përbërës, aq më i ulët është rreziku për infarktin, sëmundjet koronare dhe të zemrës në përgjithësi.
Specat si edhe perimet e tjera kanë më shumë vlera ushqimore kur konsumohen të pagatuar. Tani që e dini ndryshimin mes specit të kuq, të verdhë dhe jeshil, mos hezitoni t’i bëni specat pjesë së ushqimit tuaj./AgroWeb.org
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 23 reads