...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Loja e Serbisë me “pavarësinë” dhe rëndësia e karriges së Kosovës në OKB

Të gjitha ato i fuqizojnë me kërkesa maksimale për të fituar sa më shumë të jetë e mundur. Kjo varet shumë nga aftësia negociuese e palës kosovare në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel që deri më tash është treguar shumë e ngathtë, e pa përgatitur dhe me gjasa katastrofike.

Adil Fetahu

27/02/2018 - 12:50

Presioni i perëndimorëve mbi palët negociuese

Në qarqet diplomatike të Bashkimit Evropian dhe të Amerikës është folur që moti se në fund të procesit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Se nëse do të ketë normalizim të plotë pa njohjen reciproke, këtë mund ta gëlltisin vetëm ata që nuk kanë njohuri për marrëdhëniet midis shteteve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, këtë fakt ia ka bërë të ditur Serbisë qysh në korrik të vitit 2013-të si kusht për procesin e integrimit në BE. Nga bisedimet e deritashme janë krijuar një numër i madh marrëveshjesh. Por thuajse asnjë prej tyre nuk është zbatuar as nuk po zbatohet si duhet, për shkak të obstruksioneve që po shkakton Serbia.

Kohëve të fundit, sidomos pas marrjes së statusit të kandiatit të Serbisë për në BE, diplomacia e BE-së dhe SHBA-ve kanë rritur presionin mbi të dyja palët që bisedimet të përfundojnë sa më parë dhe që të arrihet marrëveshja e “shumëpritur” për normalizimin e marrëdhënieve. Duket se Perëndimi e ka vërejtur ndikimin gjithnjë e më të madh të Rusisë në Ballkan dhe po përpiqet që Serbinë dhe Malin e Zi t’i futë brenda gardhit të BE-së sa më parë me qëllim që në njëfarë mënyre t’i largonte paksa nga ndikimi i Rusisë. Mirëpo, duke ditur politikën serbe, ma merr mendja se  edhe pas anëtarësimit të Serbisë në BE, ajo do të jetë vetëm si kali i trojës ruse aty, sepse nuk do të shqitet nga politika ruse, për shkak të orientimit tradicional politik, fetar dhe emocional të popullit serb ndaj “nënës Rusi”.

Sidoqoftë, diplomacia evropiane dhe ajo amerikane duan ta shtienë procesin e bisedimeve në shpejtësi, nga “ngrirja” e deritashme dhe të nxjerrin një përfundim. Se çfarë epilogu do të ketë ky proces, është vështirë të dihet. Po qarkullojnë opsione të ndryshme, varësisht se kush i parashtron ato: pala shqiptare apo ajo serbe, duke lëshuar tullumbace në opinion, për të matur pulsin dhe disponimin e popullit. Pala ndërkombëtare është enigmatike, si gjithnjë.

Varianti i karriges së Kosovës në OKB

Kryetari i Serbisë, Alleksandar Vuçiç, qysh në korrik të vitit të kaluar nisi një tullumbace të quajtur: “Dialogu i brendshëm serb për Kosovën”. Ç’është e drejta, me atë nismë ai tha se “duhet të shikojmë të ardhmën e të dy popujve dhe të mos të kapemi shumë pas miteve të së kaluarës, dhe se nëse Serbia dëshiron të hyjë në BE, duhet të paguajë një çmim për këtë”. Megjithatë, Vuçiçi në çdo rast e përsëritë, si papagall, se Serbia nuk do ta njohë Kosovën e pavarur, as ka njeri në Serbi që do ta nënshkruante njohjen e saj, veçse duhet të gjendet një zgjidhje me kompromise të dhimshme për të dy palët?! Se ku është ajo vija e kuqe, nën të cilën nuk mund të shkojnë kompromiset, mbetet të shihet.

Kohëve të fundit po flitet për një kompromis, sipas mendimit tim fare të padobishëm për Kosovën, e shumë të dobishëm për Serbinë. Sipas tij, Kosova e ka guri në qafë në rrugën e saj për integrimin e në BE, dhe do të lirohej prej “atij guri” duke dhënë Serbia pëlqimin e saj që Kosova ta “fitojë karrigen” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me gjasë kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, është i  kënaqur me këtë opsion. Ai këtë marrëveshje e konsideron historike, sepse i mundëson Kosovës karrigen në OKB, ndërsa Serbisë anëtarësimin në BE,  edhe pse nuk prêt që Serbia  do ta njohë Kosovën!

Deri sa të vijë ai “dakik i marrëveshjes historike” ka edhe shumë punë, edhe shumë bisedime akoma më të zorshme e më të ndërlikuara se deri më tash, sidomos për sa i përket statusit të  Veriut  dhe të gjithë serbëve e të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Bile, në qarqet serbe qarkullojnë propozime që serbëve në Kosovë t’iu jepet një autonomi, siç e ka Vojvodina në Serbi. Natyrisht këto janë opsione dëshirash, pa kurrëfarë baze: sepse asgjë më tepër se iu garanton Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, që është derivate i atij plani, dhe kurrëfarë kompetencash ekzekutive nuk duhet të lejohet. Bisedimet edhe më të rënda do të zhvillohen për aspektet ekonomike, rreth pretendimeve pronësore të Serbisë, e cila synon të mbajë “Trepçën”, Liqenin e Gazivodës, Brezovicën, dhe shumë pretendime tjera, siç i quajnë ata, mbi pronat shtetërore e publike.

Natyrisht, të gjitha ato i fuqizojnë me kërkesa maksimale për të fituar sa më shumë të jetë e mundur. Kjo varet shumë nga aftësia negociuese e palës kosovare në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel që deri më tash është treguar shumë e ngathtë, e pa përgatitur dhe me gjasa katastrofike. Fakti që udhëheqësi i ekipit për bisedime i caktuar nga kryeministri Haradinaj, këshilltari i tij papërvojë për këtë punë dhe pa dije për politikën serbe, lë shumë për të dëshiruar, apo edhe dyshime. Nuk dihet se nëse do të bëhen kompromise në dëm të Kosovës, për të ruajtur Haradinaj karrigen e kryeministrit, e cila i rrezikohet çdo çast nga “lista srpska” me votën e saj paralizuese në Kuvendin e Kosovës!

Opsioni i karrigës së Kosovës në OKB po mbështetet gjoja në formulën dhe shembullin e dy Gjermanive, të cilat ishin anëtare të OKB-së, edhe pse nuk e njihnin njëra-tjetrën. Nëse vërtet “karrigia” do të nënkuptojë statusin e anëtarit me të drejta të barabarta në OKB, ku do të valojë flamuri i shtetit të Kosovës në mesin e 193 flamujve tjerë, kjo nënkupton se ajo Organizatë e njeh pavarësinë e Kosovës. Por fati që është në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, është iluzive. Nëse e pranojnë Kosovën, por si çështje të hapur, sipas asaj Rezolute, kjo do të ishte  politikë krejtë e pafrytshme dhe e rrezikshme për Kosovën. Nga ana tjetër, nuk besojmë se opsionin e anëtarit të plotë, si çështje të mbyllur të shtetit të Kosovës, mund ta gëlltitë Vuçiçi, sepse kjo do të thotë se edhe ai e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e që është jo vetëm në kundërshtim me të gjitha deklarimet e tij deri më tash por edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë, e cila “Kosovën e Metohinë” e ka pjesë të patjetërsueshme territoriale e politike të shtetit të Serbisë, dhe kështu Vuçiçi do ta merrte epitetin e tradhtarit të shtetit e të kombit të vet.

Pala shqiptare duhet të ketë shumë kujdes që marrëveshjen përfundimtare me Serbinë kurrësesi të mos e fusë nën patronatin e Kombeve të Bashkuara për shkak se atëherë (Kosova) do të pranonte se ende nuk e ka zgjidhur statusin përfundimtar, pikërisht siç është përmbajtja e Rezolutës 1244 e KS — d.m.th., vullnetarisht po i nënshtrohet asaj Rezolute së cilës qëmoti i ka kaluar data e skadencës! Bisedimet janë zhvilluar nën patronatin e BE-së dhe SHBA-ve, dhe zbatimin e marrëveshjes duhet këto ta garantojnë ato, e jo Kombet e Bashkuara, të cilat nuk janë gjendje të garantojnë asnjë marrëveshje e rezolutë të tyre.

Në Organizatën e Kombeve të Bashkura, respektivisht në Asamblenë e Përgjithshme të saj, karriget kanë statuse të ndryshme. Karrigia e shtetit anëtar të OKB, me të drejtë vote e të drejta të tjera të barabarta; karrigia e shtetit vëzhgues; dhe karrigia e entitetit jo-shtet, që mund të jenë organizata e lëvizje të ndryshme në botë. Karrigen si shtet vëzhgues e ka Vatikani; ka pasur edhe Zvicra deri në vitin 2002 kur pas vendimit të marrë në referendum u bë anëtare e plotë. Karrige vëzhguesi kishte edhe Organizata për Çlirimin e Palestinës, ka Sahara Perenëdimore, Aradha Ushtarake Sovrane e Maltës etj. Në status të vëzhguesit mund të debatosh ose të përgjigjesh në pyetjet që të bëjnë anëtaret tjera, por nuk nuk mund të votosh as nuk je i barabartë në asnjë pikëpamje. Për të njëjtën arsye duhet pasur kujdes se cila “karrige” do të fitohet në OKB. Asnjë karrige nuk ia vlenë në qoftë se këmbehet në dëm të Kosovës.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA