...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Jetëshkrimi ose fjalët mbi gurin e varrit të Janullatosit dhe gjysmë të vërtetat e “gazetarëve” të oligarkisë

Do të rrinte vallë Noli apo ndonjë pasuesi` tij pa dënuar dhe kujtuar krimet greke?

Ylli Përmeti

01/02/2025 - 07:43

Në jatëshkrimin apo gurin e varrit të Janullatosit fjalët vijuese do të ishin të drejta: prift i përkushtuar dhe deri diku i ndershëm por si kryepeshkop i Shqipërisë, shkeli kanonet ortodokse (fjala greke “ortodoksi” ka kuptimin e drejtarsyetimit por fetarët i shtuan një ideologji) që kur u fronëzua, dhe u shtir për gati 31 vjet si fetar i ndershëm; vendosi kishën ontodokse shqiptare nën diktatin e tij por me ndihmën e pushtetit politik të Athinës, ku përfshihet dhe kisha greke, dhe me ndihmën e pushtetit politik të Brukselit dhe Uashingtonit, të cilët jo vetëm e ndihmuan për t`u zgjedhur, hamendësisht sepse atdhetarët tanë nuk do ta pranonin kurrë atë, por e ndihmuan dhe në “karrierën” e tij shtirëse prej më shumë se 30 vitesh.

Ai u përcoll nga krerët e pushteteve politike në Tiranë dhe u “vajtua” nga gjithë krerët e tjerë të shqiptarëve në trevat jashtë Shqipërisë; nga priftërinj shqiptarë por shumë me emra grekë, sepse ashtu i donte Janullatosi; dhe nga “perandoria” e tij “shqiptare” që arsimoi me milionat që i vinin kryesisht nga Greqia, dhe më pas i punësoi në detyra të rëndësishme shtetërore (media, universitete etj.).

Ai u nderua dhe vajtua dhe nga elita politike greke dhe populli përkatës për meritën e tij si përhapës i greqishtes (shkollat që hapi dhe financoi, greqishten e kishin gjuhë të detyruar!); për mbivendosjen e reaksionarëve të reaksionit grek përkundër atdhetarëve shqiptarë (p.sh., ngritja e bustit të Thimio Lolit në Delvinë, një reaksionar me zanafillë shqiptare por i trushpëlarë nga kisha greke e fillim shekullit të kaluar, i cili vrau e masakroi mijëra shqiptarë në luftën e parë dhe të dytë botërore, kryesisht kundër çamëve, ndaj bustit të të cilit Tirana heshti, ndërsa përkujtimoren e Hormovës për masakrat greke të vitit 1914, bashkia e Tepelenës me kryetar Peçin zvarriti rindërtimin por edhe kur e rindërtoi (2024) ai ishte “i pjesshëm” sipas vendasve, dhe shumë padrejtësi të tjera); dhe për zgjerimin e ndikimit të Greqisë jo thjesht në jug të Shqipërisë, por në gati 60 për qind të saj!    

Nuk pamë e nuk dëgjuam nga Janullatosi të dënonte krimet e grekëve ndaj shqiptarëve; as pamë e dëgjuam nga ai të dënonte shfrytëzimin e shqiptarëve në Greqi e Shqipëri apo shkeljen e të drejtave të tyre (mes tyre shumë ortodoksë). Do të rrinte vallë Noli apo ndonjë pasuesi` tij pa dënuar dhe kujtuar krimet greke?

Në median e oligarkisë, ndërkohë, mbizotëron “teza” se Janullatosi ishte “engjëll” dhe jo “djall” siç e paraqesin shumë. Por po të shohim se cilët ftojnë në studiot e tyre, kuptojmë dhe shkeljen e detyrës së “gazetarëve” të oligarkisë. Një të tillë ndoqa sot dhe nuk u habita: një prift dhe një gjysmëprift (ose mësues katekizmi) i thurnin lavde Janullatosit dhe pretendonin se ai nuk shkeli kanonet e fesë dhe se ai nuk i shërbeu Greqisë por fesë dhe Shqipërisë. “Gazetari” përkatës nuk bënte as vetë kundërtezën as kishte ftuar ndonjë tjetër. Kështu ia mbushi mendjen popullit dhe ngriti dhe dyshime se jo vetëm gazetarisë ose të vërtetës dhe popullit nuk i shërben por edhe “mund të jetë kuar nga paratë e Janullatosit”.   

Nuk është për t`u habituar dhe pretendimi tjetër se ata që kundërshtuan Janullatosin ditën e shpalljes si kryepeshkop, me thirrjet “Fan Noli, Papa Kristo Negovani etj.,” nuk ishin fetarë por thjesht “halabakë” të “mobilizuar” nga një historian i kohës―domethënë, se ata ishin të pandërgjegjshëm për çka kërkonin…drejtimin e kishës ortodokse nga një shqiptar, ndjekës të Fan Nolit, dhe jo grek ndërsa quajnë të ndërgjegjshëm mbështetësit e Janullatosit kur dihet se shumë “njerëz” veprojnë nga “fryn era” ose “nga lëvron paraja”.

Edhe kur tregojnë se Janullatosi rindërtoi dhe ndërtoi qindra kisha dhe më pas shkolla, nuk e shtrojnë çëshjten e demokracisë―domethënë, se sa të dëshirueshme dhe të nevojshme janë ato për popullin ku ndërtohen (janë ndërtuar qindra kulte fetare dhe populli s`është ftuar asnjë herë për të shqyrtuar dhe votuar nevojshmërinë e tyre por taktika që ndiqet nga pushtetet politike është “ne japim lejen, ne marrim paratë”, ndërsa nga elitat fetare ndiqet taktika e ryshfetit ndaj pushtetit politik dhe “lirisë së besimit”), se për të treguar se nga i gjente ai fondet s`mundohen shumë; mjaftohen me “rrëfimet” e priftërinjëve, të cilët mundohen të shfajësojnë shtetin grek (se ai s`ka dhënë asnjë qindarkë, thonë ata) por tregojnë “miqtë” e Janullatosit anëemban botës―domethënë, “filantropët”, ku përfshihen, sigurisht milionerët grekë, kur dihet se ç`qëllime kanë ata dhe “miqtë” e tjerë të kryepeshkopit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA