Marrëveshja e turpshme dhe kriminale e qeverisë “Rama” me amerikanët dhe grekët për gazin amerikan
Dy janë çështjet që na shqetësojnë lidhur me projektin e gazit amerikan të Vlorës: njëra lidhet me ndikimin që ka në mjedis dhe tjetra lidhet me mashtrimin e organizuar nga elita jonë, grekja dhe amerikania
Ylli Përmeti
29/04/2026 - 15:37
Marrëveshja e qeverisë “Rama” me amerikanët dhe grekët për të “investuar 6 miliardë dollarë” dhe “ndihmuar” vendin tonë të “pavarësohet”, bart implikime tejet të rrezikshme për vendin tonë, dhe nuk është vetëm kriminale por dhe e turpshme dhe qesharake.
Së pari, ajo pengon zhfrytëzimin e TAP-it. Marrëveshja fillestare e Shqipërisë me TAP-in parashikonte në fazën e parë që vendi ynë të shërbente kryesisht si korridor kalimi për gazin azerbajxhanas i cili kalon nga Greqia përmes Shqipërisë drejt Italisë, një projekt ku investimi tërësor i TAP-it në Shqipëri u llogarit në rreth 1.5 miliardë euro, duke i sjellë vendit rëndësi strategjike (në kuptimin e rëndësisë ndërkombëtare), punësim të përkohshëm dhe përfitime ekonomike, por jo furnizim të drejtpërdrejtë për familjet dhe ndërmarrjet e Shqipërisë.
Për atë fazë qeveria jonë shpenzoi rreth 1.1 milionë euro për hartimin e Masterplanit Kombëtar të Gazit. Për të shmangur rolin thjesht kalimtar të Shqipërisë, në fazën e dytë (2017) u hartua plani kombëtar i gazit për ta kthyer Shqipërinë edhe në përfituese të drejtpërdrejtë të gazit të TAP-it, përmes ndërtimit të rrjetit të brendshëm të shpërndarjes. Për këtë fazë janë shpenzuar mbi 14 milionë euro në studime ku përfshihet projekti i pikës së daljes së gazit në Fier, por megjithatë zbatimi mbetet i ngadaltë dhe Shqipëria ende nuk ka një rrjet kombëtar që të furnizojë gjerësisht ekonominë dhe familjet e popullit tonë.
Kështu në vend të përparonte projektin e TAP-it dhe të ndihmonte popullin tonë me gas me kosto të përballueshëm, sidomos bujqësinë, Rama nisi mashtrimin e popullit në vitin 2021, lidhur me gazin amerikan, në bashkëpunim me ish-ambasadoren amerikane, Juri Kim, dhe e rifilloi edhe një herë atë pas pesë vitesh bashkë me ambasadoren amerikane në Athinë, ku me gjasë përfshihet dhe Miçotaqi, dy javë pasi Athina nënshkroi fillimin e shpimeve në Jon, duke njoftuar një investim të bujshëm prej 6 miliardë dollarësh, i cili synon tregtimin e gazit amerikan dhe —siç thonë amerikanët— të “ulin varësinë” e rajonit “nga gazi rus” ndërsa qeveria jonë thotë se “diversifikon” burimet energjitike dhe rrit “pavarësinë energjitike”!
Të njëjtën propagandë përdorën dhe para pesë vitesh si Rama ashtu dhe amerikanët me në krye Kimin. Por me dy ndryshime të stërmëdha këtë herë: përdorimi i gazit amerikan këtë herë nxitet nga një ambasadore që ka të drejta diplomatike në Greqi dhe jo në Shqipëri ndërsa propaganduan një shumë të stërmadhe investimi: 6 miliardë dollarë!
Por po ta shohim shifrën përkatëse lidhur me çka pretendohet se do të zhvillohet—lundër përpunuese në det—dhe lidhjen e saj me linjën e TAP-it, kuptohet se bëhet fjalë për një mashtrim të përmasave të turpshme dhe sigurisht kriminale. Lundra përpunuese e gazit në Aleksandhroupol në Greqi — e cila përfshin lundrën (terminalin), lidhjet me rrjetin dhe rrjetin mbështetës rajonal — kushtoi afërsisht 500 deri në 600 milionë euro. Në rastin e Vlorës, rrjeti që parashikohet është edhe më e kufizuar: sepse lundra në det dhe lidhja Vlorë–Fier për ta futur gazin në linjën e TAP-it, është ndërtuar. Gjykuar nga ato kosto dhe përgatitje që janë bërë gjatë viteve të fundit, pretendimi se amerikanët do të investojnë 6 miliardë dollarë është një gënjeshtër trashanike.
Çështja tjetër, që është tejet kritike dhe që po i fshihet popullit tonë dhe veçanërisht popullit të Vlorës, sepse projekti parashikon përdorimin e një lundre përpunuese, ku gazi amerikan i lëngshëm do të përpunohet në det përpara se të futet në rrjetin tokësor. Praktika ngre shqetësime mjedisore sepse dy janë praktikat mbizotëruese: njëra përfshin një njësi lundruese të ruajtjes dhe rigazifikimit — në thelb një anije e madhe në det që merr gazin e lëngëzuar amerikan, e ruan në det, e ngroh për ta kthyer sërish në gjendje të gaztë dhe më pas e fut në linjën e TAP-it. Procesi i ngrohjes bëhet kryesisht në dy mënyra: përmes avullimit me ujë deti, ku përdoret uji i detit për të ngrohur gazin në shkëmbyes nxehtësie, ose përmes një sistemi djegieje, ku digjet një pjesë e gazit (shpesh gazi që vetë çlirohet nga ngarkesa) për të prodhuar nxehtësinë e nevojshme.
Praktika e parë që quhet “open-loop”, shpesh përdor edhe klor për pastrimin e sistemit — një proces që mund të dëmtojë planktonin e detit, vezët e peshqve, biodiversitetin detar dhe ekuilibrin ekologjik; e dyta quhet “closed-loop”, e cila ul ndikimin mbi ujin e detit por përdor djegie shtesë gazi, duke rritur ndotjen nga çlirimet. Duke qenë se Gjiri i Vlorës lidhet me turizmin, peshkimin dhe afërsinë me zonën detare të Karaburun-Sazanit, të dyja praktikat janë katastrofike për mjedisin dhe shëndetin e popullit: të Vlorës në veçanti dhe Shqipërisë në përgjithësi.
Përpjekja bart dhe një anë tjetër, të karakterit gjeopolitik: qendra në Aleksandhrupol të Greqisë mund të përballet me pengesa —për shkak se veprimtarët mjedisorë atje kërkojnë ndalimin e veprimtarisë së saj— për gjithë arsyet e përmendura, dhe si pasojë, amerikanët përgatisin një qendër tjetër në rast se gjykata greke ndalon veprimtarinë e tyre atje.
Ana tjetër është se përpjekja amerikane për të tregtuar gazin e saj, pengon përhapjen e gazit azerbajxhanas në vendin tonë ndërsa nuk mund të shitet në anët tona sepse gazi amerikan është shumë i shtrenjtë për popujt tanë, përjashto rastet kur amerikanët detyrojnë qeveritë ta blejnë atë. Pesë vite më parë paralajmëroja se amerikanët po shtynin një megaprojekt që nuk ishte fitim-prurës për ta (pikërisht sepse ka kosto të lartë) ndërsa pengonte përpjekjet e qeverisë “Rama” për të shfrytëzuar TAP-in. Pesë vite më pas, parashikimi im vërtetohet sa i përket ngecjes së shfrytëzimit të TAP-it ndërsa gjendja gjeopolitike do të përkeqësohet sepse elita jonë në bashkëpunim me elitën greke dhe amerikane, synon të zhvendosë vëmendjen e popullit tonë nga përpjekjet e Greqisë për të kapur Jonin dhe Otranton, ndërsa paralelisht shesin gazin e shtrenjtë amerikan (çmimi i gazit amerikan është rreth dyfish më i shtrenjtë se gazi Tap-it) dhe shkatërrojnë mjedisin tonë.
Çështja tjetër që duhet të na kishte sqaruar qeveria lidhet me “pastërtinë” e korporatave të përfshira në projektin e Vlorës për gazin amerikan, sepse si ndërmarrja greke ashtu edhe ndërmarrja amerikane kanë qenë të akuzuar, por në mënyra të ndryshme: AKTOR ka një shkelje të provuar në të kaluarën në fushën e konkurrencës (rast kartelash/falsifikim tenderësh), ndërsa ndërmarrja amerikane ka pasur vetëm mosmarrëveshje tregtare në arbitrazh dhe pretendime pa dënime penale. Sa i përket ndikimit (ose lobimit siç e quajnë ndrikullat tona), ndërmarrja amerikane vepron në Bruksel, ndërsa AKTOR vepron kryesisht si kompani zbatuese projektesh pa rol të madh ndikimi në institucionet e BE-së. Thënë, në fjalë të tjera, ato nuk janë të pastra pavarësisht dallimeve.
Në fund, vlen të përmendet se gjykatat evropiane kanë ndikuar vazhdimisht në projektet e gazit pasi kanë marrë padi mjedisore, përfshirë Francën (rastet e zgjerimit të gazit në Fos-sur-Mer, 2018–2022), Italinë (mosmarrëveshjet për rigazifikimin në Toskanë dhe Emilia-Romagna, 2017–2023), Gjermaninë (sfidat ndaj pikës së përpunimit në Brunsbüttel, 2020–2024) dhe Greqi, ku pika e Aleksandrupolit është kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme nga organizatat mjedisore atje dhe është paditur në Këshillin e Shtetit (gjykata më e lartë greke) që nga viti 2022–2023, duke e bërë atë një shembull veçanërisht të rëndësishëm për mosmarrëveshjet mjedisore dhe të lejeve në projekte të ngjashme energjetike.
Miçotaqi dhe ambasadorja amerikane në Greqi me siguri kanë të dhëna nga radhët e drejtësisë greke dhe besoj i druhen ndonjë vendimi për pezullimin e projektit. Kështuqë, kanë menduar ata, mirë është të përgatisim një tjetër fushëveprimi në Shqipëri, meqënse Ramën e kemi të dorës sonë, dhe kështu me një gur godasim dy zogj: i mashtrojmë shqiptarët edhe për projektin e Vlorës edhe për projektin e Jonit, ndërsa shesim për ca kohë gas deri sa të zgjohen, nëse zgjohen, dhe përpiqen ta ndalojnë me vendim gjykate…
Zgjerimi i kapitalit amerikan në Shqipëri përmes megaprojekteve dhe sfidat
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 52 reads



