Si do të jetë qeveria “Rama2”?

Ylli Përmeti
27/08/2017 - 21:50
Fillimi i mbarë - gjysma e punës, thotë populli. Por sa i mbarë është për Partinë “Socialiste”?
Që t’i japim përgjigje kësaj pyetje ne ose shqyrtojmë të kaluarën e saj ose konsiderojmë procesin përmes të cilit u rikonceptua. Në “Padija dhe krimet e qeverisë “Rama”: 2013-2017”, kam treguar krimet kryesore politike të kësaj partie, për të cilët duket se s’ka reflektuar mjaftueshëm. Për të njëjtën arsye, këtu do të shqyrtoj “punimet” e asamblesë kombëtare të Partisë “Socialiste”, meqënse studimi nuk mjaftoi, nga të cilat do të veçoja dy aspekte kryesore: 1)-se ajo punoi tre-katër javët e fundit aq sa s’kishte punuar gjithë mandatin e parë dhe 2)- mënyra e zgjedhjes së qeverisë së re ishte jodemokratike, nëse me demokraci zgjedhore kuptojmë propozimin e çdo kanditati në asamble nga asambleistët, vlerësimin e tij/saj nga të njëjtët dhe votimin e drejtëpërdrejtë. Sa i përket aspektit të dytë, Partia “Socialiste” ndoshta e ka të miratuar në statutin e saj se kryetari i saj, jo vetëm që bëhet automatikisht krye...ministër por ka dhe të drejtën të vlerësojë dhe emërojë ministrat. Këtë aspekt juridik nuk e njoh sepse s’e kam shfletuar ndonjë herë “kushtetutën” e kësaj partie. Por edhe nëse kjo e drejtë buron nga statuti, kjo s’do të thotë se zgjedhja e qeverisë së re ishte demokratike — siç ajo kuptohet më lartë.
Do të ishte vërtet e padrejtë që vetëm kryetari i partisë të ketë të drejtë të vlerësojë dhe emërojë ndërsa asambleistët thjesht të duartrokasin, siç ndodhi në asamblenë përkatëse. Do të ishte, gjithashtu, anti-pedagogjike, siç edhe është, kur kryetari nuk fton asambleistët të kalojnë nga procesi i propozimeve, shqyrtimi i çdo kandidature dhe votë-besimi – bashkë me rikonceptimin e qeverisë. Në të vërtetë, ky është një proces i gjatë dhe mund të kërkonte më shumë se dy orë e ca, si në rastin e asamblesë përkatëse. Këtë proces mund ta përgatiste dhe moderonte vetë Rama. Jo vetëm për të qenë demokratik por edhe për të ‘edukuar’ asambleistët: në shqyrtim dhe vlerësim të drejtë të çdo kandidati.
Sa i përket aspektit të parë —“punës” që kanë kryer pesë grupet e Partisë “Socialiste”— duhet të thënë se ajo është jo vetëm e pjesshme, sepse studimet kërkojnë kohë dhe vegla teorike, por është kryer nga një apart që zotëron të gjithë infrastrukturën logjistike (lekë, automjete, njerëz etj.). Studimet kërkojnë shumë mund dhe shpesh sakrificë (sidomos të kohës) nga jeta e autorëve. Kjo është njëra premisë; tjetra, është se aparati i Ramës vjen nga një jetë partiake ku jo vetëm nuk studiohet por as edhe lexojnë studime qoftë edhe për t’i vlerësuar.
Ky aspekt i mungon edhe vetë Ramës. Dhe kur i mungon krye...tarit, do t’u mungojë dhe të tjerëve. Si parim, jostudiuesi nuk mund të bashkëjetojë me studiusin, sidomos në raporte kryetar-vartës — kur i pari është jostudiues dhe i dyti, studiues: sepse e dominon dhe kryetarit të partisë dhe qeverisë nuk i pëlqen ta dominojnë vartësit e tij. Por as do të ishte e mirëpritur nga populli: sepse kryetari duhet të jetë, në sytë e popullit, “më i miri”. Shkurt, megjithëse “puna” e pesë grupeve...ishte deri diku e mirë, gjykuar nga një këndvështrim studimor, ajo prapëserapë ishte me vonesë, tejet e pjesshme dhe është kryer nga ekipe me infrastrukturë logjistike të bollshme.
Gjykuar nga “puna”që është kryer dhe rikonceptimi i qeverisë mund të thuhet se qeveria “Rama2” është në vazhdën e gjithë qeverive të tjera neoliberale, megjithëse me ndryshime në politika. Qeveria e parë që e filloi rikonceptimin e saj ishte qeveria “Tramp”: ai zvogëloi aparatin shtetëror që të zvogëlonte kursimet. Për të rikonceptuar aparatin ai rikonceptoi (megjithëse ende s’ka filluar) proceset institucionale. Njëlloj veproi dhe Rama: ai do të ‘derregullojë” shërbimet publike me qëllim që të përmirësojë “klimën e biznesit”. Për të realizuar këtë objektiv, ai emëroi një “eksperte” të re (Etilda Gjonin). Dhe për ta ndihmuar këtë të fundit, krijoi një ministri të re: ministrinë e mbrojtjes së sipërmarrësve: sepse, siç argumentoi, kaq kohë e kanë shqetësuar dhimbjet e sipërmarrësve të shkaktuara nga “tepsistët” ose nga drejtorët e LSI-së. Dhe mund të ketë të drejtë. Por ai s’përmendi asnjë dhimbje punëtori! Ndoshta s’i ndjen ato.
Sa i përket riemërimit të disa ministrave në të njëjtët poste, ai është, edhe një herë, i padrejtë. Le të konsiderojmë disa prej tyre: Bushatin (ministrin e jashtëm); Ahmetaj (ministri i financave, ekonomisë dhe punës); dhe Gjiknurin (ministri i energjitikës).
Ministrinë e jashtme Rama u mundua ta orientonte pak ditë përpara asamblesë duke e qortuar rëndë punën e diplomacisë shqiptare pavarësisht se ai vetë ishte përgjegjësi kryesor për parazitizimin e saj: kështu, në mandatin e dytë ajo do të përqendrohet te kapitali i huaj! Që diplomatët e Bushatit nuk na sollën asgjë kaq vite, kuptohet nga lajmet që prodhoi vetë Bushati për katër vjet: lajmi më ‘idot’ që prodhoi në të vërtet ishte kur tha në një intervistë se ne “nuk bashkohemi me Kosovën, [sepse] iu kemi dhënë besën të huajve”!
Nuk dihet se pse lëshoi këtë idiotësi. Por gjasat janë se ka dashur të çorientojë serbët. Është një “politikë” që quhet “politika e çorientimit”, e cila nënkupton se ndryshe do të jenë qendrimet politike në publik dhe ndryshe do të veprohet. Por këtë “politikë” jo vetëm që e njohin dhe serbët por praktikisht nuk solli asgjë kaq vite. Përparësia jonë në diplomaci këto vite duhet të ishte bashkimi kombëtar. Rama s’e kishte në përparësi. Përkundrazi, katër vjet bëri vetëm retorikë. Besoj se nuk njeh rrugët përmes të cilave bashkohet populli shqiptar: sepse nëse do t’i njihte – do të na i tregonte, teorikisht dhe praktikisht. As Bushati nuk i njeh. Por as edhe këshilltarët e tjerë që ka punësuar dhe paguan me kursimet tona të pakta dhe të dhimbshme, nuk i njohin: sepse nuk kemi parë asnjë publikim të tyre. Parazitë që punësohen nga kryeparazitë.
Në fjalë të tjera, tani diplomatët tanë do të bredhin në zyra e rezidenca trilionerësh për t’i ngashënjyer me pasuritë e mëdha që ofron Shqipëria (taksa të ulëta dhe ndonjë herë dhe jotaksa dhe paga mjerane dhe ndonjë herë punëtorë pa paga për...konçesionarët e rinj). Shkurt, diplomatë kasnecë.
Por cili duhet të jetë roli i diplomatëve? Në të vërtetë, po t’i pyesim vetë ata, vështirë se do të marrim ndonjë përgjigje autentike. Sidoqoftë, diplomatët duhet të punojnë për realizimin e përparësive që vendos një qeveri në raport me të huajt dhe veçanërisht me qendrat e gjeopolitikave botërore. Qeveria “Rama2” këtë mandat vendosi ‘ekonominë’ si përparësi ndryshe nga mandati i parë që s’u vuri asnjë përparësi! Shkurt, zabërhanë të kapitalit, turk, arab, grek, serb, italian, europian, amerikan etj. Një qeveri pa busull dhe pa studime domosdo që kështu do të vepronte. Ka një muaj tashmë që dëgjon qytetarët për të kuptuar hallet e tyre. Dhe hallemëdhenjt, ngaqë janë trushpëlarë nga ideologjia bizotëruese, i kërkuan rrugë etj si këto. Sikur ata që kanë rrugë të asfaltuara (grekët, psh.) zgjidhën problemet ekonomike!
Sidoqoftë, le të kthehemi te diplomacia: në kohët në të cilat jetojmë, ne duhet të kishin përparësi për diplomacinë bashkimin e shqiptarëve duke filluar me Kosovën dhe më pas me hapësira të tjera shqiptare. Ky objektiv kërkon ç’ka kam shqyrtuar në një studim të parapublikuar: “Shqipëria dhe Serbia: nga sfidat drejt perspektivave”. Ata që nuk e mbështesin këtë objektiv në kushtet aktuale gjeopolitike ose janë idiotë dhe si të tillë duhet të përbuzen ose janë obstruksionistë dhe si të tillë duhet të demaskohen. Lidhur e këtë objektiv (dhe jo vetëm) qeveria aktuale është kryekëput idiote.
Ahmetaj ka mashtruar dy herë: një herë kur i thotë popullit se s’ka rrugë tjetër veç politikave të kursimit dhe një herë kur na thotë se partneriteti publik-privat do të investojë 1 miliardë dollarë duke u mbështetur me kursimet e popullit! Gjiknuri, ndërkohë, të vetmin “sukses” që pati ishte të detyronte të varfërit —të pambrojturit— të paguajnë energjinë dhe t’i linte shpesh pa darkë, sepse asnjë faturë të anëtarëve të klasës politike, shkaktarëve të krizës energjitike, nuk na tregoi, siç premtoi!
Risija e vetme që kishte asambleja ishte kthimi në rrënjët e partisë: drejtimi i njeri-tjetrit me “shokë dhe shoqe”. Gjithë të tjerat, se deputetët do ta ‘ndajnë’ pushtetin me qytetarët, një koncept ose praktikë që e ka huazuar ndoshta nga Projekti që kam publikuar pak vite më parë, sepse europianët s’para e ndajnë pushtetin me qytetarët...themi një fjalë të urtë si popull: fshati që duket s’do kallauz...
Si mund ta 'ndajnë' pushtetin deputetët me popullin kur vetë kryeministri nuk e ndanë atë me deputetët as në asamble e jo më gjatë qeverisjes? Si mund të kërkojë 'udhëheqje' nga deputetët kur ai vetë nuk udhëheq as me veprime virtuoze e as me punë teorike?
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 83 reads



