...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria nënshkroi marrëveshje me SHBA-në për bashkëpunim ekonomik dhe për hecin e Skavicës

Pala amerikane do të ofrojë ekspertizën e saj, teknologjinë si dhe financim për realizimin e këtij projekti së bashku me qeverinë shqiptare

Voa

04/10/2020 - 17:35

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan sot në Tiranë dy marrëveshje. Nënsekretari amerikan për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach firmosi me ministren shqiptare të Financave dhe Ekonomisë Anila Denan, Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik, ndërsa ministrja e Infrastruktrës Belinda Balluku nënshkroi Memorandumin e mirëkuptimit me kompaninë amerikane Bechtel për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një prej veprave më të rëndësishme energjitike të vendit. Siguria 5G ishte një tjetër temë e rëndësishme në bisedimet mes zotit Krach dhe autoriteteve shqiptare.

Për kryeministrin Edi Rama e sotmja ishte “një ditë e shënuar në marrëdhëniet e miqësisë së posaçme dhe të partneritetit të paçmueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Memorandumi që nënshkruajmë sot për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e nje kapitulli të ri për investimet e drejtëpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar".

Edhe për Nënsekretarin amerikan Keith Krach "ky është një hap i rëndësishëm dhe madje një katalizator i rëndësishëm për shtrimin e rrugës për rritjen e tregëtisë dhe investimeve përfshirë dialogun ekonomik në të ardhmen ndërmjet dy vendeve tona. Drita e investimeve të huaja vecanërisht për firmat në Shtetet e Bashkuara do të krijojë vende pune më të mira, mmundësi më të mira për të rinjtë në Shqipëri e do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi"

Por angazhimi i Shteteve të Bashkuara do të përkthehet në terma konkretë edhe për një nga veprat më të rëndësishme energjitike të vendit, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Kryeministri Rama tha se pala amerikane do të ofrojë ekspertizën e saj, teknologjinë si dhe financim për realizimin e këtij projekti së bashku me qeverinë shqiptare.

Memorandumi i firmosur mes ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe kompanisë amerikane Bechtel "do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50 vjeçare që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë", nënvizoi kryeministri Rama.

Edhe për N/Sekretarin amerikan realizimi i Skavicës “është një projekt ambicioz shumë i nevojshëm që të forcojë sigurinë energjitike dhe përfitime mjedisore për Shqipërinë. Nuk mendoj që mund të kishit zgjedhur një partner më të mirë për hidrocentralin tuaj se sa firma që ndërtoi digën më të famshme në SHBA, digën Hoover dhe projekte të tjera të famshme të ndërtimit. Ky projekt historik do të jetë një pasuri kombëtare për popullin e Shqipërisë dhe që vazhdon të ndërtohet mbi lidhjet tona tashmë të ngushta”.

Në bisedimet në Tiranë, një vend të rëndësishëm ka zënë dhe siguria 5G. Zoti Krach tha se "kërcënimi i privatësisë së të dhënave, pronësisë intelektuale dhe sigurisë kombëtare vjen nga ndërhyrja e aktorëve malinj siç është Partia Komuniste kineze". Ai vlerësoi mbështetjen e hapur që Shqipëria i ka dhënë nismës amerikane për Rrjet të pastër, e cila "trajton kërcënimet afatgjata të privatësisë së të dhënave, të sigurisë, së të drejtave të njeriut dhe bashkëpunim parimor paraqitur botës së lirë. Rrjeti i pastër është i rrënjosur me standardet e besimit të gjithanshëm të pranuar ndërkombëtarisht. Ai përfaqëson ekzekutimin e një strategjie shumëvjeçare të ndërtuar mbi një koalicion partnerësh të besuar, vendesh dhe kompanishë. Rrjeti i pastër në fakt ka çuar në një valë vendesh që kanë marrë një qëndrim parimor kundër shitësve jo të besueshëm e me rrezik të lartë siç është Huawei".

Kryeministri Rama nga ana e tij theksoi se “Shqipërisë dhe rajonit i duhet një qasje strategjike për të patur një rrjet të sigurtë në procesin e kalimit në nivele të tjera të digjitalizmit dhe të transferimit të të dhënave. Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjeshtë si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogut, por si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G".

Dy ditë më parë, kryeministri Rama mori dhe një letër falenderimi nga Presidenti Trump për qëndrimin që Shqipëria ka mbajtur ndaj "ndikimeve malinje të Kinës".   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA