...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Emisioni “stop” dhe Kajmaku sulmojnë padrejtësisht kryetarin e bashkisë “Vorë”

Ne si qendër studimore kemi publikuar plotë raporte që tregojnë se media jonë është tërësisht e kapur nga oligarkia në fjalë—në kuptimin që është krijuar nga ajo dhe financohet nga ajo, në përqindje të konsiderueshme

Ylli Përmeti

18/04/2020 - 16:56

Thuajse të gjithë e dimë tashmë se media kombëtare ­—publike dhe private­— kontrollohet nga oligarkia ekonomike dhe politike. Me “oligarki ekonomike” kuptoj gjithë pasanikët e Shqipërisë që majmen nga politikat tenderuese dhe konçesionare të qeverisë, ku bëjnë pjesë dhe televizionet private të tipit “Klan” (vetë emëri i këtij televizioni nënkupton një “grup njerëzish të lidhur nga interesa të njëjta vetjake”; Topchannel” (ky pretendon se është “më i miri” në tregun e medias dhe paraqitet si “patriot” të vlerave tona kombëtare përfshirë dhe gjuhën tonë por vetë quhet me një fjalë të huaj etj.) dhe televizione të tjerë, ndërsa me “oligarki politike” kuptoj partitë në pushtet të cilat bashkëpunojnë ngushtë me oligarkinë ekonomike, dhe jo siç e shtrembërojnë partitë në pushtet kuptimin e saj, se oligarki janë vetëm pasanikët që qendrojnë pas njërës parti apo tjetrës.

Ne si qendër studimore kemi publikuar plotë raporte që tregojnë se media jonë është tërësisht e kapur nga oligarkia në fjalë—në kuptimin që është krijuar nga ajo dhe financohet nga ajo, në përqindje të konsiderueshme: sepse media gjeneron fitime edhe nga tregu (reklamat etj.). Paralelisht me median e kapur, kemi shkollat e gazetarisë që përgatisin “gazetarë” të paaftë dhe lehtësisht të korruptueshëm: si të tillë, ata rekrutohen në median e përgatitur nga olikarkia përkatëse dhe i shërbejnë kryesisht asaj dhe jo të vërtetës, drejtësisë dhe popullit. Disa prejt tyre janë kritikuar nga ne. Lexo, psh, gazetarët e korruptuar të Fiks-it: 

Vrasja e qenit në Rrëmbec të Korçës dhe institucionet dhe shoqëria jonë e padrejtë (barbare)

Por cilin të kritikosh më parë kur dihet se çdo kritikë nuk ka asnjë efekt tek gazetarët përsa kohë që ata i shërbejnë oligarkisë përkatëse dhe kanë krijuar varësi kundrejt saj? Se si punon media dhe pse është ashtu siç është, e kam treguar në një studim të cilin media kombëtare —pa u çuditur— e çensuroi!

Kështuqë, po i kthehem këtë herë një emisioni televiziv në “Klan”: “Stop-it”, emisionit satirik që pretendon se ndihmon popullin (duhet thënë se kur administrata shtetërore është thuajse tërësisht e korruptuar, emisione të tillë e ndihmojnë ndonjë herë popullin e pambrojtur por në tërësi nuk e ndihmojnë, sepse ndërsa ndihmojnë ndonjë herë - paralelisht riprodhojnë korrupsionin bashkë me oligarkinë, meqë nuk tregojnë shkaqet e korrupsionit...për të riprodhuar emisionet e tyre) ndërsa lufton kurrupsionin me...hetime! Ata vetquhen, në fakt, emisione satirik “investigues”—përdorin, domethënë, një fjalë të huaj në vend të fjalës shqipe: hetim!

Por le ta lëmë mënjanë këtë kontradiktë gjuhësore meqë gazetarët përfshihen në një shoqëri të korruptuar edhe në gjuhësi dhe nuk i shpëtojnë dot dinamikës së saj dhe të hetojmë pjesërisht një rast që lidhet me kryetarin e bashkisë Vorë, punën e të cilit ne si qendër studimore e kemi përfshirë në rubrikën e ndërmarrjeve inovative në Shqipëri, ndaj të cilit, emisioni në fjalë, ose Saimir Kodra, meqë ai pretendon se është “gazetar” dhe të tjerë ndihmsat e tij, përcolli plotë padrejtësi:

“Para ca kohësh, transmetuam ankesën e disa bizneseve, 100 ishin në total, që në një moment të bukur, pikërisht në këtë situtatë, që vetë kryeministri, që siç folëm këtu, parashikoi pagën e luftës për ata që s`punonin dot, bizneset do t`i paguanin por kur vajtën për t`i paguar, për të derdhur paratë në llogarinë e secilit punëtor, gjetën llogaritë e bllokuara. Kush është arsyeja? Kryetari i bashkisë Vorë na i kishte bllokuar, citon krye...gazetari!

Pas hyrjes së tij, vazhdon ndihmësi i tij në terren, në reportazh-hetimin e tij duke e quajtur “skandal” bllokimin e 14 marsit 2020 por këtë herë duke i bërë “qindra” kur Saimiri pohoi se ishin vetëm 100 biznese ndërsa ndihmësi i tij, hetuesi, i bëri “qindra” dhe “mijëra” punëtorë të papaguar të punësuar në këto biznese. Reporteri në fjalë e quajti më tej rastin në fjalë “histori nastradine”!

Kështu, sipas tij, urdhëri ka dalë në një kohë të papërshtatshme dhe është i papreçedentë meqë gjendemi në gjendje pandemie. Ai vazhdon ta “ripërtypë” “hetimin” e tij me fjalë të tjera duke përdorur fjalë hiperbolizuese dhe duke u përqendruar tek “fakti” se kryetari bllokoi llogaritë bankare dhe dëmtoi bizneset dhe punëtorët!

Në përpjekjen e tij për të treguar karakterin e “padrejtë” të kryetarit, ai i kërkon takim dhe siç e paraqet në emision, takohet me vështirësi...ku përpiqet t`i imponohet kryetarit me qasjen se më parë hetohet gjendja pastaj veprohet. Tregon, me tej, dhe një “padrejtësi” tjetër të kryetarit: prishjen e ‘themeleve’ të një pallati nga sekretari i këshillit bashkiak pa lejen e bashkisë...sepse është miku i kryetarit...ndërsa tregon në filmim një prishje jo të themelit, siç e paraqiti si fillim, por të një muri, pa paraqitur ndonjë hollësi tjetër (se ç`lidhje kishte prentendimi me pallatin përkatës etj.)! Nuk harroi të përmendte, se si pasojë e emisionit, bashkia shkoi dhe pezulloi punimet në pallatin përkatës dhe gjobiti shkelësin! 

Më pas, kryegazetari i emisionit, Kodra, pohon se Kajmaku është shkarkuar padrejtësisht dhe se ai do të realizojë një “hetim” ku do të tregojë “pastërtinë” e tij, duke nënkuptuar se do të sfidojë organet ligjore. Kujtoj se Kajmaku është shkarkuar me vendim gjykate pas shumë përpjekjesh për t`iu imponuar bashkisë përkatëse. Dhe kujtoj se Saimiri ngatërronte shpesh mbiemrin e kryetarit! Si duket, hetimi që bëri nuk ishte aq i efektshëm në mendjen e tij sa të mbante mend të paktën emërin se për të gjykuar drejtë politikat e kryetarit në fjalë, nuk është i aftë.

Keqparaqitja e të vërtetës, në fakt, fillon që në fillim: sepse shkresa e bashkisë nuk flet për bllokim të llogarive bankare të bizneseve por “bllokimin e vlerës së detyrimit ndaj bashkisë” (shih shkresën e bashkangjitur me këtë hetim) duke sqaruar më poshtë se bëhet fjalë për detyrime të parambetura të subjekteve të listuara në listën e bashkangjitur me shkresën (fakt që tregon se bashkia ka hetuar dhe jo siç e paraqet emisioni, se ajo veproi pa hetim!) ndërsa kërkon nga bankat të mbrohen subjektet ose bizeneset përkatëse, sepse ka marrë ankesa nga ata, duke kërkuar më tej nga bankat të respektojnë dispozitat ligjore të Kodit Civil me qëllim që të lejojnë subjektet përkatëse të “paguajnë punonjësit e tyre nëse paraqesin një kërkesë të tillë”.

Qartësisht, bëhet fjalë për një emision të montuar dhe ndoshta të financuar nga Kajmaku. Kujtoj se kryetari në fjalë e ushtron detyrën e tij në përputhje me kontributin e tij në degën e partisë “socialiste” në Vorë dhe ligjin; është në detyrë vetëm dy muaj dhe ka gjetur një bashki të zhytur në borxhe: mbi 7 miliardë lekë! Këtë borxh e ka krijuar pararendësi i tij, kryetari i partisë “demokratike”, i cili jo vetëm që nuk ka qenë i tejdukshëm me politikat e tij shumëvjeçare por ka krijuar një pasuri marramendëse për të cilën Kodra, që na thotë kodra pas bregut, dhe zagarët e tjerë të “gazetarisë” shqiptare, nuk hetojnë!

Nga ky rast dhe të ngjashëm si ky mësojmë edhe një herë se gazetaria vërtet heton pushtetet por i heton ata me drejtësi dhe jo për të fituar përmes padrejtësive! Kujtoj, në fund, se bashkia e Vorës mund t`i ngrejë padi emisionit në fjalë për shpifje ndërsa shpresoj dhe uroj të luftojë padrejtësitë me vendosmëri dhe drejtësi!                    

   

Video: 

It appears your Web browser is not configured to display PDF files. Download adobe Acrobat or click here to download the PDF file.

Click here to download the PDF file.
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA