Kronologjia e rrënimit të autonomisë së Kosovës nga Federata Jugosllave/Serbia
Si pasojë e atyre ligjeve, atyre vendimeve dhe atyre masave, përveç suprimimit të autonomisë politike-juridike të Kosovës, u bë uzurpimi, plaçkitja dhe shkatërrimi i ekonomisë së sektorit shoqëror dhe privat, përjashtimi prej punëve i më se 140.000 punëtorëve shqiptarë, të cilët u zëvendësuan me më se 50 mijë punëtorë serbë e malazezë, me të cilët u ndërrua tërësisht struktura udhëheqëse dhe struktura e punëtorëve në organet, ndërmarrjet dhe institucionet e Kosovës dhe pjesërisht edhe struktura e popullsisë, duke ndërtuar koloni e sjellë kolonë serbë, refugjatë nga Bosne-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali Zi, madje edhe nga Rumania!
Adil Fetahu
12/07/2021 - 18:12
Në vazhdën e politikës së Serbisë, fillimisht për dobësimin e më pastaj për suprimimin e plotë të autonomisë së krahinave autonome (Kosovës dhe Vojvodinës), e për të përqëndruar dhe forcuar pushtetin në Serbinë unike (sipas shprehjes: “Serbija iz tri dela, postala cela”/Serbia prej tri pjesësh u bë një dhe e tërë!), e për mbulimin formal-juridik të veprimeve, janë miratuar një varg aktesh juridike, në nivel të Federatës Jugosllave dhe të Republikës së Serbisë.
1) Së pari, Kryesia e RSFJ, në mbledhjen e saj të mbajtur më 26-27 shkurt 1989, e shpalli gjendjën e jashtëzakonshme në Kosovë.
2) Në kushte e rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës më 23 mars 1989, u detyrua të jepte pëlqimin në Amandamentet e Kushtetutës së Republikës së Serbisë, me të cilat ishte ngushtuar maksimalisht autonomia e krahinave autonome, e shndërruar praktikisht në autonomi kulturore. Ato amandamente u miratuan (vërtetuan) në Kuvendin e RS së Serbisë dhe u publikuan në “Sluzbeni glasnik” (Gazetë zyrtare) të RS të Serbisë”, nr.11/1989, dt. 28 mars 1989. Në bazë të Amandamenteve kushtetuese, të miratuara në kushte të gjendjës së jashtëzakonshme, u miratua pastaj Kushtetuta e RS të Serbisë (“Sluzbeni glasnik SRS” nr.1/1990; me miratimin e asaj Kushtetute, e filluan edhe numrimin rishtas të gazetave zyrtare te asaj Republike), ndërsa mbi bazën e Amandamenteve të Kushtetutës së Jugosllavisë, u miratua Kushtetetuta e RSFJ (27 prill 1992).
Duhet theksuar këtu se miratimi i amandamenteve kushtetuese në kushtet e ekzistimit të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ishte shkelje e parimeve dhe normave të shtetit të së drejtës. Republika e Serbisë vazhdoi më tutje me rrënimin formal-juridik dhe real-praktik të autonomisë së Kosovës në të gjitha segmentet e pushtetit. Për të “mbuluar” veprimet e dhunshme praktike të rrënimit, me akte formalo-juridike, Kuvendi i Serbisë miratoi ligje e vendime speciale, të cilat i zbatoi vetëm në Kosovë:
3) Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, të cilin e publikoi në “Sluzbeni gllasnik SR Srbije”, nr.30/1990, dt.26 qershor 1990.
4) Vendimi mbi vërtetimin se në KSA të Kosovës janë krijuar rrethana të posaçme, të cilin e shpalli në “Sluzbeni glasnik SR Srbije”, nr.31/1990, dt.26 qershor 1990 (shihni fiksionin formal-juridik: numra të ndryshëm të gazetës zyrtare, të të njëjtës datë!).
5) Si reagim ndaj rrënimit të autonomisë, deputetët shqiptarë dhe të tjerë joserbë, në mbledhjen e mbajtur para objektit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, pasi policia serbe nuk i lejoi të hynin brenda objektit, më 2 korrik 1990, miratuan Deklaratën Kushtetuese për Kosovën njësi e pavarur dhe e barabartë në Federatën (ose Konfederatën) e Jugosllavisë, si subjekt i barabartë me njësitë e tjera të Federatës ose Konfederatës (Deklarata Kushtetuese u publikua në “Gazetën Zyrtare të Kosovës”, nr.21/1990, datë 3 korrik 1990).
6) Me pretekstin kundër Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, Kuvendi i Serbisë, më 5 korrik 1990, miratoi dhe shpalli Ligjin mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës (“Sluzbeni glasnik SR Srbije”, nr.33/1990, dt. 5 korrik 199).
7) Të njëjtën ditë, Kuvendi i Serbisë, mori vendimet (nr.344; 345; 346) me të cilat ndërmori “masa të përkohëshme për mbrojtjen e vetëqeverisjes dhe të pronës shoqërore” në OPPB (Organizata e Përbërë e Punës së Bashkuar) Radio-Televizioni i Kosovës; në Ndërmarrjen Shoqërore të Përbërë “Rilindja, gazeta “Rilindja” dhe “Zëri i Rinisë”; dhe në Ndërmarrjen Shoqërore Minierat dhe Flotacioni “Kishnica dhe Novobërda”. Këto vendime të veçanta, u publikuan në gazetën zyrtare të Serbisë nr.34, të datës 5 korrik 1990.
Po atë ditë, më 5 korrik, forca të mëdha të policisë së Serbisë, të armatosura deri në dhëmbë e të shoqëruara me tanke, okupuan objektin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, Radiotelevizionin e Kosovës dhe Ndërmarrjen “RILINDJA”, prej të cilave i përzunë udhëheqësit dhe punonjësit e tjerë shqiptarë.
8) Më 26 korrik 1990, Kuvendi i Serbisë miratoi Ligjin mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme (“Sluzbeni glasnik RS”, nr.40/1990, dt.26 korrik 1990; ndryshimet dhe plotësimet e atij Ligji u bënë dhe u shpallën në “Sluzbeni glasnik RS” nr.54/1990, dt.27 shtator 1990.
Në bazë të dy ligjeve të përmendura më sipër: Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, dhe Ligjit mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme, nuk mbeti asnjë organ i pushtetit qendror ose lokal dhe asnjë ndërmarrje ekonomike apo institucion shoqëror pa i futur nën masa të dhunshme, prej të cilave u ndërrua tërë struktura udhëheqëse, u pezulluan organet vetëqeverisëse dhe u përjashtuan prej pune punëtorët shqiptarë, duke i zëvendësuar me udhëheqës e punëtorë serbë e malazezë nga Kosova, nga Serbia dhe serbë të tjerë nga Kroacia, Bosnja, madje edhe nga Rumunia! Në Kosovë nuk mbeti asnjë serb apo malazez që është i aftë për punë e të mos jetë i punësuar!
9) Disa muaj më vonë, Kuvendi i Serbisë mori vendim mbi shkarkimin e anëtarit të Kryesisë së RSFJ nga KSA e Kosovës, Riza Sapunxhiu (“Sluzbeni glasnik RS”,nr.15/1991,dt.18 mars 1991), dhe miratoi
10) Ligjin mbi ndërprerjen e punës së Kryesisë së KSA të Kosovës (“Sluzbeni glasnik RS”,nr.15/1991,dt.18 mars 1991).
* * *
Me aktet formale-juridike të cituara më sipër dhe me veprimet praktike të ndërmarra në zbatim të atyre akteve, Serbia shkeli në mënyrën më të vrazhdë parimet e shtetit të së drejtës dhe rendin juridik të ish-RSFJ, sepse një njësi federale (Serbia) e suprimoi statusin juridik të njësisë tjetër federale (Kosovës), duke ia uzurpuar kompetencat dhe autorizoi e dhunoi çdo veprimtari institucionale, ekonomike e shoqërore në Kosovë.
Krahas formave të tjera të injorimit dhe kundërshtimit të atyre ligjeve, vendimeve dhe veprimeve, disa organe, institucione, shoqata dhe individë patën ngritur procedurë në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme dhe të Ligjit mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme. Nga Gjykata e Punës së Bashkuar e Kosovës, i kontestuam të dy ligjet, me qenë se të dyja preknin në funksionet dhe veprimtarinë e Gjykatës. Nga Komuna e Gjakovës e kishin kundërshtuar Ligjin e parë, nga Shoqata e Juristëve të Kosovës poashtu i kundërshtuan të dy ligjet e përmendura. Po edhe disa individë të tjerë nga Kosova dhe nga republikat e tjera i kishin kundërshtuar ligjet e përmendura, në aspekte të ndryshme të mosoajtimit me Kushtetutën dhe kundërligjshmërisë ndaj ligjeve federative.
Me propozimet për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve të përmendura, kishim vënë në spikamë se Republika e Serbisë kishte uzurpuar me dhunë formale-juridike dhe me veprime praktike kompetencat, të cilat sipas Kushtetutës së Jugosllavisë nuk i takonin; kishte pezulluar e suprimuar të drejtat vetëqeverisëse të punëtorëve në ndërmarrjet dhe institucionet; kompetencat, autorizimet dhe të drejtat e organeve dhe bashkësive shoqërore politike (të kuvendeve, këshillave ekzekutive dhe organeve të administratës); kompetencat e gjykatave e prokurorive; kishin përcaktuar me ligj “rrethana të posaçme”, si formë e kamufluar e gjendjes së jashtëzakonshme, në një njësi federative, për të cilat ka pasur kompetencë vetëm Federata, e jo njëra njësi federative kundër njësisë tjetër.
Antikushtetutshmëria e ligjeve të kundërshtuara ishte e qartë, si nga aspekti formal-juridik, poashtu edhe nga aspekti material. Në kundërshtim me Kushtetutën federative ishin tri veprimet e Kuvendit të Serbisë të përfshira në një tërësi: 1) miratimi i Ligjit mbi veprimin e organeve në rrethana të posaçme; 2) miratimi i Vendimit mbi vërtetimin se janë krijuar kushte të posaçme në territorin e Kosovës; dhe 3) Vendimet mbi ndërmarrjen e masave të përkohshme kundër ndërmarrjeve dhe institucioneve në Kosovë. Në propozimet e paraqitura Gjykatës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë, ishin cituar dispozitat konkrete të ligjeve të kundërshtuar, duke iu referuar dispozitave të Kushtetutës dhe ligjeve federative.
Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë, pas një vonese të pakuptimtë dhe të paarsyeshme, e vonoi shqyrtimin e propozimeve të paraqitura, dhe seancën e shqyrtimit të propozimeve e mbajti më 30 maj 1991. Në atë séancë, propozimet e paraqitura i përfaqësuan këta pjesëmarrës: Avni Këpuska, në emër të Kuvendit të Komunës së Gjakovës; Shaban Kajtazi, në emër të Gjykatës së Punës së Bashkuar të Kosovës; prof.dr.Esat Stavileci dhe prof.dr.Bardhyl Qaushi, në emër Faukltetit Juridik, respektivsht në emër të Shoqatës së Juristëve të Kosovës; dhe Nikë Lumezi, sekretar për legjislacion, në emër të organeve krahinore të Kosovës. Propozimet e tyre i përfaqësonin edhe persona të tjetrë jashtë Kosovës: prof.dr Ibrahim Festiq nga Sarajeva; prof.dr.Dragqn Medvedoviq nga Zagrebi; dhe prof.dr Boshtjan Markiq nga Lublana. Në emër të Kuvendit të Serbisë, propozimet e paraqitura i kundërshtonin: Njegovan Klajiq, sekretar për legjislaion i Republikës së Serbisë, dr.Vlladan Kutleshiq, këshilltar i kryetarit të Serbisë.
Të gjithë propozuesit për vlerësimin e ligjeve të kundërshtuar, ishin të përgatitur me argumente, kishin vënë në pah mospajtimin me dospozitave konkrete të ligjeve të kundërshtuar të Serbisë, me Kushtetutën dhe kundërshtimin me ligjet federative. Por, ishte koha kur forca e argumenteve nuk vlente as bënte efekt, veçse argumenti i forcës, prandaj Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë kurrë nuk mori vendimin e vet, as për shqyrtimin as për vlerësimin e dispozitave të ligjeve të kundërshtuar. Atëherë, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Jugosllavisë ishte mr.Millovan Buzaxhiq, ndërsa raportues i séancës ishte gjyqtari (shqiptar) i asaj Gjykate, Pjetër Kola.
Kështu, ligjet speciale të Serbisë, haptas antikushtetuese dhe në kundërshtim me ligjet sistemore federative, si dhe vendimet e nxjerra dhe veprimet e ndërmarra në bazë të atyre ligjeve, edhe pse formalisht kishin karakter të përkohshëm, mbetën në fuqi dhe vepruan deri në mbarimin e luftës dhe çlirimin e Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar (1912 – 1999).
Si pasojë e atyre ligjeve, atyre vendimeve dhe atyre masave, përveç suprimimit të autonomisë politike-juridike të Kosovës, u bë uzurpimi, plaçkitja dhe shkatërrimi i ekonomisë së sektorit shoqëror dhe privat, përjashtimi prej punëve i më se 140.000 punëtorëve shqiptarë, të cilët u zëvendësuan me më se 50 mijë punëtorë serbë e malazezë, me të cilët u ndërrua tërësisht struktura udhëheqëse dhe struktura e punëtorëve në organet, ndërmarrjet dhe institucionet e Kosovës dhe pjesërisht edhe struktura e popullsisë, duke ndërtuar koloni e sjellë kolonë serbë, refugjatë nga Bosne-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali Zi, madje edhe nga Rumania!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 58 reads