...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse gënjejnë politikanët? (Replikë me Fatos Tarifën)

Kur njerëzit s’kanë të vërteta në mendje ata gjithnjë do të gënjejnë.

Ylli Përmeti

13/06/2017 - 11:02

Kur njerëzit s’kanë të vërteta në mendje ata gjithnjë do të gënjejnë.

 

Për njerëzit e ndjeshëm bota që na rrethon është plotë dhimbje. Por ajo është edhe më e dhimbshme kur përballesh me “edukatorë” të sistemit arsimor të cilët supozohet se kanë kuptuar dhe treguar shkaqet e krizave sociale. Njëri nga këta “edukatorë” është Fatos Tarifa, i cili shkruan në shtypin e përditshëm me tituj shkencorë dhe në rolin e drejtorëve të sistemit tonë arsimor dhe universiteteve me “emër”. Në një nga shkrimet e tij të fundit ai shqyrton shkaqet se pse gënjejnë politikanët. Për të na bindur ai citon disa studime të psikologëve, të cilët e fillojnë studimin nga gënjeshtrat e fëmijëve, shkon më tej duke na citur disa autorë (Platonin, Makiavelin dhe Kantin) dhe “harron” Aristotelin...duke përfundur me vlerësimin e tij pozitiv për kryebashkiakun e Tiranës, i cili, ndryshe nga të tjerët, sipas tij, i mban premtimet dhe bën punë të mira, duke e ilustruar me sheshin Skënderbej![1]

Por Aristoteli, ndryshe nga çdo autor, e fillon shqyrtimin e gënjeshtrës (dhe çdo koncepti tjetër) nga antonimi i saj. Domethënë, nga e kundërta e saj: nga e vërteta. Se kur është dhe pse është një njeri i ‘vërtetë’. Një njeri i vërtetë, sipas Aristotelit, është njeriu që ka zhvilluar virtytet etikë dhe intelektualë. Me virtyte etikë Aristoteli kupton virtytet ‘zakonor’. Për shembull, virtyti i solidaritetit është një virtyt etikë. Ai fitohet gjatë zhvillimit tonë dhe përmes edukimit. Ndërsa virtytet intelektualë janë të natyrës shkencore. Domethënë, të fitimit të veglave teorike për të kuptuar shkaqet e dukurive. Këta virtyte janë në vetë-vete dije. Në kuptimin e sapo përmendur: të kuptimit të shkaqeve të dukurive dhe pse jo, të kuptimin të shkakut përfundimtar. Gjykuar nga kjo qasje, por dhe nga kuptimi i natyrës së pushtetit politik (dhe çdo pushteti tjetër, social, ekonomik dhe ekologjik), ne mund të gjykojmë politikanët.

Së pari, ata janë produkt i një shoqërie e cila ka patur një sistem arsimor dhe vlera dominante. Nëse gjykojmë nga politikanët tanë, ata janë produkt i socializmit marksist ku solidariteti ishte institucionalizuar. Por edhe shkenca. Kryesisht shkencat e natyrës. Shkencat sociale u zhvilluan shumë pak meqënse Marksi nuk kontriboi në to mjaftueshmërisht. Kështuqë politikanët tanë duhet të kishin zhvilluar solidaritetin dhe virtytet intelektualë falë sistemit dhe vlerave të tij dominante. Por gjykuar nga pamjaftueshmëria e veglave teorike të Marksit dhe pamjaftueshmëria e tij për të kontribuar në shkencat sociale, mund të themi se njerëzit e zhvilluar në një sistem socialist ku dominon ‘marksizmi’ do të jenë me vegla teorike të pamjaftueshme. Sa i përket solidaritetit që mund të kenë zhvilluar përgjatë socializmit anëtarët e klasës sonë politike, ai shkatërrohet në sistemin aktual: sepse ideologjia mbizotëruese e sistemit aktual është “konkurrenca, individualizmi dhe konsumerizmi”. Kur dominon konkurrenca dhe individualizmi në një shoqëri — grimcat e solidaritetit reduktohen, për mos të thënë, zhduken. Ato zhduken edhe më shumë, kur vetë politikanët profesionistë lakmojnë më shumë se gjithçka tjetër pushtetin politik dhe propagadojnë konkurrencën.

Së dyti, dhe gjykuar nga virtytet e mundshëm që mund të kenë zhvilluar përgjatë socializmit, dhe mënyra se si administrohen partitë, dhe nga cilët individë —Berisha, Rama, Meta etj.— mund të kuptojmë shkaqet – madje dhe shkakun përfundimtar, se pse politikanët gënjejnë, mashtrojnë dhe kriminalizojnë gjithë shoqëritë: keqedukimin e tyre. Sepse një njeri i mirë-edukuar do të mbrojë gjithnjë të vërtetën dhe ‘e vërteta’ kërkon vegla teorike që të dëftohet. Kur mbrojnë, për shembull, politikanët profesionistë, konkurrencën si ‘mekanizëm’ zhvillimi të njeriut dhe të tregut të marketingut, ata e bëjnë nga padija: sepse zhvillimi i njeriut nuk varet nga konkurrenca por nga dija. Dhe kjo e fundit lidhet drejtpërdrejt me shkencën dhe kuptimin e sistemit dhe vlerave të tij dominante. Për shembull, me të vërtetë në socializmin marksist shoqëritë u përqendruan te shkenca (kryesisht te shkencat e natyrës) por vlerat dominante të tij —në njërën anë solidariteti dhe në tjetrën lufta e klasave— ishin të papërputhshme.

Dhimbshëm, siç janë politikanët profesionistë, janë dhe të ashtuquajturit “doktorë” të shkencave sociale. Pakuptimësia e Tarifës, për shembull, lidhur me shkaqet se pse politikanët gënjejnë, dëftohet mjaft qartë kur krahason gënjeshtrat e fëmijëve me gënjeshtrat e rriturve! Por supozohet se një fëmijë është në fazë zhvillimi dhe kur rritet është bërë –falë edukimit— mbrojtës i të vërtetës. Gjykuar se nga kush edukohen fëmijët tanë – mund të kuptojmë dhe shkaqet se pse ata nuk ‘rriten’ në të vërtetë. Shkurt, kur njerëzit nuk kanë të vërteta (në kuptimin e lartë përmendur) në mendje ata gjithnjë do të gënjejnë. Se çfarë kërkohet, rrjedhimisht, është e qartë: ose kuptimi i Aristotelit dhe veglave të tij teorike ose kuptimi i sistemit dhe vlerave dominante të tij në raport me natyrën njerëzore dhe shkencën.     



[1]Pse gënjejnë politikanët? Dita, 12 qershor, 2017.

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA