Letër e hapur drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së: e drejta ndërkombëtare ndalon luftën amerikane kundër Iranit
Kërcënimi` tanishëm për një sulm nga SHBA-ja nuk nisi nga ndonjë dështim i Iranit për të biseduar. Përkundrazi, ai nisi nga heqja dorë e Shteteve të Bashkuara nga bisedimet që kishin pasur mbrothësi
Jeffri D. Saks | 16 shkurt 2026 | Common Dreams
17/02/2026 - 07:37
Anëtarë të nderuar të Këshillit të Sigurimit,
Presidenti i Shteteve të Bashkuara po lëshon kërcënime të rënda për përdorimin e forcës kundër Republikës Islamike të Iranit, nëse ajo nuk pranon kërkesat e SHBA-së. Veprimet e tij rrezikojnë një luftë të madhe rajonale me pasoja shkatërruese. I pyetur nëse dëshironte ndryshim regjimi, ai u përgjigj se kjo “duket sikur do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”. Kur u pyet pse një aeroplanmbajtëse e dytë amerikane ishte dërguar në rajon, Presidenti Tramp u përgjigj: “në rast se nuk arrijmë një marrëveshje, do të na duhet… nëse na duhet, do ta kemi gati”.
Këto kërcënime janë në shkelje të Nenit 2(4) të Kartës së OKB-së, i cili përcakton se “të gjithë Anëtarët do të përmbahen, në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare, nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit hapësinor ose pavarësisë politike të çdo shteti, ose në çdo mënyrë tjetër të papajtueshme me Qëllimet e Kombeve të Bashkuara”.
Këto kërcënime vijnë në kontekstin e thirrjeve të përsëritura të Iranit për bisedime. Për më tepër, më 7 shkurt, ministri i jashtëm i Iranit mbajti një fjalim në Doha, duke parashtruar bisedime gjithëpërfshirëse për paqen rajonale, pas një raundi bisedimesh në Oman, të mbështetura nga diplomacia e shteteve arabe dhe e Turqia. Edhe pse është njoftuar një raund i dytë bisedimesh, SHBA-ja po i rikthehet përshkallëzimit të kërcënimeve me forcë.
Çështja që i shtrohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në këto ditë të rrezikshme është nëse ndonjë shtet anëtar, përmes forcës ose kërcënimit me forcë, mund ta vendosë veten mbi Kartën e Kombeve të Bashkuara që na qeveris të gjithëve. Në lojë është integriteti i sistemit ndërkombëtar të bazuar në OKB.
Një nga rolet thelbësore të Këshillit të Sigurimit është t’u bëjë thirrje shteteve anëtare që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me mjete paqësore, si bisedimet, ndërmjetësimi, arbitrazhi ose zgjidhja gjyqësore, pa kërcënim force ose pa përdorim force. Sot, bota ka nevojë urgjente për një përkushtim të ripërtërirë ndaj diplomacisë.
Kërcënimi` tanishëm për një sulm nga SHBA-ja nuk nisi nga ndonjë dështim i Iranit për të biseduar. Përkundrazi, ai nisi nga heqja dorë e Shteteve të Bashkuara nga bisedimet që kishin pasur mbrothësi.
Më 14 korrik 2015, pas vitesh diplomacie të gjerë, Irani dhe vendet e P5-ës plus Gjermania përfunduan Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), për të siguruar që programi bërthamor i Iranit të mbetej ekskluzivisht paqësor. Në këmbim, sanksionet ekonomike ndaj Iranit do të hiqeshin. JCPOA-ja i vendosi aktivitetet bërthamore të Iranit nën mbikëqyrje të rreptë dhe të vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe, në këtë mënyrë, i dha fund rrezikut të një “shkëputjeje” drejt armëve bërthamore nga Irani, një rrezik që Irani e kishte mohuar vazhdimisht.
Më 20 korrik 2015, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri Vendimin 2231. Ai vendim “miraton JCPOA-në” dhe u bën thirrje të gjithë shteteve të ndërmarrin hapat “e nevojshëm për të mbështetur zbatimin” e tij. Ai i dha fund vendimeve të mëparshme të sanksioneve dhe e mishëroi JCPOA-në në të drejtën ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit e njohu shprehimisht “të drejtën e Iranit për të zhvilluar energji bërthamore për qëllime paqësore” sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe vendosi një regjim të fortë verifikimi.
Megjithatë, më 8 maj 2018, tre vjet pas atij vendimi të mbrothët të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën njëanshmërisht nga JCPOA-ja. Kjo tërheqje u mbështet në mënyrë të gjallë nga qeveria izraelite. Që nga fundi i viteve 1990, udhëheqja e Izraelit ka pretenduar vazhdimisht, në mënyrë të rreme dhe hipokrite, se Irani ishte pranë sigurimit të një arme bërthamore, ndërkohë që vetë Izraeli kishte siguruar fshehurazi armë bërthamore jashtë Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe, deri më sot, ka kundërshtuar t’i bashkohet atij traktati dhe t’i nënshtrohet këqyrjeve të tij.
Kur presidenti Tramp e tërhoqi njëanshmërisht SHBA-në nga JCPOA-ja, SHBA-ja rivendosi sanksione të gjera, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Rezolutën 2231, dhe nisi një fushatë lufte ekonomike të projektuar për të gjymtuar ekonominë iraniane, e cila vazhdon edhe sot.
Kërcënimet e tanishme të SHBA-së janë, pra, pjesë e një plani të gjatë të shtirjes së interesit për bisedime, ndërkohë që në të vërtetë ndiqet luftë ekonomike dhe forca ushtarake. Në qershor 2025, pas rifillimit të bisedimeve më herët atë vit, SHBA-ja dhe Irani hynë në raundin e gjashtë të bisedimeve. SHBA-ja i kishte quajtur bisedimet të dobishme dhe pozitive. Raundi i gjashtë ishte caktuar për 15 qershor 2025. Megjithatë, më 13 qershor 2025, SHBA-ja mbështeti bombardimin e Iranit nga Izraeli. Një javë më pas, SHBA-ja sulmoi Iranin në kuadër të Operacionit “Çekani i Mesnatës”.
Sulmi i SHBA-së ndaj Kartës së OKB-së tani është përshkallëzuar sërish deri në prag të luftës, me kërcënime force dhe akte lufte ekonomike që vazhdojnë çdo ditë. SHBA-ja po rrit praninë e saj ushtarake pranë Iranit dhe ka kërcënuar vazhdimisht për një sulm të afërt.
Administrata ka qenë gjithashtu e hapur për strategjinë e saj të luftës ekonomike. Më 20 janar, në një intervistë në Davos, sekretari amerikan i Thesarit, Skot Besent, përshkroi se si SHBA-ja kishte projektuar qëllimisht rrënimin e monedhës iraniane, mungesën e dollarit dhe shembjen e importeve, të gjitha me synimin për të nxitur vuajtje ekonomike dhe trazira masive. Besent i përshkroi trazirat që pasuan si “duke lëvizur në një drejtim shumë pozitiv”.
Ana më tronditëse e fushatës amerikane për ndryshim regjimi në Iran është këmbëngulja e përsëritur e SHBA-së se Irani duhet të bisedojë. Irani ka biseduar, vazhdimisht. JCPOA-ja u bisedua dhe u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Edhe pasi Irani u zotua për bisedimet të reja verën e kaluar, ai u përball me sulme ajrore në shkallë të gjerë në territorin e tij. Tani, SHBA-ja e shpall hapur politikën e rrënimit ekonomik dhe të ndryshimit të regjimit.
Asnjë vend nuk është i sigurt, nëse Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë kërcënime të hapura kundër Iranit dhe, në të vërtetë, edhe kundër disa shteteve të tjera në javët e fundit, përfshirë Kubën, Danimarkën dhe të tjerë.
Është njëkohësisht e trishtueshme dhe domethënëse të kujtohet se Kombet e Bashkuara ishin ide e Presidentit Frenklin D. Ruzveltit. Ai parashikoi një epokë bashkëpunimi të fuqive të mëdha dhe shumëpalëshmërie nën ligjin ndërkombëtar, si bazë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Bashkëshortja e tij, Eleonor Ruzvelt, mbikëqyri hartimin dhe miratimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
SHBA-ja, në atë kohë, parashikonte një epokë në të cilën diplomacia do të lulëzonte dhe ligji e drejtësia, e jo forca brutale, do të mbizotëronin; një kohë në të cilën do të nderonim fjalët e profetit Isaia, të gdhendura në murin në Rrugën e Parë përballë Kombeve të Bashkuara: “Do t’i shndërrojnë shpatat e tyre në parmenda dhe heshtat e tyre në gërshërë krasitjeje. Një komb nuk do të ngrejë shpatën kundër një kombi tjetër, dhe nuk do të mësojnë më luftë.”
Të lejosh shkeljen e pamëshirshme të Kartës së OKB-së, e aq më tepër nga vendi pritës i saj, do të thotë të ftosh rikthimin e luftës botërore, këtë herë në epokën bërthamore. Me fjalë të tjera, do të thotë të ftosh vetëshkatërrimin e njerëzimit. Në emër të “Ne, Popujt”, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban autoritetin dhe përgjegjësinë e rëndë për ruajtjen e paqes.
Me respekt,
Jeffri D. Saksi
Profesor universiteti, Universiteti i Kolumbias
Shtojcë. Më poshtë paraqes me përulësi një Projekt-Vendim përshkrues, me të cilin Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të përmbushë detyrën e tij në rrethanat e tanishme.
Këshilli i Sigurimit,
Duke rikujtuar qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, në veçanti detyrimin e të gjithë shteteve anëtare për t’u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër tërësisë hapësinore ose pavarësisë politike të çdo shteti, siç përcaktohet në Nenin 2(4) të Kartës,
Duke ripohuar se ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare mbështetet në nderimin e të drejtës ndërkombëtare, autoritetin e Këshillit të Sigurimit dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve,
Duke rikujtuar Rezolutën 2231 (2015), të miratuar njëzëri më 20 korrik 2015, me të cilën Këshilli i Sigurimit miratoi Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) dhe u bëri thirrje të gjithë shteteve anëtare të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të mbështetur zbatimin e tij,
Duke ripohuar përkushtimin ndaj Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, nevojën që të gjithë shtetet palë në këtë traktat të zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre, dhe duke rikujtuar të drejtën e shteteve palë, në përputhje me Nenet I dhe II të atij traktati, për të zhvilluar kërkim, prodhim dhe përdorim të energjisë bërthamore për qëllime paqësore, pa diskriminim,
Duke vepruar në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara,
– U bën thirrje të gjithë shteteve anëtare të ndërpresin menjëherë dhe pa kushte çdo kërcënim ose përdorim force dhe të zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas Nenit 2(4) të Kartës së Kombeve të Bashkuara;
– Pranon se JCPOA-ja përbënte një bisedë shumëpalëshe të vlefshme, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit, dhe njeh se braktisja e JCPOA-së erdhi si pasojë e tërheqjes njëanshme të Shteteve të Bashkuara;
– Vendos që, në bazë të autoritetit të tij, Këshilli i Sigurimit mandaton të gjithë shtetet e përfshira të përfshihen menjëherë në bisedime për të përfunduar një marrëveshje të re gjithëpërfshirëse mbi çështjen bërthamore iraniane, duke u mbështetur në parimet e JCPOA-së dhe plotësisht në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore;
– U bën thirrje të gjithë shteteve anëtare të përmbahen nga veprime që minojnë përpjekjet diplomatike, përshkallëzojnë acarimet ose dobësojnë autoritetin e Kombeve të Bashkuara; dhe
– Vendos të mbetet gjallërisht e përfshirë me këtë çështje.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 35 reads



