...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria shpall “emergjencën energjitike” ndërsa priten masat

Ndërsa nesër pritet të bëhet publik plani i masave, vendimi i sotëm i qeverisë parashikon ngritjen e një grupi institucional për administrimin e emergjencës, si dhe urdhërin që tre kompanitë e sektorit energjitik të pezullojnë investimet

SHJ

08/10/2021 - 21:27

Qeveria vendosi sot të shpallë emergjencën në furnizimin me energji elektrike. Sipas kryeministrit Rama, një vendim i tillë diktohet nga rritja marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Qeveria pritet të shpallë nesër planin e masave për përballimn e situatës, ndërkohë që me vendimin e sotëm ka urdhëruar pezullimin e investimeve në të tre kompanitë e sektorit energjitik. Opozita nga ana e saj edhe sot foli për një krizë të keqmenaxhimit.

Vendimin për shpalljen e emergjencës energjitike qeveria e mori gjatë një mbledhjeje të saj jashtë radhe, ndërsa pak ditë më parë kryeministri Rama kishte paralajmëruar për një situatë të jashtëzakonshme.

“Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative”, deklaroi kryeministri. Gjendja e emergjencës do të jetë në fuqi deri në mesin e prillit të vitit të ardhshëm.

Në Europë rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë elektrike, ka pasuar rritjen e çmimit të gazit, qymyrit apo dhe naftës. Efektet në Shqipëri, vijnë për shkak të faktit se vendi në këtë periudhë është i detyruar të importojë për të mbuluar pamundësinë e furnizimit nga prodhimi vendas. Çmimet aktuale të importit kanë kërcyer në nivele shumë të larta. Kryeministri Rama deklaroi se synimi i qeverisë “është që të mbrojë konsumatorët, me një rend prioritetesh nga poshtë lartë. Ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart", por pa shpjeguar se në çfarë mënyre.

Zoti Rama la të kuptohej një zgjidhje që nuk do kalonte përmes prekjes së çmimit për qytetarët: “Nëse zgjidhja do të ishte, po rrisim çmimin, atëherë nuk do të kishim bërë atë që do të bënte çdo qytetar për veten e tij”.

Megjithatë ai paralajmëroi se kjo situatë nuk do të mund të kalojë pa kosto: “Eshtë shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithshka, por i them çdo qytetari se hesapet janë hesape, dhe kjo është shtëpi e përbashkët dhe si në çdo shtëpi të vogël dhe shtëpia jonë e madhe ka mundësitë e veta jo të pakufizuara dhe ka përgjegjesinë e përbashkët për ta mbajtur atë në këmbë”.

Opozita nga ana e saj është e bindur se këtu nuk bëhet fjalë për një krizë energjitike. “Kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe me plan. I keni bilancet e operatorëve të energjisë, i keni parë si në verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji, nga burimet hidrike të shqiptarëve dhe blejnë me 3-4 fish çmimin pak muaj më vonë në tendera korruptivë duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe shqiptarëve”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Duke iu referuar shifrave, opozita u shpreh se 2021 është ndër vitet më të mira të prodhimit të energjisë në vend. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Alfred Rrushaj tha se deri në shtator është prodhuar më shumë se sa konsumi mesatar. Por kompanitë shtetërore, u shpreh ai, kanë zgjedhur të blejnë energji në periudhën e shtrenjtimit të saj. Sipas zotit Rrushaj, kostot për mbulimin me energji deri në fund të vitit mund të shkojnë në mbi 140 milion euro: “Për periudhën shtator- tetor kompania publike për të plotësuar këtë detyrim do t'i duhet të paguajnë rreth 150 milion euro. Sikur ta kishin marrë nga KESH, po ta merrni nga KESH fatura do të ishte 8 milion euro. Llogariteni vet sa është diferenca që do i kushtojë qytetarëve shqiptarë. Në cfarëdo lloj forme ose duke rritur çmimin ose nga buxheti i shtetit, në çdo rast është faturë që paguajnë qytetarët shqiptarë”

Ndërsa nesër pritet të bëhet publik plani i masave, vendimi i sotëm i qeverisë parashikon ngritjen e një grupi institucional për administrimin e emergjencës, si dhe urdhërin që tre kompanitë e sektorit energjitik të pezullojnë investimet, ndërkohë që ministria e Financave duhet të sigurojë mekanizmat financiar për përballimin e importit të energjisë. Voa

Por çfarë do të thotë shpallje e emergjencës për energjinë elektrike dhe si pasqyrohet ajo te kompanitë dhe qytetarët?

Gjithçka rrjedh nga neni 90 i ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, i cili i jep të drejtën qeverisë që të shpallë emergjencën në situatat kur ka thatësirë të madhe; kur vendi është në gjendje lufte; kur ka ndonjë avari apo fatkeqësi natyrore, etj.

Në këto rrethana, vetë shteti, nëpërmjet ministrisë së linjes merr situatën në dorë duke administruar sektorin në tërësi që prej prodhimit, tek transmetimi dhe deri tek shpërndarja tek klientët fundorë. Praktikisht, në situatën e Shqipërisë, KESH, i cili prodhon, OST që e transmeton dhe OSHEE që e shpërndan tek konsumatorët, do të punojnë si një trup i vetëm duke lënë menjanë planet e tyre të zhvillimit apo të investimit.

Qeveria ka caktuar zv.kryeministrin Ahmetaj për menaxhimin e kësaj situate, i cili përmes këtij vendimi gëzon të drejtën që të fusë në “rresht” kompanitë  e mësipërme, përfshi edhe ato private që prodhojnë energji elektrike në vendin tonë.

Sipas ligjit, krahas kompanive shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike, edhe ato private janë të detyruara që të zbatojnë planin e qeverisë në rastin e shitjes së energjisë elektrike.

Në çdo situatë, paraprakisht ato duhet t’ia ofrojnë energjinë e prodhuar fillimisht shtetit shqiptar dhe nëse ky nuk e blen, atëhere kanë të drejtë që ta nxjerrin në tregun ndërkombëtar.

“Në situata emergjente, me propozimin e ministrit përgjegjës për energjinë dhe pas marrjes së mendimit të Komitetit për Emergjencat Civile, Këshilli i Ministrave mund të vendosë mbi të licencuarit detyrimin e shërbimit publik në lidhje me sigurinë e furnizimit, duke përfshirë detyrimin e importit të energjisë elektrike, detyrimin e furnizimit vetëm të kategorive të caktuara të klientëve ose kushte të tjera të veçanta në kryerjen e aktiviteteve të licencuara. Ky detyrim do të jetë në përpjesëtim me emergjencën dhe nuk duhet të shtrihet përtej periudhës së nevojshme për kapërcimin e kësaj situate”, përcaktohet në ligj në lidhje me kompanive private.

Në këtë situatë, nëse energjia elektrike e siguruar nuk mbulon të gjithë nevojën e tregut, do të jetë ministri përgjegjës ai që vendos se cilit sektor dhe kur do t’i ndërpritet energjia elektrike. Por, ashtu siç i jep kompetenca të forta ekzekutive qeverisë për menaxhimin e krizës së energjisë pas shpalljes së emergjencës, ligji parashikon edhe detyrime. Shteti shqiptar është përgjegjës për mbulimin e kostove shtesë të kompanive private në rastet kur pësojnë humbje nga shitja e energjisë elektrike kompanive publike shqiptare.

Shqipëria konsumoi 7.5 milion MWh energji elektrike gjatë vitit të shkuar sipas raportit të ERE-s, ku 5.3 milion MW/h u prodhuan në vend nga HEC-et, kurse pjesa tjetër, rreth 2.2 milion MWh u importuan.

Nga totali prej 5.3 milion MWh që prodhohen në vend, rreth 3.1 milion MWh është energji elektrike e prodhuar nga HEC-et në varësi të KESH, kurse pjesa tjetër nga HEC-et private. Kështu, krahas prodhimit të KESH, vendimi i sotëm i qeverisë do të ndikojë pikërisht edhe energjinë elektrike të prodhuar nga HEC-et private.

Kujtojmë që viti i shkuar pati një kërkesë të ulët për energji elektrike pasi ekonomia nuk ishte në performancën maksimale për shkak të pandemisë, ndërsa pritet që kërkesa gjatë këtij viti të jetë edhe më e madhe.

Energjia elektrike në vitin 2020

Konsumi total: 7.5 milion MWh

Prodhimi vendas: 5.3 milion MWh

Nga KESH: 3.1 milion MWh

Nga HEC-et private: 2.2 milion MWh

Importi: 2.2 milion MWh

Abcnews

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA