...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mund të ketë luajtur Basha rol të dyfishtë në përpilimin e dosjes “anti-UÇK”?

Basha nuk di të mbrojë as veten kur mohon se ka qenë pjesë e hetimeve përkatëse: sepse nëse ka qenë, që mund të vërtetohet fare lehtë, implikon veten edhe më shumë

Ylli Përmeti

18/11/2020 - 10:44

Në vitin 1998-99 kur u zhvillua lufta mes serbëve dhe popullit shqiptar Basha ishte pjesë e grupit hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për ndjekjen ligjore ose procedimin e personave me përgjegjësi për shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar të kryer në territorin e ish Jugosllavisë që nga viti 1991 që shkurt njihet si “Gjykata Kriminale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë”. Kjo gjykatë ishte trup i Kombeve të Bashkuar. Vendodhja e gjykatës është në Hagë të Holandës. Në atë kohë, Shqipëria drejtohësh nga Pandeli Majko.

Lexo, për më shumë, Fillimi dhe fundi i Tribunalit të Hagës

Dhe vijmë tek rasti i parë për të cilin akuzohet Basha: për hetimet që janë zhvilluar tek “Shtëpia e Verdhë” ku dyshohet se janë kryer krime lufte (treg organesh etj.). Këto dyshime janë ngritur si fillim nga Karla Del Ponte, prokurore zvicerane. Ngasa është thënë, grupi përkatës nuk u shoqërua nga zyrtarët e shtetit. Kështuqë, nuk ekziston ndonjë raport shtetëror për rastin në fjalë.

Për këtë rast Basha akuzohet se ka ndihmuar akuzën —serbët në këtë rast— për të përpiluar dosjen dhe zhduku kasetën-provë për vrasjen nga serbët të 240 shqiptarëve në Krushë. Kasetën përkatëse e mori nga Miliam Bellanica. Vetë ky i fundit dëshmon se ia ka dhënë Bashës gjatë një nate hetimi sepse Basha i premtoi se do ta dërgonte në Gjykatën e Hagës dhe do të siguronte dhe jetën e tij meqë kërcënohësh nga serbët. Basha refuzon akuzën përkatëse! Madje ai refuzon se nuk e njeh fare Bellanicën!

Çështja kryesore që duhet të hetohet, në fakt, është fakti se pse grupi hetimor nuk u shoqërua nga zyrtarët e shtetit por u mjaftua me Bashën! Kjo është përgjegjësi e karakterit shtetëror dhe lidhet drejtpërdrejt me Majkon. Çështja tjetër është vetë Basha. Nga këndvështrimi profesional, ai ka të drejtë të hetojë çdo akuzë qoftë edhe nëse vijnë nga armiqtë tanë. Por problemi qendron te fakti se ai mohon të ketë qenë pjesë e grupit përkatës—çka nënkupton se ose fsheh diçka ose ka frikë nga diçka!

Për kasetën, Dashamir Peza, gazetar që përkthente BBC-më, pohoi se ajo gjendet në duart e BBC-së. Basha pohon se ai ka mësuar për kasetën nga gazetari përkatës. Le të shpresojmë se ky pohim është i vërtetë dhe mund ta rimarrim nga institucioni përkatës dhe ta përdorim kundrejt serbëve nëse nevojitet.

Basha refuzon edhe akuzën tjetër që lidhet me hetimet përkatëse: akuzën që vjen nga hetuesi i OKB-së Jose Pablo Baraybar, se Basha e ka shoqëruar një herë në hetimet e tij në “Shtëpinë e Verdhë” në vitin 2010, por këtë herë si përkthyes.

Sidoqoftë, Basha i mohoi të dy rastet: në rastin e parë ka qenë “pjesë” e grupit hetimor ndërsa në rastin e dytë “përkthyes”. Por në një shfaqje publike, ai pohoi se ishte “pjesë” e hetimeve gjatë viteve 98-99. Kështuqë kjo çështje meriton të hetohet si në raport me Majkon ashtu dhe në raport me Bashën.

Aktualisht qeveria “Rama” po i përdor akuzat në fjalë kryesisht për të dëmtuar rivalin e saj kryesor se sa për hir të drejtësisë. Ka thënë, gjithashtu, se do të ngrejë një komision hetimor*. Por ajo —ndoshta në padije— do të zbulojë dhe përgjegjësinë e Majkos nëse hetohet rasti siç ka thënë.

Sidoqoftë, ajo mund ta shmang përgjegjësinë e Majkos dhe të përqendrohet vetëm tek “implikimet e mundshme” të Bashës. Ky i fundit, shkollar i drejtësisë, nuk di të mbrojë as veten kur mohon se ka qenë pjesë e hetimeve përkatëse: sepse nëse ka qenë, që mund të vërtetohet fare lehtë, implikon veten edhe më shumë.   

Akuzat ndaj Bashës për përfshirje në përpilimin e dosjes “anti-UÇK” —të cilat vijnë si nga Kosova ashtu dhe nga Rama— i kanë mbrojtur shumë protagonistë të televizioneve. Por më i shquari është Gjekmarkaj. Ky paraqitet si analist dhe pedagog. Unë dyshoj shumë për aftësinë e tij analitike dhe pedagogjike: sepse si në analizë ashtu dhe në pedagogji njeriu duhet të jetë i drejtë. Pedagogjia, në fakt, nuk përfshin vetëm drejtësinë por kryesisht ‘bërjen’ e njeriut virtuoz. Për shembull, Gjekmarkaj përdor kundërargumentin ndaj atyre që thonë se Basha “duhet të na sqarojë” për akuzat që i bëhen se “nesër Bashën mund ta akuzojnë për shkelje të flamurit kombëtar; se na rrahu kalamaun në oborr etj.”.

Kështu, ndërsa ngatërron shembujt —sepse nuk mund të krahasohet një rast ku Basha është përfshirë juridikisht dhe një rast hipotetik i karakterit social— nënkupton, gjithashtu, se Bellanica mund të jetë korruptuar meqë kanë kaluar 20 vjet. Teza që përdorin është se ky është “inskenim” i Ramës për të na çorientuar nga hallet e tjera dhe se ky çorientim çon ujë në mullirin e Serbisë. Këta janë aq të sigurtë për “pastërtinë” e Bashës saqë “shqyhen” nga një studio në tjerën. Në fakt, ata janë brujtur nga partia përkatëse dhe s`kanë se si mos ta mbrojnë udhëheqësin e tyre.

Kujtoj se të ashtuquajturit “udhëheqës” historikisht kanë luajtur lojra të dyfishta për mos të thënë të shumëfishta—në kuptimin që u shërbejnë së pari të huajve pastaj po mbeti ndonjë grimcë mirësie u shërbejnë popujve prej të cilëve rrjedhin. Rast unik në anët tona është Esad Pashë Toptani. Ky ka luajtur lojë të dyfishtë kryesisht me Serbinë.

Një njeri i drejtë, shkurt, do të thoshte, të hetohet meqë është përfshirë juridikisht në një çështje që lidhet me luftën heroike të popullit tonë.

Basha sqaroi akuzat e tij pas presionit që ushtroi media -kryesisht Top Channel- dhe Rama. Por kjo s`do të thotë se sqarimet e tij nuk duhet të hetohen: sepse asnjë njeri nuk mund të besohet në sqarimet e tij lidhur me rolin e tij në çështjen përkatëse pa hetim dhe gjykim.             

Si përfundim, unë besoj se Basha ka patur mundësi të siguronte të dhëna lidhur me hetimet ndaj UÇK-së pavarësisht se ka qenë pjesë e hetimeve 98-99 dhe përkthyes më pas dhe jo kryehetues. Por nuk besoj se ka qenë i infiltruar nga serbët. Ai thjesht i ka përcjellë të dhënat Berishës dhe ky i fundit serbëve. Por nevojitet hetim pavarësisht se çfarë besoj unë. Hetimi i kësaj çështje do të na ndihmonte të kuptonim rolin e Berishës lidhur me shkatërrimin e strukturës ekonomike dhe ushatarake gjatë dekadës së parë drejt kaosit - ekzistenca e së cilës do ta kishte bërë të pamundur genocidin serb…    

*Shënim: Taulant Balla, nismëtari i komisionit në fjalë, sqaroi natyrën e komisionit në një shfaqje publike. Ai argumentoi se komisioni nuk do të ngrihet për të hetuar Bashën por për të pastruar imazhin e Shqipërisë dhe UÇK-së lidhur me akuzat përkatëse. Sipas nenit 77 i Kushtetutës dhe 24 i rregullores së kuvendit, citon ai, është komision i posaçëm për çështje të veçanta, pra merret në shqyrtim raporti i Dick Martyt për çështjet që përfshijnë Shqipërinë.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA