...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta e përhershme në Amerikë dhe ‘terrorizmi’ vendor

Vrasja e fëmijëve në shkolla, është bërë rutinë...atje është një armë për çdo njeri, grua dhe fëmijë...kjo është një zgjedhje politike...bazuar në përvojën time, unë nuk mund të garantoj ripërsëritjen e kësaj masakre – dhe të pohosh këtë, është e tmerrshme! —Barack Obama

Ylli Përmeti*

03/10/2017 - 08:28

Vrasësit e të djathtës ekstreme të popullit të pafajshëm amerikan që nga 11 Shtatori i vitit 2001 kanë vrarë 48 njerëz ndërsa xhihadistët 45 njerëz: të parët konsiderohen trerroristë; të dytët jo![1]  

 

Vrasja e fëmijëve në shkolla, është bërë rutinë...atje është një armë për çdo njeri, grua dhe fëmijë...kjo është një zgjedhje politike...bazuar në përvojën time, unë nuk mund të garantoj ripërsëritjen e kësaj masakre – dhe të pohosh këtë, është e tmerrshme!

—Barack Obama[2]

Ndërsa ‘ideologjia objektive’ e Obamës jashtë Amerikës ishte krijimi i “mundësive” për ndërmarrjet amerikane përmes tregjeve të hapur, me gjithçka që nënkupton rendja e ndërmarrjeve amerikane rreth botës (luftë për të mbijetuar etj.) dhe mbrojtjen e tyre nga ushtria amerikane, brenda saj zhvillohet thuajse e njëjta luftë. Shpërthimi i bombës dhe masakra që shkaktoi ajo në maratonën e Bostonit të Amerikës, ku vrau tre njerëz të pafajshëm dhe shumë të tjerë të plagosur, një shpërthim që mbajti në ankth dhe të mbyllur për 24 orë një qytet të tërë, nga një student 19 vjeçar, të paarmatosur, duke u përballur me nëntë mijë policë të armatosur rëndë, duhet të kuptohet si pasojë e pashmangshme e regjimit që është themeluar dyqind vitet e fundit —dhe jo si patologji sektare, siç propaganduan autoritetet amerikane: sepse nëse ne pranojmë se Amerika është “super-fuqi”, një term që nënkupton, mes të tjerash, aftësinë e saj në parandalimin dhe përballimin e ngjerjeve të kobshme, si do ta gjykonim aftësinë e zyrës federale të hetimeve (FBI) —roli i së cilës është parandalimi i masakrave, kur ajo, ndërsa s’ka mundësi të parandalojë krime të mëdha, mjaftohet me “dyshimin” dhe vret?! Vrasja e një të “dyshuari” dhe kapja e një të dyti, që në rastin e masakrës së Bostonit ishin “çeçenë”, dhe jo amerikanë, dhe në masakra të ngjashme janë ose “muslimanë” fanatikë ose ekstremistë ose “burim tendence” (“diposition matrix”), tregon qartë se atje zhvillohet një luftë e përhershme, e cila jo vetëm që themelon terrorizmin brenda një komuniteti dhe midis komuniteteve botëror por ekzekuton këdoqoftë që “dyshohet” nga establishmenti! Nëse konsiderojmë masakrat e tjera në Amerikë (Kolorado, 1999: 13 njerëz; Teksas, 2009: 13 njerëz; Kalifornia, 2015:14; Teksas, 1991: 23; Kënektikat, 2012: 27 njerëz; Virxhinia, 2007: 32 njerëz; Florida, 2016: 49 njerëz; dhe e fundit në Nevada, 2017: 58+ njerëz, në tërësi 229 njerëz), Amerika nuk mund të pretendojë se është një “super-fuqi” për sa kohë që ajo gjëndet në luftë të përhershme — një luftë që zhvillohet mes popullit amerikan (për më shumë klientelë dhe pushtet) dhe në një det me armë dhe, midis popujve të tjerë (për më shumë ekspansion). Vrasësi i fundit në Nevada, për shembull, kishte kaluar pa u kuptuar më shumë se 42 armë zjarri (“guns&firearms”) dhe eksplozivë në dhomën e tij të hotelit![3] Kujtoj se në Navada njerëzit lejohen të mbajnë armë, nuk duhet t’i regjistrojnë dhe armët mund të shiten privatisht. Në rastin konkret autori u vetë-vra dhe autoritetet kërkojnë shkaqet e sjelljes së vrasësit. Në kohën kur rreth 40 për qind e amerikanëve pronëson një arm dhe përqindja e vrasjeve është më e larta në botë. Në vitin 2016-të kishte 11,000 vdekje si rezultat e vrasjeve prej armëve. Që nga viti 1980-të ka patur më shumë se 90 vrasje masive.[4] Vetëm nga përdorimi i armëve paralizuese (“tasers”) dhe dhunës prej policisë amerikane kanë vdekur që nga viti 2000 – plotë 1,032 vetë.[5] Jashtë Amerikës, ndërkohë, vriten mijëra njerëz për ditë. Siç citon Glenn Greenwald, një avokat konstitucionalist dhe kolumnist mbi liritë civile:  

Pavarësisht llojit të zemërimit që mund të ndjeshë kundrejt sulmeve të Bostonit, ai është një zemërim në formën e përmbajtur që gjëndet rreth botës që ndjejnë [shumë njerëz] kundrejt SHBA-së për vrasjet e njerëzve të pafajshëm në vendet e tyre. Pavarësisht trishtimit që ti ndjen për viktimat e djeshme [në Boston], i njëjti nivel trishtimi është përligjur për njerëzit e pafajshëm jetët e të cilëve përfunduan nga bombat amerikane.[6]

Në të vërtetë lufta që zhvillohet mes popullit amerikan është më e madhe. Thirrja e një autori dhe kolumnisti amerikan është dëftuese: ‘përse Amerikanët humbasin kohën rreth ‘terrorit’ dhe shpërnjohin vdekjet e përditshme nga armët? Më shumë se 30,000 Amerikanë vdesin nga dhuna e armëve çdo vit (krahasuar me 17 që vdiqën vitin e kaluar në sulme terroriste)...në të njëjtën kohë kur hetuesit ndiqnin bombarduesit (e supozuar) të maratonës...38 më shumë Amerikanë – me pak fanfara – vdiqën nga dhuna e armëve. Ata janë një përqindje e vogël e 3,531 Amerikanëve që u vran nga armët në të katër muajt e kaluar – një total që tejkalon numrin e Amerikanëve që vdiqën në 9/11 dhe janë pak më pak se ushtarët që humbën në operacionet e Irakut. Ende, asnjë rast nga kjo dhunë e përditshme nuk u konsiderua urgjente për të motivuar Kongresin Amerikan për të imponuar blerje më të zbutura dhe të kufizuara të armëve’. Në kohën kur katër në dhjetë Amerikanë zotëron një armë dhe reagimet pas sulmeve janë ose pro-mbajtjes së armëve, duke ndjekur logjikën e vetë-mbrojtjes, ose, nëse sulmohet Kisha, famulltarët duhet të mbajnë armë të fshehura, ose, nëse sulmohet shkolla, mësuesit dhe nxënësit duhet të armatosen dhe kur shumica e popullit amerikan është kundër ndalimit të armëve![7] Paralel me rritjen e numrit të qytetarëve amerikanë është rritur dramatikisht dhe numri i policëve lokalë të vrarë, ndërsa numri i oficerëve është në rënie që nga viti 1970-të.[8] Pyetja që ngre një shkrimtar dhe gazetar lidhur me këtë problematikë,është me vend: se përdorimi i armëve në Amerikë është jashtë kontrollit: [ndaj] nuk do të duhësh të ndërhynte bota?[9] Ai e konsideron situatën “luftë civile” - duke u bazuar te vdekjet vjetore nga armët e zjarrit: numri arrin 32,000 dhe është në rritje pavarësisht se shkalla e përgjithshme e krimit është në rënie. Një përllogaritje e vrasjeve nga armët e zjarrit që nga viti 1968-të tregon se në Amerikë kanë vdekur 1,384,171 njerëz, një shifër që tejkalon numrin e të vrarëve në luftën ose ndërhyrjen amerikane në Afganistan: 1,171,177 viktima! Duke gjykuar nga masakra e përgjithshme (aksidente rrugore etj.), autori argumenton se Obama nuk ka asnjë mundësi për ta ndryshuar situatën dhe, si rrjedhojë, ai argumenton se presioni ndërkombëtar mund ta ndryshojë atë. Armatosja e popullit amerikan lejohet me ligj: ‘një milici e mirë-rregulluar është e nevojshme për sigurinë e një Shtetit të lirë, e drejta e Popullit të mbajë dhe bartë armë nuk duhet të kufizohet’.[10] Ky ligj është miratuar në kohën kur ligjvënësit amerikanë gjykonin se armatosja e popullit do të mbronte vendin nga sulmet e huaja, kryesisht nga blloku socialist. Por me rënien e bllokut socialist – ranë sulmet por nuk ranë armët! Për ta zgjidhur këtë problem – Trampi propozoi armatosjen e nxënësve në shkollë ndërsa shumë “ekspertë” dhe politikanë sugjerojnë vlerësimin e shpeshtë të shëndetit mendor të arm-mbajtësve. Por kjo qasje, jo vetëm që bart kosto të madhe por nuk mund të sigurojë se sjellja e popullit amerikan do të jetë lineare. Politika anti-muslimane e Trampit, në anën tjetër, të cilën e përdori përgjatë fazës parazgjedhore dhe mund ta përdorë sërish, është poblematike, për dy arsye kryesore: njëra, dhe kryesorja, lidhet me faktin se Amerika e Obamës luajti rol vendimtar në shkatërrimin e Lindjes së Mesme, një rol që çoi në krijimin e shpërnguljeve masive dhe refugjatëve...dhe tjetra, lidhet me kërcënimin real të Amerikës nga terroristët muslimanë, i cili është tejet i ekzagjeruar. Siç citon një kolumniste në FT:  

Vetëm tre refugjatë kanë kryer sulme terroriste në tokën e SHBA-së që nga viti 1975—dhe të gjithë ishin kubanezë...në të vërtetë, nëse shikojmë në katër dekadat e kaluara, të dhënat sugjerojnë se mundësia për t’u vrarë në një sulm terrorist nga një refugjat —i çdo feje— ishte vetëm një në 3.64 miliard në çdo vit. Kjo është tejet më e ulët se rreziku i ndonjë goditje vetëtime ose nga ndonjë shpërndarës automatik [në atmosferë]. Është thuajse i vockël krahasur me reziqet që ushtrohen nga armët dhe përplasjet e automjeteve, të cilët vrasin rreth 13,000 dhe 38,000 amerikanë çdo vit.[11]      

Më tej ajo argumenton me vend, duke cituar antropologun Alex Golub, se “njerëzit besojnë se rendi i Trampit i bën ata të sigurtë jo vetëm për shkak se atyre u mungojnë pak fakte kyçë, por edhe për shkak të ‘rrjetës së besimit’ koherent...që lidh gjithë faktet bashkë”. Puna e antropologut britanik Mary Douglas sugjeron se një arsye se pse të huajt provokojnë terror të tillë (në dukje iracional) në shumë kultura është se ata shfaqen sikur kërcënojnë rendin kulturor. Frika shfaqet për shkak të një perceptimi që, siç shkruan Golub, “trupi politik mund të ndotet nga burime të jashtme rreziku”. Për shumë mbështetës të Trampit, emigrantët islamikë duket se krijojnë një kërcënim “ndotës”, ndërsa armët dhe automjetet jo — dhe kështu rreziqet e tyre tentojnë të minimizohen. Kjo bart disa implikacine të rëndësishme. Veçanërisht më shumë, atje ka pak dëshirë për t’u përballur me frikën “iracionale” të njerëzve për emigrantët duke hedhur thjesht statistika rreth ose të shpërnjohësh mbështetësit e Trampit si “racistë”...kufijtë kulturor duhet të rihartohen ose, siç shkruan Golub: “ndryshimi e mendësive kërkon angazhim me njerëz të vërtetë dhe me tërësinë e sistemit të besimeve të tyre, jo përçmim ose përqeshje as edhe thjesht hetim të fakteve”.

Sidoqoftë, kjo është një qasje problematike meqënse ajo nënkuptohet se do të angazhohen të njëjtët individë që kanë shkaktuar luftën: anëtarët e elitave. Kështu ndërsa vrasjet në Amerikë vazhduan në Florida, BBC-ja qarkulloi gjatë mënyra për të luftuar vrasjet në shkollat amerikane: (1) “mos emëro ngjarjen”, sepse sipas një vrojtimi, sa më shumë të përmendet emri i ngjarjes apo i vrasësit dhe hollësitë e ngjarjes dhe vrasësit aq më shumë rriten mundësitë për t’u përsëritur e njëjta ngjarje; (2) lejo mësuesit të mbajnë armë, sepse shkollat nuk duhet të presin vetëm ndihmën e jashtme policore në kohën kur 10 shtete ndalojnë përdorimin e armëve në shkolla dhe tetë e lejojnë vetëm në automjete të kyçura ndërsa në 32 të tjerët është e mundur për mësuesit të mbajnë armë nëse shkolla e lejon; (3) dy dyer në çdo klasë, sepse ato lejojnë shpëtimin e nxënësve dhe vështirësojnë synimin e vrasësit; (4) të hiqen armët nga njerëzit ‘në krizë’, sepse kur ata janë krizë mund të shkaktojnë vrasje; (5) krijimi i sigurisë së tipit aeroportual në shkolla; (6) shfuqizimi i amendamentit të dytë të kushtetutës amerikane, duke u propozuar nga Kongresi kur të dyja dhomat e mbështesin ose me dy të tretat e shteteve dhe të miratohet nga tre të katërtat e shteteve dhe kur kushtetutat e dyzetë e katër shteteve —të cilat lejojnë gjithashtu njerëzit të mbajnë armë— janë ndryshuar.[12] Dy ditë më pas, Trampi mbështeti idenë e armatosjes së mësuesve —si masë parandaluese!— dhe pas tij, doli kryetari i lobit më të fuqishëm amerikan të armëve, Wayne LaPierre, duke akuzuar demokratët sepse ata duan të zgjerojnë kontrollin e armëve dhe ndalojnë të drejtën e amerikanëve për të mbajtur armë bashkë me të mbijetuarit nga vrasjet e fundit në Florida duke protestuar për kontroll të armëve.         

Qartësisht, shkaku kryesor i masakrave në Amerikë buron nga pushteti politik, i cili, me rradhë, beson se duke pajisur me armë popullin do ta mbrojë atë! Argumenti se elita politike beson dhe vepron kështu sepse i shërben industrisë ushtarake është spekulativë përsa kohë që as nuk është shqyrtuar besimi në fjalë e as është parë ky argument në raport me shitjet që kryen Amerika jashtë vendit - kur dihet se ‘shitjet’ jashtë vendit janë më të mëdha dhe mbulojnë më shumë se 50% të tregut botëror. Qendrimi i Obamës, për shembull, se pse u dorëzua për të ndaluar qarkullimin e armëve në Amerikë, nuk është hetuar ende: do të ishte e dobishme të hetohësh në raport me “besimin” që është krijuar në elitën politike amerikane, me Trampin edhe më të bindur, dhe industrinë ushtarake. Domethënë, se nëse Obama nuk luftonte dot ‘besimin’ e krijuar apo pushtetin e industrisë ushtarake. Megjithatë, BBC-ja dëfton pesë arsye se pse SHB-ja nuk mund të kontrollojë armët:

Shoqata kombëtare e armëve (NRA) është një ndër grupet e interesit më të fuqishëm në politikën e SHBA-së – jo thjesht për shkak të paráve që shpenzon duke lobuar politikanët, por gjithashtu për shkak të angazhimit me anëtarët e saj prej 5 milion. Ajo kundërshton shumicën e propozimeve për të shtrënguar rregullat e armëve të zjarrit dhe është pas përpjekjeve në të dy nivelet: federal dhe shtetëror. Në vitin 2016-të shpenzoi $4 milion për të lobuar dhe kontribute të drejtëpërdrejtë për politikanët gjithashtu dhe më shumë se 50 milion dollarë për mbrojtje politike, duke përshirë 30 milion dollarë për të ndihmuar në zgjedhjen e Tramit. Buxheti i saj vjetor është është rreth 250 milion dollarë, i cili shpërndahet në programe edukative, shërbime armësh, ngjarje anëtarësi, sponsorizime, mbrojtje ligjore dhe në përpjekjet përkatëse.[13]       

 

Pjese nga nje studim me i gjere i autorit*

[1]Deadly attacks since 9/11, International Security.

[2]Fjalët e Obamës pas vrasjeve në Oregon të Amerikës.

[3]Las Vegas shooting: Police search for gunman’s motive, BBC, 3 October, 2017.

[4]America’s gun culture in 10 charts, BBC, 15 February 2018.

[5]Deaths involving Tasers, Reuters, 22 Feb 2018.

[6]The Boston bombing produces familiar and revealing reactions, The Guardian, 16 April 2013.

[7]Self-serving logic that makes a gun the answer to every question, Roula Khalaf, FT,December 9, 2015.

[8]US police shooting: how many die each year? BBC, 18 July 2016.

[9]American gun use is out of control: Shouldn’t the world intervene? Henry Porter, The Guardian, 21 September 2013.

[10]Guns kill people in the US because we pervert the Second Amendment, The Guardian, 2 October 2015.

[11]The real risks of keeping America safe, Gillian Tett, FT, February 10, 2017.

[12]Six radical ways to tackle US school shootings, BBC, 20 Feb 2018.

[13]Las Vegas shooting: Five reasons US gun control won’t happen, BBC, 4 October 2017.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA