...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Programi neoliberal me doza ‘statiste’ i Lëvizjes Bashkë: pa gjasa mbrothësie

Si mund të besohet se Greqia apo Italia dhe vendet hegjemone të BE-së, do të lejojnë Shqipërinë me në krye Arlind Qorin, të zhvillojë sektorët strategjikë përmes shtetit dhe fondeve të BE-së, ku si Athina ashtu dhe Roma japin nga kursimet e tyre, të mbizotërojë kundrejt ekonomive të tyre?!

Ylli Përmeti

10/05/2025 - 17:44

Në kohën kur LB-ja njoftoi pogramin fillestar me katër pika të quajtur “3 plus 1” ose me katër pika, shtetin zhvillimor (ku përfshihen pesë sektorë, bujqësia, industria, shërbimet, infrastruktura dhe buxheti); shteti social (ku përfshihen minimumi jetik, paga minimale, pensionet, shëndetësia, arsimi dhe strehimi); shteti i së drejtës (ku përfshihet lufta kundër korrupsionit, vendimarrja demokratike, rishikimi` ligjit për pasuritë, dhe reformimi` administratës); dhe shoqëria aktive (ku përfshihen rishkimi` kushtetutës për referendumet, lehtësimi` nismave të qytetarëve lidhur me ndryshimin e ligjeve; fuqizimi sindikatave dhe vendimarrjeve të “grupeve të organizuara shoqërore”), unë isha duke punuar me studimin tim dhe s`pata kohë ta shqyrtoja por e quajta —bazuar në çka pashë në atë program— ‘kryekëput neoliberal’, sepse kuptova se ishte “qendisur” në përputhje me politikat neoliberale, siç ato shprehen në anët tona, duke u integruar në BE. Por isha i përmbajtur sepse duhet të lexoja dhe shqyrtoja programin e zgjeruar. 

Programi i Lëvizjes Bashkë (LB) duhet parë kryesisht nga këndvështrimi` kryetarit të saj, Arlind Qori, sepse ai është votëbesuar dhe ai ndryshe nga shumë kryetarë të tjerë partish dhe anëtarët e lëvizjes në fjalë, është pedagog i shkencave politike dhe autor i një ‘disertacioni’ me karakter shoqëror përmes të cilit ka marrë dhe titullin e “doktorit”. Titulli përkatës është fillestar dhe shtron rrugën për tituj të tjerë shkencorë, më të rëndësishëm (profesor i asociuar, profesor, akademik etj.).

Teza që Qori ka studiuar dhe shqyrtuar lidhet me një çështje shumë të rëndësishme për popullin shqiptar: me ideologjinë shqiptare për idenë e Evropës pas vitit 1991. Në të ai mbron tezën se “ideja e Evropës ka funksionuar si pikë nyjore ku kanë kaluar një larmi ligjërimesh politike, efekt i të cilës ka qenë farkëtimi i një ndërgjegjjeje kolektive që pajtohej me transformimet e formacionit shoqëror dhe sidomos me ristrukturimin neoliberal të marrëdhënieve dhe strukturës ekonomike”.

Ai përpiqet të kritikojë ideologjinë përkatëse duke përdorur disa autorë perëndimorë (Zizek etj.). Parë nga këndvështrimi` i punëve të munguara në Shqipëri mbi kritikën ideologjike, puna e tij përbën “risi” (kriter që e kërkon dhe grada e doktoraturës që ka marrë) por ajo është jo vetëm e pjesshme —parë nga këndvështrimi se ajo “kritikon” ideologjinë e Evropës të krijuar në vendin tonë pa e lidhur atë me pushtetin politik të kohës dhe kryesisht me të Ramiz Alisë (sepse ishte ky i fundit që bëri kthesën e madhe në politikën e jashtme: nga kundër-perëndimore në mbështetje të saj) dhe paralelisht nuk përshkruan ideologjinë e re neoliberale (konkurrencën, individualizmin dhe konsumerizmin) ku po shkonte vendi ynë dhe ta vendoste atë përballë ideologjisë socialiste, meqënse populli ynë e kishte braktisur, apo ndonjë ideologjie tjetër, me qëllim që të ndihmonte në kuptimin e tyre nga një këndvështrim krahasimtar dhe pse jo, të spikaste më të mirën, por dhe qasja e tij është tejet pak shkencore: sepse ideologjinë në përgjithësi nuk e sheh të lidhur me pushtetet, qofshin ato politike, akademike apo shoqërore.

Ana më e rëndësishme që nuk kritikon Qori në punën e tij —hamendësisht, sepse është mbështetur në autorë që bëjnë një kritikë më shumë abstrakte ose reflektive (bazuar në përshtypje) se sa të lidhur me sistemin dhe pushtetet e tij— është pikërisht sistemi i ri që synonte Shqipëria e viteve 1990: domethënë katër liritë (kapitalit, mallrave, punës dhe shërbimeve) dhe ideologjia që përmenda më herët, e cila u zhvillua gjatë social-demokracisë dhe përdor për të “drejtuar” sistemin përpakës. Për ‘liritë’ përkatëse, pushtetet hegjemonike të shekullit të kaluar (SHBA-ja, Britani, dhe Gjermania) në perëndim punuan shumë, pikërisht sepse përmes tyre ato do të zgjeronin hegjemoninë e tyre ndërsa paralelisht përdorën ideologjinë e sapo përmendur jo thjesht duke e paraqitur atë si më të mirë se ideologjia e socializmit marksist por dhe si “shpëtimtare” të popujve përkatës.

Këto mungesa shfaqen dhe në programin politik të LB-së. Ajo e fillon mbarë (ndryshe, p.sh. nga SHB-ja) hartimin e programit —nga “shteti zhvillimor”, siç e quan ajo, ku ajo flet për zhvillimin e ekonomisë. Por menjëherë sa fillon dhe e përshkruan atë, e quan “modeli aktual zhvillimor i Shqipërisë” në vend ta quajë thjesht “modeli zhvillimor” i të paktën 30 viteve të fundit, sepse modeli “aktual” zhvillimor i ekonomisë sonë ka një histori dhe nuk është statik në kohë!

Më pas ajo përmend përmbajtjen e “modelit” ekonomik: rrogat e ulëta, kushtet “fleksibël” të punës dhe industrinë “me vlerë të ulët”. Por nuk bën lidhjen mes politikave neoliberale dhe rrogave e ulëta dhe kushtet “fleksibël” në punë siç i quan ajo, ose të këqija apo çnjerëzore siç do t`i quante populli: sepse kur integrohesh në globalizmin neoliberal ose në BE siç shprehet në anët tona, ku konkurrenca detyrohet mbi shtetet, një ndër mënyrat kryesore për të konkurruar në tregun ndërkombëtar, janë rrogat e ulëta ku shtohen dhe kushtet e këqija të punës (në të vërtetë, kushtet e punës në ndërmarrjet e mëdha të vendit tonë janë skllavëruese) jo vetëm për të kënaqur “epshet” e pronarëve shqiptarë, të cilët kanë lidhje të ngushta me klasën tonë politike dhe të gjithë bashkë përvetësuan dhe po përvetësojnë pasuri të vyera të popullit tonë por dhe për të joshur ndërmarrësit ose shfrytëzuesit e huaj. Paralelisht u braktis punësimi` plotë nga partitë politike me qëllim që të shtonin ofertën për ndërmarrësit me krah të lirë pune.

Politikat neoliberale duhet të përmenden sepse nëse ato s`përmenden, nuk kuptohen se nga burojnë ato pasoja (rrogë të ulëta etj.) dhe karakteri` programit: se ai është i “ri” por i qendisur në projektin e vjetër të BE-së, i cili, jo vetëm që po përballet me një realitet të ri —luftën e neonacionalistëve për pavarësi politike dhe luftën gjeopolitike mes superfuqive, e cila po shkon drejt pavarësisë ekonomike se sa varësisë siç synon Evropa— por dhe me një krizë të brendshme, që me luftën në Ukrainë do ta çojë në zhbërje.  

Karakteri i programit të “ri” të vjetër bëhet më i qartë kur ai e lidh ekonominë tonë me “zinxhirin global të vlerës”—një togfjalësh që përdoret shpesh nga “ekonomistët” e epokës neoliberale, pikërisht sepse ekonomitë e shekullit të kaluar braktisën mbështetjen në burimet e brendshme ose parimin e vetë-mjaftueshmërisë, dhe u orietuan kryesisht në burimet e jashtme dhe si pasojë, ato do të mbështeteshin në zinxhirin botëror të vlerës ose në “ciklin e plotë të prodhimit, ku përfshihet burimi, prodhimi, përdorimi ose konsumi dhe procesi` riciklimit”. Kjo ishte një strategji e vendeve hegjemone perëndimore për të përparuar me zgjerimin e hegjemonisë së tyre, rezultati` së cilës është bërë më i qartë vitet e fundit me dështimin e plotë jo vetëm lidhur me shkatërrimin e burimeve ekonomike por dhe duke qelbur planetin me mbetjet e prodhimit.

Më tej programi paraqet konceptin e “politikës zhvillimore industriale”, sipas të cilit, ai thekson rëndësinë e ndërhyrjes së institucioneve publike për të mbështetur inovacionin dhe ato industri që mund të ndihmojnë në diversifikimin dhe avancimin e një ekonomie”. Qasja e “ndërhyrjes” së “institucioneve publike” ose qeverisë në industri nuk është e re por ajo hamendësohet se do të ndërmarret në kushte neoliberale ose të orientuar për t`u integruar në BE, ku vendet hegjemone s`i lejojnë vendet e vegjël të ndërhyjnë në industri përveç rasteve kur përputhen me “epshet” e hegjemonëve: privatizimin e saj.

Në rastin tonë, ne s`kemi ndonjë industri të rëndësishme. Kjo është ndoshta arsyeja se pse LB-ja kërkon të nxisë industrinë e “teknologjisë së lartë” me qëllim që të dalim nga “cikli me vlerë të ulët”; sepse një tjetër mund të jetë prirja e shteteve —hegjemone dhe jo— për t`u përqendruar në atë lloj teknologjie. Për zhvillimin e saj, ajo planifikon të përdorë ndërhyrjen strategjike në industri, të ngrejë ndërmarrje shtetërore (ose “publike” siç i quan ajo) për të rritur “konkurrueshmërinë në treg”, dhe të themelojë një Fond Sovran për të drejtuar “asetet strategjike” dhe një Bankë Zhvillimore për të kredituar sektorët strategjikë, “me synim mbështetjen e bizneseve prodhuese, rritjen e eksporteve dhe hapjen e vendeve të sigurta të punës së kualifikuar”. Për industrinë minerare dhe të naftës ajo mbështet “modelin norvegjez” (disa shtylla të karakterit ligjor).

Për naftën, më hollësisht, ajo synon të “rinegociojë” kontratën me ndërmarrjen Bankers Petrolum dhe të kontrollojë veprimtarinë e saj prodhuese përmes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore; të rrisë taksën mbi fitimin; të rrisë kompetencat e Albpetrolit (ndërmarrjes shtetërore); të ringrejë një uzinë rafinerie; të bashkëpronësojë ndërmarrjet shtetërore me punëtorët; do t`i vendoste të ardhurat e sektorit në Fondin Sovran; do të ringrejë aftësitë teknike; do ta shfrytëzojë racionalisht atë; do të rrisë përqindjen e të ardhurave për pushtetin vendor; do të rishikojë ligjin për hidrokarburet; dhe do të miratojë statusin e naftëtarëve.

Sektorët e tjerë, ku mbizotëron bujqësia, ndjekin të njëjtën logjikë, dhe mund të thuhet se ka kryer një studim deri diku të mirë por jo të drejtë: së pari, sepse sheh plotë “kontradikta” (kjo është fjala që ajo përdor) në qeverisje por nuk sheh papërputhshmërinë kryesore: se me mbështetjen e ideologjisë për t`u integruar në BE, ajo nuk sheh politikat neoliberale të BE-së të cilat nuk lidhen vetëm me privatizimin e sektorëve strategjikë të një vendi (përmes të cilit synojnë të përfshihen edhe ata) por dhe me shfrytëzimin e fuqisë së lirë punëtore dhe bashkë me to dhe shkatërrimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe ekosistemit. Madje privatizimin e ndërmarrjeve dhe burimeve tona LB-ja e sheh vetëm nga këndvështrimi` qeverive tona kur dihet botërisht se BE-ja kërkon privatizimin e tyre, sepse beson në konkurrencën e tregut privat dhe jo shtetëror. 

Përfundime

Elitat perëndimore e dinë (gjykuar nga teoria —e mbështetur në histori ose përvojë— ortodokse dhe marksiste) se kur dy vende me pabarazi ekonomike bashkohen në një union ekonomik, ekonomia më e fuqishme do të mbizotërojë. Në rastin e BE-së nuk bëhet fjalë thjesht për union ekonomik por dhe politik, sepse shtetet anëtare ia lënë çështjet kryesore Brukselit për t`i gjykuar. Edhe ne —studiuesit— e dimë se kur u bashkua Zogu në një unionin (të pjesshëm krahasuar me unionin e BE-së) me Italinë fashiste, ekonomia më e fuqishme mbizotëroi. Dimë, gjithashtu, se vendet fqinje si Greqia shfrytëzojnë pikërisht pabarazinë përkatëse për të përparuar me gjeostrategjinë e saj për shkëputjen e jugut të Shqipërisë. Dimë, në fund, se është pikërisht ajo pabarazi që ka çuar në pabarazi më të mëdha mes anëtarëve të BE-së.

Bazuar në këto dije, si mund të besohet se Greqia apo Italia dhe vendet hegjemone të BE-së, do të lejojnë Shqipërinë me në krye Arlind Qorin, të zhvillojë sektorët strategjikë përmes shtetit dhe fondeve të BE-së, ku si Athina ashtu dhe Roma japin nga kursimet e tyre, të mbizotërojë kundrejt ekonomive të tyre?!

Këtë të vërtetë të madhe e ka kuptuar klasa jonë politike që në fillimet e saj dhe po bën ç`është e mundur që t`i privatizojë dhe përvetësojë (përmes “investitorëve strategjikë” etj.) dhe mos t`ia lënë të huajve. Kjo ishte besoj arsyeja se pse LB-ja u ftua në një konferencë “ekonomike” nga megafoni` politikave neoliberale në Shqipëri, Revista Monitor dhe ambasada amerikane në Tiranë: hamendësisht, sepse në sytë e tyre ajo me programin e saj përputhësh plotësisht me sistemin neoliberal dhe si mjashtra më të vjetër se LB-ja që janë, e dinë se shumë nga synimet e programit me karakter ‘statist’, do të braktisen në qeverisje, pikërisht sepse nuk përputhen me sistemin neoliberal dhe qëllimet e vendeve hegjemone të BE-së. Monitori mund të ketë dhe një arsye tjetër: me gjasë është pyetur nga LB-ja për të hartuar programin dhe revista ia shpërbleu me një mbledhje.

Gjykuar nga shqyrtimi` i qendrimeve të kryetarëve të partive të reja dhe programet e tyre politike, mund të thuhet se asnjëra nuk meriton të mbështetet. Por nëse gjykojmë nga veprimtaria e tyre politike (se cilat shtresa shoqërore mbështesin nga këndvështrimi ideologjik), LB-ja mund ta meritojë, sepse ajo mbështet shtresat e ulëta të shoqërisë. Megjithatë, nëse vendosim në peshore qendrimet politike të kryetarit të saj dhe programin dhe veprimtarinë e saj politike, peshorja anon nga jo-ja, sepse pas qendrimeve të kryetarit përkatës dhe programit të saj politik nuk po rendim vetëm ne (si gazetarë dhe studiues) por dhe veprimtarët e partisë përkatëse dhe populli.

Veprimtarët përkatës, sigurisht, s`e kuptojnë karakterin neoliberal të programit të LB-së për sa kohë që ajo nuk ka shqyrtuar (në dijeninë time) ndonjë studim lidhur me politikat neoliberale, megjithëse mund të kishin mësuar nga unë për sa kohë që studimet e mija janë përqendruar në to prej vitesh. Madje në librin tim të parë, të cilin e kam paraqitur në vitin 2013, në “gjirin” e asaj lëvizjeje politike, unë u përpoqa t`u zgjoja kureshtjen të pranishmëve që ta lexonin. Por nuk vërej ta ketë lexuar ndonjëri, sidomos kur dihet se unë kam njoftuar se ajo punë është përditësuar dhe pasuruar dhe pritet të botohet në dy vëllime, dhe përbën një pasuri të vyer për popullin tonë. Kështuqë, ata kanë përgjegjësi gjithashtu për moskuptimin e karakterit të programit.

Shpresa se LB-ja do të ulet dhe do të shqyrtojë edhe një herë programin e saj dhe do ta bëjë atë joneoliberal dhe të përputhshëm me realitetin e ri gjeopolitik që kanë krijuar superfuqitë, venitet nëse mendojmë se janë më shumë se dhjetë vjet dhe ajo s`ka shqyrtuar (dhe rrjedhimisht s`ka kuptuar) politikat neoliberale. Shpresat veniten më shumë kur mendon se kryetari` saj shtrembëron karakterin e shtetit tonë dhe për më tepër pretendon se i thotë popullit të “vërtetën e plotë”. Megjithatë, përpjekja ime nuk do të ndalojë për të dijësuar popullin si lidhur me ndonjë ndryshim të mundshëm të LB-së drejt një programi joneoliberal, pas zgjedhjeve, ashtu dhe lidhur me qëllimin tonë: për të asgjësuar klasën e vjetër politike dhe krijuar një lëvizje politike të re jo vetëm me program por dhe projekt që e nxjerr vendin tonë nga kriza shumëpërmasore që na ka zhytur e njëjta klasë.   

Kjo analizë është pjesë e studimit vijues:   

Qendrimet dhe programet politike të partive të reja: pa shpresë për të na nxjerrë nga kriza

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA