...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fillimi dhe fundi i Tribunalit të Hagës

Pas 10,800 ditë gjykime, dëgjimit të të akuzuarëve dhe të 4,650 dëshmitarëve, shqyrtimit, analizimit dhe vlerësimit të provave të tjera, më se 2,5 milion faqe të transkriptuara,- Tribunali i Hagës lë pas vete një lëndë të pasur arkivore, të shifrarizuar, me mundësi të qasjes elektronike në shkresat publike, të cilën ia lë trashëgim gjyqësisë ndërkombëtare dhe kombëtare. Ato materiale mund të shërbejnë edhe për studime e botime të ndryshme juridike, politike, sociologjike, kriminalistike, humanitare etj.

Adil Fetahu

19/12/2017 - 15:06

Fillimi - themelimi i Tribunalit

Gjykata Penale për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, gjërësisht e njohur si Tribunali i Hagës (edhe ne këtu do ta përdorim këtë shkurtim: Tribunali), ishte një ad-hoc gjykatë penale ndërkombëtare, e themeluar me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.  Quhet ad-hoc, sepse ishte e njëhershme, e themeluar për një ngjarje,  me mandat të caktuar, që shuhet kur ta kryejë detyrën. Ad-hoc tribunale kanë qenë edhe Gjyqi Ushtarak i Nuenbergut (Gjermani, 1945), dhe ai i Tokios (1946), pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur fuqitë aleate fituese të luftës i themeluan për gjykimin e nazistëve të Rajhut gjerman, respektivisht të militaristëve japonezë.  Shkak i themelimit të Tribunalit të Hagës ishte lufta që u zhvillua kur Serbia hegjemoniste, me tërë potencialin ushtarak të ish-Jugoslalvisë, bëri agresion kundër ish-republikës së Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, e më vonë edhe kundër Kosovës. Në ato luftëra ka marrë pjesë me tërë potencialin e vet e ashtuquajtura APJ, e cila mbante anën e Serbisë dhe të serbëve të Kroacisë, të Bosnjes e të Kosovës. Përveç ushtrisë së rregullt, në luftë morën pjesë edhe rreth 90 grupe të ndryshme paramilitare, partiake e jopartiake, në të cilat kishte edhe mercenarë rusë, ukrainasë e të tjerë, dhe  kryen krime të llahtarshme kundër popullsisë civile, duke shkelur rëndë ligjet dhe zakonet e luftës, duke bërë krime kundër njerëzimit, shkatërrime në masë, pastrime etnike, dhunë seksusale dhe gjenocid. Të detyruara për t’u mbrojtur nga agresioni serb, vendet e sulmuara formuan ushtritë e veta nacionale, kroate e boshnjake dhe më vonë UÇK-ja, të cilat kishin potencial tejet të kufizuar në trupa dhe armatim në krahasim me ushtrinë serbo-jugosllave (APJ), por që kishin motiv dhe moral më të fortë, sepse luftonin për mbrojtje dhe çlirim.

Themelimit të Tribunalit i parapriu puna dhe raporti i një Komisioni special për hetimin e krimeve dhe shkeljen e Konventës së Gjenevës dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare. Komisioni prej 5 vetash u themelua me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Rezoluta Nr.780 (1992) dt. 06.10.1992, dhe Nr.782 (1992), dt. 16.11.1992). Komisioni bëri hetime në terren, konstatoi krime të rënda, dhe raportin prej 65000 faqe tekst të shtypur, me një mori të madhe materiali dokumentues (regjistrime filmike e video), ia paraqiti Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-s (Kofi Anan). Materiali i shkruar përmbante një mori deklaratash të viktimave dhe të dëshmitarëve, të cilat më vonë i janë lënë në dispozicion Tribunalit të Hagës. Është interesant që Komisioni kishte konstatuar se në Prijedor ishte kryer gjenocid, por Tribunali në gjykimet e veta më vonë këtë nuk e ka konstatuar, sepse gjenocid ka vërtetuar vetëm për krimet e kryera në Srebrenicë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, më 03.05.1993, i paraqiti Këshillit të Sigurimit raport për vërtetimet e krimeve të kryera, dhe propozoi formimin e Tribunalit për të gykuar individët më përgjegjës për krimet e vërtetuara. Ndërkohë, ekspertët punuan në hartimin e Statutit të Tribunalit dhe  në mbledhjen e KS të mbajtur më 25 maj 1993, njëzëri u miratua edhe vendimi për themelimin e Tribunalit edhe Statuti (Rezoluta e KS, Nr.827 (1993) dt.25.05.1993).

Aktet, kompetencat, gjyqtarët dhe prokurori, legjislacioni dhe metoda e punës së Tribunalit

Akti themelues i Tribunalit është Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Nr.827 (1993), dt.25.05.1993. Përveç preambulës, Rezoluta përmbanë 9 pika (vendime), nga të cilat po citojmë dy më kryesoret: pika 2) “Vendos themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare për procedimin kundër personave përgjegjës për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare të kryera në ish-Jugosllavi prej vitit 1991 deri ditën që do ta caktojë KS pas lidhjes së paqes”; pika 4) “I obligon të gjithë shtetet të bashkëpunojnë me Tribunalin dhe t’i ofrojnë ndihmë me fonde, me pajime dhe ndihmë profesionale”. Akti kryesor organik i formës dhe përbërjes së organizimit dhe i kompetencave, është Statuti i Tribunalit, të cilin e ka miratuar KS, në paketë bashkë me Rezolutën nr.827. Statuti përmbanë 34 nene, në të cilët janë përcaktuar: organizimi, struktura, kompetencat, llojet e krimeve, gjyqtarët, prokurori, sekretaria, të drejtat e të akuzuarëve, mbrojtja e viktimave dhe e dëshmitarëve, dënimet, procedura e ankimit, ekzekutimi i dënimeve, bashkëpunimi dhe ndihma juridike, pozita, favoret dhe imuniteti i gjyqtarëve dhe prokurorit, shpenzimet, përdorimi i gjuhës etj. Kompetenca reale, territoriale dhe kohore  e Tribunalit ishin: gjykimi  i personave fizikë të cilët kanë kryer krimet më të rëndë gjatë luftës në territorin e ish-RSFJ prej 1 janarit 1991 e tutje, dhe:  shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës të vitit 1949; shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës; krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Tribunali kishte 14 deri 18 gjyqtarë të përhershëm, të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e KB, nga lista e kandiatëve prej shteteve të ndryshme. Ata ishin të ndarë nga 3 gjyqtarë në tri kolegje të shkallës së parë, dhe 5 gjyqtarë për Kolegjin e Apelit (shkalla e dytë). Kolegji i Apelit ishte kompetent edhe për Tribunalin e Ruandës.  Tribunali kishte edhe gjyqtarë rezervë (ad- litem). Gjyqtarët ad-litem nuk mund të ishin anëtarë të Kolegjit të Apelit, as të votonin për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Tribunalit. Kryetarin dhe nënkryetarin e Tribunalit e zgjidhte Seanca (Asambleja) e Përgjithshme e Gjyqtarëve të përhershëm të Tribunalit, me mandat  dy vjeçar, dhe mund të rizgjidhej  (vetëm) edhe për një mandat shtesë (2+2 vjet). Prej të parit e deri tek i fundit, kryetarë të Tribunalit ishin:  Antonio Kasesse (nga Italia), Gabriela Kirk Mekdonald (ShBA), Klod Zhorda (Francë), Theodor Meron (ShBA),  Fausto Pokar (Itali), Patrik Robinson (Xhamajkë),  dhe i fundit  Karmel Agius (Maltë). Prokurorin e zgjidhte Këshilli i Sigurimit. Prokurori ishte i pavarur dhe i autorizuar të identifikojë të akuzuarit dhe dëshmitarët, të mblidhte prova, të paraqiste aktakuzën dhe ta mbronte atë para gjykatës. Prej të parit deri tek i fundit, janë zgjedhur gjashtë prokurorë: Ramon Salom (Venezuelë), Riçard Goldstoin (Afrika e Jugut), Luis Arbur (Kanadë, e cila ngriti aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviqit, për krimet e kryera në Kosovë), Erik Estberg (Francë), Karla del Ponte (Zvicër) dhe Serzh Bramerc  (Belgjikë, i cili do të jetë prokuror edhe në Mekanizmin që vazhdon punët e pakryera të Tribunalit). Tribunali kishte edhe Sekretarinë, e cila kryente detyra administrative, teknike, juridike e diplomatike, kujdesej për të paraburgosurit, dëshmitarët, logjistikën, financat etj. Rregullat e Procedurës (125 rregulla), dhe 92 rregullat e tjera për personat në paraburgim, i ka miratuar Seanca e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Tribunalit,  më 11 shkurt, respektivisht më 5 maj 1994.

Dorëzimi (vullnetar) dhe ekstradimi i të akuzuarve

Tribunali i Hagës, parimisht i ka proceduar personat nga pozitat më të larta shtetërore, ushtarake e policore, të dyshuar për krimet më të rënda. Personat e tjerë, të rangut më të ulët të cilët kanë kryer krime është dashur t’i procedojnë gjykatat vendore. Një numër i vogël i të akuzuarëve janë dorëzuar  vet në Tribunalin e Hagës (Serbisë M.Millutinoviq, kryetar i Serbisë,  M.Perishiq, ish-kryeshef i Shtabit të përgjithshëm të APJ, Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës, V.Sheshel, lider i Partisë Radikale Serbe, etj.). Shtetet prej nga ishin të akuzuarit, hezitonin, kundërshtonin dhe vononin arrestimin dhe ekstradimin e të akuzuarëve, sepse ata i konsideronin si patriotë që kanë luftuar për kauzën kombëtare. Nga Serbia që ishte agresore, ishte numri më i madh i të akuzuarëve, duke nisur nga kreu i ish-RFJ, (Sllobodan Milosheviç) dhe kreu i Serbisë (M.Millutinoviç), Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë (M.Perishiç) dhe kreu i policisë (V.Stojilkoviç), deri tek udhëheqës të tjerë shtetëror (N.Shainoviç) e komandantë ushtarakë e policorë, të cilët Tribunali i cilësoi si grup i ndërmarrjes së përbashkët kriminale.  Serbia dhe Rusia ishin shtetet që e kanë kundërshtuar më së tepërmi legjitimitetin e formimit dhe kompetencën e Tribunalit, dhe dorëzimin e të akuzuarëve. Dhe është interesant që Rusia si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, pa kurrëfarë rezerve e kishte votuar Rezolutën për formimin e Tribunalit, e më vonë tërë kohën e ka kontestuar legjitimitetin dhe punën e tij, gjithmonë duke mbajtur anën e Serbisë. E ashtuquajtura RFJ (Serbi e Mali Zi), me një shkresë dërguar OKB-së më 19.05.1993, e kundërshtonte formimin dhe nuk e njihte jurisdisksionin e Tribunalit, me arsyetimin se ad-hoc gjykata është në kundërshtim me të drejtën e përgjithshme, dhe se shkelë juridiksionin e brendshëm  dhe sovranitetin e shtetit, në kuptim të nenit 2 pika 7 të Kartës së KB. Sa i përket  (mos)ekstradimit të të akuzuarëve, Serbia arsyetohej se kjo ishte e ndaluar me Kushtetutën e saj (1990), në të cilën ishte përcaktuar  “ndalimi i privimit nga shtetësia apo i ekstradimit të qytetarëve të saj”.  Tërë aparati shtetëror e shoqëror i Serbisë e kundërshtonte legjitimitetin dhe punën e Tribunalit. Është karakteristike gjuha e vrazhdë në një letër (25 faqesh) të ministrit të drejtësisë së Serbisë, Petar Jojiç, dërguar Tribunalit (maj 2000), në të cilën ndër të tjera shkruante: “Tërë Tribunali së bashku është një organizatë kriminale, i përbërë nga mercenarë, spiunë, plehra dhe shërbëtorë të Amerikës dhe NATO-s, ndërsa Karla del Ponte është një lavire, e cila rrëmben e vret serbë të pafajshëm”! Me gjithë kundërshtimet me gjuhë të vrazhdë dhe aspak diplomatike, nga presioni i ushtruar dhe kërcënimi me sanksione, Serbia u detyrua që edhe pas shumë kohe zvarritje, t’i kapë një nga një si minjt dhe t’ia dorëzojë Tribunalit të gjithë të akuzuarit, prej kryekriminelit S.Millosheviç e deri tek i fundit – Ratko Mlladiç. Duket se për shkak të arrestimit dhe ekstradimit të kriminelëve serbë, u krye atentati kundër kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Zoran Gjingjiç (12 mars 2003). Disa të akuzuar janë kapur në Rusi, Spanjë, Gjermani, Argjentinë dhe i janë ekstraduar Tribunalit.

Gjykimi i kriminelëve: politika ndëshkimore e Tribunalit

Pas procesit të Nuenbergut  pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilin 10 të akuzuar janë dënuar me vdekje (varje), 3 me burgim të përjetshëm, 4 me burgim në kohëzgjatje të ndryshme dhe 3 janë liruar,-  Tribunali i Hagësishte ad-hoc gjykata e parë Penale Ndërkombëtare që u themelua  për të gjykuar krimet e luftës së zhvilluar në ish-Jugosllavi, dhe  një vit më vonë u themelua edhe Tribunali i Ruandës. Se sa vështirësi kishte Tribunali në mbledhjen e argumenteve dhe arrestimin e kriminelëve, mund të konkludohet me faktin që Tribunali u themelua në maj të vitit 1993, ndërsa akuzat e para i ngriti dhe procesin e parë gjyqësor e filloi në maj të vitit 1996 (kundër serbit të Bosnjes, Dushko Tadiçit dhe kroatit të Bosnjes, Drazhen Erdemoviç). Prej atëherë e deri më 29 nëntor 2017, kur u mbajt séanca e fundit e procesit gjyqësor kundër gjashtë generalëve kroatë të Bosnjës (rasti: “Përliçi”e të tjerë), në Tribunal ishin ngritur 160 aktakuza, ndërsa dënimet u janë shqiptuar 84  të akuzuarëve. Nëse  analizojmë strukturën kombëtare të të dënuarëve, na del kjo statistikë: a) prej 64 Serbëve 58 janë dënuar me kohëzgjatje të përgjithshme 997 vjet burgim; 6 Serbë të Bosnjës janë dënuar me burgim të përjetshëm (Ljubisha Beara, Zdravko Tolmir, Stanislav Galiç, Milan Lukiç, Vujadin Popoviç dhe Ratko Mladiç). Për 8 serbë të tjerë të Bosnjës, Tribunali ia ka ceduar lëndët gjykatës në Sarajevë, dhe ata janë dënuar me 143 vjet burgim. Pra,  72 Serbë janë dënuar me gjithsej 1140 vjet burgim;  b) 20 Kroatë janë dënuar me gjithsej 284 vjet burgim; c) 5 Boshnjakë janë dënuar me gjithsej  42 vjet burgim;  1 Shqiptar (Haradin Bala) është dënuar me 13 vjet burgim; dhe 1 Maqedon është dënuar me 12 vjet burgim. Do të thotë, përveç 6 të dënuarëve me burgim të përjetshëm, dhe atyre 8 lëndëve që ia ka ceduar gjykatës së Sarajevës, Tribunali i ka dënuar 84 të akuzuar, me gjithsejt 1348 vjet burgim. Dënimi me burgim të përjetshëm është dënimi më i rëndë që mund ta shqiptonte Tribunali. Dënimet tjera të shqiptuara me kohëzgjatje të caktuar sillen prej 40 vjet  (Radovan Karaxhiçit dhe dy Serbëve tjerë të Bosnjës), deri në 2,5 vjet burgim (boshnjakut Amir Kubura). Tribunali i ka liruar nga aktakuza 19 vetë, mes të cilëve janë 6 shqiptarë (Idriz Balaj, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Isak Musliu, Agim Murtezi, për të cilin Prokurori e ka tërhequr akuzën,  dhe Ramush Hardinaj). Nga 7 Serbë të liruar, për dy ish (Jovica Stanishiq dhe Franko Stamatoviq), në bazë të ankesës së Prokurorit, Kolegji i Apelit e ka abroguar aktgjykimin dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim, të cilën do ta gjykojë Mekanizmi i ri gjyqësor që e ka trashëguar Tribunalin.  Nga 34 Kroatë të akuzuar, 20 janë dënuar, 8 janë liruar, 2 kanë vdekur para se të përfundojë procesi gjyqësor, dhe për 4 është tërhequr aktakuza (në mesin e kroatëve është edhe gjenerali  shqiptar Rrahim Ademaj, të cilin Tribunali e ka lriuar).  Boshnjakë ishin 9 të akuzuar, 5 janë dënuar, 3 janë liruar dhe 1 ka vdekur pa përfunduar procesi. Maqedonë të akuzuar ishin 2, njeni është dënuar dhe tjetri është liruar.  Për 17 të akuzuar Tribunali e ka ndërprerë procedurën, për shkak se kanë vdekur gjatë kohës së paraburgimit, apo janë vetëvrarë ose vrarë pa iu dorëzuar Tribunalit. Mes të vdekurve gjatë paraburgimit ishte edhe “kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviçi, i cili  u gjet i vdekur në dhomën e tij, më 14 mars 2006, ndërsa ish-ministri i policisë së Serbisë, Vllajko Stojilkoviç, la një letër të gjatë për shkaqet, dhe bëri vetëvrasje (11.04.2002) në hyrje të Kuvendit të Serbisë, ku ishte deputet, kurse Zhelko Razhnatoviq-Arkanin e vranë shokët e vet kriminelë, si qen të rrugëve, në Hotelin “Intercontinental” në Beograd (15.01.2000).

Politikës ndëshkimore të Tribunalit i janë bërë dhe mund t’i bëhen vërejtje të shumta, nga të gjitha palët ndërluftuese, secila nga prizmi i interesave dhe pikëpamjeve të veta. Serbët kishin vërejtje se numri më i madh i të gjykuarve dhe dënimet më të rënda u janë shqiptuar serbëve. Por ata “harrojnë” se serbët dhe shteti i tyre ishte agresori, se ata kishin potencialin luftarak shumëfish më të madh se popujt që sulmonin dhe se kryen krimet më të  shumta dhe më monstruoze në Bosnje, Kroaci e Kosovë. Boshnjakët, Kroatët dhe Shqiptarët nuk luftuan as kryen krime në Serbi, por luftuan për ta mbrojtur vendin dhe popullin e tyre.

Përkundër vërejtjeve të natyrës politike dhe emocionale të palëve të pakënaqura me vendimet e Tribunalit, politikës ndëshkimore të tij mund t’i bëhen vërejtje serioze të natyrës juridike. Kishte shumë aktgjykime liruese, e disa janë skandaloze, saqë ia ka ulë vetes kredibilitetin profesional. Bie fjala, kryeshefin e Shtabit të Përgjithshëm të APJ, Momçillo Perishiç, shkalla e parë e dënoi me 27 vjet burgim, ndërsa shkalla e dytë e liroi krejtësisht të pafajshëm. Kështu veproi edhe me generalët kroatë: Ante Gotovina e Mlladen Markaç, të cilët shkalla e parë i dënoi me 24, respektivisht 18 vjet burgim, ndërsa shkalla e dytë i liroi krejtësisht të pafajshëm, nga çdo pikë e aktakuzës. Madje, midis politikës ndëshkimore dhe aktgjykimeve të Tribunalit nuk kishte një praktikë konsistente. Shembulli më eklatant është lirimi i Sheshelit nga të gjitha pikat e aktakuzës (më 31 mars 2016), ndonëse në aktgjykimin e Karaxhiçit, vetëm një javë më përpara (24 mars 2016), ishte vërtetuar se Shesheli ka qenë pjesëmarrës  në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, në grupin me serbët e Bosnjës: Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiç, Momçillo Krajishnik, Bilana Pllavshiç, Nikolla Koleviç, Zhelko Razhnatoviç, Vojisllav Shesheli! Nga ana tjetër, edhe pse gjykoheshin për krimet më të rënda, dënimet ishin tepër të buta. Prej 84 të dënuarëve, 31 janë dënuar me më pak se 20 vjet burgim, ndërsa 21 me më pak se 10 vjet. Nja 20 të akuzuar kanë marrë dënime më të lehta falë marrëveshjes absurde me prokurorin që i akuzuari të pranojë fajin për disa krime të kryera, ndërsa prokurori të heqë dorë nga akuza për disa krime tjera (psh.Bilana Pllavshiç, nga grupi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale, u dënua vetëm me 11 vjet burgim). Ajo që ishte më dëshpruese për viktimat, të gjykuarit janë liruar automatikisht sapo e kanë vuajtur 2/3 e dënimit. Sipas kësaj praktike të Tribunalit, deri tash 56 të dënuar “e kanë vuajtur dënimin” dhe janë liruar, ndërsa vetëm edhe 18 janë duke vuajtur dënimin, në shtetet me të cilat Tribunali ka lidhë marrëveshje. Tribunali nuk ka marrë asnjë vendim për dëmshpërblim për viktimat, as për kompensimin e dëmit personave të liruar nga aktakuza, ndonëse kanë qëndruar nga disa vjet në paraburgim!

Fundja, problemi nuk qëndron as te numri i kriminelëve të gjykuar apo të liruar nga Tribunali, as te dënimet. Por te numri i madh i kriminelëve të cilët nuk janë përballur fare me drejtësinë, dhe lëvizin të lirë, madje mbajnë edhe pozita të rëndësishme në fusha të ndryshme dhe konsiderohen si heronjë (shembulli i shefit aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Dikoviç, e shumë “…viça” të tjerë).

Mekanizmi që vazhdon punën e Tribunalit

Punën e vet më se 24 vjeçare Tribunali  e përfundoi  në mënyrë aksidentale më 29 nëntor 2017, me shqiptimin e dënimit të gjashtë generalëve kroatë të Bosnjës, pasi e dëgjoi shqiptimin e dënimit me 20 vjet burgim,  gjenerali Sllobodan Pralak, sikur të luante në një dramë, tragjedi, nxori prej xhepi një shishe të vogël me cianid, u ngrit në këmbë, shqiptoi fjalët e fundit: “Sllobodan Pralak nuk është kriminel”, ngriti shishen sikur donte të ngrinte dolli për fundin e Tribunalit, e piu cianidin, dhe pas një ore vdiq në spital. Me këtë akt të fundit, Tribunali i Hagës mbylli punën e vet. E suksesshme apo e pasuksesshme, e njëanshme apo e paanshme, puna e Tribunalit ka lënë gjurmë e materiale të rëndësishme për historinë e luftës dhe krimeve të kryera në ish-Jugosllavi, dhe për praktikën e të drejtës penale ndërkombëtare. Pas 10,800 ditë gjykime, dëgjimit të të akuzuarëve dhe të 4,650 dëshmitarëve, shqyrtimit, analizimit dhe vlerësimit të provave të tjera, më se 2,5 milion faqe të transkriptuara,- Tribunali i Hagës lë pas vete një lëndë të pasur arkivore, të shifrarizuar, me mundësi të qasjes elektronike në shkresat publike, të cilën ia lë trashëgim gjyqësisë ndërkombëtare dhe kombëtare. Ato materiale mund të shërbejnë edhe për studime e botime të ndryshme juridike, politike, sociologjike, kriminalistike, humanitare etj.

Punën e papërfunduar të Tribunalit të Hagës dhe atij të Ruandës, do ta përfundojë Mekanizmi  për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, të cilin e ka themeluar Këshilli i Sigurimit i KB, me Rezolutën Nr.1999, dt. 22 dhjetor 2010. Mekanizmi përbëhet prej dy degëve për gjykime në shkallë të parë: atë për Tribunalin e Hagës (me seli në Hagë) dhe atë për Tribunalin e Ruandës (me seli në Arusha, Tanzani), ndërsa shkalla e dytë është e përbashkët për të dy degët, me seli në Hagë. Bashkë me vendimin (Rezolutën) për themelimin e Mekanizmit, KS e ka miratuar në paketë edhe Statutin e Mekanizmit. Mekanizmi do të gjykojë lëndët e papërfunduara të Tribunaleve. Konkretisht, do të gjykojë si shkallë e dytë për ankesat e mbrojtjes së Karaxhiçit e Mlladiçit, dhe për ankesën e Prokurorit kundër lirimit të Sheshelit, ndërsa si shkallë e parë do të rigjykojë kundër shefit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëtor të Serbisë, Jovica Stanishiçit, dhe zëvendësit të tij Franko Stamatoviç. Shtetet janë të detyruara të bashkëpunojnë me Mekanizmin, siç ishin të detyruara të bashkëpunonin me Tribunalin.

Kështu, Tibunali i Hagës  “e mbyllë derën” përfundimisht më 31 dhjetor 2017, ndërsa  nëpër të njëjtën derë hyn Mekanizmi  për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, për të vazhduar e përfunduar punën aty ku e ka lënë Tribunali.                                                                        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA