...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çfarë i duhet “Akademisë së Shkencave” dhe pse u shkatërrua figura e Mësuesit?

Gjykuar nga kjo gjendje dhe nga mendësia e Ramës —në terma shkencorë dhe demokratikë Rama është më keq se akademikët— Akademia e Shkencave ka shumë pak mundësi për t’u përmirësuar dhe për të na sjellë punë të dobishme për popullin dhe jetën që na rrethon

Ylli Përmeti

11/09/2017 - 09:26

Nga letrat e “akademikëve” (Fuga etj.) që kam lexuar kaq kohë kuptoj se “akademikët” nuk dinë se ç’duan. Kërkojnë nga Rama që t’i reformojë pa i treguar se çfarë të “reformojë”! Dhe për t’i “reformuar” kërkojnë të takohen dhe dialogojnë. Mirëkuptimin tim se janë kërcënuar dhe çensuruar nga pushteti politik e kanë. Por të mos kenë kuptuar kaq kohë se çfarë i duhet Akademisë – është e dhimbshme dhe e papranueshme. Dhe ja si mund të kthehet akademia në qendrën e shkencës së dëshiruar:

Së pari, duhet të kuptojmë se natyra e akademisë shekullin e kaluar ishte ‘natyraliste’. Domethënë, kishte marrë orientimin shkencor që mori sistemi: u përqendrua kryesisht (për mos të thënë tërësisht) në shkencat e natyrës. Vitet e “demokracisë” përfaqësuese dhe kapitalizmit ajo u përqendrua kryesisht në shkencat sociale. Kujtoj se historia –siç është konceptuar— nuk është shkencë. Por përshkrim i një dinamike (të një populli apo individi). Kështuqë historianët e akademisë nuk mund t’i klasifikojmë si “shkencëtarë”. As albanologjia ose gjuhësia në përgjithësi nuk është shkencë. Se cilat disiplina mund të konsiderohen shkencë dhe pse - e ka bërë të qartë babai i shkencës: Aristoteli. Mjafton ta studiojmë. Kështuqë studimet e shekullit të kaluar që kanë dalë nga akademia e shkencave (histori; agronomi etj.) nuk kanë patur karakter “shkencor” por “disiplinar”. Domethënë, kanë qenë studime të përqendruar në disiplina të veçanta dhe nuk kanë qenë sistemike — domethënë, një gërshetim i shkencave sociale me shkencat natyrale. Për shembull, të studiosh agronomi, pa studiuar sociologji dhe anasjelltas, është “dritë” e kufizuar. Shkurt, akademia operonte në një “eskstrem” disiplinor dhe shkoi në një “ekstrem” tjetër. Njerëzit që vlerësojnë dhe gjykojnë punët ‘shencore’ rrjedhimisht, janë me dije të pjesshme shkencore, sidomos në shkencat sociale. Si mund, fundja, të gjykojë drejtë një punë shkencore të shkencave sociale një njeri që është kualifikuar në shkencat e natyrës dhe anasjelltas? Qartësisht, Akademia e Shkencave duhet të krijojë një balancë mes studiuesve të shkencave të natyrës dhe shkencave sociale në punëtorinë e saj. Nga kjo ‘balancë’ mund të pretendohet një lloj objektiviteti në vlerësimin dhe akreditimin e punëve shkencore.

Së dyti, akademia e shkencave ka trashëguar një traditë organizative hierarkike dhe nuk do të ishte e çuditshme që ajo të kërkojë “reforminim” e saj nga Rama. Domethënë, kuadri operativ ka qenë gjithnjë i diktuar nga pushteti politik. Dihet se pushteti politik –sidomos pushtetet shumë dekadashe- kërkojnë një individ për t’u marrë vesh për orientimin e saj shkencor. Kështuqë kryetari i akademisë do të ishte me autonomi të cënuar pavarësisht se si mund të zgjidhësh: demokratikisht (nga punëtorët e akademisë) apo i emëruar nga pushteti politik. Zgjedhjet e fundit, për shembull, ishin jodemokratike: sepse u vetë-propozuan (në djeninë time) krerët e akademisë për t’u rizgjedhur! Kjo është një praktikë që ndjekin dhe partitë. Por me disa ndryshime. Kryetari i një partie miraton kandidimin e një individi dhe populli voton. Apo rasti i krijimit të qeverisë “Rama2” ku Rama vetë i zgjodhi dhe vetë i emëroi...ministrat. Këto janë praktika ekstremisht jodemokratike dhe jopedagogjike: sepse që të sigurohet një shkallë e lartë ‘autonomie’ ose ‘pavarësie’ e institucioneve publike (dhe jo vetëm, por dhe të sigurohet meritokracia dhe drejtësia) kandidatët propozohen nga vetë trupa e institucionit përkatës, shqyrtohen nga vetë ata kontributet, cilësitë ose virtytet e tyre dhe kështu kalojnë në votëbesim. Të hamendësosh se këtë praktikë nuk e njohin “akademikët” tanë, do të ishte spekulative. Por kur nuk e shikojmë të parashtruar në letrat e tyre përfundojmë se nuk e njohin. Këto praktika –në të vërtetë- njihen kryesisht nga filozofia politike. Akademisë sonë kjo disiplinë tejet e nevojshme i mungon. Shekullin e kaluar kishin Marksin. Mirëpo Marksi nuk i ndihon me literaturë organizative dhe demokratike. Kështuqë kanë mbetur “jetimë” dhe në duart e “reformave” të Ramës apo çdo “rame” që mund të vijë nesër!

Efekti që kishte Akademia e Shkencave në socializëm tek mësuesit ishte i madh; roli i saj ishte shkencor dhe nga ajo kërkohësh puna teorike për gjithë sistemin: edhe nëse mësuesit ‘çalonin” në shkencë, dinamika që krijonte Akademia në raport me sistemin ishte e tillë që të “shkencëronte” edhe mësuesit. Dihet se mësuesit e cikleve të ulët janë pasivë në dije — në kuptimin se roli i tyre është të transmetojnë dijen e librave që parashtronte akademia e shkencave. Në këtë kuptim ata me të vërtet nuk bëheshin dot aktivë — domethënë prodhues të dijes ose rishikues të saj por dinamika që krijohësh mes akademisë, mësuesve dhe sektorëve të ekonomisë, kishte efekt edukativ për mësuesit. Me prishjen e rolit të Akademisë së Shkencave, ose degjenerimit të saj në një institut pa identitet (orientim shkencor) dhe pa demokraci institucionale (vendime dhe zgjedhje demokratike), degjeneroi dhe figura e mësuesit: ata u bënë edhe më pasivë në dije. Rolin e akademikëve e morën ‘opinionistët’ e televizioneve private. Nuk është e rastit që mësuesit dhe më shumë pedagogët citojnë në mësimdhëniet dhe “doktoraturat” e tyre pikërisht opinionistët e tipit Bushati, Lubonja etj. Figura e mësuesit rrjedhimisht do të rifitonte autoritet vetëm nëse ata do të kishin një akademi shkencore të mirë-orientuar dhe mirë-administruar. Ndryshe, çdo lloj “reforme” në sistemin arsimor (duke hequr një prift dhe vendosur një hoxhë) do të ishte pa asnjë efekt qoftë për sjelljen e mësuesve dhe pedagogëve qoftë për shoqërinë.             

Përmblethtas, Akademia e Shkencave ka dy probleme kryesore: njëri buron nga orientimi i saj (përbërja e punëtorisë akademike nuk është në respekt të shkencave sociale dhe natyrale...të balancës së tyre) dhe tjetri nga mungesa e kuptimit të formës organizative të institucionit përkatës. Gjykuar nga kjo gjendje dhe nga mendësia e Ramës —në terma shkencorë dhe demokratikë Rama është më keq se akademikët— Akademia e Shkencave ka shumë pak mundësi për t’u përmirësuar dhe për të na sjellë punë të dobishme për popullin dhe jetën që na rrethon.           

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA