Rebelët britanikë nuk mposhten: bllokojnë shtypin e kontrolluar nga oligarkia
Përpjekjes së tyre në Britani i është bashkuar dhe rinia komuniste dhe trockiste pavarësisht dallimeve në qasje: sepse duhet thënë se rinia komuniste dhe trockiste vepron për hir të ideologjisë dhe jo për hir të kuptimit të realitetit ekologjik
Ylli Përmeti
08/09/2020 - 12:49
Kur epidemia u bë pandemi dhe thuajse gjithë planeti “ngriu” ashtu “ngriu” dhe veprimtaria politike e Rebelëve Shfarrosës (kuptoje se gjendemi përballë shfarrosjes ose rebelimit): sepse për shkak të karantinave veprimtaria njerëzore dhe tregëtare u zvogëlua dhe bashkë me to ranë dhe përqindjet e çlirimit të gazrave në atmosferë — aq sa shumë filluan të besonin se C-19 shpëtoi të paktën planetin nga shfarrosja. Por ky besim nuk zgjati shumë sepse karantinat u hoqën në shumicën e vendeve dhe bashkë me to filloi sërish të bombardohësh planeti me helme dhe ndotje. Për të njëjtën arsye, Rebelët filluan veprimtarinë e tyre politike sërish në shtator. Objektivi i tyre këtë herë ndryshoi: nuk bllokuan rrugë dhe hapësira publike (nga ku çlirohet shumica e gazrave) por bllokuan shtypin—gazetat kryesore, sepse nuk i tregojnë të vërtetën popullit për gjendjen ekologjike dhe të ardhmen e tij.
“Shfarrosje ose Rebelim”: mobilizon mijëra njerëz dhe shkakton një revolucion të vërtetë në Britani
Shtypi, sipas tyre, është kapur nga oligarkia (mos u ngatërroni me kuptimin që i japin ‘oligarkisë’ kretinët e anëve tona: se ajo shprehet vetëm përmes pushtetit ekonomik apo pasanikëve!). Se si kapet shtypi nga oligarkia —pushteti politik dhe ekonomik— e kam treguar në një studim. Britania, sidoqoftë, ka shtyp më të lirë se Shqipëria. Kjo është arsyeja se pse në vendin tonë realiteti e gjendjes ekologjike nuk është kuptuar fare në popull ndërsa është kuptuar deri diku nga të ashtuquajturit “ekologjistë” meqë nuk kanë realizuar ndonjë studim. Dhe kjo është arsyeja se pse nuk dëshmojmë asnjë protestë kundër katastrofës kolektive që zhvillohet përpara nesh: sepse media jonë kombëtare kontrollohet tërësisht nga oligarkia. Por rebelët britanikë nuk e shohin shtypin dhe median britanike duke e krahasuar me median dhe shtypin tonë: ata shikojnë se shkalla e katastrofës ekologjike po çensurohet dhe për të njëjtën arsye reagojnë duke sakrifikuar dhe jetën e tyre.
Në aksionin e fundit, kundër shtypit, Rebelët bllokuan shtypshkronjat kyçe duke bllokuar shtypjen e gazetave kombëtare. Në shënjestrën e tyre ishin gazetat, “The Times”, “The Sun”, në Broxbourne, Hertfordshire dhe Knowsley, Mareseyside. Në ato shtypshkronja shtypen dhe “The Daily Telegraph”, “Financial Times” dhe “Daily Mails”. Ata bllokuan dhe shtypshkronjën ku shtypet “The Scotish Sun”. Aksioni shprehet me lidhjen e tyre në ndërtesa gjatë natës. Për t`i zgjidhur policisë i duhet kohë dhe kështu bllokojnë për disa orë veprimtarinë e shtypshkronjave. Si pasojë, më shumë se 500 rebelë u arrestuan. Kështu deri diku objektivi u realizua: sepse duhet thënë se disa gazeta u shtypën në shtypshkronja të tjera të cilat nuk ishin bllokuar nga veprimtarët—shtypshkronja ortakësh!
Sidoqoftë, veprimtarët nuk e kanë ulur intesitetin e veprimtarisë. Paralelisht kanë hartuar një projektligj ku kërkohet nga paralemtanti të shpallet gjendja e jashtëzakonshme lidhur me ndryshimet klimatike ose katastrofën ekologjike dhe organizimin e asambleve popullore prej të cilave do të vendoset se si do të veprohet dhe çfarë drejtimi do të marrë shoqëria. Projektligji shkoi në kuvend ditët e para të shtatorit me mbështetjen e pak deputetëve por qeveria e la shqyrtimin e tij për vitin tjetër! Për të njëjtën arsye rebelët po përgatiten për aksione të tjerë.
Duhet thënë se rebelët britanikë kanë frymëzuar miliona njerëz rreth botës dhe janë krijuar plotë organizata të ngjashme. Përpjekjes së tyre në Britani i është bashkuar dhe rinia komuniste dhe trockiste pavarësisht dallimeve në qasje: sepse duhet thënë se rinia komuniste dhe trockiste vepron për hir të ideologjisë dhe jo për hir të kuptimit të realitetit ekologjik! Ky është një dallim i rëndësishëm sepse të veprosh pasi ke kuptuar drejtë një problematikë është më dëshirueshme se sa kur vepron për shkak të ideologjisë. Kjo e fundit nënkupton një lloj sinteze politike-ekonomike ku rinia në fjalë do të drejtojë dhe të tjerët do të zbatojnë! Domethënë, lëvizjet marksite, komuniste qofshin ato apo trockiste, kanë një qëllim të mëtejshëm në veprimtarinë e tyre politike: kërkojnë të drejtojnë përmes një sinteze e cila ka treguar se ka dështuar! Të drejtosh kur procedon përmes kuptimit dhe të drejtosh kur nuk procedon përmes kuptimit nuk është njëlloj...
Sidoqoftë, mosmarrëveshjet mes tyre u zgjidhën dhe tani janë pjesë e një fronti mjaft të gjerë popullor. Përpjekjes së tyre po i bashkohen dhe disa bilionerë—në dijeni të realitetit ekologjik— dhe po ndihmojnë veprimtarinë e tyre me financë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 39 reads