...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mësime nga lagjja “Arapaj-Durrës”, kultura revolucionare suedeze dhe përpjekjet modeste të BE-së për mbetjet me një teknologji të re

Synimi në Suedi është të ndalohen njerëzit të dërgojnë mbetjet për riciklim.

Ylli Përmeti

08/01/2018 - 17:07

Keqedukimi i njerëzve lidhur me mjedisin shpaloset në shkallë të ndryshme në lagjet, fshatrat dhe qytetet ku jetojmë, sidomos në Shqipëri, të cilën e kam quajtur “bombë toksike” e cila, me rradhë, do të shkaktojë për dekada me rradhë një sërë sëmundjesh për njerëzit dhe jetën që na rrethon. Në lagjen time, për shembull, Arapaj-Durrës, shkalla e keqedukimit lidhur me mjedisin është tejet e madhe. Lagjja në fjalë është e re dhe e përbërë nga shumë krahina të Shqipërisë. Pas ndërtimit të rrugës kryesore në qendër të saj dhe rehabilitimit të ujësjellsit gjatë viteve 2016-17, një projekt që më kushtoi shumë mund,[1] një masakër e vërtetë zhvillohet lidhur me mbetjet: të ashtuquajturit “qytetarë” i hedhin mbetjet kudo dhe asnjë përpjekje serioze nuk zhvillohet për edukimin e të rinjëve nga familjet, sistemi arsimor dhe politika bashkiake. Kanalet e ujërave të bardha dhe të zeza janë thuajse përditë të mbushur me qeska mbetjesh. Vetëm kur bie shi i rrëmbyr – kanalet “pastrohen”. Por ndërsa ata “pastrohen” dhe mbushen prapë pasi pushon shiu - qelbet deti! Përpjekjet e mia për t’i edukuar —duke i kritikuar drejtpërdrejt në përballjet e mija, sa herë dëshmoj sjellje anti-ekologjike— s’kanë efektin e dëshirueshëm përsa kohë që kritika nuk kalon nga kuptimi i krizës. Për të ligjësuar sjelljen e tyre disa më thonë se tashmë është bërë e udhës; disa të tjerë, thonë se nuk vjen vera me një manushaqe (përpjeket e mija); dhe të tjerë, kërkojnë kosha mbeturinash pranë shtëpive!

Këtyre të fundit zakonisht u them se çështja e mbjetjeve nuk mund të zgjidhet duke u çuar njerëzve koshat më pranë, për disa arsye: së pari, sepse rritet kostua e Bashkisë kur dihet se bashkitë janë në krizë të përhershme ekonomike; së dyti, sepse mbledhësit e mbeturinave punojnë gjatë natës dhe kryesisht herët në mëngjes, kryesisht sepse synojnë të boshatisin koshat...dhe për shkak të natyrës së punës, bëjnë zhurmë dhe qytetarët që banojnë pranë do të ankohen (mund të shkaktohet përleshje me punëtorët e bashkisë); dhe së treti, mbetjet shkaktojnë erë të keqe gjatë verës dhe nëse një ditë nuk kalojnë automjetet e bashkisë, qelbet vendi dhe ku(r) mungon mirëkuptimi, fillojnë grindjet mes “qytetarëve”. Shpesh, për t’i racionalizuar njerëzit e komunitetit ku banoj, kam filluar t’i “kërcënoj” me forcën e ligjit: se ligji thotë kështu e ashtu dhe nëse vazhdoni kështu mund të përdorim dhe policinë.

Efektivisht, po përdor ‘frikën”, për të ruajtur mjedisin. Por disa vende ndihmojnë shumë në mbrojtjen e mjedisit duke miradministruar mbetjet. Suedia bënë pjesë në këto vende: duke ruajtur vendin e saj — ajo kontribuon në katastrofën tërësore ekologjike që ka shkaktuar tregu i marketingut dhe “demokracia” përfaqësuese, kryesisht në Perëndim dhe Lindjen e Largët (Kinë, Indi etj.), tre-katër dekadat e fundit të globalizmit neoliberal. Domethënë, ajo vërtetë ka themeluar të njëjtin sistem dhe vuan nga të njëjtat kriza (stanjacion ekonomik etj.) por për mjedisin ka punuar admirueshëm. Nuk do të ishte e çuditshme që ta admirojnë edhe britanikët dhe të tregojnë në një analizë se si ia ka arritur ajo qëllimit:    

Ndërsa Evropa synon të riciklojë 65 për qind të mbetjeve deri në vitin 2030…më pak se 1 për qind e mbetjeve të familjeve Suedeze dërgohet në vendriciklime që nga viti 2011…sistemi i tyre është i përparuar për shkak të zhvillimit të një kulture që kujdeset për mjedisin. Suedia është një ndër vendet e parë që zbaton një taksë të rëndë mbi lëndët djegëse të fosileve që nga viti 1991 dhe tani gjeneron thuajse gjysmën e elektricitet të saj nga burimet e ripërtëritshme…njerëzit suedezë janë mjaft të apasionuar për të dalë në natyrë dhe ata janë në dijeni se për çfarë kanë nevojë për të bërë për çështjet e natyrës dhe mjedisit, sepse agjentët e institutcioneve publike punuan për një kohë të gjatë me njerëzit për t’i ndërgjegjësuar që mos të hidhnin mbeturina jashtë me qëllim që t’i riciklonin dhe ripërdornin ato…Suedia ka zbatuar një politikë kohezive të riciklimit kombëtar me qëllim që ndërmarrjet private të ndërmarrin punën më të madhe për importimin dhe djegien e mbetjeve, energjia e të cilave shkon në një rrjet kombëtar ngrohës për të ngrohur banesat përgjatë dimrit ngrirës të Suedisë.Kjo është një arsye kyç se përse ata kanë një rrjet rajonal me qëllim që të përdorin ngrohjen që buron nga mbetjet. Ndërsa në jug të Europës nuk përdoren mbeturinat për ngrohje; ato thjesht mbeten jashtë sobës. Suedezët e përdorin atë si zëvendës të lëndës fosile...Drejtuesit e impianteve të letrës thonë se fibrat e drurit mund të përdoren më shumë se gjashtë herë përpara se të bëhen pluhur. Nëse Suedia djeg letër përpara kësaj faze ajo ka shteruar potencialin për riciklim të vërtetë dhe zëvendëson letrën e përdorur me material të ri...synimi në Suedi është të ndalohen njerëzit të dërgojnë mbetjet për riciklim. Një fushatë kombëtare ka nxitur shumë vite nocionin se nga mbeturinat mund të nxirret shumë dobi përmes riparimit, bashkëndarjes dhe ripërdorimit...kështuqë, importimi i mbetjeve nga vende të tjerë është një politikë e përkohshme suedeze. Në vendgrumbujt e mbetjeve në vendet e BE-së gjobitesh, kështuqë në vend të paguajnë gjobën ata i dërgojnë ato në Suedi si shërbim. Ata duhet dhe do të ndërtojnë impianntet e tyre, për të pakësuar mbetjet e tyre, siç po veprojnë fuqishën në Suedi...por përdorimi i riciklimit për ngrohje duhet të ketë sisteme rajonale për ngrohje dhe ftohje, kështuqë për të realizuar këtë objektiv kërkohet infrastruktura përkatëse...Bashkitë suedeze investojnë veçmas në teknika futuristike për trajtimin e mbejteve, siç janë sistemet automatike të vakumit në blloqe rezidencial, duke iu shmangur nevojës së transportit të mbledhjes, dhe sisteme të nëndheshëm kontejner që çlirojnë hapësira rrugore dhe njerëzit çlirohen nga çdo kundërmim.[2]

Sigurisht që kjo përpjekje nuk mjafton për të zgjidhur problemin e mbetjeve: sepse mbetjet që krijohen nga mënyrat e prodhimit nuk do të ndalojnë dhe efektet e ushqimeve në shëndetin e njeriut nuk ndalojnë. Dëftues është fakti se Gjermania është vendi më ndotës i BE-së pavarësisht zhvillimit të saj teknologjik dhe ekonomisë së fuqishme: kryesisht sepse energjia e saj buron nga qymyri i lignitit dhe automjetet vazhdojnë të kontribuojnë në ndotjen e saj atmosferike. Paralel me këtë ndotje, Gjermania thuajse shkatëroi plotësisht lumenjtë e saj me kimikatet që shkarkonte industria dhe shoqëria e saj shekullin e kaluar. Këtë ndotje e eksportoi në Turqi e vende të tjerë bashkë me ‘eksportimin’ e ndërmarrjeve gjermane të prodhimit. Dhe siç zbulon DW, BE-ja dhe veçanërisht Gjermania kërcënohet të përmbytet nga ndotja me plastikë: sepse kaq kohë i ‘eksportonte’ në Kinë ku ricikloheshin me teknologjinë gjermane: sepse Pekini vendosi ta ndalojë importin e mbeturinave të Evropës pasi shkaktoi në punëtorët e përfshirë në riciklimin e mbetjeve sëmundshmëri të lartë, dëmtoi ekosistemin dhe paralel më masakrën social-mjedisore ndërtoi teknologjinë përkatëse për riciklimin e mbetjeve të tij në kohën kur Gjermania dhe përgjithësisht BE-ja nuk ka zhvilluar ndonjë kulturë dashamjedisore.[3] Dëftues është, gjithashtu, fakti se BE-ja po përpiqet të përballet me ndotjen që shkakton industria dhe shoqëria e saj. Aktualisht po shqyrtohet mundësia e riciklimit të mbetjeve që janë groposuar të paktën që nga viti 1953 dhe kthimi i tyre në energji të ripërtëritshme. Taknologjia quhet ‘plasma’ (“advanced plasma power”). Kjo e fundit përdoret aktualisht në shumë vende rreth botës (SHBA etj.) për të konvertuar mbetje të reja në energji pa qenë nevoja për të shkuar në vendgrumbullim. Por është ende në një fazë fillestare. Në vendgrumbullimet aktuale, prej më shumë se gjysmë milioni gjatë gjithë Evropës, mbetjet mund të nxirren nga dheu dhe të filtrohen për metale dhe materiale të riciklueshëm. Lënda e mbetur kthehet në energji dhe mbetjet nga ky proces konvertohen në “plasmarok”, e cila mund të përdoret si lëndë ndërtimi. Nëse kjo përpjekje shkon mirë gërmime të zgjeruara në vendgrumbullime mbetjesh mund të prodhojnë energji për përdorim në automjete, banesa dhe impiante industriale. Motua e industrisë përkatëse është “mos humb mbetjet”. Kujdes duhet të tregohet gjatë gërmimeve në vendgrumbullimet përkatëse sepse mbetjet përgjatë viteve prodhojnë metan – një gas që mund të ndizet dhe shkaktojë një sërë efektesh të dhimbshme si për njerëzit e përfshirë në të ashtu për vetë vendin ku janë groposur. Në vendgroposjet e mbetjeve gjenden dhe sasi të mëdha alumini, bakri dhe lithiumi, për të cilët është rritur kërkesa dramatikisht vitet e fundit.[4]

Në tërësinë e saj, BE-ja gjeneron më shumë se 3 miliard tonë mbetje çdo vit. Çdo njeri prej rreth 500 milion njerëzish hedh poshtë gjysmë toni mbeturinash në vit kur paralel me këto mbetje gjenerohen sasi tejet të mëdha nga manifaktura (360 milion tonë) dhe ndërtimi (900 milion tonë), ndërsa furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë gjeneron 95 milion tonë. Si pasojë, BE-ja ka miratuar një direktivë në vitin 2010-të objektivi i së cilës ishte t’i kthejë shtetet anëtare në “shoqëri ricikluese”: duke ricikluar 50% të mbetjeve bashkiake dhe 70% të mbetjeve të ndërtimit deri në vitin 2020-të.[5] Pasi Kina mbylli derën e mbetjeve europiane Brukseli filloi të rishikonte direktivën e mbetjeve. Aktualisht, vetëm 6 për qind e plastikës riciklohet nga blloku kur ai prodhon 25 milion tonë plastikë në vit, nga i cili dy e treta përdoret në paketim. Vetëm 5 për qind e vlerës së prodhimit është riaftësuar. Mes 70 miliard dhe 105 miliard ka humbur nga ekonomia çdo vit. Kështu Brukseli kërkon të vendosë një objektiv të detyrueshëm për anëtarët: deri në vitin 2030 të riciklojnë 55 për qind të plastikës së ambalazhit, nga 30 për qind që është aktualisht - kur paralelisht sektori i plastikës në BE gjeneron 350 miliard euro nga shitjet (2015) dhe punëson 1.5 milion njerëz. Siç citoi nënpresidenti i Komisionit Europian për punën dhe rritjen ekonomike, Jyrki Katainen, “ne [evropianët] nuk kemi tregje të miradministruar të plastikës sepse standartet e cilësisë janë të ndryshme dhe furnizimi për plastikën e riciklueshme është më i vogël se sa mund të jetë”...duke premtuar investime prej 100 milion euro për teknologji të reja dhe inovacione dhe kufizime mbi të ashtuquajturat mikroplastika, nën 5 mm, duke propozuar kufizimin e plastikës që përdoret një herë, propozime që mund të hyjnë në fuqi në maj 2018 nëse miratohen nga parlamenti europian.[6] Kështu, objektivi i parë është “realizuar” kryesisht duke synuar ‘eksportimin’ e mbetjeve në vendet në zhvillim se sa duke i ricikluar ato nga çdo vend veçmas! Ndërsa objektivi i dytë, përtej faktit që nuk lufton shkaqet e vërtetë të përdorimit të plastikës dhe nuk synon ç’ka synon, për shembull, Suedia, do të ketë kosto të madhe për t’u realizuar, veçanërisht për vendet me probleme ekonomike dhe sociale, si Shqipëria.

Për të gjitha këto arsye e të tjera të kesaj natyre, ne, disa veprimtarë politikë, nuk protestuam për të ndaluar thjesht importimin e plehrave toksike nga Evropa e “zhvilluar”, e cila, gjykuar ngasa u shqyrtua më lartë, është tejet larg krahasur me përpjekjet e Suedisë, dhe kapitalistët e huaj i eksportojnë ato në vendin tonë kryesisht sepse gjobiten nga ligjet e BE-së...siç vepruan shumë veprimtarë të tjerë, por e shoqëruam protestën me tre kërkesa: (1) riciklimin e mbetjeve ekzistuese; (2) zhvillimin e një kulture paralele për diferencimin e tyre dhe kuptimin e efektit negativ që kanë në ekosistem dhe, (3) ndryshimin e mënyrave të prodhimit. Arsyeja është se ne nuk mund të kemi zhvillimin ekonomik të Suedisë për të taksuar oligopolet e sektorit privat dhe publik. As kemi pushtet politik dhe administratë publike efiçente për të mbledhur taksat nga oligarkët ekonomikë. As kemi qeveri të aftë për të gjeneruar sufiçit, dhe ky, me rradhë, të mundësojë ndërtimin e impianteve në çdo bashki dhe impiantet, me rradhë, të riciklojnë në mënyrë të përhershme mbetjet tona dhe pse jo, t’i kthejnë në energji. Kjo është arsyeja që këto kërkesa duhet të realizohen të treja dhe të paralelizohen.

Gjykuar nga keqedukimi i mësipërm, dhe nga praktikat që ka ndërmarrë qeveria “Rama2” me bashkitë —pastrimin e mjedisit me punë vullnetare nga administrata publike duke përfshirë dhe qytetarë të zakonshëm— ne nuk mund ta pastrojmë Shqipërinë siç argumentojnë nismëtarët (Veliaj, Klosi etj): sepse nisma nuk lufton shkaqet e vërtetë, për të cilët shpesh flet dhe Klosi. Domethënë, nuk janë krijuar grupe pune —mundësisht dashamjedisorë— për të edukuar, në këto kushte, popullatën në çdo familje për miradministrimin e mbjetjeve, të cilët, mund të pajisen me një ligj, i cili të parashikojë dhe dënime, me qëllim që të përdoret edhe edukimi edhe frika meqënse tashmë klasa politike ka krijuar gjenerata të tëra që nuk e kuptojnë rëndësinë e miradministrimit të mbetjeve. Pa këtë përpjekje dhe pa një përpjekje paralele nga bashkitë — për të ndërtuar impiante riciklimi —Shqipëria nuk mund të pastrohet nga mbetjet dhe toksinat: sepse ndërsa vullnetarët do të pastrojnë - “qytetarët” e keqedukuar do të vazhdojnë të hedhin mbetje ku t’ua dojë kokrra e qejfit! Shkurt, kanalet do të mbushen prapë me mbetje (në kohë reale) pavarësisht se pastrohen nga Bashkitë. Në të vërtetë, Shqipëria mund të pastrohet me kosto të ulët vetëm nëse ndryshojmë mënyrat e prodhimit dhe politikat zhvillimore...për të cilat kërkohet dije sistemike dhe nga qeveria “Rama2”, kaq kohë, nuk kam kuptuar ndonjë grimcë dije.              

 


[1]Lexo analizën përkatëse në ‘Administrimi publik: nga kaosi i elitave në rend demokratik’.

[2]Sweden’s recycling is so revolutionary, the country has run out of rubbish, The Independent, 8 December 2016.

[3]BE-ja në rrezik të përmbytet prej mbeturinave plastike, DW, 08.01.2018.

[4]Europe’s half a million landfill sites potentially worth a fortune, FT, Jan 08 2018.

[5]Being wise with waste: the EU’s approach to waste management, European Union, 2010.

[6]EU wants all plastic waste to be recyclable by 2030, FT, 16 January 201.

Video: 

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA