Spak-u nuk ka filluar asnjë hetim ndaj Berishës dhe Metës
Nuk ka një procedim të regjistruar në emër të Ilir Metës apo Sali Berishës lidhur me dosjet e shumëpërfolura të ‘CEZ-DIA’, ‘21 janari’ apo ‘Gërdeci’
Euronews Albania
12/05/2022 - 08:37
Euronews Albania iu drejtua zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme dhe e pyeti nëse ka një hetim për ngjarjen e 21 janarit 2011 ku në bulevard u vranë 4 protestues të opozitës.
Përgjigjja zyrtare e SPAK ishte se nuk po heton për këtë çështje. Euronews Albania e pyeti SPAK edhe për dosjen CEZ-DIA, për të cilën i vetmi person ende në burg është biznesmeni Kastriot Ismailaj, pronari i kopanisë DIA.
Në 2009 Prokuroria kishte kapur një përgjim mes tij dhe Ilir Metës, ku supozohej që ky i fundit i kërkonte para. Por dosja u pushua dhe të gjitha materialet hetimore u asgjësuan në bazë të ligjit shqiptar.
Asnjë hetim nuk ka për Ilir Metën lidhur me këtë çështje, ishte përgjigjja e SPAK për Euronews Albania.
Ndërsa për dosjen “Gërdeci” kjo prokurori ka një hetim dhe personi i vetëm që hetohet është Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes.
Prej tri javësh kryeministri Edi Rama kërkon nga SPAK hetimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 29 reads