Vrasja e qenit në Rrëmbec të Korçës dhe institucionet dhe shoqëria jonë e padrejtë (barbare)
Niveli i njerëzve të padrejtë në shoqërinë tonë është alarmant kur supozohet se njerëzit zhvillojnë virtytin e drejtësisë si nga insticionet ashtu dhe nga shoqëria! Karakteri i tyre i padrejtë shprehet me thuajse gjithçka që i rrethon dhe veçanërisht lidhur me kafshët
Ylli Përmeti
11/10/2019 - 08:25
Niveli i njerëzve të padrejtë në shoqërinë tonë është alarmant kur supozohet se njerëzit zhvillojnë virtytin e drejtësisë si nga insticionet ashtu dhe nga shoqëria! Karakteri i tyre i padrejtë shprehet me thuajse gjithçka që i rrethon dhe veçanërisht lidhur me kafshët.
Rasti i fshatit Rrëmbec të Korçës, ilustron me mjaft përpikmëri karakterin e padrejtë të shoqërisë dhe institucioneve tona. “Viktima” atje u sulmua nga “tre-katër” qenë që sipas tij, njëri prej tyre, “më i madhi”, e kafshoi. Si pasojë, “viktima” pësoi plagë në këmbë, të cilat i mjekoi ndërsa gëzoi dhe raportin mjekësor. Pas denoncimit të sulmit, policia bashkiake lajmëroi “viktimën” që të ankohet dhe të kërkojë vrasjen e qenit! Dhe “viktima”, si njeri i padrejtë dhe me karakter hakmarrës, ashtu veproi: pas ankesës shkoi veterineri për të vrarë qenin por nuk e vrau sepse dyshoi “autorin” për shkak se zotëruesi i qenit nuk pranoi se ishte qeni i tij që e kafshoi – si pasojë, veterineri kërkoi prova të mëtejshme (video etj.). Dhe ngaqë ishte e vështirë të siguroheshin provat e kërkuara nga veterineri, vrasja nuk u ekzekutua dhe “viktima” iu drejtua pushtetit tjetër për të realizuar vrasjen e qenit: pushtetit mediatik. Kështu në terren shkuan gazetarët e emisionit televiziv “Fiksfare” të cilët pretendojnë se dijnë të hetojnë me doza satirike...dhe në vend ta ‘hetonin’ (apo ‘investigonin’, meqë këtë fjalë përdorin!) talleshin me palët!
Duhet thënë se “viktima” ishte sulmuar jashtë një stalle, rreth orës pesë të mëngjezit, ku qendronin dhe qentë. Si duket, për të ruajtur stallën (zotëruesi i qenit pohoi se ‘ndiqësh’ një qenushe). Mirëpo, ky fakt “viktimës” nuk i mjaftoi dhe shkoi si “cjapi te kasapi” — domethënë, shkoi në një hapësirë ku ruhësh nga qentë dhe kërkoi të mos e sulmonin! Kur? Natën — kur dihet se shikimi i qenëve (dhe jo vetëm) është i paqartë! Por edhe sikur të ishte shikimi i qartë - qentë kurrë nuk kafshojnë ‘pa arsye’. Ndërsa çështja se qentë nuk kafshojnë kurrë pa arsye do të qartësohet më tej, revoltë të krijon reagimi i gazetarëve përkatës, të cilët në vend ta pyesnin “viktimën” se mos ishte bërë vetë ‘shkak’ për sulmin (në sytë e drejtësisë ‘shkaktari’ është ‘fajtor’) talleshin duke nënkuptuar të drejtën e tij për të kërkuar vrasjen e qenit!
Revoltë të krijon gjithashtu guximi i “viktimës” që në vend ta shikojë veten si fajtor guxon dhe kërkon vrasjen e një qeni që në fund të fundit kreu detyrën e tij: ruajti stallën! Por revoltë të krijon dhe reagimi i të ashtuquajturve “qytetarë” që në vend të tregojnë fajtorin e vërtetë, tregojnë qenin si fajtorë! Dhimbshëm, “qytetarë” të tillë, raste si ky i përgjithësojnë dhe argumentojnë se qentë të sulmojnë ‘pa arsye’...duke propozuar kontrollin e tyre nga zotëruesit! Qentë, në fakt, nuk sulmojnë ‘pa arsye’. Problemi janë njerëzit që nuk kuptojnë evidenten.
Tre janë arsyet kryesore se pse qentë sulmojnë njerëzit: së pari, sepse perceptohen si të huaj (qentë nuk janë familjarizuar me botën e jashtme); së dyti, sepse pavarësisht se ata janë të braktisur (kjo është kategori më vete), në përpjekjen e tyre për të mbijetuar, gjejnë kënde të ndryshme në qytete ku sigurojnë ushqim dhe nëse dikush shkon pranë vendit që e konsiderojnë të tyren, sulmojnë; dhe së treti, shëmbëllesa e një njeriu me një njeri tjetër që e ka dhunuar, sepse qentë kanë kujtesë të mirë dhe e mbajnë mend dhunuesin. Një arsye tjetër është vrulli i kolektivit: kur qentë e braktisur bëhen bashkë, ata përfshihen në dinamikën që krijohet mes tyre. Dinamikën në fjalë zakonisht e krijon qeni që udhëheq turmën.
Filozofia e kafshëve, zhvillimet e fundit për mbrojtjen e tyre dhe ndërmarrja në Durrës
Për sulmet që ndodhin nga qentë e braktisur, rrjedhimisht, janë përgjegjës të gjithë, edhe ata “qytetarë”që këshillojnë si rrugëzgjidhje lidhjen e qenëve apo kontrollin e tyre nga zotëruesit: sepse nuk kontribuojnë as në dije lidhur me shkaqet se pse sulmojnë qentë; as në administrimin e tyre (siç kam projektuar prej vitesh dhe pushtetarët e tipit “Rama” e bllokojnë!); dhe as kontribuojnë lidhur me kuptimin se si ‘mësohet’ (edukohet) njeriu dhe kafsha kur dihet se njeriu ‘mësohet’ me kafshët dhe kafshët me njerëzit vetëm kur përballen njëri-tjetrin—një proces që nënkupton se kafshët shtëpiake familjarizohen me njerëzit dhe nuk izolohen në emër të mbrotjes së njeriut: sepse nëse veprojmë kështu, ne nuk i ‘mësojmë’ njerëzit si të zhvillojnë aftësi njerëzore për t`u përballur me kafshët dhe as ‘mësojmë’ kafshët si të përballen me njerëzit. Ne bëhemi të padrejtë, edhe një herë, kur nuk kuptojmë të drejtën e tyre për të jetuar një jetë të balancuar mes botës së jashtme dhe jetës private. Mjafton të përmendim jetën e njerëzve në fshatra ku megjithëse kuptimi i plotë i natyrës së kafshës mungon, njerëzit ‘mësohen’ me to që fëmijë dhe zhvillojnë aftësi për t`u përballur me to siç ‘mësojnë’ dhe kafshët të jetojnë me njerëzit.
Lejimi i kafshëve të egra në Britani dhe vende të tjerë, për të jetuar pranë njerëzve në qytete, synon pikërisht ‘mësimin’ e njerëzve me to dhe anasjelltas: kafshët të mësohen me njerëzit. Nëse veprohet ndryshe, siç na këshillojnë “qytetarët” e anëve tona, të zhytur në padrejtësi dhe padije edukative dhe pedagogjike, duke i kontrolluar ato, ne nuk ‘mësojmë’ asnjërën palë se si të sillet në qytete. Për pasojë, nëse ndonjë qen shpëton nga “jeta e kontrolluar” e cila mund të quhet pa asnjë rezervë ‘jetë e izoluar’, ne rrisim mundësitë e sulmeve!
Qartësisht, kur njerëzit s`janë të drejtë ose nuk kanë zhvilluar virtytin e drejtësisë qoftë edhe në nivel mesatar dhe nuk kanë zhvilluar dije pedagogjike, ata janë të rrezikshëm dhe ose edukohen ose përballen me forcën e ligjit që supozohet se ka kuptim më të drejtë se i njerëzve.
Për rastin në fjalë, kafshëdashësit duhet të protestojnë me qëllim që të tregojnë karakterin e padrejtë të “viktimës”, shoqërisë dhe institucioneve tona dhe të parandalojnë ngjarje të ngjashme.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 355 reads