...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Z. Kryeministër: rrëfej përvojën time në zyrat e shtetit*

Kronologjia e një legalizimi banese “falas”: rast studimi

Ylli Përmeti

09/07/2017 - 11:39

Gjykuar ngasa kam analizuar në këtë studim, reforma në administratë, nuk do të sjellë asnjë risi në administrimin e institucioneve publike. Përkundrazi, ajo do të riprodhojë problemet që kishte krijuar administrata pararendëse dhe do të rrisë, edhe më shumë, pabarazitë. Sepse ajo u imponua pa kuptuar ministri përkatës, dhe përgjithësisht qeveria “Rama”, shkaqet e degjenerimit të administratës publike. Mjafton të përmendet çështja e legalizimit “falas” të tokave ku janë ndërtuar ndërtime pa leje. Unë, për shembull, kam ndërtuar një banesë të vogël dhe për ta “legalizuar” hoqa të zitë e ullirit. Kujtoj se dhimbja ime nuk ishte sa dhimbja e qytetarëve të tjerë: sepse në përgjithësi di se si administrohen institucionet publike dhe nxisë, me autoritetin tim, përshpejtimin e procesit. Por, po përmend këtu, fazën e dytë të lagalizmit me qëllim që të kuptojmë se si reforma në administratën publike nuk ka zhvilluar asnjë koncept dhe praktikë virtuoze.

Legalizimi ose, shqip, ligjësimi i banesës kaloi nga procesi që vijon: si fillim, nga topografët. Ndenji atje dosja rreth një muaj. Pastaj dosja shkoi në zyrat kaotike të ALUIZN-it. ‘Kaotike’ në kuptimin që zyrat dhe rolet ishin “organizuar” në mënyrë kaotike dhe për pasojë, i tillë ishte administrimi i dosjeve dhe i publikut. Ndenji pak ditë aty dhe më telefonuan për ta tërhequr dhe proceduar më tej. Pas tërheqjes duhet të paguaja topografët për “relevimin”, 50 mijë lekë. Koha zgjati 24 orë. Pas kësaj çështje shkova në Bashki për të paguar taksën. Parashtrova fletëkërkesën dhe prita dy ditë për fillimin e pagimit të taksave. Pasi më dhanë përllogaritjen e taksës, rreth 170 mijë lekë, shkova në bankë private për ta paguar bashkë me komisionin. Pasi pagova te kjo e fundit, shkova përsëri në Bashki për të marrë vërtetimin se kisha paguar. Duhet të prisja dy ditë!

Pas dy ditësh shkova dhe e tërhoqa. Kujtoj se ishte një vërtetim i gatshëm. Thjesht plotësohen të dhënat dhe firmoset nga kryebashkiaku. Pasi mbarova dhe me këtë çështje - shkova në hipotekë. Në hyrje ishte vendosur një kompjuter që të pajiste me numër rradhe. Numri i ishte 125 ndërkohë që po i shërbenin nr 65. Prita rreth pesë orë për të më ardhur rradha. Ndërkohë që kishin kaluar rreth 30 vetë: sepse shumë largoheshin për shkak të vonesës dhe krijonin hapësirë për të përshpejtuar procesin. Si fillim kalon te sporteli i parë. Aty duhet të presësh rreth dhjetë minuta për të mbaruar procesi i regjistrimit në kompjuter. Pastaj kalon në një sportel të dytë për të paguar koston e postës. Pas këtij veprimi, pak minutësh, kalon në një sportel të tretë: për të mbylluar gjithë procesin. Por jo pa shkuar në një bankë private për të paguar shërbimin e hipotekës. Shkova, pagova dhe e dorëzova.

Gjithë ky proces më kushtoi më shumë se një muaj e gjysmë, disa kilometra rrugë, lartë e poshtë, dhe mbi 300 mijë lekë. Pas kësaj kohe, më lajmëroi hipoteka se në dosjen time ishte bërë një gabim dhe shkoi përsëri në zyrat e ALUIZNIT. Që nga ajo ditë ka kaluar rreth një vit dhe leja (ose çertifikata) ende s’më ka ardhur në shtëpi!  

Kujtoj se ndërsa unë prisja të mbaroja gjithë këtë proces — aty ishte një qytetar i moshuar që përpiqësh të ndryshonte një ‘i’ në mbiemër: sepse ia kishin shkruajtur gabim dhe nuk mund të procedonte më tej në çështjen e tij. Për ta ndryshuar ndenji thuajse sa unë dhe s’la njeri –të administratës- pa folur! Ndërsa prisja, më duhet ta hetoja çështjen, nga këndvështrimi administrativ. Ndalova një punonjës aty dhe fillova: cili është përgjegjësi i personelit, e pyta. Mungon sot, më tha. Zhvilloni ndonjë mbledhje ditore apo javore i them. Jo më thotë. Ndonjë herë vjen “shkurtabiqi” nga Tirana, tha, dhe shkarkon ndonjë punonjës. Cili është ky i them? Ma përshkroi dhe e kuptova cili ishte: Ilirian Muho, kryeregjistruesi. Vetëm kaq i them? Po thotë!

Nëse gjykoje nga veprimet e punëtorëve ata ishin edhe abuzivë edhe të dhunuar. ‘Abuzivë’ me kohën dhe të ‘dhunuar’ nga hierarkia institucionale. Dhe dihet se kur abuzon me kohën - zvogëlohet efiçenca. Në këtë rast, efiçenca shprehet me zvogëlimin e kohës së njerëzve që prisnin. Ndieja keqardhje. Por s’kisha se çfarë të bëja: ata vetë, mendoja, i janë përshtatur diktatit të brendshëm institucional —për hir të rrogës dhe...zyrës—, dhe vetë vuajnë. Por kjo s’do të thotë se nuk është detyra jonë t’i zgjojmë punonjësit e administratës dhe t’i edukojmë se si administrohen institucionet me efiçencë, harmoni dhe pse jo: me lumturi.

Administrimi i institucioneve publike, rrjedhimisht, duhet të rikonceptohet. Nuk duhet, domethënë, të administrohen vetëm me ligje të shkruajtur në letër dhe kontrolle “nga lartë”, siç administrohen aktualisht. Sepse veprimet e punonjësve në institucionet publike janë kryesisht veprime që përdorin “urtësinë praktike”. Domethënë, ‘një gjendje e vërtetë dhe e arsyetueshme për të vepruar drejtë në lidhje me gjërat që janë të mira ose këqija për njeriun’.[1] Kjo gjendje realizohet vetëm duke zhvilluar njëherësh virtytet etikë (kryesisht virtytin e solidaritetit) dhe intelektualë (kryesisht virtytin e drejtësisë dhe kritikës).

Për t’i zhvilluar këta virtyte imponohet gjithëpërfshirja e punonjësve në mbledhjeve në çdo sektor të institucionit ku dhe vendosen objektivat e përgjithshme: domethënë, të tregojnë, me veprime konkrete, solidaritet, drejtësi dhe kritikë në raport me punonjësit e sektorit dhe qytetarët.

Thirrja e kryministrit Rama kundrejt qytetarëve për të ‘ndarë përvojën’ (‘eksperincë’ e quan e kryeministri...duke vërtetuar edhe një herë dashurinë e tij për fjalët e huaja!) e tyre negative në zyrat e shtetit me kryeministrin është e gabuar: sepse edhe nëse qytetarët rrëfejnë përvojën e tyre çështja e keqadministrimit të institucioneve publike nuk zgjidhet.

Sigurisht, kryeministri mund të pushojë ndonjë ofiqar. Por pushimi nga puna dhe kuptimi i problematikës ndryshon si nata me ditën. Dhe Rama (dhe jo vetëm Rama) nuk mund të edukohet për administrimin publik kur është në pushtet. Ky i fundit i ekzalton njerëzit dhe veçanërisht njerëzit që s’kanë marrë dije teorike në administrimin publik dhe s’kanë zhvilluar ndonjë virtyt të qendrueshëm. Domethënë, në sintezat e ndryshme administrative.  

*Shkrimi është shkëputur nga një studim mjaft i gjerë me titull, 'Administrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne në rend demokratik', i cili do të publikohet së shpejti.    



[1]Aristotle, N. M. Ethics, f, 52.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA