...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shqipëria vazhdon të ‘udhëheqë’ rajonin në zvetënim (korrupsion) - TI

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja.

SHJ

30/01/2024 - 13:59

Shqipëria u vlerësua në vitin 2023 me një pikë më shumë se vitin e mëparshëm në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke shënuar 37 pikë dhe duke u radhitur në vendin e 98-të mes 180 vendeve, sipas organizatës Transparency International.

Të martën kjo organizatë publikoi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit dhe raportin për gjendjen e korrupsionit në botë. Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.

Në raport thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut.

“Por përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim varet nga zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive ndaj degës ekzekutive”, thuhet në raport.

Transparency International thotë se vendimi për krijimin e një ministrie të re ngarkuar me luftën kundër korrupsionit shoqërohet me pritshmërinë për mekanizma efektivë të integritetit.

“Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe nëse organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thuhet më tej në raportin e Transparency International.

Këtë vit, sipas organizatës shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik. Në vitin 2022 Shqipëria ishte radhitur në vendin e 101. Që nga viti 2012, Shqipëria është përmirësuar me 4 pikë.

Transparency International thotë se bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë dhe vendet që kanë sisteme të dobëta drejtësie kanë nivele të larta korrupsioni.

“Korrupsioni do të vazhdojë të lulëzojë derisa sistemet e drejtësisë të mund të ndëshkojnë shkeljet dhe të mbajnë nën mbikqyrje qeveritë. Kur drejtësia blihet ose ndaj saj ndërhyhet politikisht, janë njerëzit që vuajnë pasojat. Udhëheqësit duhet të investojnë plotësisht tek insitutcionet që respektojnë ligjin dhe luftojnë korrupsionin dhe të garantojnë pavarësinë e tyre. Është koha për t'i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, shprehet në publikimin e raportit kreu i Transparency International, François Valérian.

Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re, me 87 dhe 85 pikë respektivisht. Somalia me 11 pikë, Venezuela me 13 pikë, Siria me 13 pikë, Sudani i Jugut me 13 pikë dhe Jemeni me 16 pikë zënë vendet e fundit në Indeks.

Rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore ku bën pjesë Shqipëria ka rezultate shqetësuese me një mesatare prej 35 pikësh nga maksimumi prej 100 pikësh, i dyti me rezultatin më të dobët pas Afrikës Nën Sahariane.

“Hapat mbrapa në demokraci dhe dobësimi i sistemeve të drejtësisë, që janë mjaft të përhapura, po minojnë kontrollin ndaj korrupsionit, ndërsa institucionet si policia, prokuroria dhe gjykatat shpesh nuk janë në gjendje të hetojnë dhe ndëshkojë ata që abuzojnë me pushtetin”, thuhet në raport.

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja.

Në këtë nëngrup bëjnë pjesë Ukraina dhe Rusia dhe raporti thotë se lufta dhe inflacioni kanë rritur nivelet e varfërisë dhe për këtë arsye është thelbësore që udhëheqësit të veprojnë për të mirën e përbashkët.

“E megjithatë ka shembuj të panumërt të zyrtarëve publikë që ndikojnë sistematikisht mbi politikat dhe institucionet për të rritur fuqinë e tyre dhe vjedhin fondet publike. Udhëheqësit duhet urgjentisht të forcojnë sundimin e ligjit, të drejtat dhe demokracinë, por në fakt shumë prej tyre po i sulmojnë sistematikisht”, thotë raporti.

“Në të gjithë rajonin, shumë qeveri kontrollojnë gjyqësorin dhe institucionet e zbatimit të ligjit ruajnë pandëshkueshmërinë për korrupsionin për ata në qarqet e tyre të privilegjuara”, thotë Transparency International, duke theksuar se për Gjeorgjinë dhe vendet në në Ballkanin Perëndimor, “këto praktika të vazhdueshme janë pengesa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”

Shqetësim për mungesën e vullnetit politik në Kosovë për një gjyqësor të pavarur

Gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, duke shënuar 41 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikoi të martën Transparency International dhe duke u radhitur në vendin e 83 mes 180 vendeve që analizohen në raportin e përvitshëm të kësaj organizate.

Transparency International shpreh shqetësim për mungesën e përparimit, duke thënë se veprimet kundër korrupsionit ende nuk janë në lartësinë e përparimit demokratik që ka shënuar Kosova në drejtim të zgjedhjeve e lira dhe kalimit paqësor të pushtetit.

“Megjithë përpjekjet e vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë e sistemit e drejtësisë, si për shembull ngritja e procesit të vetingut dhe miratimi i një ligji të ri që mund të forcojë integritetin në Këshillin e Prokurorisë, po ecin me një ritëm shumë të ngadaltë”, thuhet në raport. Por sipas raportit, çka është më shqetësuese është mungesa e vullnetit politik për një pavarësi të sistemit gjyqësor.

“Më keq akoma, ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, pasqyruar me rastin e shkarkimit të kreut të njësisë së posaçme të hetimeve të policisë, si edhe pengesa nga deputetët e shumicës e një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar të korrupsionit madhor, lënë të kuptohet se ende nuk ekziston vullneti politik për të mos ushtruar kontroll dhe për të konsoliduar mbikëqyrjen e pavarur”, thuhet në raport.

Që nga viti 2012 kur kishte 34 pikë në Indeks, Kosova ka pasur një përmirësim prej 7 pikësh.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Sipas raportit, për shkak të dobësive ndaj presionit politik, sistemet e drejtësisë në Bosnje dhe Hercegovinë që ka këtë vit 35 pikë (një pikë më shumë se vitin e kaluar) dhe Serbia që ka 36 (i njëjti nivel si vitin që kaloi) në masë të madhe nuk janë në gjendje të ndjekin penalisht dhe sanksionojnë zyrtarët publikë që abuzojnë me postet.

“Serbia po përjeton një rënie demokratike, ndërsa qeveria e saj autokratike përdor ligje të veçanta për të kufizuar transparencën në projektet në shkallë të gjerë”, thuhet në raport.

Maqedonia e Veriut është vlerëuar me 42 pikë në vitin 2023 nga 40 pikë që kishte vitin e mëparshëm, por raporti vë re se sapo filluan të ndjehen disa shenja të lehta përparimi, gjyqësori i Maqedonisë së Veriut u dëmtua ndjeshëm nga ndryshimet e bëra në mënyrë jodemokratike në kodin penal.

“Vendimi për uljen e dënimeve për abuzimin me postin zyrtare për përfitime personale dhe shkurtimi i afateve për ndërmarrjen e procedurave ligjore për rastet e dyshuara për korrupsion, është një favor i madh për personat e korruptuar”, thuhet në raport.

Megjithëse Mali i Zi ka 46 pikë, një pikë më shumë se vitin e kaluar, Transparency International thotë se rasti i tij tregon se si kapja e mëparshme e shtetit mund të lërë pasoja afatgjata tek institucionet.

“Përparimi i ngadaltë në procedimin e rasteve (të korrupsionit) dhe vështirësitë për të rindërtuar një gjyqësor funksional nxjerrin në pah se sa rëndë e shkatërruan sistemin e drejtësisë kapja nga ish-regjimi dhe krimi i organizuar”, thuhet në raport.

Transparency International thotë se qeveria aktuale duhet t'u japë përparësi veprimeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.   

Në këtë raport ka kontribuar Voa dhe Rel-i

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA